Kreu Letërsi Bibliotekë “Shtegtim vargjesh”, poezi nga Loreta Schillock

“Shtegtim vargjesh”, poezi nga Loreta Schillock

Loreta Schillock, e njohur në kulturën dhe në letërsinë shqiptare si përkthyese nga gjuha shqipe në gjermanisht dhe nga gjermanishtja në shqip e disa prej autorëve të mëdhenj dhe kryeveprave të letërsisë shqiptare e gjermane si Heinrich Heine, Franz Kafka, Arthur Schnitzler, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Xhevair Lleshi, Arian Leka, Azem Deliu, Besim Rexhaj, Mimoza Hysa etj., për lexuesin shqiptar, por jo vetëm shqiptar, është e njohur edhe si poete, e cila lirikat e saj meditative i ka botuar që në bankat e shkollës nëpër gazeta, revista e portale dhe e cila, më në fund, i ka përmbledhur ato brenda kopertinave të këtij libri poetik, i cili i ofrohet lexuesit shqiptar.

Prof. Asoc. Dr. Besim Rexhaj (Pjesë nga parathënia)


Iu fal ëndrrës

Në atë ëndërr mbeti peng pa u kaluar.
Shpesh e takonte atë ëndërr
pa e ditur me kë.
Shkonte e vetme asaj ëndrre
e çdo ditë
linte atje diçka.
Ditë për ditë,
diçka e diçka…
Ajo atë ëndërr e donte,
e deshi
sa i fali gjithçka.


Jam…

Jam natë për dashurinë që s’flet.
Jam ditë për zemrën që dashuron.
Jam buzë për mallin e pamatur.
Jam jetë për jetën që jeton.


Pak dashuri

Kur jam vetem për vetëm me ty,
në dhomë ndodhet
Asgjëja…
Kur jam vetëm për vetëm me ty
një puthje na merr në mbretërinë e
saj.
Kur supet të lirë
ecin mbi këmbë,
dera hapet.
Pak më vonë,
doreza lëviz.
Në dhomë, asgjë përsëri.
Vetëm, vetëm pak dashuri!


***

E mblodha dhe shpirtin ta kulloj në gji
E shuajta dhe fjalën të mos flasë më
I pengova dhe lotët që më freskonin
hidhësinë
Dhe tingujt e tu që ma dridhnin
dashurinë
u mundova t’i fshihja.
Ah, po emri?
U mundova ta thyej.
Ah, po copat?
U mundova t’i zhduk në ajrin që pushtuam,
por stolat u ngritën, më ofruan rezistencë.
… Në thyerje
E lënduar ula zërin
në shkallët që gjeta,
në të parën: Lot
në të dytën: Mall
në të tretën: Pendim
Pendim për atë që s’e kuptoi
kurrë shpirtin tim.


Kush?

Kush trokiti mbi nyjen e këputur
të derës sime?

Kush mund ta gjejë atë çelës
deri tek errësira më intime?

Kush foli ndanë eshtrës
mbi të cilën u thërmua trishtimi?

Kush hoqi penelin e zi
nga ai varr mendimi?

Kush e ngriti çelësin
e zbardhi periferinë?

Ishte ëndërr e një nate
shpresë, apo zhgënjim?


Ç’kam kërkuar?!

Kam heshtur në valën
e ngacmuar nga kujtimi.
Kam përbuzur
miliona zëra nate.
Jam zënë me qiejt
për pak hapësirë.
Kam kërkuar…
E çfarë më shumë,
se të isha e lirë?!


Mos më zgjo!

Në të ka mbetur pak hare për mua,
mos më zgjo!
Qesh, vazhdo!
Në të ka mbetur pak pikëllim për mua,
mos më zgjo!
Qaj, vazhdo!
Në ke një lule për t’më dhënë,
një fjalë për t’më thënë,
mos më zgjo!
Vazhdo!
Në një puthje do të kujtohesh
dashurinë ta freskosh,
mos më zgjo!
Puthmë…
Vazhdo…
…………………..
……………………………
…………………………………….


***

Jam ulur në brigje kujtimesh.

Njërën dorë e ngre
të ma puthë ajri.

Tjetrën e lag në det
të dridhem nga ftohtësia

… për të ikurën…


***

Vetëm me shikime u futëm
në atë botë.
Ti nga sytë flisje,
unë heshtja.
Ti ecje,
unë të prisja.
Takimet i lidhte një puthje
në ardhje
në ikje.
Intimiteti i mesit
mbeti persëri intim.
Nga dalja e asaj bote
une qava,
ti qeshe si jetim…


Ku je?

Unë jam brenda teje…,
një botë e vogëlth
me limit të pakufizuar.

Ti s’e kupton nëse në krah
më ke mua
apo botën time.

Cilën? Cilën?

Brenda botës sime
je edhe ti.
Brenda meje…
nuk e di!

Exit mobile version