Kreu Letërsi Bibliotekë Tingulli i dhimbjes së atit, poezi nga Luerda Avdiaj

Tingulli i dhimbjes së atit, poezi nga Luerda Avdiaj

TINGULLI I DHIMBJES SË ATIT

Më dhembi
tek m’i thyente fijet e zemrës
zhurma e oksigjenit

aq ish
një grusht frymë
në lëvizjen e flokut tim të prerë

babai!

Baba,
më është shqyer e ngushtuar zemra
në të njëjtën kohë
tek dëgjoj ende tingullin e dhimbjeve të tua
kur bie nata e heshtur pa yje e neon

kaq ditë janë bërë dhe nëna ende qan
i kanë nisur dhimbjet që të hanë ngadalë
ka filluar vetmia e vërtetë e saj
zgjohet e fle pa ty në anën e majtë

s’di nëse je qetësuar më në fund
s’po ndihet më kolla jote e thatë në dhomë
prej mushkërive të plagosura një ditë të akullt janari;
kohë kur zemra ime u nis për thyerje

unë mbeta tani këtu me dorën bosh
ti rrëshqite rrugës për pluhur
për lule a diç më të bukur
ike për lamtumirë thyer në shirit të zi

unë s’u ngopa dot me ty
as më pe se si mund ta prekja qiellin e ëndrrës sime me duar;
s’pate kohë
veç sytë gjysmë hëne mbi nënën më le në kujtesë
ditën e rrugës së dritës

më theve herët
mua të voglën!

Bab,
A mërzitesh me mu qi s’mujta me t’kja si grat?
Du me e ditë se pasha Zotin,
Kurrë s’kam me ia fal vedit.
Por un’ s’du me t’mbyt n’ujëra sysh të idht
Bahen shumë bab,
bashkë me ujërat e jeshilta t’nanës.

Të kisha mujt me t’kja si grat, bab
Isha ba copë qelqi n’kambët e nanës
E isha fut n’dheun qi ka erën tande
E kisha mbi lulë e bardhë m’t’zbukuru shtëpinë.

E ki hala kujtesën aty;
Të pata thana tuj qeshë dikur
S’kam me t’kja, kam me t’mbajtë  kjo eshtër
Si burrë 

S’mujta un’ me t’kja si grat
Zemra m’u ligsht e nji gjyplan ma mpiu
Për mos me ndi dhimbën nan gjoks
T’kisha mujt me ardh tek ty me kamb
Me t’pru ujë, me t’shu etjen.

Po shkoj bab, prehu ti
Kam me ardh përsëri,
Nesër!


Letër babait II

Vetmia e nënës
m’i ha eshtrat e shpirtit
më mpak përditë e përditë
deri në një dorë njeri.

Vajtimet nuk rrjedhin më
si ky shiu i stinës së ftohtë
që ma qull brendinë në trishtim
njëjtë si mungesa e pranisë tënde.

Zbehur  është dëshira ime
në mes dritave që mbulojnë qytetin
këtë dhjetor të bardhë
që dot se përqaf’ si në fëmijërinë e harruar.

Bën vetmi, baba!

Exit mobile version