Kreu Letërsi Bibliotekë Tinka Kurti: Prishtinë 2.0 (poezi)

Tinka Kurti: Prishtinë 2.0 (poezi)

IZMIR

Quhem Izmir
Jam fëmija imagjinar i nënës sime 
emrin e mora prej një romi 
dashnor i saj, kur ishin gjashtë vjeç 
nëna më tha se poezia është pështjellim fjalësh
babai më dha sallatat e ngrohta të hamburgerëve të globalizmit
mërzinë e mësova vetë dhe iu thashë 
që vuajtja s’është, pos përpëlitja e lindjes së poezisë

mendova gabim
pasthirrmat janë fjalët e vetme të vërteta
e frazat e shkruara mes luftrash 
marrin vlerë pa të drejtë
lufta është e përditshmja
me zotrat e ndërgjegjës 

quhem Izmir 
dhe emri është një shpagim i historisë njerëzore
nëna ime humbi shumë kohë në redaktimin 
e letrës së vetëvrasjes 
s’e vrau as poezinë 
jetoi me mallkimin që e refuzoi romin sepse ishte i zi
të dy do të ishin vrarë rrugës 
sikur të kishte pirë ujë nga duart e tij 
nën një mal me gështenja
ose do të bënin kurora me ujë ujëvare 
dhe kurrë nuk do ta mësynin parajsës 

quhem Izmir, 
s’ka rëndësi sa vjeç
para meje ishte një Izmir tjetër 
me alamet sy
me mimikë shumë të gjallë
mirësinë e mori me vete në fatin rom 

quhem Izmir 
nëna ime nuk bëri asnjë hap 
për të flakur tutje asnjë emocion
nga dashuria për Izmirin 
lotët i ngacmon me pamje të lajmeve ndërkombëtare

quhem Izmir, 
jam pendesa e nënës sime 
 
quhem Izmir 
nuk më pëlqën Z-ja në emrin tim 
nuk ka zonja e zotërinj në qenien time 
nuk ka emocione të drunjta 
ka përçmim për ata që iu frikuan fundit 
ka veç kujtime si inçizime të turbullta

quhem Izmir
jam zemërgjerësia e babait tim
magjepsja e grave me sytë e zi 
jam një poezi e mjegullt 
rivale e festivaleve 
ma gjasë jam analfabet 
por di që poezia është një vdekje e vogël 
vargu i saj i fundit është çasti pasorgazmik
nuk jam purgator 
jam hapësira në mes dy të dashuruarve

2016


PRISHTINË (2.0)

Prishtinë ti shet shumë sheqer
pse nuk e pastron ajrin si Parisi
Prishtinë pse nuk i nderon njerëzit tu sa janë gjallë
a i njeh hapat e poetëve kur ecin granitit tënd
pse nuk e ndalon screen time në çerdhe
a je ti Prishtina e megafonave
e grafiteve që flasin me njëri – tjetrin
Prishtinë ti ke plot kangë
dhe disa poezi 
ku thuhet qyteti je ti
Prishtinë a e di që portretet më të mira t’i bënë ata nga provinca
pse nuk i pranon qetë divorcet
a ke qenë ndonjëherë e re Prishtinë
ti je edhe kafe Edhe raki edhe xhami
veç ti 

Prishtinë edhe te ti u vranë gratë
për cilën qave më shumë
Pse nuk i do fëmijët Prishtinë që i shtyn ata në qendra tregtare
nje lulishte Prishtinë të lutem

cilit shkrimtar do t’i bësh statujë
a do të bëhesh e sigurt
pse flas nganjëherë në standard kur ti tingëllon kaq bukur
çka me bë të martën masdite
pse fle kaq shumë Prishtinë që prej pandemisë
cili është çifti më i dashuruar
pse nuk e bën një konkurs i cili do të anulohej
gjethet tua të dardhës ta fshehin gëzimin
një gëzim i shkurtë, i pakuptimë, i dikujt që nuk ka qenë asnjëherë perandori andaj s’ka pse të jetë nostalgjik
edhe pse burrat tu janë të palëvizshëm si pashallarë

pse i fsheh aq mirë njerëzit që lexojnë
a mund tw betohesh në Zot që e kupton çdo fjalë të  anglishtes nëpër menytë e restoranteve
megjithëse e ke perfeksionuar këtë gjuhë e cila po zëvendësohet nga koreanishtja
pyeti tinejxherët
në tavolinat tua ti i ul të gjitha partitë
i shërben edhe pse tash askush s’pin më makiato 
veç ti e di që ylberët kanë shndritë edhe para se të vendoseshin si pins në çantat e shkollave të mesme
ndoshta ke dëgju për sukseset në kinematografi, je e mirë edhe në letërsi e muzikë, por ende ke ndrydhje
qytezat vinin erë blini para teje
kur u shndërrove nga mahallë në lagje

Prishtinë nuk di çka të jap dhe s’e di çka më dhe
pos disa çertifika dhe relaksit në kolonat tua
më fal për mosmirënjohjen
sepse më dhe jetë, vullnet, mërzi, balet, shkronja, teatër, dashni, politikë, shoqni
dhe kamarierët më sollën ujë
pastaj më përcolle

Unë të braktisa ty për Vjenën dhe burrin që të do ty më shumë se Vjenën
a të pengoi kjo Prishtinë
a do të jesh me mua sidoqoftë
a më pranon nëse kam nevojë
si në shtatorin e 2007 kur ishe aq mikpritëse

ti nuk ishe qyteti im i parë, as i dytë dhe as i fundit
pse duhet të kthehem bash te ti krejt e plakur
por do të vij
nëse oborri i shtëpisë sime do të ketë ende trëndafila vjeshtës dhe jo një banesë 

unë ende të dua, edhe pse më le të shkoj pa ndalesa në rrugën time të shkëputjes


DJALI I PARË

Kur doktoresha më tha
djalë
është pika jote në bark
Çka bëj me të i thashë
Unë kisha rritur 4 motra
dhe një më kishte rritur mua
unë isha vajzë
mes vajzash
kisha një mbesë
kisha pasur një gjyshe të mirë
asnjë gjysh
veç një baba
i vetmi djalë në jetën time

Si mund ta lind unë një djalë?
di për fustane
për shnolla
me folë për hënën
për yjet
një pjesë të qiellit
dhe nja dy përralla
a iu interesojnë këto djemve

Çfarë qenie janë ata
më duhet një emër
dhe një kumbar

edhe në terminin tjetër
pika djalë ishte

Pështillesha mes pse-ve dhe si-ve
edhe më vonë
derisa e kuptova pse ndodhi
fillimisht kisha zgjedhur balerinën si profesion
fiks në kohë
parashkollore
dhe universi u kujtua
ma dha një rol skenik
dhe një partner
sa nuk është krejt vonë
për trupin tim

djali më tha
veshu
me një fustan
që hapet si çadër kur rrotullohesh
dhe kapmi duart
të fluturoj
aty ku s’ke qenë ti


NE,

që çohemi nga dheu
që ecim kilometra me takat e ngrëna
që thembrat na janë çarë nga peshat e rënda të injorimit
ne që flemë salloneve
që s’kemi një dhomë në shpi
një vend në botë
ne që flokët na mbajnë erë darke pa mish
ne që presim në radhë për pak dashuri të nënës
ne që ndjekim hijet e paprivatizuara ende
që pimë ujë nga gypat e ndërgjegjeve të ndryshkura
ne që s’kemi pos ujit
dhe lahemi në faj
duke imagjinuar fëmijë afrikanë tek lëpijnë dritaret pas shiut
ne që lexojmë lajme
se thonjtë i kemi lyer me kozmetikë kancerogjene
e mendonim të fshinim gjurmët e lëndimeve shpirtërore,
ne që nuk qajmë kollaj
por që i respektojmë lotuesit
ne, që pasi shoqet na kanë dëshpëruar
vazhdojmë të bëjmë shoqni të reja,
ne që shokët na kanë zgjënjyer,
vazhdojmë ta rrisim besimin tek njerëzit,
ne që të drejtën e llogarisim me shumën e problemeve në jetët tona
ne që dhurojmë lule
dhe këpusim nga shpirti ynë tek prejmë trëndafilin,
ne që e prekim fundin,
por e shohim dhe dritën,
ne që ëndërrojmë tej muzgut, tej agimit
ne që mund të zgjedhim mes poshtë ose jashtë
derisa jemi pezull,
ne që marrim borxh për t’i bërë motrës tortë,
ne që shohim lart e i hapim sytë
s’flasim
se duhet ta rikapitullojmë çdo përrallë në botë,
ajo që na shkëlqen, nuk është lakmia në sy,
është cipa e zemërimit
që na thotë
shqyni
derrat
secilin
të egër
të sigurt
të kënaqur

Exit mobile version