Kreu Letërsi Bibliotekë “Të lexosh një pemë, bëhesh i bukur”, poezi nga Nuri Plaku

“Të lexosh një pemë, bëhesh i bukur”, poezi nga Nuri Plaku

UDHËKRYQ

Sa herë ndodhem në udhëkryq,
Marr llullën – relikte të tim eti.
Dhe pi duhan mendimesh.

Nëpër rrathët e tymit
Më shfaqet fytyra e tij
Mbushur me brazda ugari.

Nga zgavrat e thella të syve
I buron
Dritë e kulluar eshtrash.

Pas tij, vjen nëna
Me kanistër meraku në dorë,
Duke mbledhur nëpër gjerdhet e sherreve
Këngë nepërkash.


TË LEXOSH NJË PEMË

Të lexosh një pemë
Bëhesh i bukur!…

Hija është thjesht një domethënie,
Kënga e zogjve është një domethënie,
Kurora është gjithashtu një domethënie,
Veçse trungu
Është një kult.

Të adhurosh kultin e drurit do të thotë:
Të mësosh alfabetin e lotëve,
Të lindjes dhe vdekjes,
Të djepit dhe arkëmortit,
Që rriten së bashku në barkun e tij –

Vëllezër siamezë
Pa u dukur.

Të lexosh një pemë
Bëhesh i bukur!


XHAKETA E GRISUR

Xhaketën time e kanë grisur shpesh
Ca gjëmba mërie,
Që i hidhnin tinëz,
Mbrapa shpinës sime.

Nëna thoshte se ishte pikje syri
E ma qepte
Me fill vetëtime.


TRENDAFIL

Sa herë më shpon një gjemb trendafili,
Petalet marrin ngjyrën e kuqe të gjakut
E unë bëhem dashuri.

Sa herë klith një trëndafil,
Unë bëhem dhimbje…
Diku ka vdekur një njeri.


QIELLI I OBORRIT

Ma rrëmbeu dikur një harabel
Qiellin e fëmijërisë,
Qiellin tim të vogël, të vogël
Sa oborri i shtëpisë.

Ma rrëmbeu bashkë me tatuazhet,
Që i bëja me prush xixëllonje.
Me hënën që gozhdoja netëve mbi qerpikë
Me tymrat e zjarrit që i mblidhja nëpër gishta
E ngrija gracka për yjet.

Ma rrëmbeu në sqep e iku,
Pa ditur se ku.

I pyeta gjithë zogjtë në fluturim
Por askush s’e kishte parë qiellin tim.

Veç vonë, e vonë
Ca shpendë shtegtarë
Kishin parë diku
Në guvat e një reje të vjetër shirash
Nji varr harabeli.

Mbështjellë
Me një qiell të vogël oborri.


KUR QANTE ZOGU PËR ZOGUN

Kur qante zogu për zogun
Në kurorën e gjelbëruar të shelgut,
Babai thoshte se kishte uri.

Nëna kujtonte merakun për të vegjëlit
Ndërsa vëllai heshtte
E i shihte me bisht të syrit.

Shelgu uturonte
Nga zjarri i blertë
Që i digjte trungun.

Ishte koha kur qante
Zogu për zogun…


ZJARR GJINKALLASH

Më thoshin se dikur gjinkalla kishte qenë
Xhind i dashuruar me zanën e pyllit.
Ikte netëve, përvjedhur nga fisi
E i këndonte
Këngë zemrash.

Por fati i origjinës e dënoi me vdekje
Të digjej
Në zjarrin e këngës së vet.

Unë qeshia me rrëfime të tilla
E i quaja besime përrallash.

Derisa një ditë
Më rrëmbeu edhe mua një zanë pylli
E ma dogji shaminë e beqarit
Në zjarr gjinkallash.


UDHA E PANJOHUR

Më ftoje të shkonim në faqen e një dimri
Ku hëna luante me ujqërit e bardhë
Të bënim muzikë me gjethet e pyllit
Të ktheheshim të dy në drurë oshënarë.

Më thoshe se dimri rrethohej nga ujërat,
Që ngjanin aq shumë me lumin Jordan.
Por mua më trembte ajo udhë e panjohur
Dhe ty të shikoja, si të shkruar në Kuran.


TRINITET

Kur zëri im ngecet në gërmat e emrit tënd,
Grindem me tingujt,
E bëhem firë.

Ngre sytë nga qielli
E lutem
Të shoh vdekjen time.

Qielli mbushet me dritë
Nëpër dritë shfaqet vdekja.
Vdekja që i njeh burrat e vërtetë nga thirrja e tyre
Kur zëri u ngecet në gërmat e një emri.

Pastaj thërras sërish emrin tënd
E zëri më bëhet muzikë.

Atë çast
Asgjë nuk ekziston rreth nesh,
Veç unë, ti,
Dhe vdekja
E kthyer në dritë.


PËR NJË FIJE DYSHIMI

Ti e ngjeve qerpikun me helm mërish
Dhe e ngule si shtizë
Thellë në gjoksin tim!

Plaga u bë
Pus Meke.

Pastaj erdhën pelegrinët
E hodhën gurë.

Pas tyre erdhe ti
Hoqe unazën nga gishti
Dhe e hodhe brenda tij.

Nga thellsia e pusit
Buroi mbytur një rënkim.

Unaza doli sërish
E bërë flutur
E u ul
Mbi supin tim!


KAFSHOJE MOLLËN E MËKATIT

Kafshoje mollën e mëkatit, mos ki frikë,
Zotat i vrau një çunak dikur,
Me goxhdët e kryqëzimit.

Eva nuk ngrihet më nga pluhuri
Adami po fle gjumin e përjetshëm të miteve,
Nërsa unë jam këtu, pranë teje
I gatshëm të ndeshem me 1000 zotër të rinj.

Kafshoje mollën e mëkatit, mos ki frikë.
Të isha pemë e frutit të ndaluar
Do mblidhja nën hije
Gjithë Evat mëkatare
Endur nëpër mote.

Se mëkati i Evës është
Krijuesi i vërtetë i kësaj bote!


MOTRAT E MIA TË BUKURA

Kur dilnin motrat e mia,
Veshur me fustane zjarresh,
Në udhë dëgjohej
Kënga e të marrëve.

Nga ballkonet e shtëpive
Mbanin iso
Menteshat e dyerve.


PEMA E DASMËS SIME

Ditën e dasmës
Unë mbolla në gjoks një pemë,
Që rrënjëzoi në shtatin tim
Skaj më skaj.

Sythat që çelnin
Gjelbëronin
Në sytë e saj.


FURTUNA E QERSHIVE TË EGRA

Kur ti të hapësh shtegun e grindjeve,
Do shpërthejë furtuna e qershive të egra
Mijëra flutura të bardha
Do shqyejnë si bisha frymëmarrjen tënde.
I mundur do përpëlitesh
Në zjarrin e hakmarrjes
Që fiket pak nga pak brenda teje.

Kur ti të pushtohesh nga krahët e saj
Nga krahët që kundërmojnë
Aromën e luleve të qershisë së egër
Ajo sërish e ka fituar betejën
Duke mbyllur shtegun e grindjeve
Me drynin e artë që fsheh nën ije.

Se gruaja është
Furtunë e qendisur
Me flutura të bardha qershije.

Exit mobile version