Kreu In memoriam Thanas Medi: Për Kadarenë

Thanas Medi: Për Kadarenë

Fjala në ceremoninë e 90-vjetorit të lindjes së Kadaresë, në Ambasadën Shqiptare në Athinë

1. Kadareja im.

Personaliteti i madh është shumë dimensionalë dhe për këtë arsye çdokush do ketë qasjen e vetë ndaj figurës së tij. Mbresat, kujtimet, kritikat apo superlativat e veta. Nuk është e mundur që të gjithë të bien në një mendje, pasi çdokush do kërkojë diçka për vete nga ai. Pasi ai nuk është një njeri i thjeshtë, është një etalon historik, një dimension e vlerë kombëtare e spikatur. Nuk po zgjatem me të tjerët, pasi dua të sjellë përvojën, mbresat, gjurmën që la vepra e tij tek unë. Ndryshe, Kadarenë tim.

Fshati im, Dhoksati i krahinës së Lunxhërisë, i rri fare përballë Gjirokastrës së arsimimit tim të mesëm, në liceun e njohur ‘’Asim Zeneli’’ ku ka kaluar Kadareja e shumë personalitete të tjerë të artit e kulturës shqiptare. Por në një formë tjetër, atë mes librash, Kadarenë e njoha më herët. Qëkur më zuri sëmundja e leximit dhe zbrisja shpesh në Gjirokastër me të vetmin qëllim: të vizitoja librarinë e Alizotit te Qafa e Pazarit, për të blerë libra. E ku librin e ri të Kadaresë do kërkoja të parin. Ishte epidemi e kohës, sapo dilte një libër i ri i Kadaresë, të gjithë vraponin për ta marrë. Pa urdhër, pa orientim, thjeshtë se donin me çdo kusht ta lexonin atë. Jo më kot dhe jo vetëm se ai qe i madhi i letërsisë, por edhe se qe ai që bënte një lertërsi ndryshe, një letërsi të madhe në një vend të vogël. Se arrinte që me majën e lapsit, të zgjeronte kufijtë gjeografikë të Shqipërisë. Se e ngrente lartë përmes artit, stekën e Shqipërisë në sferën letrare, në sytë e gjithë botës. Se qe një nga zërat më virtuoz të  Lindjes që adhurohej në Perëndim. Kur ne ishim armiq me perëndimin, letërsia e tij na miqësonte në njëfarë mënyre e si pa kuptuar me të. Se ngjante të ishte si një qenie që hedh shtat në një vend me mungesë lirie, por me vështrimin për andej nga liria ishte më e plotë. Pa qenë një disident i betuar a i përkushtuar, Kadareja ishte një disident i fshehtë. Mes rreshtave në librat e tij, lexuesi i kohës gjente lirinë e munguar, lirinë e ëndërruar. Jo atë që gëlonte me bollëk nga tribunat e fjalimeve patetike, si kudhër e kalitjes së ‘’Njeriut të ri’’, por atë që pëshpëritej vesh më vesh skutave, korridoreve, brenda mureve të shtëpisë. E që qe si frymë, ajër i pakët për të mbetur gjallë njeriu i vërtetë. Fryma e lirisë në veprën e Kadaresë shfaqet si rezistencë morale dhe shpirtërore ndaj tiranisë, përmes simbolit, metaforës, alegorisë, mitit. Ai e mbron lirinë jo si slogan politik, por si të drejtë thelbësore të njeriut për të menduar, kujtuar dhe ëndërruar. Edhe kur kjo liri ndëshkohet, shtypet e nëpërkëmbet nga pushteti. Në krijimtarinë e tij, fjala artistike bëhet formë mbijetese apo kundërshtimi të heshtur.

Ishte ky kundërshtim që kapej nga syri i lexuesit, ndaj dhe kërkohej, veç të tjerave, libri i tij. E kërkonin dhe bashkëfshatarët e mi që punonin arave, si të qe zëri që u përkiste të gjithëve. E pata më pranë Kadarenë kur fillova gjimnazin ‘’Asim Zeneli’’ dhe për ca kohë mora shtëpi me qera në Palorto. Rruga për në shkollë kalonte përbri shtëpisë së tij e vazhdonte më pas me ‘’Sokakun e të Marrëve’’. Një afri tjetër tani, fizike, si dalje nga librat për tu bërë ato edhe më reale e të qenësishme. Në vazhdim e njoha në auditoret e filologjikut dhe, disi vonë, në Juvanilja ku piva kafenë e parë me të. Tani ishte si të prekja legjendën me dorë, të kisha të plotë atë që e quajta fillimisht ‘’Kadareja im’’. Mbi të gjitha shkrimtar dhe vetëm shkrimtar, atë që dhe unë si lexues kërkoja më së shumti nga ai. Mjeshtrin e madh, njeriu që e shndërroi gjuhën shqipe në gjuhë universale.                    

2. Kadareja-shkrimtar dhe Kadareja-njeri.

Figura e Ismail Kadaresë kërkon një lexim të dyfishtë, në dy rrafshe që nuk përjashtojnë, por ndriçojnë njëri-tjetrin: atë të subjektit krijues dhe atë të subjektit historik. Raporti mes Kadaresë-shkrimtar dhe Kadaresë-njeri nuk është thjeshtë biografik, por tërësisht estetik, etik dhe ideologjik. Si shkrimtar Kadareja ndërtoi një poetikë origjinale, ku miti, historia dhe alegoria veprojnë si mekanizma themelorë të diskursit narrativ. Letërsia e tij operon në një hapësirë polisemike, ku teksti lexohet njëkohësisht si rrëfim historik, si metaforë e pushtetit dhe si reflektim mbi fatin e njeriut përballë dhunës dhe frikës. Në ‘’Kronikë në gur’’ apo ‘’Pallati i ëndrrave’’, pushteti nuk është vetëm fenomen politik, por kategori metafizike që deformon kujtesën, gjuhën dhe vetë kohën.

Në këtë kuptim, Kadareja krijon një rezistencë estetike, të ndërtuar jo përmes formës së drejtëpërdrejtë, por nëpërmjet simbolit, nënkuptimit dhe zhvendosjes historike. Kjo e ka bërë veprën e tij të hapur ndaj interpretimeve të ndryshme kritike, duke e vendosur në komunikim me letërsinë moderne europiane. Krijuar nga Kadareja-njeri, një intelektual i vendosur në kontekst historik të mbyllur dhe represiv. Marrëdhënia e tij me pushtetin totalitar ka qenë objekt debatesh të vazhdueshme: midis leximit si disident estetik dhe atij si shkrimtar që negocioi me sistemin me gjuhën e artit. Për të mbijetuar dhe për të mbrojtur veprën. Këto dilema nuk mund të gjykohen me skema të thjeshta morale. Ato kërkojnë distancë historike dhe kuptim të kompleksitetit të kohës.

Në këtë pikë lind dhe çështja thelbësore e kritikës letrare: ndarja mes autorit dhe veprës. Në rastin e Kadaresë, teksti letrar fiton një pavarësi të dukshme, duke e tejkaluar biografinë personale. Vepra e tij funksionon sot si një arkiv kulturor dhe simbolik i përvojës shqiptare të shekullit XX, por edhe si një tekst universal që flet për mekanizmat e pushtetit dhe qëndrueshmërinë e shpirtit njerëzor. Kështu, nëse mund ta marrim të mirëqenë ndarjen e mësipërme, mund të themi se ato plotësojnë njera-tjetrën. Kadareja-shkrimtar i dha gjuhës shqipe përmasa universale, ndërsa Kadareja-njeri, me gjithë kufizimet dhe dilemat e tij, i besoi letërsisë barrën e fjalës së pamundur. Vepra e tij e ka tejkaluar kohën, sistemin dhe vetë autorin, duke mbetur e gjallë, intriguese dhe domethënëse. Duke dëshmuar se letërsia, edhe në errësirë, mund të jetë një formë e lartë e dinjitetit njerëzor dhe një dritë që vazhdon të ndriçojë përtej kohës.

3. Kadareja dhe politika.

Duke qenë një komunist i angazhuar, Kadaresë iu desh të paguajë dhe një haraç me kosto të lartë për këtë. Debati rreth pozicionit politik e ka shoqëruar veprën e tij po aq sa dhe fama letrare. Për disa, ai duhej të ishte disident, për të tjerë përbën njollë morale fakti që nuk ishte i tillë. Ky fenomen vazhdon të jetë prezent akoma dhe sot. E vëreta është se Kadareja ishte pjesë e sistemit komunist, kjo nuk mohohet e, megjithatë, nuk përbën njollë morale, akuzë. Dhe ndonjë përpjekje për ta shndërruar atë në një disident të mirëfilltë pas rënies së komunizmit, nuk i shton asgjë veprës së tij. Ashtu si pranimi i përkatësisë politike të tij, nuk ia ul vlerën.

Historia e letërsisë botërore njeh plotë shembuj shkrimtarësh të mëdhenj që ishin komunist apo mbështetës të regjimeve socialiste, pa u cënuar për këtë arsye statusi i tyre artistik. Majakovski, fjala vjen, ishte përkrahës i zjarrtë i Revolucionit Bolshevik, dhe askush s’e lexon për përkatësinë partiake të tij, por për eneregjinë e gjuhës, ritmin, metaforën dhe shpërthimin poetik që ndikuan në gjithë poezinë moderne. Po kështu Pablo Neruda, poet nobelist e komunist i deklaruar, i cili shkroi ode për Stalinin dhe revolucionin, pa humbur kurrë fuqinë lirike që karakterizon poezinë e tij. As apologjia e tij politike apo gabimet ideologjike, nuk ia kanë zbehur madhështinë e vargjeve të dashurisë, dhimbjes e fatit njerëzor. Apo Brehti, marksist e kritik i kapitalizmit. Teatri i tij nuk gjykohet sot për afërsinë me komunizmin, por për revolucionin estetik që solli në dramaturgji. Në këtë mes mund të përmendim dhe poetët e shquar grekë, Jani Ricos apo Kosta Varnalis, arti i të cilëve nuk u dëmtua aspak nga bindjet politike.

Kështu, dhe Kadare nuk përbën përjashtim, por një rast tipik të një shkrimtari të madh që veproi brenda një sistemi ideologjik të caktuar. Ai nuk ishte disident, nuk e sfidoi hapur regjimin, megjithëse një frymë disidence ndihet qartë në disa nga veprat e tij më të mira. Dhe kjo në saje të talentit të tij të fuqishëm, që bëri të kapërcejë veten e të shikoj atje ku të tjerët nuk mundnin të shihnin. E veçanta që e dallon Kadarenë nga bashkëkohësit e tij nuk ishte pozicioni politik, ishte talenti dhe mjeshtëria e lartë në përdorimin e gjuhës. Ai, duke e trajtuar gjuhën shqipe si materje artistike, arriti t’i japë asaj densitet poetik, simbolikë moderne dhe elasticitet shprehës të lart. Shqipja e Kadaresë u bë kështu një gjuhë letrare me ambicie universale, pa humbur origjinalitetin e vetë. Pa u shkëputur nga rrënjët mitike e historike.

4. Kritika botërore mbi fenomenin Kadare.

Ismail Kadare përmendet si një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë shqipe dhe njëkohësisht ndër shkrimtarët më të shquar ardhur nga Europa Lindore. Vepra e tij e përkthyer në dhjetra gjuhë, kish ngjallur interes të madh në qarqet letrare botërore. Vlerësohet si një autor universal, i cili, duke u nisur nga realiteti shqiptar, ka arritur të trajtojë tema të përjetshme, si pushteti, frika, dhuna, miti, identiteti. Një nga aspektet më të theksuara të kritikës botërore është raporti i Kadaresë me totalitarizmin. Ku ai shihet si një shkrimtar që i rezistoi diktaturës komuniste përmes shkrimit, alegorisë e simbolit. Romanet ‘’Pallati i ëndrrave’’, ‘’Piramida’’, ‘’Dimri i madh’’, interpretohen si kritika të fshehta ndaj mekanizmit shtypës të pushtetit absolut. Në këtë kontekst, Kadareja krahasohet me Oruellin, Kafkën, për mënyrën e përshkrimit të shtetit si një strukturë anonime, të frikshme dhe dehumanizuese. Kritika franceze ka lojtur një rol të veçantë në afirmimin ndërkombëtar të Kadaresë. Duke e parë si një nga zërat më të fuqishëm letrarë të ardhur nga bota komuniste. Si një shkrimtar që arriti të ndërtojë një univers letrar origjinal, ku historia ballkanike dhe mitet e lashta shndërrohen në mjete reflektimi për fatin e njeriut modern. Për ata Kadareja është një autor që i përket njëkohësisht Lindjes dhe Perëndimit.

Në botën anglosaksone, veçanërisht në Amerikë dhe Angli, kritika është përqëndruar në vlerën estetike dhe filozofike të veprës së tij. Është vënë në dukje gjuha e ngjeshur, struktura mitike dhe ndërtimi simbolik. Aftësia për të kthyer historinë lokale në metaforë universale, duke e bërë letërsinë shqiptare të lexueshme dhe domethënëse për publikun botëror. Gjithashtu është vlerësuar përdorimi i mitit dhe historisë. Duke u parë si një autor që rindërton mitet ballkanike dhe historinë osmane për të reflektuar mbi të tashmen. Kjo ka bërë që vepra e tij të krahasohet me letërsinë e realizmit magjik dhe traditën moderniste europiane. E vetë Kadare të konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë. Me një vepër që i kapërcen kufijtë kombëtarë e historik. Që e arshivoi përvojën historike, mitike dhe etike të shqiptarëve në hartën e madhe të letërsisë europiane dhe botërore.            

Athinë, 20.2.2026

Exit mobile version