Përgatiti dhe përktheu Bujar Hudhri
Më 29 mars 1873, shkrimtari i famshëm rus filloi punën mbi romanin “Ana Karenina”. Prototip i Ana Kareninës ishte vajza e madhe e Pushkinit, Maria Hartung. Në të vëtetë, ajo nuk u hodh poshtë trenit, madje jetoi edhe nja dhjetë vjet më shumë se Tolstoi derisa vdiq në Moskë, më 7 mars 1919, në moshën 86 vjeçare.
Në fillim të vitit 1868, në shtëpinë e gjeneralit Tulubiev, Maria Aleksandrovna u njoh me Lev Tolstoin, cili më vonë do të pasqyronte tiparet e pamjes së jashtme të saj në romanin “Ana Karenina”. Kunata e Tolstoit (motra e gruas së tij), Tatiana Kuzminskaja, e përshkruan kështu këtë takim në librin e saj me kujtime “Jeta ime në shtëpi dhe në Jasnaja Poljana”:
“Kujtoj një mbrëmje te gjenerali Tulubiev.
Karantina e skarlatinës kishte përfunduar. Sonja [Sofia Tolstaja] ende nuk vinte tek ne, ndërsa Lev Nikollajeviçi na vizitonte shpesh. Një herë ai erdhi dhe ndenji të kalonte natën. Ne ishim të ftuar në një mbrëmje tek Tulubievët.
-Eja me ne, – i thashë,- se ti njihesh me gjeneralin, kurse Luiza Karlovna është një yll i bukur: e edukuar, muzikante e mrekullueshme dhe një grua tepër e dashur.
– Aq shumë sa po e ngre në qiell, shkojmë pse jo,- tha ai.
Tek Tulubievët gjetëm një shoqëri mjaft të madhe. Shumë prej tyre Lev Nikollajeviçi i njihte: Fjodor Fjodoroviç Mosollov, një çifligar i pasur dhe një rritës i njohur kuajsh, kontin Lvov, që kishte qenë në Jasnaja dhe plot të tjerë.
Ishim ulur përreth një tavoline çaji të stolisur me shije. Kosherja mondane fillojë të gumëzhijë: po më vinte keq që nuk ishin Arsenjevët, veç kur u hap dera e paradhomës dhe hyri një zonjë e panjohur me një fustan të zi me dantellë. E ecura e saj e lehtë e bënte të lehtë figurën e saj mjaft të plotë, por të drejtë dhe elegante.
Më prezantuan me të. Lev Nikollajeviçi ishte ulur ende në tavolinë. E pashë se si ia nguli vështrimin asaj.
-Kush është kjo?- më pyeti duke u afruar.
– Madame Hartung, bija e poetit Pushkin.
– Aha – zgjati zërin ai,- tani e kuptoj… Pa shiko se çfarë kaçurrela arabe ka në zverk.
Kur e prezantuan Tolstoin me Maria Aleksandrovnën, ai ndenji tek tavolina e çajit, pranë saj. Se çfarë biseduan unë nuk e di, por di që ajo i shërbeu atij si prototip për Ana Kareninën, jo me karakterin, jo me jetën, por me pamjen e jashtme.
Ai vetë ma ka pranuar këtë fakt.
Kur po ktheheshim në shtëpi, ishim në qejf. Nuk lamë askënd dhe asgjë pa përmendur, pastaj gjeta rastin dhe bëra shaka:
-E di që Sonja do të ishte bërë xheloze me ty për Hartungun.
-Po pse ti, nuk do ta kishe bërë Sashën xheloz?
-Patjetër.
-Epo, edhe Sonja po ashtu, – m’u përgjigj duke qeshur.
Mëngjesin tjetër u largua për diku më tej; e kam harruar se ku.”
Sipas shumë versioneve Tolstoi iu vardis më kot Marias, dhe ngaqë mori refuzimin e saj, i përgatiti atë fat të keq heroinës së librit.
Le të shohim fragmentin ku shkrimtari i madh përshkruan Ana Kareninën në roman, duke u mbështetur tek figura e Maria Aleksandrovnës:
“Ana nuk kishte veshur fustan ngjyrë jargavani…
…Në flokët e saj të zinj, ku s’kishte asnjë fije floku të rremë, kishte një kurorëz vjollcash dhe një kurorëz tjetër të tillë e kish citosur në kordelen e zezë të belit, mes dantellave të bardha. Flokët e saj dukeshin sikur qenë krehur pa ndonjë kujdes të veçantë, por ajo që binte në sy, ishin kaçurrelat e vegjël lozonjarë që i binin te zverku e tek tëmthat edhe ia zbukuronin fytyrën. Në qafën e bukur si të skalitur kishte varur një varg me margaritarë.”
(Sipas përkthimit të Vedat Kokonës, “Ana Karenina”, Vol. I, faqe 91, Botimet Kokona, Tiranë, 2006)
Por Tostoj i detyrohet Pushkinit jo vetëm me figurën e Anës, por edhe me fillimin e romanit. Biografi i Tolstoit, Pavël Birjukov, për këtë fakt shkruan: “Tezja e Lev Nikollajeviç Tolstoit dergjej e qetë në krevat ku po kalonte ditët e saj të fundit, pasi ishte e sëmurë, kurse i biri i Lev Nikollajeviçit, i lexonte asaj një libër të Pushkinit. Tezen e kishte zënë gjumi, kurse libri mbeti mbi tavolinë. Në këtë kohë hyn Tolstoi, e merr librin në dorë dhe lexon; “Mysafirët u mblodhën në vilë. Salla u mbush me dama dhe burra, që kishin ardhur në një kohë nga teatri, ku jepej një opera e re italiane.” Një fragment krejt i shkurtër dhe Lev Nikollajeviçi flet: “Ja si duhet filluar! Një tjetër do të niste me përshkrimin e rrethanave, kurse Pushkini shkon drejt e te veprimi”. Më tej biografi Birjukov shkruan se, Tolstoi shkoi në kabinet dhe shkruajti frazën e njohur: “Punët ishin si mos më keq në familjen e Obllonskëve” e cila gjysmë viti më pas do të zëvendësohej nga fraza e famshme me të cilën nis kjo kryevepër e letërsisë botërore: “Të gjitha familjet e lumtura i ngjajnë njera tjetrës, çdo familje fatkeqe është fatkeqe ndryshe nga të tjerat.” (Sipas përkthimit të Vedat Kokonës)
Në ditarin e saj, gruaja e shkrimtarit, Sofija A. Tolstaja ka shkruajtur: “Serjozha (bëhet fjalë për djalin e tyre të parë, Sergej Lvoviç Tolstoi) këmbëngulte që t’i jepja një libër që t’ia lexonte me zë tetos plakë. Unë i dhashë “Novelat e Bjellkinit” [Bëhet fjalë për librin me novela të Pushkinit “Novelat e të ndjerit Ivan Petroviç Bjellkin”]. Por tezen e zuri gjumi dhe unë, ngaqë përtoja të shkoja poshtë, për ta vënë librin në bibliotekë, e lashë te dritarja e dhomës së pritjes. Të nesërmen në mëngjes, kur po pinim kafe, Lev Nikollajeviçi e mori këtë libër dhe filloi ta shfletojë dhe të mahnitej”.
Ndërsa djali i madh i Tolstoit, Sergej Lvoviç shkruan në librin e tij me kujtime:
“Kjo ka ndodhur më 19 mars 1873. Isha dhjetë vjeç. Kujtimet e fëmijërisë të ndjekin më gjatë se sa të tjerat dhe unë e kujtoj mirë këtë ditë dhe e kam kujtuar shpesh. Pas leximit, i cili, sipas kujtimeve të mia, nuk u bë lart, në dhomën e pritjes, por poshtë, në dhomën e tetkës unë nuk u largova por fillova ta shfletoja vëllimin e Pushkinit. Fragmenti “Mysafirët u mblodhën në vilë”, m’u duk i mërzitshëm dhe më erdhi keq që nuk vijonte. E vendosa librin në tavolinë, të hapur pikërisht te ky fragment. Hyri babai, mori librin dhe tha: “Ja si duhet shkruar!”. I kujtoj mirë këto fjalë veçanërisht, sepse atëhere ngela pa mend pse atij i pëlqeu ky fragment.”
CILA ISHTE VAJZA E MADHE E PUSHKINIT?
Maria Aleksandrovna Hartung, vajza e madhe e Pushkinit, lindi më 19 maj 1832, kurse emrin e mori nga gjyshja e poetit, Maria Aleksejevna Hannibal. Që në fëmijëri ajo ishte shëndetligë dhe kjo e shqetësonte shumë Pushkinin. Ka shumë letra të tij, ku babai i kujdesshëm interesohet për shëndetitn e të bijës: “A flet Masha? A ecën? Po dhëmbët? Ç’bën Puskina ime pa dhëmbë?”
Maria ishte i vetmi fëmijë i poetit, që gjithsesi mbante mend diçka nga i ati. Kur Pushkini vdiq, ajo ishte pesë vjeçe. Si bijë oborrtari, Maria mori arsim të veçantë në shtëpi. Në moshën nëntë vjeçe fliste dhe lexonte rrjedhshëm frëngjisht dhe gjermanisht, luante në piano dhe ishte një kundërshtare e denjë në shah për edukatorët e saj.
Bukuria e Marisë bëri për vete shumë adhurues që t’i vinin rrotull, por të gjitha propozimet i refuzone. Por zemrën e saj e rrëmbeu general-majori Leonid Hartung. Ajo ishte atëherë 28 vjeçe ndërsa Leonidi, 26 vjeç.
Pas 17 vjet të jetës bashkëshortore, Leonidin e akuzuan për vjedhjen e kambialeve dhe letrave me vlerë të një hebreu fajdexhi. Akuzat ishin të rreme, por Hartung, viktimë e një intrige, nuk mundi ta dëshmojë pafajësinë e tij, dhe kur trupi gjykues u tërhoq për të dhënë vendimin, ai vrau veten brenda në sallën e gjyqit, për t’i shpëtuar turpit. Në xhep i gjetën një letër me fjalët: “betohem para gjithëfuqishmit Zot, nuk kam vjedhur asgjë dhe armiqtë e mi i fal.”
Humbja e bashkëshortit ishte një goditje fatale për Maria Aleksandronën. Në një letër drejtuar të afëmve të saj, ajo shkruan; “Kam qenë e bindur që në fillim të procesit në pafajësinë e tij nga tmerret, që akuzuan burrin tim… Ai i fali të gjithë armiqtë e tij, por unë nuk i fal.”
Sa ishte gjallë ajo i mbeti besnike burrit, me të cilin nuk pati fëmijë. Maria jetoi tek të afërmit, ndihmonte në edukimin e fëmijëve dhe ishte shumë vepruese në gjithçka që kishte lidhje me babain e saj. Më 1880, së bashku me dy vëllezërit dhe motrën ishte e pranishme në ngritjen e monumentit në Moskë (Maria do të shkonte te monumenti i Pushkinit në Tvjerskij Bulvar, në kohë të mirë apo të keqe, deri në ditët e saj të fundit.)
Maria iu drejtua për ndihmë perandorit, i cili lidhi një pension prej 240 rublash në muaj. Në vitin 1889, në njëqind vjetorin e lindjes së Pushkinit, pensionin ia rritën deri në 300 rubla.
Më 1900 u hap në Moskë një bibliotekë-leximi me emrin Pushkin, të cilën e drejtoi Maria Aleksandrovna. Ajo punoi atje deri më 1910, aq sa e lejoi shëndeti.
Kur erdhën bolshevikët në pushtet, ia hoqën pensionin, duke e lënë të moshuarën e mjerë pa asnjë mbështetje. Ndërkohë që makina burokratike shqyrtonte “shkallën e nevojës”, bija e Pushkinit vdiq nga uria më 7 mars 1919. Dokumentin për caktimin e pensionit e kishte firmosur personalisht Lenini, por ky pension i parë shkoi për të shlyer shpenzimet e varrimit të saj.