Kreu Çmime Thomas Frashëri: 100-vjetori i urdhrit të Skënderbeut, kthimi i dekoratave si shenja...

Thomas Frashëri: 100-vjetori i urdhrit të Skënderbeut, kthimi i dekoratave si shenja kulture brenda shtetit

Kremtimi me solemnitet në hollin e Pallatit të Kongreseve, më 10 dhjetor 2025, i 100-vjetorit të krijimit të Urdhrit të Skënderbeut, përfaqësoi një ngjarje të paprecedent në gamën e eventeve përkujtimore të Shtetit shqiptar. Festimi i kujtesës së një urdhri, një lloj i veçantë i vlerësimeve honorifike, nuk është diçka e zakonshme. Dhe jo vetëm te ne. Të rralla janë shtetet me tradita që ia japin vetes këtë mundësi. Në këtë aspekt, dy janë modelet që mbizotërojnë në kohën tonë.

I pari, me ngjyrim të fortë mbretëror dhe rituale fetare, është ai britanik. Ky model, si për urdhrat e moçëm që qeverisen nga Kurora, si për dekoratat e meritës që administrohen nga Qeveria, kushtëzohet, sipas rëndësisë dhe vjetërsisë së secilit urdhër, nga kremtime periodike me shërbesa fetare, nën udhëheqjen e klerit shtetëror anglikan, ku marrin pjesë të dekoruarit, shpesh herë të veshur me kostumet e veçanta të përkatësisë së tyre. Çdo urdhri i përkon një kapelë e dedikuar në një nga tempujt e krishterë më të famshëm të Mbretërisë së Bashkuar.

Modeli i dytë është ai francez, thelbësisht republikan. Institucion i mirëfilltë publik qysh prej themelimit më 1802 nga konsulli i parë i Republikës, Napoleon Bonaparti, Urdhri i Legjionit të Nderit përfaqëson, ndërkombëtarisht, sistemin më të përkryer të urdhrave të meritës. Përvjetorët e tij, ashtu siç ishte rasti më 2002 me qindvjetshin e dytë të themelimit, kremtohen me solemnitetin e duhur nga Republika franceze dhe nga të gjithë të dekoruarit në të katër anët e rruzullit. Urdhri i Legjionit të Nderit nuk ka ngjyrime fetare dhe as një kapelë të dedikuar, por zotëron si seli një nga ndërtesat historike më të bukura të Parisit, buzë Senës, Pallatin e Legjionit të Nderit, arkitektura e të cilit ka frymëzuar pjesërisht atë të Shtëpisë së Bardhë në Washington D.C. dhe struktura e të cilit strehon edhe muzeun më të madh në botë të urdhrave kalorsiakë.

Krijimi i Urdhrit të Skënderbeut nga Republika Shqiptare në dhjetor 1925 dhe kremtimi i tij solemn nga Republika e Shqipërisë, një shekull më pas, shtysën e kanë marrë pashmangshmërisht nga ky model. Megjithatë, të dy modelet, emëruesin e përbashkët e gjejnë te synimet e tyre shoqërore: mbajtjen gjallë të një kulture përbashkuese të Shtetit, si edhe vlerësimin dhe kremtimin e rrugëtimeve njerëzore të veçanta që janë bërë shkas për merita dhe kontribute të spikatura në shërbim të kombit, të vlerave që ai mbart, të interesave që ai mbron.

Kremtimi i 10 dhjetorit 2025 shërbeu gjithashtu për të familjarizuar publikun me punën e Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve të Republikës, si edhe aktivizimin e tre urdhrave të rinj kombëtarë – Urdhri Suprem i Shqiponjës; Urdhri i Skënderbeut; Urdhri i Lisit Akademik – përmes dekorimit të 22 personaliteteve merituese nga të gjithë sektorët e jetës publike dhe nga të katër anët e vendit. I përtërirë në formën e tij klasike, Urdhri i Skënderbeut, themeluar nga Republika e parë shqiptarë, bëri bashkë, megjithë ndërprerjet dhe frakturat historike, kujtesën e të dekoruarve të dikurshëm si Edith Durham, Aleksandër Xhuvani, Mehdi Frashëri, Asdreni, Justin Godard, Faik Konica, Gaqo Goga, Kristo Kono e të tjerë emra të mëdhenj, dhe kontributet e të dekoruarve të këtij shekulli, Pëllumb Xhufi, Aurel Plasari, Seit Mansaku, Matteo Mandalà, Alfred Moisiu, Igli Tare,  si edhe ato të shumë personaliteteve të spikatura në fushat e tyre të veprimtarisë, civile dhe ushtarake.

Medaljoni i kremtimit jubilar të 100-vjetorit të Urdhrit të Skënderbeut
(© Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve, 2025)

Në çdo shoqëri që aspiron pjekuri institucionale, mënyra sesi nderohen meritat është po aq domethënëse sa mënyra sesi Shteti përmbush misionet e tij. Urdhrat dhe medaljet nuk janë thjesht objekte ceremoniale apo relike protokollare: ato janë shenja të një kulture shtetërore, pasqyra të marrëdhënies ndërmjet autoritetit publik dhe virtytit qytetar, ndërmjet kujtesës kolektive dhe figurave që e mishërojnë atë.

Në Shqipëri, kjo kulturë ka qenë për një kohë të gjatë e ndërprerë, e cunguar, madje e keqkuptuar. Miratimi i Ligjit nr. 93/2022 “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë” përbën një moment të rrallë reflektimi shtetëror mbi vetë aktin e nderimit: si nderojmë, kë nderojmë dhe në emër të çfarë vlerash. Për të arritur në produktin përfundimtar që kemi sot, u deshën më shumë se tre vite punë të karakterizuara nga një vullnet politik i vendosur dhe nga ekspertiza e disa specialistëve të përkushtuar.

Historia e urdhrave shqiptarë është, në thelb, historia e një tradite të ndërprerë. Shqipëria e viteve 1914–1939, megjithë brishtësinë e saj institucionale, arriti të ndërtojë një sistem nderimesh që fliste gjuhën e Europës: urdhra me grada, shenja të kodifikuara, hierarki simbolike dhe një etikë të brendshme të vlerësimit. Ishte një sistem që e konceptonte nderimin jo si shpërblim të rëndomtë material, por si përkatësi në një bashkësi merite në shërbim të vendit.

Pas vitit 1945 kjo traditë u përhumb. Regjimi komunist e zëvendësoi nocionin e urdhrit me një kulturë dekoratash masive, të frymëzuara nga modeli sovjetik, ku nderimi humbi dimensionin e tij institucional dhe u shndërrua në instrument kryesisht ideologjik. Emrat historikë mund të mbeteshin, por përmbajtja kuptimore ishte tjetër.

Rënia e komunizmit nuk solli, menjëherë, një rikthim të vetëdijshëm te trashëgimia e fjetur. Përkundrazi, periudha pas vitit 1992 u karakterizua nga zgjidhje të përkohshme, shpesh të paqarta, që kulmuan me një sistem të fragmentarizuar, ku dekorata dhe tituj nderi konfiguroheshin në mënyrë të atomizuar, pa një logjikë koherente.

Në këtë sfond, Ligji nr. 93/2022 nuk është thjesht një tekst juridik. Ai është një akt kulturor i shtetit, sepse ndërhyn dhe rregullon sferën e simboleve, të kujtesës dhe të përfaqësimit publik të meritës. Ligji vendos në qendër një ide thelbësore: dekorata nuk është privilegj në diskrecion të një autoriteti, por shenjë e mirënjohjes publike, e cila vlerëson, dekoron, po aq sa detyron. Ky parim, i thjeshtë në dukje, ka pasoja të thella kulturore. Ai e ndan, më së paku parimisht, nderimin nga klientelizmi, nga qarkullimi inflacionist i simboleve dhe nga arbitrariteti, duke e bërë atë sërish të përputhshëm dhe të integrueshëm në sferën e etikës publike.

Një nga risitë më domethënëse të ligjit është rikthimi i një arkitekture të qartë faleristike (i.e. shkenca e pajimeve të nderit të natyrës simbolike, ushtarake dhe civile). Sistemi ndërtohet rreth tre urdhrave kombëtarë që kanë për Kryetar Presidentin e Republikës. Sistemi kompletohet nga një sërë medaljesh të mirëpërcaktuara:

Urdhri Suprem i Shqiponjës, i cili jepet “për kontribute dhe merita të veçanta, të shquara e të qëndrueshme, civile ose ushtarake, në dobi të shtetit dhe kombit shqiptar, si edhe të shoqërisë dhe të vlerave demokratike”. Dekorata më e lartë e Republikës së Shqipërisë përtërin, në mënyrë inovatore, pra pa qasje “përvetësimi”, kujtesën e urdhrit të parë kalorsiak shqiptar të vitit 1914, Shqiponjës së Zezë, themeluar nga Princi Vilhelm von Wied-i, duke u frymëzuar nga motoja e tij “Besë e Bashkim”. Urdhri është i përbërë nga 5 shkallë në rend zbritës: Ylli i Madh, Oficeri i Madh, Komandari, Oficeri, Kalorësi;

Urdhri i Skënderbeut, i ndarë në 5 shkallë, njësoj si pararendësi, jepet “për të vlerësuar kontribute dhe merita të dalluara e të qëndrueshme, civile ose ushtarake, në dobi të shtetit e kombit shqiptar, si edhe të shoqërisë e vlerave demokratike”. Në të njëjtën logjikë të përtëritjes së traditës, e njëherazi të shmangies së përsëritjes dhe përvetësimit të simboleve, shenjat e Urdhrit të tashëm të Skënderbeut frymëzohen pjesërisht nga paraardhësi i tij i vitit 1925, por pa e imituar. Shenjat e Urdhrit të Skënderbeut të vitit 1925, i cili më 1928 u shndërrua në urdhër mbretëror – dhe si i tillë vazhdoi jetën e tij, pa u kërkuar si ndonjë e drejtë nga shteti republikan shqiptar i mëvonshëm – respektohen si pjesë e trashëgimisë kulturore dhe dinastike të Kurorës shqiptare;

Urdhri i Lisit Akademik, nderim i lartë që jepet “për merita dhe kontribute të veçanta në fushat e artit, kulturës, dijes, shkencës, arsimit, sportit, gazetarisë, si edhe në zhvillimin e shoqërisë shqiptare dhe vlerave demokratike”, kondenson, në nivelin e një urdhri kombëtar me tre shkallë: Yll i Madh, Komandar, Kalorës, vlerësimin e shtetit ndaj çdo arritjeje në krijimtari, dije, shkencë, edukim dhe arte. I frymëzuar nga urdhrat francezë të Palmave Akademike dhe të Arteve dhe Letrave, ai dallon prej tyre në të qenit një urdhër kombëtar dhe jo një dekoratë ministrore. Përmes tij, legjislacioni aktual i dha fund kakofonisë së dekoratave dhe titujve të nderit që vlerësonin të njëjtat merita në të kaluarën. Në këtë mënyrë lehtësohet vlerësimi i progresit në meritë dhe kalimi nga njëra shkallë te tjetra dhe nga një urdhër në tjetrin, gjithmonë në ngjitje, për çdo meritë të re dhe të justifikuar.

Urdhri i Lisit Akademik në 3 shkallët e tij
(© Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve, 2025)

Medaljet: ndryshe nga urdhrat kombëtarë, medaljet, qofshin presidenciale, kryeministrore ose ministrore, kanë kryesisht për qëllim vlerësimin e akteve dhe shërbimeve specifike, në rrethana, kushte dhe kohëzgjatje të veçanta. Medaljet që jepen nga Presidenti i Republikës janë Medalja e Meritës Ushtarake (3 shkallë); e Meritës Civile (3 shkallë); “Nënë Tereza” (3 shkallë); “Pishtari i Demokracisë” (1 shkallë). Kryeministri, Ministri përgjegjës për Forcat e Armatosura dhe Ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike japin respektivisht Medaljen e Mirënjohjes Publike (3 shkallë); Medaljen e Shërbimit Ushtarak (3 shkallë); Medaljen e Shërbimit të Rendit Publik (3 shkallë).

Urdhrat nuk janë thjesht dekorata: ata janë institucione nderi, me grada, rregulla dhe anëtarësi. Referuar ligjit, urdhrat përbëhen nga të gjithë të dekoruarit e tyre në një nga shkallët përkatëse. Pikërisht promovimi i konceptit të anëtarësimit për shtetasit shqiptarë përbën një nga risitë më të rëndësishme kulturore të ligjit. Të jesh anëtar i një urdhri do të thotë të mbartësh një lidhje të qëndrueshme përgjegjëshmërie me bashkësinë kombëtare. Urdhrat, por edhe medaljet, janë gjithashtu instrumente të promovimit të vendit në fushën ndërkombëtare dhe të stimulimit të shërbimit ndaj interesave kombëtare në një rrafsh shumë të gjerë.

Urdhri i Skënderbeut si bashkësi merite në kohë – Paneli qendror i eventit
(© Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve, 2025)

Në një shoqëri ku nderimet janë dhënë shpesh pa kriter, ligji i ri ka anuar kah një qasjeje racionale: peshimit të përzgjedhjes. Vendosja e kufijve vjetorë për pranimin në urdhra, rregullat strikte për ngritjet në grada dhe ndalimet për dekorimin e të zgjedhurve gjatë mandatit të tyre, nuk janë thjesht kushte administrative. Ato janë shprehje e një kulture që synon të mbrojë integritetin e vlerësimeve honorifike, për sa është e mundur, duke mitiguar paragjykimet për klientelizëm dhe anësi të skajshme.

Po ashtu, parashikimi i mundësisë së heqjes së dekoratës në rast shkeljesh të rënda është një element i fortë etik: nderimi nuk është i pakushtëzuar, por lidhet me një sjellje që duhet të mbetet e denjë për simbolin që përfaqëson.

Në zemër të sistemit të ri qëndron Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve, një institucion që, përtej funksioneve administrative, ka një rol kulturor të përveçëm. Ajo është kujdestare e regjistrave, e arkivave, e shenjave dhe e kujtesës së nderimeve shtetërore dhe të atyre që janë nderuar me to. Në këtë kuptim, Kancelaria është edhe një institucion konservator, një arkiv i virtytit të njohur publikisht.

Urdhrat shqiptarë në Muzeun e Legjionit të Nderit në Paris
(© Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve, 2025)

Vendimmarrja kolegjiale, përmes Kolegjit të Urdhrave dhe Medaljeve, sjell gjithashtu në procesin e nderimit një dimension reflektiv dhe të distancuar nga impulsi politik i çastit. Kjo e bën nderimin më pak episodik dhe më shumë institucional, llogaridhënës dhe të denjë për miratimin publik.

Vitet 2024–2025 shënuan kalimin nga norma te realiteti: krijimin e strukturave, miratimin e shenjave zyrtare, konstituimin e Kolegjit të Urdhrave dhe Medaljeve. Për herë të parë pas shumë dekadash, Shqipëria disponon një sistem nderimesh që funksionon si një tërësi: me rregulla, simbole dhe institucione që flasin të njëjtën gjuhë.

Në fund, Ligji nr. 93/2022 na fton të rimendojmë një pyetje themelore kulturore: çfarë shteti jemi, përmes atyre që zgjedhim të nderojmë. Urdhrat dhe medaljet nuk janë thjesht shenja metalike; ato janë pasqyra të vlerave që një shtet dëshiron të ruajë dhe t’u përcjellë brezave.

Në këtë kuptim, rilindja e sistemit shqiptar të nderimeve nuk është vetëm një reformë juridike apo protokollare, por një hap drejt ndërtimit të një kulture shtetërore të meritës, ku nderimi është i peshuar, i arsyetuar dhe i denjë për simbolin që shpërfaq. Si i tillë është perceptuar ai tashmë edhe jashtë vendit: prej 17 dhjetorit 2025, shenjat e urdhrave kombëtarë shqiptarë janë pranuar si pjesë e koleksionit prestigjioz të muzeut të dekoratave më të rëndësishëm në botë, Musée de la Légion d’honneur et des ordres de chevalerie në Paris, themeluar edhe ai 100 vite më parë, në shtator 1925.

Exit mobile version