Këtë vit ka patur një prurje të konsiderueshme botimesh, diku tek njëqind e tridhjetë, ku, gjysma përbëhej nga autorë të huaj dhe gjysma tjetër nga autorë shqiptarë. Duke marrë parasysh shifra të tilla, ndjehem mjaft i kënaqur që juria midis tyre zgjodhi dhe vlerësoi punën time.
-Ju jeni i ri dhe ndoshta të rinjte duhet të jenë lexuesit tuaj. A mendoni se Ciklopi është një roman edhe për rininë?
Mendoj që romani është për të gjithë grupmoshat, sepse, duke qenë se ka një strukturë të thjeshtë dhe konkrete, është lehtësisht e kapshme për çdo lexues.
Që në faqet e para të librit, diku midis ngjyrave dhe fjalëve, nderton ngjarje të çuditshme sa fantastike aq dhe njerëzore. Shoqëria gjithmone ka patur problem me humanizmin dhe shpesh artistet kanë synuar të ndërtojnë lidhjen e individit me llojin dhe ju mendoj se e kërkoni këtë gjë me anë të një procesi vetërregullimi shpirtëror. A mendoni vertetë kështu?
Lidhja e individit me llojin në këtë libër shpjegohet nëpërmjet mitit. Njëriu që në fillimet e tij mundohet t’i përgjigjet pyetjes “Përse gjërat janë në këtë formë, dhe jo në një trajtë tjetër?” Dhe përgjigjet vijnë ose nëpërmjet shkencës, ose nëpërmjet fesë, ose nëpërmjet filozofisë ose nëprmjet mitit. Por vepra ndalet tek kjo e fundit. Miti është një besim që nuk ka më ndjekës, pra një besim që ka ngelur në histori. Dhe, duke qenë se ka ngelur në të shkuarën, natyrisht, mënyra se si serviret në kohët tona, janë rezultat i këndvështrimeve të njerëzve. Ciklopët në mënyrën se si serviren në tekste, ose në përfyryrimet e shoqërisë, shihen si krijesa të tmerrshme dhe të frikshme, dhe libri merr përsipër të shpjegojë, përse ka ndodhur kjo gjë? A është këndveshtrimi i shoqërisë në një situate reale, zanafilla e miteve?
Po citoj një frazë nga libri: “Në një rast të tillë kufiri midis mrekullisë dhe mallkimit është aq i hollë, sa nuk mund të dish se ku mbaron i pari dhe ku fillon i dyti”. Vërtetë mendoni se populli ynë e ka ndertuar jetën në këtë mënyrë?
Fjala mallkim ndoshta do të ishte anatemuese për vendin tonë por është një fakt që populli ynë ka qenë vazhdimisht nën zgjedhën e një pushtuesi apo të një tjetri dhe në libër trajtohet kjo gjë. Në tekst nuk përcaktohet qartësisht pushtuesi, kjo është bërë jo pa qëllim, sepse, duke qenë një popull i cili ka vuajtur peshën e njërit okupator ose tjetrit, kjo i lihet imagjinatës së lexuesit ta vendosi veprën si në periudhën romake, bizantine, otomane, apo edhe fashiste, rezultati, mendoj, nuk do të ndryshonte. Në libër merret edhe shembulli i fesë, ku kemi një devijim nga klisheja e zakonshme që pushtuesit e kanë kthyer me dhunë fenë e vendit.
Në përshkrimet që i bën qytetit, e sjell atë ashtu siç ka qenë, te duket sikur shikon pamje të nxjerra nga historia, sigurisht të zhdukura sot, por e ndjen se të mirat dhe të keqijat nuk i kanë marrë me vete. A e keni fjalën për një qytet të caktuar?
Kur kam nisur të shkruaj librin, kisha nevojë për një imazh të qartë të qytetit ku do të zhvilloheshin ngjarjet. Qytetin në fjalë e kam vizituar dy herë. Një herë para se të shkruaja librin, dhe një herë pasi e kisha përfunduar veprën. Është interesant fakti se, kur e vizitova për herë të parë, pasi kaloi pak kohë, e harrova se si ai ishte dhe u detyrova të rindërtoja çdo gjë me imagjinatë. Kur e vizitova për së dyti, pra, pasi përfundova punën, vura re që qyteti ishte pikërisht ashtu siç e kisha përshkruar në libër, vendosja e maleve, bimësia, gurra, shtëpitë dhe godinat e kultit. Këtu nxorra përfundimin se si formësohen gjërat në nëndijen e individit. Gjithësesi ai mund të jetë një qytet çfarëdo. Historia bën fjalë për një grua me femijën e saj në një qytet pak të përcaktuar, është një histori e thjeshtë por kushdo mund të nxjerri përfundime të ndryshme në varësi të shijeve apo këndvështrimeve.
Dikush e ka quajtur librin tënd një galeri pikturash ku degjohet ai që flet për to dhe ato ndërtohen në përfytyrimin e lexuesit. Cila do të jetë piktura e re në letërsinë tënde?
Letërsia është para së gjithash një art, dhe në këtë pikë ka shumë pika të përbashkëta me pikturën. Në të parën gjërat përcillen me fjalë, në të dytën me ngjyra, por, duke qenë se letërsia disponon edhe figurat letrare,ironinë, mbivendosjen, kjo gjë e bën letërsinë me efikase se piktura në përçimin e ndjesive, gjendjes emocionale dhe botës së brendshme të personazheve në vepër. Përshkrimi i natyrës, i motit dhe i qytetit, i cili bëhet vazhdimisht ne vepër, sillet me qëllim që të përshkruajë paralelizmin e tyre me botën e brendshme të personazheve dhe, pse jo, edhe të rrëfyesit i cili, nuk duhet harruar se është një entitet i pavarur nga autori.
Mundohem të pikturoj me fjalë ate që përfytyroj në mënyrë që të bëj sa më konkrete ate që dua të shpreh.
Përse shkruani për tema të tilla? A nuk ka diçka tjetër që do t`ju shqetësonte së brendshmi, diçka më personale?
Siç e kam pohuar dhe më parë, është e vështirë për një autor të thotë arsyen se përse një vepër është në ate formë, apo trajton atë temë. Mendoj që vepra ka ekzistuar gjithmonë në nëndijen e autorit dhe, kur çasti vjen, ajo del vetë, është diçka e vështirë të shpjegohet me arsye. Disa teoricienë të psikologjisë shtyhen aq larg sa shprehehen edhe për përvojat e trashëguara. Pra përvojat e një paraardhësi të një shkalle të katërt, ruhen në gene, dhe transmetohen brez pas brezi në ate që, në psikologji quhet e nënvetëdijshmja dhe shumë gjëra, duke përfshirë dhe ëndrrat vijnë nga kjo masë e madhe e nëndheshme. Nuk jam i sigurtë për vërtetësinë e diçkaje të tillë, por mund të them që veprimtaria krijuese është diçka shumë e vështirë që të shpjegohet me fjalë.