Përktheu dhe përgatiti: Fatrit Beqiri
Botohet në arabisht romani i Besnik Mustafajt “Dëmtuar gjatë rrugës”, fitues i çmimit të madh të panairit të librit të Tiranës në vitin 2019. Romani është botuar nga shtëpia botuese Dar Al-Hiwar me titullin “Në emër të amës dhe të birit”, me përkthim të Adnan Mohamed nga frengjishtja.
Pas botimit të “Një sagë e vogël” dhe “Daullja prej letre” dhe pritjes shumë të mirë që gjetën si nga mediat edhe nga lexuesi arab, kjo është vepra e tretë në prozë e Besnik Mustafajt që shkon përkthehet në arabisht.
Ndërkohë, për romanin “Dëmtuar gjatë rrugës” (Në emër të amës dhe të birit) ky është përkthimi i pare në një gjuhë të huaj. Përkthimi i tij ka përfundur edhe në italisht dhe është në përgatitje botimi që parashikohet të dalë në prill po me titullin “Në emër të amës dhe të birit”.
Botuesi Dar Al-Hiwar në kopertinën e pasme të botimit ka shkruar:
“Romani “Në emër të amës dhe të birit” (Dëmtuar gjatë rrugës) i shkrimtarit të madh shqiptar Besnik Mustafaj na tëheq në thellësitë e shpirtit njerëzor në të gjitha shpërfaqjet e tij: të dashurisë, të shqetësimit dhe të privimit, të shpresës dhe të frikës që i kapërcen kufijtë e tmerrit, në një periudhë të gjatë të historisë moderne të Shqipërisë. Dhe këtu kam parasysh periudhën e sundimit komunist, e cila ka zgjatur nga fundi i luftës së Lufta e Dytë Botërore deri në fillim të viteve 1990.
Ky roman pasqyron transformimet e përjetuara nga heronjtë e rrëfimit: nëna, gjyshi, bashkëshorti që mungon, por që është i pranishëm pothuajse gjatë gjithë kohës dhe fëmija (rrëfyesi). Këta njerëz të thjeshtë jetojnë në një qytet të vogël përgjatë kufirit shqiptaro-jugosllav.
Shkrimtari preferon që këta heronj të mos kenë emra, por rrjedhshmëria e rrëfimit, me intimitetin e vetës së pare njëjës, na bën të harrojmë nevojën për t’u njohur me emrat e tyre.
Ndoshta suksesi i shkrimtarit bëhet më i dukshëm në vazhdimësinë e rrëfimit pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri.
Fëmija rritet dhe bëhet zyrtar i lartë në regjimin e ri, dhe më e rëndësishmja, ai bëhet shkrimtar. Ndaj nëna e tij e ngarkon me detyrën e shkrimit të historisë së jetës së saj, për asgjë më shumë veçse të provojë identitetin e saj në sytë e të shoqit, që nuk e kishte vlerësuar siç duhet. Ne, lexuesit, nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta falënderojmë për këmbënguljen e saj, pasi kështu kemi përftuar një roman të paharrueshëm me të gjitha standardet.
Në botimet Dar Al-Hiwar do të gjeni edhe romanin jashtëzakonisht të rëndësishëm “Daullja prej letre” të vetë romancierit Besnik Mustafaj.”