Zëri i parë …
Imzot, ndihmoje shërbyesin tënd të ngujuar ndër këto fjalë që jam duke shkruar në faqen shkëmbore të këtij mali ku ngrihet kisha e Zonjës Tonë – Shën Mëri. Po dëshmoj me sinqeritet atë që duhet gjykuar si duhet. Unë, shërbyesi yt, e kam humbur fillin në këtë rrëfenjë dhe kam nevojë për gjykimin tënd.
Ajo vinte andej nga lind dielli, prej viseve të Albanëve. Si jeni në dijeni kisha jonë mbart objekte të shenjta që kanë veti shëruese. Vizitorë të ndryshëm i kanë ofruar këtij vendi ndër shekuj monedha të florinjta, objekte të derdhura në ar, unaza me gurë të çmuar, në shkëmbim të rrugës së amshuar.
Kisha jonë në Rokamadur është e njohur për Durandal – shpatën e Rolandit. Në kishën tonë vajzat e reja i luten Shën Mërisë t’i ndihmojë të shërohen, të pastrohen, të gjejnë udhën e fort kërkuar, të ngelen shtatzëna dhe të bëhen nëna, duke i prerë cullufet e flokëve sipas ritualit shekullor dhe lënë aty në shkëmbim të plotësimit të mrekullisë nga zonja jonë e lume Shën Mëri.
Imzot, kur e pashë për herë të parë atë krijesë të perëndisë, besoj me sytë e zemrës se ajo vajzë i kishte flokët më të bukur që më kanë nxënë sytë jo vetëm në këto vise. Fale robin tënd nga tundimi i syrit dhe fjalëve, por jo nga gjykimi i zemrës!
Kur u afrua e pyeta, “Cili është qëllimi i ardhjes tënde këtu, bija ime?”
Me sytë e përhumbur më tha, “Jam e verbër dhe dua që zonja jonë të më kthejë shikimin.”
I thashë, “Atëherë, përpara se të kryejmë ritualin e duhur duhet të rrëfehesh që mrekullia të kryhet ashtu si duhet.”
Pranoi duke e hapur zemrën me zërin që i dridhej …
Po rrëfente se ishte një robinë e kapur peng nga turbullirat në ato vise të Albanëve. E kishin marrë nga përtej detit Jon dhe forcuar me dhunë të shndërrohej në konkubinë. Ku? Si? Nuk dha asnjë shpjegim. Me dhimbje dëshmoi se ishte e verbër dhe burrat i thoshin se “ke flokët më të bukur në botë.”
“Bija ime,” i thashë, “me të vërtet këto cullufet e tua kaq të bukura i kanë lënduar të gjithë ata që i kanë parë. T’i falësh tashmë këto flokë pranë Zonjës Tonë të mirë do të thotë shumë. Lutja jote qoftë e pranuar.”
Flokët e saj u prenë me të gjitha rregullat kanunore. U vendosën në një pjatë argjendi në vendin e duhur me flokët e qindra vajzave të tjera.
Pasi falënderoi Shën Mërinë më pyeti, “At, kur do kryhet mrekullia dhe a do më vijë shikimi?”
I thashë, “Po. Shikimi do të vijë udhës së kthimit për në vendin tënd, moj bijë. Veç mos e kthe asnjëherë kokën pas.”
Më falënderoi dhe u nis për udhë me shoqëruesit, familjarët e saj.
Gjatë kthimit, për të parën herë në jetë, vajza pa ngjyrën e qiellit, tokës, maleve, fushave, barin e lëndinave. U mahnit me ngjyrën e lulëkuqeve. Shikimi ju përflak. Zemra i rrihte fort. Pasqyruar në ujërat e një lumi aty ku rrjedha ishte e shtruar dhe mund të vështroheshe në të, për të parën herë pa fytyrën e saj dhe njësoj si Gruaja e Lotit e ktheu kokën pas.
“Oh, Shën Mëri, sa e shëmtuar ngjakam pa flokë! Oh, nuk dua të jetoj kështu! O Shën Mëri, m’i kthe pas flokët e mia!”
Lutja u krye aty për aty. Por bashkë me kthimin e flokëve u rikthye sërish edhe verbëria e saj.
*
Zëri i dytë …
Ishte në të zbardhur? Apo diçka e përafërt? Ndoshta ishte muzg? Nuk mund ta them me siguri por zërat e tyre pa pasur asnjë njeri pranë i dëgjova qartë:
“Mbathja një orë e më parë! Mos e kthe kokën pas, dhe mos u ndal askund! Ik! Zhduku prej këtu!”
U ngrita si i çmendur dhe pa menduar asgjë, pa marrë me vete asnjë orendi me vlerë, mora për krahu dy vajzat e mia dhe i thirra gruas:
“Grua, shpejt të ikim prej këtu nga sytë këmbët! Nxito!”
“Po pse? Ç ‘është e gjithë kjo hata? Përse duhet të ikim nga vendi ynë? Çfarë na pret në shkretëtirë?” Tha ajo.
“Eja të them, mos e kthe kokën pas dhe mos u ndal! Sapo dëgjova zërin e dy engjëjve që më urdhëruan të ikim. Diçka e keqe do të ndodhë. Shkatërrim dhe zjarr po vjen mbi Sodomë!”
Ajo po më shihte me mosbesim aq sa po më dukej sikur pas gjithë kësaj jete së bashku po shihja për të parën herë një grua tjetër. A nuk ju ka ndodhur edhe ju kështu? Ndoshta edhe ajo vet nuk e kishte njohur atë tjetrën brenda vetes të cilën po e shihja veç tani ndërsa po arratiseshim nga shtëpia dhe qyteti ynë Sodoma.
Unë dhe vajzat e mia iu bindëm urdhrit të qiellit, nuk e kthyem kokën pas. As u ndalëm në fushën jashtë rrethinave të qytetit. Vetëm kur ishim jashtë rrezikut dhe larg Sodomës që po digjej atje tej, në malin Zoar më shkundi një zë. Kujtova se ishte po ai zë i atyre dy engjëjve, por jo. Ishte zëri i vajzave të mia që qanin me ngashërim.
“Baba, mamaja e ktheu kokën pas!”
Me gisht dëftojnë nga e ëma e tyre.
“Baba, mami u shndërrua në shtyllë prej kripe!”
Nuk e ktheva kokën pas. Ashtu më kishin urdhëruar. Më quajnë Lot. Unë jam nipi i Abrahamit. Kjo shtatore kripe që shihni është gruaja ime që e ktheu kokën pas për të vështruar qoftë edhe si për herën e fundit qytetin tonë. Nuk e di se çfarë fshihet pas atij shikimi? Nuk e di se çfarë fshihet pas atij mallëngjimi të saj për ta kthyer kokën pas? Asnjëherë nuk kam për ta ditur edhe sot se çfarë fshihet pas këtij mallkimi? Ndoshta vetëm ajo e di?
Ju nuk keni për ta ditur asnjëherë emrin e gruas time. Do e njihni përherë atë grua si “Gruaja e Lotit”.
Unë tashmë kam shekuj që kam ikur prej kësaj toke së bashku me mëkatet dhe legjendën time. Midis të shkuarës dhe të ardhmes për shekuj me radhë kam mprehur aftësinë të dëgjoj zëra të ndryshëm në kufijtë e këtij burgu të padukshëm që quhet territor. Por vetëm njëri prej zërave të këtij vendi dhe kësaj toke më ka ngelur në mendje teksa gjerb agimet dhe muzgjet e mia në faqet e Librit.
Është zëri i Krishtit që thotë “Kujto gruan e Lotit.”
Nuk e di përse, pas atij zëri më kap një mall i pa kuptimtë për jetët tona të dikurshme atje në qytetin tonë ku lindëm, u dashuruam, dhe nuk vdiqëm.
I kapur pas atij zëri shpesh e kap veten i ngashëryem duke dënesur në heshtje. Unë, që nuk kishte derdhur asnjë pikë loti gjithë jetën, qaj tashmë si fëmijë, fshehurazi pa më parë askush në këmbët e një shtatore prej kripe.
*
Zëri i tretë …
Ata thonë se kur objektet krijojnë histori ato fillojnë të marrin shpirt dhe njerëzit u vendosin emra. Nuk jam besimtar! As dyshues, as mosbesues, as poet. Jam një etimolog që kërkon të zbulojë kuptimin e fjalëve përmes gjuhës. Kjo është fusha dhe beteja ime e përditshme.
Ata thonë se Durandal, emri i kësaj shpate, buron nga “e fortë” – “e qëndrueshme” që duron gjer “në pathyeshmëri”.
Disa mendojnë se vjen nga “kosë e fortë” që nuk ndalet së korrur fitore dhe lavdi.
«Me shpatë në dorë është e ndërtuar historia.»
Ata thonë se buron nga “goditje vendimtare” – “teh i mprehtë” – “teh i përgjakur” që e ndan më dysh gurin.
Ata thonë se Durandal buron nga flakë. Një objekt që ka zjarr brenda vetes.
Ata thotë se ajo shpatë mbart brenda vetes një dhëmb të Shën Pjetrit, gjakun e Bazilit të Çezareas, një cullufe floku të Shën Denisit, dhe një copë rrobe nga teshat e Shën Mërisë.
Ata thonë se Durandal ka një prejardhje prehistorike. Ka qenë shpata e Hektorit ballë pushtuesit në muret e Trojës. Shpatë të cilën e kishte punuar një mjeshtër nga Dardania.
Shkollarë të tjerë pasi kanë hedhur poshtë tezën trojane, thonë se atë shpatë ia dhuroi një engjëll Karlit të Madh në luginën e Morianës. Ky i fundit ia dhuroi nipit dhe besnikut të tij, kalorësit Roland.
Kënga e Aspremontit thotë se Durandal i përkiste sarasinit Aumont, të cilin Rolandi e kishte kapur rob kur kishte qenë i ri duke ia marrë shpatën, madje edhe kalin.
E shikon pra se çfarë do të thotë të jesh etimolog?
Duhet të jesh besimtar, mosbesues, dyshues, shkencëtar, poet, historian, kronolog, mitoman.
Unë nuk jam asnjë nga këto. Jam një farkëtar kokë ulur mbi farkën e gjuhës.
Si? Ti po më thua se të gjitha këto sa thashë më sipër janë përralla?
Ndoshta.
E vërteta është se atë shpatë e ka prodhuar me porosi të Karlit të Madh farkëtari i njohur i armëve Wayland the Smith.
Për mua ky është versioni më i besuar. Por, kush jam unë?
*
Zëri i katërt …
Unë jam Çasti. Kam lindur, jam rritur dhe ka shumë gjasa që të vdes, brenda kësaj parzmore së bashku me shpirtin kalorësiak të kohës time.
Jam çasti i kësaj rruge ndërtuar në kohën e Romës së lavdishme 3220 këmbë mbi nivelin e detit, në Pirene.
15 August i motit 778 të Krishtit tonë.
Kjo që shihni është rruga jonë e kthimit pas rrethimit të Saragozës. Ky vend quhet Shtegu i Ronçesvalit. Syri të sheh veç pyje të dendur. Maja të thepisura. Ushtarë dhe kuaj që me vështirësi mezi presin kapërcimin e kufirit. Përngjan me gojën e një kuçedre kjo udhë ku dielli fillon e perëndon. Gjendemi në majat e maleve në një luginë. Dritëhije në muzg ravijëzojnë thepat ku e gjithë praparoja jonë siguron kthimin e Karit të Madh në Akuitainë. Në krye, kryezotit tanë, Rolandi, nipi i Karlit të Madh. Egihardi, kryezoti i shtëpisë mbretërore dhe njeriu përgjegjës i këtij thesari ngarkuar mbi mushka përgjatë kësaj fushate të domosdoshme. Anselmi konti administrator i pallatit mbretëror. Miku i Rolandit, Oliveri. Paladinë të nderuar që udhëheqin këtë ushtri të lavdishme e cila nuk ka pësuar asnjë humbje gjer këtë çast. Pararoja jonë duhet të ketë kapërcyer matanë kufirit drejt viseve tona. Madje sipas të gjitha llogarive Karli ynë duhet të jetë jashtë kufijve të Vaskonisë dhe Marka Hispanikas këtë çast. Unë, Rolandi, Oliveri dhe vëllezërit tanë të armëve, jemi fundi i kësaj ushtrie, pesha e vërtet e të cilës rëndon brenda këtyre arkave. Gjithçka kryet në emër të pasurisë.
Papritur ndiej tokën të dridhet nga një forcë tronditëse. Thirrje alarmi vijnë nga kreu udhëhequr nga Egihardi dhe Anselmi. Gurë fillojnë të rrokullisen nga shpatet e maleve si një rrebesh i vrullshëm prej të cilit nuk ke se ku të fshihesh.
“Oliver merr Çastin dhe nisuni të shihni se çfarë po ndodh atje te kreu!” Urdhëroi Rolandi.
U nisëm me vrik, por ishte e pamundur në këtë malore, përmbytur nga gurët, të përparoje me shpejtësi. Sa më tepër i afroheshim kreut aq më tepër shtoheshin gurët që binin mbi kokat tona dhe e bënin kalimin pothuajse të pamundur. Një pjesë e ushtarëve ishin vendosur në pozicion luftimi në mbrojtje krah rruge dhe me keqardhje po vinim re se një pjesë e mirë e tyre ishin të plagosur për vdekje me kokat e çara. U zbritëm kuajve. Vazhduam të përparonim në këmbë me mburojat mbi krye dhe shpatat e zhveshura gati për luftim. Por kundra kujt të luftonim? Armiku ishte si një fantazmë e padukshme. Armiku ishte vetëm hije dhe muzg. Kur mbërritëm në krye të praparojës çfarë na shohin sytë? Krejt i bllokuar ishte kalimi dhe mu në mesin e tij të shtrirë Eghiardi dhe Anselmi, të pajetë. Një shtizë bisht shkurtër të ngulur mu në zemër e kishte i pari. Akoma më keq i dyti. Dikush ia kishte prerë fytin me thikë. Të gjithë ushtarët rreth tyre ishin tashmë të ikur për në atë botë. Gojë të rrëfejë se çfarë po ndodhte apo sapo kishte ndodhur nuk kish ngelur e gjallë.
“Vrap, kthehu pas dhe lajmëro Rolandin! Kemi rënë në grackën e Sarasinëve!” Klithi Oliveri.
Pa një pa dy u lëshova tatëpjetë malores së shtegut dhe dëgjoja veç klithma vdekje të përshpirtëm nga të dyja anët. Por nuk u ndala. Nuk mundesha edhe pse doja t’i ndihmoja ato shpirtra në agoni e sipër. Duhet të mbërrija me doemos te Rolandi. Fillova të dëgjoj zëra që vinin nga majat e thepisura,
“Pamplona! Pamplona!”
Kuptova se, ata që po derdhnin gjithë këtë mynxyrë vdekatarë mbi ushtrinë më të fuqishme që ka bota, nuk ishin Sarasinë por baskë të Vaskonisë. Nuk më kishte pëlqyer vendimi që morëm për t’i rrafshuar gjer në themel muret e kryeqytetit të tyre Pamplonës, por ky ishte një vendim kolegjial nga të dymbëdhjetë paladinët e ushtrisë së Karlit të Madh. Baskët nuk na e falën kurrë këtë poshtërim që u bëmë. Ja tek po paguajmë me jetët tona çmimin e hidhur të poshtërimit në kthim.
Kur mbërrita në fundin e karvanit, të shtrirë në shkëmb, rrethuar me dhjetëra ushtarë të pajetë, pashë trupin e çapuar tej e tej të krye prijës Rolandit. Po jepte shpirt.
E afrova veshin pranë gojës së tij.
Këto ishin fjalët e tij të fundit, “ Merre! Shpjere larg prej këtu, pa i rënë në duar armikut!”
Për herë të parë në jetë po prekja atë shpatë ende të gjallë që të gjithë e thërrisnim Durandal.
Një shkreptimë e preu mes për mes qiellin atë çast.
*
Zëri i pestë …
Me porosi të veçantë nga Karli i Madh nuk u dha asnjë lajm për humbjen katastrofë në Shtegun e Ronçesvalit.
Ushtria jonë e lavdishme nuk mund ta pranonte një poshtërim të tillë publik në sy të botës.
Megjithëse ekspeditat e forcave speciale u rikthyen te shtegu famëkeq ku përveç kufomave të luftëtarëve nuk gjetën asnjë armë, asnjë arkë me verdhushka. Ishin zhdukur pa lënë asnjë gjurmë dhe tretur në misterin e maleve të Vaskonisë.
Ne besojmë se ishin vaskët dhe jo sarasinët ata që na sulmuan por për këtë nuk kemi asnjë fakt.
Heshtje e plotë mbuloi krejt Akuitainën. Një heshtje që u shoqërua me të gjitha ceremonitë më të larta të varrimit të kryetrimave tanë, Roland, Egihard, Anselm, Oliver, e të tjerë luftëtarë të Karlit të Madh.
Gjithçka u krye në fshehtësinë më të madhe aq sa familjet e tyre filluan të pyesnin se çfarë kishte ngjarë me birin, vëllain, bashkëshortin dhe kryezotin e tyre?
“Kauza jonë duhet të vazhdojë,” kështu tha në fjalën e vet Kryeprijësi.
Vetëm një gjë duhet t’i përgjigjet ashtu si duhet rrëfenjës së betejës së përgjakshme, legjenda e kësaj shpate të quajtur Durandal.
Legjenda thotë se kur Rolandi po jepte shpirt me sy drejt qiellit, i kërkoi ndihmë Engjëllit Mikael të mos ia linte atë shpatë të binte në duar të armiqve. Me ndihmën e Engjëllit Mikael e vërtiti atë shpatë drejt viseve të Akuitainës.
Një shkreptimë e preu mes për mes qiellin atë çast.
Në formën e një rrufeje Durandal fluturoi nga Shtegu i Ronçesvalit dhe u ngul mu në shkëmbin e Rokamadurit qindra milje larg prej aty.
A është e mundur kjo?
Kështu thotë legjenda. Durandal qëndroi e ngulur aty ngulur qysh nga ai çast i motit 778 e gjer në këtë çast (Qershor 2024) kur po shkruhet ky raport policor :
“Përgjatë natës së shkuar në vendin turistik të Kishës së Shën Mërisë në komunën e Rokamadurit të departamentit të Lot-it, një nga fshatrat më të bukur në Francën jug-perëndimore, është raportuar e vjedhur shpata e famshme e Rolandit me emrin Durandal e cila ishte e ngulur në disa metra lartësi mbi shkëmb. Për arsye sigurie shpata ishte e salduar me zinxhirë po në shkëmb. Se si vjedhësit kanë hipur gjer në atë lartësi pa u vënë re nga kamerat dhe rojat turistike ngelet një mister? Se si kanë mundur ta çlirojnë shpatën nga shkëmbi ngelet një pikëpyetje tekniko-shkencore? Se si nuk është ndier asnjë zhurmë përgjatë aktit të prerjes së zinxhirëve kjo është akoma edhe më e habitshme? Por ajo që nuk po mundemi t’i japim asnjë përgjigje logjike është pyetja se për çfarë u duhej vjedhësve në ditët tona kjo shpatë që i përkiste errësirës së Mesjetës?”
*
Zëri i gjashtë …
Të gjitha zërat i dëgjoj brenda kësaj gote të mbushur me verë të kuqe Cahors.
Dëgjoj zërin katolik të famullitarit. Zërin anonim të vajzës së verbër, ardhur nga Morena e viseve të Jonit.
Dëgjoj zërin profetik të Lotit, por jo zërin e gruas së tij. E si mund të flasë dhe ketë zë një shtatore prej kripe?
Dëgjoj psherëtimën e metaltë të shpatës Durandal. Klithje në dorën e Hektorit. Përshpirtje në dorën e Rolandit. Ndërsa jepnin shpirt po nga shpata e kundërshtarit në dy epoka të ndryshme midis të cilave qëndron Roma.
Dëgjoj zërin e policit që ka marrë në dorë hetimet mbi vjedhjen e asaj shpate në vitin 2024.
Dëgjoj zërat e kamufluara të hajdutëve, por edhe zërat fantazmagorike të lojërave elektronike me “durona” ndërtuar enkas në emër të zaptimit të zërave të fëmijëve tanë.
I dëgjoj këtë çast brenda kësaj gote me verë i ulur në bregun e lumit Lot që i ka dhënë emrin këtij vendi të Ocitanisë franceze.
Për çfarë jam duke folur dhe kush jam unë?
Nuk ka të bëjë me këtë natyrë mahnitëse që më rrethon natyra ime e ekzaltuar e këtij rrëfimi për një shpatë. As me sasinë e verës që kam konsumuar përgjatë këtij rrëfimi.
Nuk ka të bëjë me historinë, mitologjinë, legjendat me heronj, këngë dhe Durandal.
Ka të bëjë me zërat që kemi humbur dhe humbasim të gjithë në këtë rrjedhë. Me objektet që nuk kanë gojë të flasin. Me dëshmitë që na kanë vjedhur dhe falsifikuar qysh në fëmijëri. Me vet fëmijërinë e qytetërimit tonë.
Është zëri i një njeriu të verbër që po ju flet këtë çast.
Në pamundësi për t’i parë me sy të gjitha këto, jam i detyruar të krijoj polifoninë e zërave të rrëfimit për një shpatë të vjedhur mu në fillesë të një epoke të errët që sapo ka filluar këtë çast dhe askush nuk ka sy ta shohë, sepse gjendet në rolin e zërit të shtatë.
Janar – Gusht, 2026



