Kreu Letërsi Bibliotekë Timo Mërkuri: Ku e dëgjoi homeri këngën e Sirenave

Timo Mërkuri: Ku e dëgjoi homeri këngën e Sirenave

Shumë libra studimorë sapo dalin nga shtypi, fillojnë jetën e tyre të qetë në bibliotekat e studiuesve. Lexohen, citohen, kundërshtohen ose plotësohen, por mbeten brenda kufijve të debatit shkencor. Por ka dhe libra, fati i të cilëve nuk përcaktohet vetëm nga ajo që shkruan autori, por kryesisht nga rruga që ndjekin pas botimit. Jeta e tyre vazhdon jashtë kopertinave, në polemika, interpretime e keqinterpretime, deri në atë pikë sa, herë pas here, emri i librit bëhet më i njohur se vetë përmbajtja e tij.

Kështu ndodhi edhe me librin “Odiseja dhe Sirenat, grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit” të Vasil S. Toles. Ai nuk mbeti thjesht një studim në fondin e etnomuzikologjisë shqiptare. Për fatin e mire u bë pjesë e dokumentacionit me të cilin shteti shqiptar iu drejtua UNESCO-s për të dëshmuar lashtësinë, origjinalitetin dhe vlerat e këngës sonë shumëzërëshe. Në këtë kuptim, libri nuk mbeti vetëm një botim individual; ai u shndërrua në një nga zërat që shoqëruan një nga ngjarjet më të rëndësishme të kulturës shqiptare në fillim të shekullit XXI.

Paradoksalisht, polemikat shpërthyen më vonë, pasi iso-polifonia shqiptare ishte shpallur tashmë nga UNESCO Kryevepër e Trashëgimisë Shpirtërore të Njerëzimit. Debati nuk u përqendrua te vlerat e saj, por te vetë emërtimi iso-polifoni dhe, bashkë me të, edhe te libri i Vasil Toles. Dalëngadalë nisi të përsëritej një akuzë, sipas së cilës autori e nxirrte prejardhjen e këngës iso-polifonike shqiptare nga kënga e Sirenave homerike dhe akuzues tashmë nuk ishin një e dy individë, por një grup që kërkonin të iumponoheshin me forcë.

Kjo ishte arsyeja që më riktheu te libri. Jo për të mbrojtur autorin dhe as për të polemizuar me kundërshtarët e tij. Më shtyu një arsye shumë më e thjeshtë: dëshira për ta lexuar librin pa ndërmjetës, pa zhurmën e debateve dhe pa paragjykimin e krijuar nga përsëritja e një pohimi, që të linte një shije të hidhur. Sepse një libër nuk mund të gjykohet nga ajo që thuhet për të, por nga ajo që është shkruar në ‘të. Dhe vetëm teksti mund të dëshmojë se çfarë ka thënë autori, por edhe, po aq rëndësishëm, edhe çfarë nuk ka thënë.

Rileximi më çoi në një përfundim të papritur. Polemika, në vend që ta ndriçonte librin, kishte lënë në hije pyetjen më interesante që ai ngre. Ajo pyetje nuk lidhej me origjinën e iso-polifonisë shqiptare, por me natyrën e këngës së Sirenave. Ishte një pyetje e heshtur, e fshehur mes faqeve të librit, e cila, sapo e ndjek, të nxjerr jashtë kufijve të debatit dhe të çon drejt Homerit.

Nëse Sirenat janë qenie të mitit, ndërsa kënga e tyre shfaqet si një ngjarje muzikore konkrete, atëherë lind natyrshëm një pyetje: ku e gjeti Homeri këtë këngë? Sepse poeti mund të krijojë personazhe mitikë, por format e jetës rrallë i shpik nga hiçi. Ai i njeh, i dëgjon, i mbart në kujtesë dhe më pas i shndërron në poezi apo melodi.

Kjo pyetje ndryshon tërësisht drejtimin e kërkimit. Nuk bëhet më fjalë të pyesim nëse kënga shumëzërëshe shqiptare buron nga kënga e Sirenave. Përkundrazi, lind dyshimi i arsyeshëm nëse Homeri, për t’u dhënë zë Sirenave të tij, u mbështet mbi një traditë muzikore reale, shumë më të lashtë se poema homerike, të njohur në hapësirën ku vendosi edhe vetë botën e tyre.

Në këtë këndvështrim, libri i Vasil Toles merr një kuptim tjetër. Ai nuk lexohet më si fundi i një debati, por si fillimi i një kërkimi. Pyetjet që ai ngre nuk mbyllen në faqet e tij; ato vazhdojnë përtej tyre, drejt tekstit homerik, autorëve antikë, riteve mortore, botës së Hadit dhe traditave të këngës kolektive që kanë mbijetuar në hapësirën e Epirit që nga lashtësia.

Prandaj faqet që pasojnë nuk synojnë të ndërtojnë një apologji për autorin dhe as të rrëzojnë me çdo kusht kundërshtarët e tij. Synimi është tjetër: të ndjekin gjurmët e një kënge. Një kënge që Homeri ia dha Sirenave, por që ai vetë, nuk e krijoi. Sepse, nëse miti mund të lindë nga imagjinata, kënga lind gjithmonë nga jeta. Dhe pikërisht jeta e kësaj kënge është ajo që do të përpiqemi të ndjekim në faqet që vijojnë.

I.  Kush ishin Sirenat dhe pse duhet të na interesojnë?

Nëse do t’i besonim vetëm zhurmës së polemikave, mund të krijonim përshtypjen se libri i Vasil Toles është shkruar për të provuar prejardhjen e iso-polifonisë shqiptare nga kënga e Sirenave. Por mjafton të hapësh faqet e tij për të kuptuar se autori ndjek një rrugë tjetër. Ai nuk niset nga iso-polifonia për të mbërritur te Sirenat; niset nga Sirenat për të kërkuar natyrën e një dukurie muzikore që Homeri e ka vendosur në qendër të një prej episodeve më të famshme të Odisesë.

Qysh në fillim të kërkimit të tij, Vasil Tole ndalet te pyetja më e thjeshtë dhe njëherazi më themelore: “Po çfarë ishin Sirenat?” ( f. 5). Në pamje të parë duket një pyetje që i përket vetëm mitologjisë, por në të vërtetë, prej saj hapet gjithë rruga e hetimit.

1.Sirenat shfaqen në mitet e lashta me pamje, numër dhe prejardhje të ndryshme. Në disa burime përfytyrohen si dy, në të tjera si tre ose katër; Platoni përmend deri në tetë. Edhe emrat e tyre ndryshojnë sipas traditave: Parthenope, Ligea, Leukosia, ose Thelxipea, Aglaope dhe Peisinoe (f. 5–6). Por mes gjithë këtyre ndryshimeve mbetet një element që nuk lëviz: kënga e tyre.

Pamja e tyre ndryshon nga një autor te tjetri. Emrat po ashtu. Vetëm kënga mbetet e pandryshuar. Sikur lashtësia të kishte harruar fytyrat e tyre, por jo zërin. Ndoshta pikërisht këtu duhet kërkuar çelësi i episodit homerik.

2.“Vepra “Odiseja”, e Homerit, qe e para e cila ndihmoi që Sirenat të përkapeshin si qenie konkrete. Në këtë vepër, Sirenat me këngën e tyre magjepse tërhiqnin detarët në shkëmbinjtë e bregut dhe u shkatërronin anijet”f.6.

Homeri nuk shpenzon shumë vargje për të përshkruar pamjen e Sirenave te Odiseja, Kënga XII, 52. Ai nuk ndalet te bukuria e tyre, nuk na jep tiparet e fytyrës apo të trupit. Vëmendja e tij përqendrohet diku tjetër: te fuqia e këngës. Ajo është arma e tyre e vetme dhe njëherazi pushteti i tyre më i madh. Sirenat nuk sundojnë përmes forcës, por përmes zërit.

3.Por këtu qëndron një veçori tjetër e jashtëzakonshme e episodit homerik. Odiseu është i vetmi njeri që e dëgjoi këngën e Sirenave dhe mbeti gjallë për ta treguar. Ata që i ishin afruan magjisë së saj humbën jetën dhe bashkë me të edhe mundësinë për të dëshmuar se çfarë kishin dëgjuar. Shokët e Odiseut, me urdhrin e tij, i kishin veshët të mbushur me dyllë dhe nuk dëgjuan asgjë. Vetëm ai, i lidhur pas direkut të anijes, e përjetoi atë zë deri në fund, pa iu dorëzuar thirrjes së tij.

Prandaj Odiseu nuk është vetëm heroi i një udhëtimi mitik; ai është edhe dëshmitari i vetëm i një kënge që, pa rrëfimin e tij, do të kishte mbetur përgjithmonë e harruar. Kjo e bën episodin homerik më shumë se një histori shpëtimi. Ai bëhet historia e një zëri të dëgjuar një herë dhe të ruajtur në kujtesën e njerëzimit përmes fjalës. Pikërisht për këtë arsye Vasil Tole e merr Odisenë si pikënisje të kërkimit të tij.

II. A ishte kënga e Sirenave një këngë shumëzërëshe?

Nëse figura e Sirenave i përket mitit, kënga e tyre nuk mund të shqyrtohet si pjesë e mitologjisë. Kënga është një dukuri muzikore dhe, si e tillë, mund të lexohet edhe përmes tipareve që i jep vetë Homeri. Pikërisht këtu nis edhe kërkimi i Vasil Toles. Autori nuk pyet nëse Sirenat kanë ekzistuar, ai pyet çfarë lloj kënge u ka dhënë Homeri. Ky është dallimi themelor.

Në tekstin homerik nuk gjejmë termin “polifoni”. As nuk mund ta gjenim, sepse ai është një koncept shumë më i vonshëm. Por Homeri përdor cilësime që tërheqin vëmendjen e Toles dhe tonën. Duke iu referuar përshkrimit të Odiseas, ai vëren se:  “Në fakt, zërat e Sirenave përshkruhen si ‘të mahnitshëm’ (…), dhe ‘të vazhdueshëm’ (Kënga XII, 158). Duket se përcaktimi ‘i mahnitshëm’ ka të bëjë me bukurinë akustike të zërave, ndërsa përcaktori ‘të vazhdueshëm’ nënkupton së paku një këngëtim polifonik të ndërthurur dhe që zgjat në kohë.” (Vasil Tole, Odiseja dhe Sirenat, f. 9–10)

Ky është një interpretim. Por është një interpretim që mbështetet mbi tekstin homerik dhe jo mbi një dëshirë për ta lexuar atë sipas shijeve të sotme.

1.Është domethënës fakti se Homeri nuk flet për një Sirenë të vetme. Ai flet gjithmonë për Sirenat, pra për një bashkësi qeniesh që këndojnë së bashku. …”porse sirenat /na e paskan parë atë lundrën tonë vetimë /që sikur hovte para syve t’tyre: /me zë të ëmbël këngës ia filluan” (f.14) Pra vetë miti e ndërton episodin mbi një akt kolektiv dhe jo individual. Joshja nuk buron nga virtuoziteti i një zëri të vetëm, por nga bashkimi i disa zërave që veprojnë si një trup i vetëm tingullor. Kjo nuk mjafton ende për të provuar se kemi të bëjmë me këngë grupi, kolektive , por është një tregues i rëndësishëm se kënga e Sirenave nuk ishte menduar si këngë solo. Pikërisht mbi këtë tipar ndërton Vasil Tole pyetjen e tij: çfarë natyre kishte kjo mënyrë këndimi?

Në traditat muzikore të hershme, kënga nuk ishte zakonisht një akt individual. Ajo lindte brenda bashkësisë, në punë, në rit, në festë, por sidomos në ceremonitë mortore. Në këtë kuptim, rëndësi nuk ka vetëm numri i zërave, por mënyra se si ata ndërtojnë një zë të përbashkët.

Tole sugjeron se mënyra si përshkruhet kënga e Sirenave ruan tipare që e afrojnë me një këngë shumëzërëshe me karakter kolektiv. Në variacionin III f.29-30 ai shkruan”…ne I përmbahemi idesë se pas gjithë gjasave…kjo për shkak të lidhjes që kanë…me të kënduarin e tyre polifonik..(shumëzëra T.M.”. Ky është një dallim metodologjik që nuk duhet humbur, sepse pikërisht keqleximi i tij ka ushqyer shumë nga polemikat e mëvonshme.

2.Në të vërtetë, pyetja që lind natyrshëm është edhe më e thellë. Nëse Homeri do të kishte dashur të përshkruante vetëm bukurinë e zërit, do të mjaftonte një Sirenë e vetme. Përse atëherë miti flet për disa Sirena që këndojnë njëherësh? Përse joshja nuk buron nga një zë, por nga një bashkësi zërash? Kjo është pyetja që ia vlen të mbahet hapur. Sepse ajo na çon drejt çështjes së radhës: a ishte kjo shumëzërësi edhe një këngë me karakter vajtimor? Interesimi nuk lidhet vetëm me qeniet mitologjike, por me pyetjen më të thellë: çfarë lloj kënge ishte ajo që Homeri u dha Sirenave?

3.Sipas metodës së tij Tole shkruan: “Nuk është e thjeshtë të përgjigjesh,  megjithatë hamendja të thotë se zërat e Sirenave i bënë përshtypje Uliksit, pikësëpari se në këngën e tyre mungonin veglat muzikore. I mëshojmë këti fakti pasi për Uliksin nuk qe diçka e pazakontë të dëgjonte muzikë të shoqëruar thjesht me vegla” Sigurisht që kjo ishte një metodë e re e të kënduarit për Odiseun, pasi me statusin e tij shoqëror në Itakë dhe nëpër Greqi, ai do kishte dëgjuar shumë këngë të interpretuara me istrumenta të ndryshëm, por këngë të kënduar pa istrumenta ishte hera e parë që dëgjonte.

4. Duke vlerësuar reagimin e Odiseut ndaj tekstit të këngës së Sirenave te Homeri kemi vargjet: “Ato këndonin, mua më digjej zemra nga ata zëra…”. Tërheqim vëmendjen te shprehja “më digjej zemra”, sepse “djegia e zemrës” është një përjetim që lind nga dhimbja. Pra, kemi të bëjmë me një këngë që zgjon dhembje, jo hare. Në ligjërimet mortore në viset e mia himariote ka shumë raste kur një vajtoreje i drejtohen me fjalët: “Aman moj, pusho se na zhurrite xhanin me këto vaje.” Janë pikërisht vajtimet ato që “djegin shpirtin”. Kjo na çon te një mendim të fituar nga vetë përvoja jetësore: vajtimi nuk përbëhet vetëm nga fjala, por edhe nga ngashërimet, psherëtimat dhe rrënkimet që e shoqërojnë. Kush ka qenë ndonjëherë pranë një morti në Himarë e di se nuk të trondit vetëm fjala e vajtores. Të trondit ai zë i gjatë që e mban vajin pezull, ai rrënkim që nuk është më fjalë, por frymë. Pikërisht këto elemente tingullore përbëjnë shtresën më të hershme të asaj që, në zhvillimin e mëvonshëm të këngës shumëzërëshe, do të marrë funksionin e iso-s. Iso-ja nuk lind si një zë i ndërtuar artistikisht; ajo lind si frymë kolektive dhimbjeje, si një murmurimë e vazhdueshme që mban mbi vete ligjërimin e vajtimit. Nëse pranohet se kënga shumëzërëshe e ka fillesën në ligjërimet mortore, atëherë nuk është e pamundur të mendohet se edhe në këngën e Sirenave kjo shtresë e hershme tingullore të ketë qenë e pranishme, jo ende si iso në kuptimin e sotëm teknik, por si embrioni i saj akustik. Tole shkruan: “…mendojmë se zëri I Sirenave nuk ishte I veçantë thjeshtë për shkak të bukurisë së tij,….por ishte i veçantë për shkak të teksturës vajtimore…” f.16

5.Duke iu referuar paraqitjeve figurative të antikitetit, Tole shkruan: “Në fillim grekët i përfytyronin (Sirenat) si vajza të bukura të ngjashme me muzat, por varianti më i përdorur i paraqitjes së tyre në artin e vjetër figurativ, ishte ai i qenieve me kokë dhe gjoks gruaje dhe trup zogu; qenie të cilat fanepsen me vegël muzikore në dorë edhe mbi varre dhe qajnë të vdekurit. Zëri i Sirenave është përfytyruar shumë joshës dhe, për këtë arsye, në shek. VII para Krishtit, ato lidhen me Muzat, po aq sa me Hadin, pikërisht për shkak të zërit të tyre melodik...” (f. 6)

Ky fragment hap një shtresë tjetër të kuptimit. Sirenat nuk lidhen vetëm me muzikën, por edhe me botën e vdekjes. Ato qëndrojnë pranë Hadit po aq sa pranë Muzave. Kënga e tyre nuk është vetëm një melodi që josh; ajo mbart edhe një ngjyrim ritual, një afërsi me vajin dhe me kujtimin e nderimin e të vdekurve. Nisur nga mendimi se kënga iso-polifonike e ka origjinën nga ligërimet mortore, ndoshta koha që përshkruan Homeri  ishte periudha e nisjes së shndrimit të vajtimit në këngë dhe për pasojë, kënga dhe vajtimi nuk ishin aq larg nga njëra-tjetrës; kënga ruante brenda vetes edhe një jehonë vajtimore. Madje po të shohim se edhe sot kënga iso-polifonike ruan një strukture melodike vajtimore te zërri i hedhësit dhe të iso-ja, dhe nuk është  çudi që në periudhën homerike ky tonalitet të ishte më i pranishëm dhe për pasojë më i dukshëm.  Në fq 27 Tole shkruan: ” Kënga e tyre ishte në thelb muzikë që lind prej ngashërimeve dhe vajtimit të qenies Sirean, të cilat presin pashmangshëm fundin tragji të heroit të shumëpërfolur Uliks”.

Nga ky lexim plotësojmë portretin e një kënge grupi, me një melodi që përmban timbrin melodik vajtimor, e cila këndohet pa istrumenta dhe në fund shohim se na shfaqet një profil muzikor që, në shumë prej tipareve të tij afrohet me atë që sot e njohim si këngë shumëzërëshe iso-polifonike. Pra Vaso Tole në thelb shkruan se Sirenat këndonin këngë shumëzërrëshe iso-polifonike me tonalitet vajtimor dhe askund nuk shkruan se kënga iso-polifonike e ka origjinën nga kënga e Sirenave.

III. Intermexo : Hipoteza nuk është përfundim: aty ka lindur keqleximi i librit.

Në leximin tim, polemika që shoqëroi librin “Odiseja dhe Sirenat…” nuk lindi aq nga ajo që shkruan Tole, sesa nga mënyra se si u lexua libri i tij. Shpesh, hipotezat e autorit u trajtuan si përfundime të pakundërshtueshme, ndërsa pyetjet që ai shtron u interpretuan si përgjigje të mbyllura. Pikërisht në këtë çast, aty ku hipoteza u vesh me petkun e tezës përfundimtare, nisi edhe keqleximi i veprës.

Mjafton të ndiqet me vëmendje gjuha e autorit për ta kuptuar këtë. Ajo nuk është gjuha e dikujt që shpall verdikte. Përkundrazi, është gjuha e kërkuesit që ecën me kujdes mbi një terren të lashtë, ku çdo hap duhet peshuar. Fjalë e shprehje si “duket se”, “hamendja të thotë”, “mund të ketë qenë”, “na shtyn të mendojmë” apo “kujtojmë” përsëriten vazhdimisht në tekst. Ato nuk janë zbukurime stilistike. Janë shenjat e një metode pune. Në shkencë, hipoteza nuk është dobësi; është ura që lidh pyetjen me kërkimin.

Pikërisht për këtë arsye, qendra e debatit duhej të ishte vlerësimi i këtyre hipotezave: deri ku mbështeten në burime, çfarë force shpjeguese kanë dhe ku fillojnë kufijtë e tyre. Mirëpo, në shumë raste ndodhi e kundërta. Në vend që të debatohej me argumentet e librit, u polemizua me përfundime që libri nuk i formulon askund. Ishte sikur hijes t’i kërkohej llogari për atë që nuk e kishte bërë trupi.

Mjafton të lexohet pa paragjykim “Odiseja dhe Sirenat..” për të parë se Tole nuk shkruan askund se iso-polifonia shqiptare buron nga kënga e Sirenave. Një pohim i tillë do të binte ndesh me vetë logjikën e studimit të tij. Sirenat i përkasin botës së mitit; kënga i përket botës së njeriut. Miti mund të krijojë figura, por nuk krijon tradita muzikore. Ato lindin në jetën e bashkësive njerëzore, kalojnë nga brezi në brez dhe mbijetojnë sepse këndohen, jo sepse rrëfehen.

Kjo është arsyeja pse autori nuk përpiqet të nxjerrë një traditë historike nga një qenie mitologjike. Pyetja e tij është krejt tjetër: a është e mundur që Homeri, për t’u dhënë zë Sirenave, të ketë huazuar një mënyrë këndimi që e njihte nga bota reale e kohës së vet? Ky është boshti i kërkimit të tij. Dhe këtë pyetje ai përpiqet ta ndriçojë duke vënë në dialog etnomuzikologjinë, antropologjinë kulturore, arkeologjinë dhe traditën gojore.

Prandaj, ta akuzosh autorin se ka shpallur si të provuar prejardhjen e iso-polifonisë nga kënga e Sirenave, do të thotë t’i atribuosh librit një tezë që ai nuk e mbron. Nuk kemi më të bëjmë me kundërshtimin e një argumenti, por me ndërtimin e një argumenti tjetër, jashtë tekstit, e më pas me rrëzimin e tij për të rrëzuar libërin. Është njësoj sikur të luftosh jehonën, duke e marrë për zërin.

Kjo është arsyeja pse kam bindjen se një pjesë e polemikave nuk u zhvilluan mbi atë që thotë libri, por mbi atë që iu atribua atij. Dhe kur ndodh kjo, debati humbet qendrën e vet. Ai nuk mat më forcën e argumenteve, por peshën e paragjykimeve.

Një libër mund të kundërshtohet, mund të kritikohet. Madje edhe mund të rrëzohet, nëse argumentet e tij nuk qëndrojnë. Kjo është rruga normale e dijes. Por ai duhet gjykuar për atë që shkruan, jo për atë që të tjerët vendosin t’i veshin. Përndryshe, nuk debatohet më me librin, por me një tekst që nuk ekziston. Dhe kur polemika ndërtohet mbi një tekst të paqenë, ajo nuk ndriçon të vërtetën; ajo vetëm e mbulon atë me zhurmë.

Vaso Tole nuk synon të provojë origjinën e  iso-polifonisë dhe ca më pak që këtë origjinë ta sjellë nga kënga e Sirenave. Ai kërkon të provojë hershmërinë kohore të  isopolifonisë. Unë ju them se para këtij libri, në punimet e tjera të etnomuzikologjisë shqiptare nuk ka hipoteza për lashtësinë e këngës iso-polifonike, vetëm thuhej se është shumë e lashtë. Ky studim e lidhi këtë realitët këndimi me vajin dhe e shpuri origjinën e këngës iso-polifonike të paktën gjer në kohën e Homerit, duke riinterpretuar Sirenat.

IV. Ku e dëgjoi Homeri këngën e Sirenave?

Më sipër pamë se Vasil Tole, duke u nisur nga përshkrimi homerik i këngës së Sirenave, arrin në përfundimin se ajo nuk mund të shpjegohet si një krijim i botës së mitit. Brenda saj dëgjohen jehona të një mënyre konkrete të të kënduarit: një këngë e ndërthurur, shumëzërëshe, me një ngjyrim të thellë vajtimor. Por pikërisht këtu lind pyetja më e rëndësishme: nëse Sirenat janë mitike dhe këngën ua dha Homeri, ku e dëgjoi poeti atë këngë?

1.Një poet i madh mund të krijojë qenie që nuk ecin mbi tokë, mund të ndërtojë botë të padukshme dhe të hapë porta drejt së pamundurës, por zërin njerëzor e merr gjithmonë nga jeta. Edhe kënga më e magjishme ka një rrënjë të fshehur në tokën e kujtesës. Kënga lind aty ku jetojnë njerëzit. Ajo lind në gëzime, në festa, në rite, por sidomos në çastet kur fjala e zakonshme nuk  e mba dot peshën e dhimbjes. Atëherë njeriu kërkon një zë tjetër. Dhimbja del nga kraharori në formë vajtimi dhe kërkon një formë më të madhe se vetja; kërkon ritëm, përsëritje, bashkim zërash. Kështu lind kënga.  Prandaj, për të kuptuar këngën e Sirenave, nuk duhet të kërkojmë vendbanimin e tyre mitik, por burimin njerëzor të atij zëri. Duhet të pyesim: në çfarë bote kulturore mund ta ketë dëgjuar Homeri këtë mënyrë të kënduari ?

2.Vetë Tole e ndjek këtë gjurmë përgjatë hapësirës së Jonit dhe të Epirit. Ai nuk kërkon të vërtetojë se Sirenat kanë ekzistuar si qenie reale; kërkimi i tij është më i thellë. Ai kërkon terrenin kulturor ku mund të ketë jetuar një traditë muzikore që më pas Homeri e shndërroi në këngë të Sirenave.

Në këtë kuptim merr rëndësi pohimi I Toles se trevat Epirote “…kanë edhe numrin më të madh të gjetjeve të arkeomuzikës shqiptare…” në Antigone, Apolloni, Durrës etj. Pikërisht në zonën e këndimit isopolifonik të sotëm. Epiri nuk shfaqet këtu vetëm si një hapësirë gjeografike në udhëtimin e Odisesë, por si një tokë ku kujtesa e tingullit ka lënë gjurmë. Është sikur gurët e lashtë të kësaj toke të kenë ruajtur jo vetëm gjurmët e hapave të njerëzve, por edhe jehonën e zërave të tyre.

Në këtë pikë miti dhe historia afrohen. Miti nuk është dokument me data dhe dëshmi, por është një kujtesë e njerëzimit. Ai nuk na tregon gjithmonë çfarë ka ndodhur, por shpesh ruan mënyrën se si njerëzit e kanë përjetuar botën.

3.Këtë e dëshmon rrëfimi i Plutarkut për vdekjen e Panit të Madh. Lajmi i vdekjes së tij, dëgjohet pranë brigjeve të Butrintit, dhe menjëherë shoqërohet me vajtimin kolektiv të nimfave të liqenit. Zërat bashkohen si ujërat e përenjve që derdhen në të njëjtin lumë. Nuk kemi ende këngë në kuptimin e plotë artistik, por kemi atë gjendje shpirtërore nga e cila kënga mund të lindë: dhimbjen e përbashkët të kthyer në zë të bashkësisë, atë që e quajmë kolektiviteti i vajtimit.

Në krahinën e Himarës ardhja e lajmit të vdekjes së një buri apo djali, diku pranë apo në kurbet, pritet me ulërima në shtëpinë e mortit. Gratë nisin e çjerrin faqen shkulin flokët dhe kryejnë gjeste vetëndëshkuese të ritualit të të qarës me bot. Po kështu edhe burrat e shtëpisë zënë vajin me tonalitet të lartë, madje kur vijnë në shtëpi të afërm e miq ata i presin me vaj në buzë, pa turp e droje. Vetëm pas ceremonisë mortore, ose në rastet e vdekjeve në kurbet kur nuk mund të sillej trupi, vajtimi shtrohet në ligjërime mortore ku vlerësohej tonaliteti vajtimor dhe rrjedhshmëria e niveli përjetimor i ligjërimit. Gratë vajtojnë në grup në sallonin ku është i ndjeri ose ku shfaqen veshjet dhe fotografitë e tij, në rastin e mungesës së trupit. Asnjëherë nuk nënat shqiptare vajtojnë vetëm. Kjo është jo vetëm në krahinën e Himarës por në gjithë trevën e Epirit.

4. Dëshminë e procesit të shndrimit të vajtimit në këngë me tonalitet vajtimor na e sjell Epi i Kreshnikëve. Sot është e pranuar se ky cikël epik ruan shtresa parahomerike (Parry, Lord). Brenda këtij epi ndodhet dhe “Vajtimi i Ajkunës”, një nga krijimet më  madhore të kulturës sonë gojore. Ai në fakt është vajtimi  i një nëne për humbjen e birit të vetëm. Nqse dikujt I duket si vajtim vetmitar, gabohet; Ajkunën e shoqërojnë në vajtim ngashërimet e zanave të pyllit, dridhja e gjetheve të pemëve etj. Kënga “Vajtimi i Ajkunës” është shembull i mënyrës se si një vajtim është shndrruar në këngë qysh në kohët parahomerike. Ajkuna qan Omerin, por zëri i saj nuk mbetet brenda mureve të një pikëllimi vetjak. Vaji i saj merr ritëm, merr figurë poetike, merr një formë që mund të trashëgohet nga brezi në brez. Një vajtim nëne bëhet këngë; një dhimbje familjare bëhet kujtesë e një populli. Pikërisht këtu qëndron misteri i madh i traditës gojore: ajo di ta ruajë plagën njerëzore duke e shndruar në art. Dhe te ne sot “Vajtimi i Ajkunës” ka ardhur si këngë, dhe na lotojnë sytë  si te teksti ashtu dhe te melodia e saj.

Sigurisht që kjo këngë  është e viseve veriore, por ne e sollëm për vetë njohjen e madhe që ajo ka në mbarë popullin shqiptar. Ajo nuk është kënga e vetme me origjinë vajtimore. Në trevat e Epirit këmi një shumësi vajtimesh të shndruara në këngë, dhe unë po ju sjell disa të vonshme, që lexuesi mund ti ketë dëgjuar. E tillë është “Mbeçë more shokë mbeçë”,”U çkul oxhaku në grikë”,”Nënë çma bëre Dilinë”, “Po vjen lumi turbullo”, “Vajz e valeve” apo gjerdani rrezëllitës i ligjërimeve të shndruara në këngë të nizamëve e të kurbetit. Laboratori krijues i popullit që e shndron vajtimin në këngë funksionon akoma dhe sot kur pothuaj se 80% e ligjërimeve mortore të trevës së Himarës, Çamërisë e Labërisë janë shndruar në këngë shumëzërrëshe, jetëgjatësia e të cilëve  varej nga faktorë që skanë lidhje me këtë temë.

5.Nëse  populli epirot (kur themi Epir kemi parasysh Epirin e hershëm që shtrihej në të dy anët e kufirit të sotëm shtetëror), jo vetëm vajtonte kolektivisht, por edhe i shndërronte vajtimet në këngë, atëherë kuptohet më mirë terreni shpirtëror ku mund të ketë lindur kënga me tonalitet vajtimor si ajo e Sirenave. Aq më tepër që Odisea vlerësohet si hero i viseve veriore të Greqisë, i lidhur me treva epirote, jo vetëm me Dodonën dhe Hadin. Te epirotët kënga nuk ishte thjesht tingull; ishte mënyra e një bashkësie për të folur me të vdekurit, me kujtesën dhe me fatin.

Në këtë dritë, Epiri shfaqet si urë mes botës së lashtë dhe kujtesës së gjallë. Epirotët nuk ishin vetëm pjesëmarrës në ngjarjet e mëdha të botës homerike; ata bartnin me vete edhe mënyrat e tyre të të kënduarit, të vajtuarit dhe të bashkimit të zërave. Ata nuk udhëtuan vetëm me armët e tyre drejt brigjeve të tjera; udhëtuan edhe me këngët e tyre.

Nëse kënga shumëzërëshe me tonalitet vajtimor ishte pjesë e botës së lashtë Epirote, atëherë hipoteza e Toles bëhet edhe më e besueshme: Homeri mund ta ketë njohur këtë mënyrë këndimi në hapësirën epirote ose kontaktet me epirotët nëpër Greqi.  Prandaj pyetja “Ku e dëgjoi Homeri këngën e Sirenave?” na çon drejt një hipoteze të fuqishme: ndoshta ai e dëgjoi në brigjet e Epirit, aty ku vajtimi bëhej këngë, ku zërat bashkohen dhe ku dhimbja njerëzore gjen rrugën për t’u bërë art. Homeri u dha Sirenave pavdekësinë e mitit, por zërin e tyre, ai e kishte huazuar nga një popull që kishte mësuar ta kthente dhimbjen në këngë.

Dhe sa i përket objektivit studimor të Vaso Toles për të provuar hershmërinë e këngës sonë shumëzërëshe, mendoj se ja ka arritur këtij qëllimi. Për sa akuzohet, ai jo vetëm që nuk ka shkruar se kënga jonë iso-polifonike e ka origjinën nga kënga e Sirenave, por ai le të nënkuptohet se Homeri vuri në gojën e Sirenave këngën iso-polifonike të trevës së Epirit, duke provuar edhe se kjo këngë është parahomerike.

Dikush duhet të mësojë të lexojë, kur flitet për iso-polifoninë.

Sarandë, korrik 2026

Exit mobile version