Kreu Opinion V. S. Naipaul: Të jesh shkrimtar

V. S. Naipaul: Të jesh shkrimtar

British author V.S. Naipaul at his home near Salisbury, Wiltshire, October 11, 2001 after it was announced that he has been awarded the Nobel Prize for Literature. The 69-year-old, Trinidad-born writer landed the award for "having united perceptive narrative and incorruptible scrutiny in works that compel us to see the presence of suppressed histories", according to the prize academy. ? OUT ? ONLINES - PBEAHUKXBED

Përktheu Granit Zela

Në të vërtetë nuk e di se si u bëra shkrimtar. Mund të jap disa data dhe fakte të caktuara rreth karrierës sime, por vetë procesi mbetet mister. Është e mistershme, për shembull, se si ambicia duhet të ketë lindur e para, dëshira për të qenë shkrimtar, për ta dalluar nga dëshira për famë dhe se kjo ambicie duhet të ketë lindur shumë kohë para se të mund të mendoja për të shkruar.

Mbaj mend se gjatë semestrit tim të parë në Oksford në vitin 1950, bëja për shëtitje të gjata. Kujtoj rrugët, gjethet e vjeshtës, makinat dhe kamionët që kalonin, duke i ngritur gjethet lart ndërsa vrisja mendjen se për çfarë do të shkruaja. Kisha punuar kaq shumë për të fituar bursën për të shkuar në Oksford, për të qenë shkrimtar. Por tani që isha atje, nuk dija për çfarë të shkruaja. Dhe me të vërtetë, mendoj, edhe nëse nxitesha nga nevoja e madhe, diçka e ngjashme me panikun, mund të mos kisha shkruar kurrë. Ideja për ta lënë mënjanë ambicjen për të shkruar ishte shumë qetësuese dhe joshëse ashtu sikurse thuhet se ishte gjumi joshës për ushtarët e Napoleonit gjatë tërheqjes nga Moska.

Më dukej veprim i panatyrshëm të ulesha për të shkruar një libër. Dhe kjo ndjenjë më shoqëron ende, gjatë gjithë këtyre viteve të vona, në fillim të një libri, po flas për një vepër letrare. Nuk ka një temë ose histori të saktë që mendoj por shumë gjëra janë brenda meje: shkruaj me vetëdije fillimet e panatyrshme (artificiale) të shumë librave; derisa më në fund shfaqet në shtysë e vërtetë, atë që kam për ta gjetur, një shtysë e cila më zotëron, dhe më bën që të lundroj sa më larg duke më siguruar punë gjatë gjithë vitit. Dhe kjo është diçka ende e mistershme, që nga e panatyrshmja e duhet të prekësh dhe të nxisësh atë që është më thellë në shpirtin e njeriut, në zemrën dhe kujtesën e dikujt.

Të gjitha format letrare janë të panatyrshme, dhe po ndryshojnë vazhdimisht, për t’iu përshtatur tonit dhe gjendjes shpirtërore të re të kulturës. Në një kohë, për shembull, një person me prirje serioze letrare mund të ketë menduar për të shkruar për teatër; por do të kisha bërë në njëfarë mënyre atë që nuk mundem ta bëj, ta përshtas lëndën letrare në skena dhe akte; nuk do të kisha shkruar për faqen e shtypur, por do të kisha shkruar “pjesë” për të joshur aktorët dhe, siç më ka thënë dikush që ka shkruar drama, do ta kishte përfytyruar veten (për të lehtësuar procesin e shkrimit) të ulur në një nga vendet në sallë.

Në një kohë tjetër, në një epokë pa radio ose regjistrime, një epokë të mbizotëruar nga libri i shtypur, kush dëshiron të shkruaj do të duhej të formësonte një rrëfim që mund të botohet pjesë-pjesë gjatë shumë muajsh ose të plotësonte tre vëllime. Para kësaj, shkrimtari mund të provoj rrëfime në vargje, ose dramë në vargje, me rima ose pa rima ose vargun epik.

Të gjitha këto forma, të panatyrshme siç duken, do të ngjanin si të natyrshme dhe të drejta për praktikuesit e tyre, ashtu siç bën sot zakonisht romani, sado e panatyrshme të jetë ai, me thjeshtëzimet dhe shtrembërimet, me skenat artificiale dhe idenë që ka për përvojën si një krizë që duhet të zgjidhet përpara se jeta të vazhdojë rrjedhën e vet.  Po përshkruaj, pak a shumë, ndjenjën e të panatyrshmes që kisha fare në fillim, kur rrekesha të shkruaja dhe vrisja mendjen se cila pjesë e përvojës time mund t’i përshtatej formës, në mënyrën më të fshehtë, si mund ta përshtasja ose të falsifikoja përvojën time për ta përshtatur atë me formën e madhe romanore.

Format e letërsisë janë të nevojshme: përvoja duhet të përcillet në disa mënyra për të cilat është rënë dakord dhe janë lehtësisht të kuptueshme. Por forma të caktuara, si modelet në veshje, ndonjëherë mund të bëhen të skajshme. Dhe pastaj këto forma, larg përvojës së mprehtë dhe ndriçuese, mund të falsifikohen ose t’i ndiesh si barrë. Romancieri Anthony Trollope i periudhës viktoriane i cili po krijon një situatë, është vëzhgues shoqëror, me njohuri të madhe për shoqërinë dhe botën e veprës letrare, me njohuri shumë më të mëdha se ato të Dikensit, është magjepsës. Por unë kam probleme me këtë shkrimtar, i cili, pasi ka krijuar një situatë, vendos ta shpështjell rrëfimin, thelbin shoqëror ose filozofik të cilin e jep në faqet e para. Më ndodh njësoj si me Thackeray-n: ndiej se si nevoja për rrëfim dhe subjekt janë për të si një barrë mbi shpatulla.

Idetë që ne kemi për kënaqësitë letrare dhe rrëfimin kanë ndryshuar në qindra vitet e fundit apo më shumë. Të gjitha shkrimet e shekullit të kaluar, kinemaja dhe televizioni na kanë bërë më të shpejtë. Dhe shkrimtarët anglezë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, të cilët tani më japin kënaqësinë më “romanore”, sigurojnë dritare në jetën njerëzore, duke nxitur reflektim, janë shkrimtarë të cilët në kohën e tyre nuk do të mendohej fare se ishin romancierë.

Po mendoj për shkrimtarët si Richard Jefferies, esetë e të cilit për njerëzit që merren me bujqësi mbartin kaq shumë shumë njohuri dhe përvojë sa që shpesh kanë brenda tyre jetë të plota. Ose për William Hazlitt-in, Charles Lamb-in, konkret, i ashpër dhe melankolik, jo eseisti i butë, i pabesueshëm i legjendës. Ose për William Cobbett-in, gazetarin dhe pamfletistin, i cili përpiqet të na jap fshatin nëpërmjet paragjykimeve të mëdha, tablove të qarta të rrugëve dhe të fushave, të njerëzve, të bujtinave dhe të ushqimit. Të gjithë këta shkrimtarë do të kishin pasur dhuntitë e tyre të zbehura ose të lapërdhosura (korruptuara) nga forma romanore ashtu siç ekzistonte në kohën e tyre. Të gjithë ata, romancier siç janë në kënaqësitë që na japin, gjetën format e tyre të shkrimit.

Çdo shkrimtar serioz duhet të jetë original: shkrimtaru serioz s’mund të kënaqet me krijimin e një versioni të asaj që është krijuar më parë. Dhe çdo shkrimtar serioz,  bëhet i vetëdijshëm për çështjen e formës së shkrimit, sepse e di se sado që mund të jetë edukuar dhe nxitur nga shkrimtarët që ka lexuar, format shkrimore që u përshaten përvojave të këtyre shkrimtarëve nuk i përshtaten plotësisht atij.

Philip Larkin-i i vonë, origjinal dhe shumë i madh, veçanërisht në veprën e tij të mëvonshme, mendonte se forma dhe përmbajtja janë të pandashme. Ai thoshte se ka punuar ngadalë: “Je duke zbuluar çfarë të thuash, si dhe si ta thosh, dhe kjo kërkon kohë”. Tingëllon e thjeshtë; por thekson një gjë të vështirë: letërsia s’është si muzika, s’është për të rinjtë, s’ka të përkëdhelur në procesin e shkrimit. Dituria ose përvoja që një shkrimtar kërkon të përcjell është shoqërore ose sentimentale, merr kohë, mund të marrë shumë nga jeta e një njeriu, që ta përpunoj atë përvojë, ta kuptojë atë që ai ka kaluar, dhe kërkon shumë kujdes dhe takt, në mënyrë që natyra e përvojës të mos humbas, të mos zbehet nga format e gabuara. Forma të ndryshme shkrimi funksionojnë për të përcjellë mendimet e njerëzve të ndryshëm.

Kam qenë gjithmonë i shqetësuar për problemin e formës, madje edhe të fjalorit, sepse shpejt e kuptova se mes letërsisë që njihja dhe lexoja, letërsia që rrënjosi ambicien time, midis saj dhe jetëshkrimit tim, kishte ndarje, mos-harmoni. Dhe shpejt u bë e qartë për mua se s’bëhej fjalë që thjesht të imitoja format.

Në një nga librat e tij të hershëm Xhejms Xhojsi shkroi për vështirësitë e tij, të heroit të tij me gjuhën angleze. “Ajo gjuhë në të cilën po flasim është e tij para se të jetë e imja. Sa të ndryshëm janë fjalët në shtëpi, Krishti, birrë, mjeshtër, në buzët e tij dhe në të miat! S’mund t’i flas apo shkruaj këto fjalë pa trazim në shpirt …. Shpirti im ngrihet në hijen e gjuhës së tij”.

Xhejms Xhojsi ishte eksperimentues i kulluar i formës të ndarë nga përmbajtja. Dhe ajo që argumentonte Xhojsi për gjuhën nuk është ajo që po bëj unë. Kurrë s’e ndjeva këtë problem me gjuhën angleze, me gjuhën si gjuhë. Ajo që më shqetësonte ishte fjalori, kuptimet e ndryshme ose shoqërizimet e fjalëve. Kopsht, shtëpi, plantacion, kopshtar, pronë e patundshme: këto fjalë nënkuptojnë një gjë në Angli dhe diçka krejt tjetër për atë që është nga Trinidadi, një koloni bujqësore e cila zhvillon bujqësinë e plantacioneve. Si mund të shkruaja atëherë, në mënyrë të ndershme apo të drejtë nëse fjalët që unë përdorja, me kuptime vetjak për mua, ishin për lexuesin jashtë qëllimit me shoqërizime që mbarteshin nga letërsia më e vjetër? Ndjeva se për të dhënë me të vërtetë atë që pashë, duhej ta përkufizoja veten si shkrimtar apo rrëfimtar, duhej t’i rinterpretoja gjërat. Kam provuar ta bëj gjatë gjithë karrierës time në mënyra të ndryshme. Dhe pas dy vjetësh punë, kam përfunduar një libër, në të cilin më në fund, mendoj se kam arritur ta përfshij çështjen e riinterpretimit brenda rrëfimit. Qëllimi im ishte e vërteta, e vërteta për një përvojë të veçantë, e cila përmban një përkufizim të vetë shkrimit. Megjithatë, në fund të librit isha i vetëdijshëm se procesi krijues mbetej i mistershëm si kurrë më parë.

Kritiku francez Sainte-Beuve mendonte se detajet vetjake të jetës së shkrimtarit qartësonin shumë gjëra për shkrimtarin. Kjo metodë e Saint-Beuve-it u sulmua ashpër nga Proust-i në një libër të çuditshëm, me një formë të çuditshme, origjinale dhe të bukur, pjesërisht autobiografi, pjesërisht kritikë letrare, pjesërisht trillim i titulluar “Kundër Sainte-Beuve-it”, ku kritika ndaj kritikut dhe metodës së tij, nxjerr në pah dashurinë e shkrimtarit për letrat, ashtu si edhe elementet autobiografik dhe të trilluar të veprës.

“Kjo metodë”, shkruan Proust-i, dhe ai po flet për metodën e Sainte-Beuve-it, “shpërfill atë që na mëson një shkallë shumë e vogël vetënjohjeje, se libri është produkt i një uni tjetër nga vetja që shfaqim në zakonet tona, në jetën tonë shoqërore, në veset tona”. Dhe pak më vonë, Proust-i shpjegon: “Ajo që nënkuptohet është se ka diçka më sipërfaqësore dhe boshe në autorësinë e shkrimtarit, diçka më të thellë dhe më përsiatëse në jetën e tij vetjake…. Në të vërtetë, është fshehja e jetës më intime të brendshme, e shkruar në vetmi dhe për veten e vet, ajo që i jep publikut. Ajo që jep në jetën vetjake, sado e stërholluar qoftë, është produkti i një uni mjaft sipërfaqësor, jo i vetes më të brendshme e cila mund të shfaqet duke lënë mënjanë botën dhe veten që viziton botën”.

Dhe të bën kureshtar megjithëse nuk është vërtet befasuese se pothuajse i njëjti mendim për veten që shkruan të shkrimtarit është shprehur nga një shkrimtar kaq shumë i ndryshëm, Somerset Maugham-i. Në portretin e tij letrar të Thomas Hardy-t, Maugham-i, duke qëlluar mu në shenjë (edhe pse ajo që shkroi u keqpërdor shumë), nduke na treguar për romancierin tragjik të Wessex-it i cili në jetën e tij private ishte ishte tejet i zakonshëm dhe për këtë arsye ishte i mistershëm. “Kisha përshtypjen”, përmbledh me pak fjalë mendimin e tij Maugham-i “që njeriu i vërtetë, deri në vdekjen e tij të panjohur dhe të vetmuar, ishte një vegim që u zhduk në heshtje dhe nuk u pikas dot ai i vërteti i cili qëndronte midis shkrimtarit të librave dhe njeriut që jetoi duke u buqëzeshur në mënyrë ironike të dyja kukullave…”

Exit mobile version