Kreu Arte pamore Të gjesh të njerëzishmen dhe përulësinë tek Alberto Giacometti

Të gjesh të njerëzishmen dhe përulësinë tek Alberto Giacometti

Gunnhild Øyehaug mbi një nga skulptorët më të mëdhenj të shekullit XX

Ka kaluar një kohë shumë e gjatë që kur zvicerani Alberto Giacometti dhe vëllai i tij, Diego, çuan një karrocë dore me sendet e tyre për në Paris, ku ai filloi një jetë të re si skulptor në një studio, e cila me kalimin e kohës u bë gjithnjë e më e rrëmujshme, e mbushur me gjithnjë e më tepër skulptura (përfytyroj unë) (por kam parë edhe fotografi të saj), ku, për ca kohë, ai u frymëzua veçanërisht nga surrealizmi, por më pas iu kthye skulpturave tradicionale, për neverinë e André Breton, i cili e talli: “Të gjithë e dinë se ç’pamje ka një kokë” – ka kaluar vërtet shumë kohë që kur ai jetoi jetën që solli kaq shumë skulptura – sepse edhe pasi ai flaku shumë prej tyre, vazhdoi të prodhonte të tjera, ca të mëdha, ca tejet të vogla, të gjitha shumë të holla – e që gjithashtu solli kaq shumë tekste dhe libra mbi Giacometti-n dhe skulpturat e tij (ja dhe një tjetër) – ka kaluar një kohë jashtëzakonisht shumë e gjatë nga atëherë e deri te momenti kur unë përulem përpara diçkaje që më kap syri, ndërkohë që eci përgjatë një korridori të ngushtë në Muzeun e Artit Modern të Luizianës, në kërkim të një dhome ku do të zhvillohet një ngjarje letrare, saqë të krahasosh distancën ndërmjet asaj kohe dhe tani me, për shembull, distancën mes tokës dhe hënës, thjesht nuk është e mjaftueshme, sepse hapësira ndryshon nga koha.

Asgjë nuk është aq e pamëshirshme dhe e pakapërcye-shme sa koha, ndoshta prandaj asnjëra nga këto – as mbërritja e Giacometti-t në Paris, as rraskapitja e tij e përditshme me skulpturat përgjatë gjithë jetës, ecejaket lartë e poshtë studios së tij, zhvillimi i tij artistik, rutina e tij e përditshme apo pamja nga dritarja – nëse kishte të tillë – ku ndoshta shihte pëllumbat teksa uleshin në ndonjë çati aty pranë, asgjë nga këto nuk kishte rëndësi ndërkohë që unë nxitoj nëpër korridor. Nuk orientohem dot, e mendoj se te një nga dhomat përtej ekspozitës së Giacometti-t po zhvillohet një aktivitet me Sally Rooney-n, por nuk kisha ndërmend të ndaloja, dhe këto lëvizjet e mia përmes korridoreve të Muzeut të Artit Modern të Luizianës do të kishin humbur nëse nuk do të kisha shkruar për to këtu – por le të kthehemi te Giacometti. E kisha parë Giacometti-n më përpara, e bashkë me Yves Klein dhe Anselm Kiefer i përkasin një periudhe të jetës sime që unë e quaj rini, por që është në fakt periudha e shkurtër mes moshës 20 dhe 23 vjeç, kur zbulova, me gjithë intensitetin e rinisë sime, blunë e Klein-it, raftet e librave të Kiefer-it, Njeriun ecën të Giacometti-t, dhe shkrova poezi për të gjithë. Me pak fjalë, ka kaluar një kohë e gjatë nga atëherë.

Isha 43 vjeç, te Muzeut i Artit Modern të Luizianës, dhe kisha hequr dorë nga këto. Aq shumë saqë, vetëm mendimi për Klein-in, Keifer-in ose Giacometti-n, më bezdiste. Ndoshta Giacometti, veçanërisht. Ai ishte diçka e shkuarnë jetën time të brendshme. Nuk mund të shihja një skulpturë të Giacometti-t pa një ndjesi të çuditshme ankthi, sikur thjesht më duhej të dëgjoja në sfond poezinë e shkëlqyer të poetit norvegjez, Tor Ulven: “Më në fund një njeri shpërfaqet // si aftësia e gurit për të bërtitur”.

Kisha hequr dorë krejtësisht nga të gjithë këto dhe mbi aftësinë e gurit për të bërtitur. Kisha hequr gjithashtu dorë prej të gjitha teksteve të brendshme në universin e Giacometti-t. Kisha hequr dorë prej të gjithë autorëve të cilët qëndronin dhe mërmërisnin me vete në habi; Giacometti … Kisha hequr dorë nga mendimi se nëse koha është e pamëshirshme dhe e pakapërcyeshme, hapësira nuk është, dhe që ky është sekreti pas gjithë skulpturave, pas artit, që mund të marrë formë, që koha mund të ndalet, që hapësira e merr përsipër dhe e bën kohën të prekshme, oooh, sa bukur, sa prekëse. Jo, kisha hequr dorë prej gjithë kësaj, dhe kishte kaluar një kohë jashtëzakonisht e gjatë që nga rinia ime e deri në këtë moment kur po nxitoja përmes korridoreve të Muzeut të Artit Modern të Luizianës duke kërkuar dhomën me aktivitetin letrar.

Por ja çfarë ndodhi më pas: diçka më kapi syri, poshtë në të majtën time. Aty gjendej një skulpturë e vogël brenda diçkaje që ngjasonte me një akuarium, një vitrinë e kapur në mur. Thuajse dëgjova një lloj fishkëllime ndërkohë që u përkula. Busti qëndronte mbi një bazament të vogël që dukej sikur ishte shkëputur nga një bazë më e madhe, dhe njeriu që qëndronte sipër gjithashtu dukej sikur ishte shkëputur, jo gdhendur, sikur dy gishta e kishin gërmuar, kishin gjetur personin që po fshihej aty, ashtu të pambaruar, e nxorën dhe më pas e lëshuan sapo gishtat e shtrënguan mirë skulpturën. Kështu ai kishte dalë deri te brinjët e kraharorit dhe nuk ishte shkëputur vërtet nga materiali. Nuk kishte fytyrë, më shumë një prani që po fshihej, por mund ta dalloje që ishte aty, brenda kokës së vogël prej bronzi.

U përkula poshtë, ndërkohë që dukej sikur ai po ngrihej sipër, dhe siç e mbaj mend: u takuam në një pikë të çuditshme pa formë, mes lart e poshtë. Tani që ndodhesha aty poshtë, zbulova se kishte edhe më shumë krijime miniaturë. Një koke e vockël e një gruaje me flokë të shkurtër. Koka e ngushtë e një burri të moshuar, e rikrijuar në bronz me detaje të bukura, por shumë të imëta. Një burrë i hollë i drejtë si një gozhdë qëndronte mbi një copë druri, veçse nuk ishte gozhdë, por një person. Ishin të gjithë mbi bazamente drejtkëndore, të bëra nga i njëjti material si vetë ata.

Dhe çfarë ndodhi më pas? Epo, kjo: ndjeva një lëmsh në fyt dhe u mbusha me lot. Ose versioni i tabloidit: LOTËT DERDHEN. LOTËT MBLIDHEN PREJ VËSHTRIMIT TË FIGURAVE TË VOGLA QË NGRIHEN NGA I NJËJTI MATERIAL SI VETJA E TYRE, DUKE QËNDRUAR NË NJË VITRINË NË MUR. LOTËT RRJEDHIN NË FESTIVALIN LETRAR. AUTORJA E PREKUR THELLË NGA PAMJA E GJENDJES NJERËZORE! (NJË ANALIZË MË E AFËRT E KËTYRE LOTËVE JO E SHKRUAR ME SHKRONJA TË MËDHA mund të thotë: Ne besojmë se lotët ishin rezultat i A) autorja ndjeu se qenia e saj ishte çuditërisht e gjatë (rreth pesë metra) në krahasim me ato skulptura shumë të vogla (asnjë prej të cilave nuk besojmë ishte më shume se 12 cm) dhe t’i shohësh aty brenda shkakton diçka te perspektiva jote dhe ndoshta edhe te kuptimi i jetës, se ekziston njëfarë thelbi që mund të kapet, në skulpturë, dhe që ky thelb është – epo, çfarë është, kur përballesh me faktin se jeta ekziston? Përulësi, ndoshta? Që përmasa e figurave kërkonte përulësi? Apo mund të ishte që lotët u derdhën sepse B) ajo kuptoi diçka specifike se ç’do të thoshte të ishe njeri aty dhe atëherë në vitin 2018, kur bota dukej se ishte më absurde nga ç’kishte qenë për një kohë të gjatë, kur pikërisht humaniteti i njerëzve ishte zvogëluar e tkurrur dhe barbarizmi i historisë njerëzore kishte dalë nga vendi i tij i fshehur, dhe pamja e një njeriu të vogël që tërhiqet nga një bazament i vogël i kujtojnë asaj se kush jemi ne, se jemi njerëz.

Por a mund të ishin shkaktuar lotët edhe nga C) të kuptuarit, fare i thjeshtë, i asaj çfarë duhet për të portretizuar të njerëzishmen në art, dhe të punosh me një material, t’i japësh formë. Figurat u krijuan nga i njëjti material që ishin vetë. Që themeli ishte kaq i rëndësishëm. Sepse në këtë pikë të historisë, në të njëjtën kohë që barbarizmi njerëzor ishte futur te postet e pushtetit anembanë botës, beteja mes së vërtetës dhe trillimit, asaj çfarë është e vërtetë dhe çfarë është false, po jehonte përmes gazetarisë dhe artit. Dhe në këtë pikë, të paktën në historinë e letërsisë norvegjeze, vala e zgjatur e autofiksionit në letërsi, e cila ndiqej nga një valë e verifikimit të fakteve në fiksion, mund të shkaktonte rraskapitje te disa autorë, sidomos te ata që ndiheshin të mbingarkuar kur shihnin figura të vogla që dilnin nga bazamente të mëdha në një vitrinë në mur te Muzeu i Artit Modern të Luizianës, dhe që qëndronin aty duke menduar se nëse askush nuk do ta krahasonte atë, diskutimi mbi lidhjen mes fiksionit dhe faktit me skulpturat e Giacometti-t, dhe në veçanti, e vogla që dukej sikur ishte shkulur nga bazamenti, mund të thuhej se verifikimi i fakteve do të kërkonte një fytyrë të dallueshme, dhe ne nuk do ta donim atë shtresë materiali që fshihte fytyrën.

Verifikimi i fakteve nuk do ta aprovonte as bazamentin, e figura nuk duhet të ishte duke dalë nga asnjë lloj baze e bërë me të njëjtin material, dhe kjo këtu kishte dy bazamente. Por, kjo ishte e tepërt, sikur figura nuk e bëri të qartë mjaftueshëm: ky portretizim i humanitetit që ke përpara teje është i bërë nga një material artistik, dhe nuk është mish e gjak. Verifikimi i fakteve nuk e do një shtyllë fiksioni, këtë mendoj unë, mendoi autorja që tashmë ishte gati duke u mbështetur te xhami.

Verifikimi i fakteve kërkon që çdo gjë të jetë e vërtetë. Të jem e sinqertë, autores, e cila, sigurisht, isha unë, i kishte ardhur në majë të hundës i gjithë debati ndërkohë që rrinte aty duke parë figurën e vogël, e lodhur deri në palcë – palcë, duhet ta theksojmë, e cila ishte e përbërë nga gjuha, pjesët e shkrimit, struktura e fjalisë, (mes gjërave të tjera, një fjali e parë shumë e gjatë), skeleti i një strukture eseje gjithëpërfshirëse që lidhi momentin marramendës kur “unë” u përkula për të parë më nga afër skulpturën në miniaturë, me distancën e jetës dhe punës, etj., të Giacometti-t.

Sepse është fantastike, apo jo? Që ishte mesa duket kur Giacometti po punonte mbi skulpturën që quhej “Duart që mbajnë boshllëkun”, ndjeu nevojën për të përdorur sërish një model, kështu që u largua nga surrealizmi, sepse a nuk është kjo ajo për të cilën pyesim veten të gjithë, si të punojmë me duart dhe boshllëkun.

M’u kujtua sërish kjo ca kohë më parë kur lexova artikullin mbi imagjinatën të Mary Ruefle: “Është e pamundur për mua të shkruaj për imagjinatën; është sikur t’i kërkosh peshkut të përshkruajë detin”. Dhe m’u kujtua kjo sërish kur lexova diçka që kishte thënë Giacometti, e cila ishte cituar në një artikull te The Guardian: “Arti është vetëm një mjet për të parë. Çfarëdo që unë shoh, e gjitha më surprizon dhe më shpëton, e nuk jam fort i sigurt se çfarë shoh”. Dhe unë mendova sërish për këtë kur lexova se Giacometti ishte korrigjuar nga vetë babai i tij, piktori, kur do të pikturonte një natyrë të qetë me dardha. Babai i tij i kishte pikturuar frutat e natyrës së qetë në madhësi normale, por kur Alberto, 18 vjeç, filloi të pikturonte, “dardhat ishin të vogla. Fillova përsëri, por çdo herë, ishin po aq të vogla”. Dhe sado i acaruar të bëhej babai i tij, dhe t’i kërkonte t’i pikturonte sërish, dhe sado që Alberto përpiqej, dardhat ishin gjithmonë shumë, shumë të vogla. Por asnjë nga këto nuk do të zgjasë gjithsesi. Është e diel sot. Distanca nga kjo pikë, kur ulem këtu për të shkruar, te një kohë kur unë nuk ekzistoj më dhe jam fshirë përgjithmonë, është e pambarimtë. Familja ime është jashtë dhe unë jam ulur në zyrën time duke shkruar, ndërkohë që era tund bredhin dhe thuprat në anën tjetër të rrugës, në ishullin e vogël të natyrës që është lënë këtu në mes të tokës së shtëpisë-tarracë, dhe po kaq shpesh tufa të vogla flokësh bore drejtohen horizontalisht poshtë rrugës, ndërkohë që përpiqem të kujtoj atë moment në Muzeun e Artit Modern të Luizianës, kur po kërkoja diçka tjetër, dhe rrugës zbulova Giacometti-n, sërish.

Përktheu E.H.

Burimi LitHub

Exit mobile version