PARMBRAMË BUJTA NGA TI
Andej nga i bjen pullazi yt,
del sheti shpirti jem
pa më pyet.
Veç fytyra jote,
e kanga e gjinkallave,
më pshtuen prej natës si korb,
që deshti me m’a nxanë frymën.
Ka me më ardh’ deka,
e nuk kam me iu frigue,
se trupin larg e kam,
por shpirti jem çdo natë,
vjen me bujt nga ti.
AGU
Shoh si tretem nëpër kohë
Dhe grimcat lypi me ngjit.
Me veten teme të thermueme
Kishe mujt me ba nji grue të lumtun.
…por prapë, un’ knaqem tue t’dasht.
Të shoh si tretesh nëpër kohë
Dhe nuk e di ç’kërkon.
Me veten tande të thërmuem
Kisha dasht me ba nji burrë të lumtun.
…prapë, un’ knaqem tue t’dasht.
Të preka, me e dijtë në je njeri
a skulpturë.
Tanë natën e lume të sodita
si vepër arti në qiell të hapun.
…knaqem tue t’dasht.
E pashë, isha aty, andaj dëshmoj
si drita agoi prej syve tu
dhe u ba ditë…
…tue t’dasht…
E BIJA E FILANIT
A e sheh që vjen prendvera?
E bija e filanit mbledh lule
Në kopsht,
E ama qan për tradhëtinë
E të shoqit.
Zukasin bletët pas shpie,
Simjet kena me nxjerrë mjaltë.
Kena me pas edhe qiell me yjza.
E bija e filanit ka me i numrue
Në muejin maj:
Lulet, yjet, andrrat …
I tregova të bijës së filanit
që ti u bane veç nji
andërr e bukur e shpirtit tem
dhe ajo u shkri në gaz me fjalën
“andërr”
Un’…qava.
KOHA E LULEVE
E dashuroj,
i thashë një pakoje me faculeta
te kryet e krevatit,
dhe u çudita me vete si nuk ndjeva
pikë trishtimi,
as gjamën e të pamundunes në jetë.
Duart akull!
Gjithë ditën kam pas temperaturë
dhe kollë.
Kam gatue, pi kafe
La tesha, pi kafe
Ba not, pi kafe
Isha më Meshë, pi kafe
Pashë koncert, pi kafe
Rilexova Remarkun, pi kafe.
Në darkë,
rroka në buzë heshtjen në dhomë
dhe e pyeta veten “a u lodhe?”.
Marrëzisht dashuroj
heshtjen dhe vetminë në shtëpinë teme,
por për të parën herë deshta me i nda me ty…
Mendova edhe për parrizin,
Këto kohë nuk më duket ma interesant
aq shumë përsosmëni…
E dashuroj,
dhe nuk pikëllohem ma që s’e kam.
Ndoshta do i ishim mërzit shoqi – shoqit
me kohën dhe mbase do i kishim kthye
shpinën njani-tjetrit pasi të banim dashni.
Kurrë ma parë s’e kisha ndëgjue me kaq
vëmendje zanin tem teksa lexoj kët’ poezi.
Ka tingull prej fëmije, melodinë e andrrës
dhe në korda mban kryq-ndjeshmëninë teme.
E dashuroj…pi ven’
E mendoj, pi ven’
Lutem për të, pi ven’
Po shkruej kët’ poezi, pi ven’…
Mblodha lule në park, piva ven’…
Nata, nëse s’asht për dashni,
asht për me shkrue dhe me pi ven’.
Kam me të shkrue në faculeta
nji letër tjetër që kurrë ma nuk do t’a nis…
ENIGMA
Ishte koha e enigmave
Askush nuk fliste haptas me shoqin.
E paqartë ishte nëse njani e dashuronte
tjetrin apo nëse xhelozia ishte në ajër.
Dynjaja shkonte në ballo
Çmendunie.
Rashë në dyshek plot shtatë vjet.
Askush s’e kishte vu re mungesën teme
Përveç atij, praninë e të cilit s’e dija…
Ishte koha e enigmave.
Sa të fshehta mbante
nanvetdija jeme?
Në kërkim të thellë të vetes
Nuk gjeta përgjigje,
Veç nji grumbull pyetjesh të klonueme
Më silleshin rreth e rrotull.
Edhe netët ma kishin zili
Në mbylljen time në vetmi.
Dhe të pashë ty nji ditë dimni,
Ndoshta jo për me të pas gjithmonë
Por për me kuptue filozofinë e pa shkak
Të lumtunisë,
për me veshë prapë tesha me ngjyra
e me lanë zakonin e trishtimit në shpirt.
Ishte koha e enigmave.
E vetmja gja që dija ishte mosdija
dhe se si mund të dashurohej njeriu
Në nji çast me të panjohunin.
LUMNIA
Dje ia mbylla sytë nji grueje
Që dha shpirt,
Dhe duert ja bana bashkë.
Lajmërova të birin që më tha:
“Shkoi? Ma në fund!!”
Nuk u shokova,
Tashma dhimba asht gja e rrallë
Te njerzit dhe ndjeshmënia po ashtu.
Mendova: “Sa mirë që s’kam fëmi”.
Pas darke dola rrugicave
të Vjenës dhe kam mendue,
Se sa I lum’ asht trupi yt
Që e mban shpirtin tand…
Ky qytet,
më shpëton nga plaga
E modernitetit që nuk më
shkon për shtat.
E prapë…
Ashtu nëpër rrugica
anash rrugës vetëm jam ul,
E kam mendue,
Se sa i lum’ asht balli yt
Që i ka sytë e tu…
Njaj kapak që shkrepet
dhe e përqaf’ dritën e synit tand
I lum’ asht, o Zot, sa i lum’…
Nji burrë tek të shtatëdhetat i binte
violinës aty ma andej,
E prapë kam mendue me vete,
Se sa i lum asht zani që
prekë buzën tande,
Dhe gjumi… oh, gjumi…
nuk asht ma pak i lum’
Që pushon mbi tuat qepalla.
Veç t’a dish,
zemra jeme që ndjen’ për ty,
Nuk asht ma pak e lume.
Ma pak e lume s’asht,
Për kët’ natë të heshtun…
POEMA E NATËS SË SHKUEME
Për të parën herë
Ndiej që më dhimset jeta.
Me dekën kam ba gjithnji lojna.
E kam dijtë që ajo
Vjen veç nëse njeriu asht i lumtun.
Ceremoni solemne!
I lypa falje vetes teme
Që kisha pas gjithmonë
frikë nga dashnia.
Që të mbetesha e lirë,
I pata vu zemrës nji gurë.
Ai erdh’ nji ditë si hajni
Dhe më zuni mat.
Drita e kandilit e din,
Ikona e Zojës dhe vetë ai,
( sa i thellë asht syn’ i tij…)
Që e humba betejen e gurit dhe murit
Dhe kam frikë të shihem në pasqyrë,
Se më padit syni i djathtë
Ku mshefet ftyra e tij.
Andej detit rrah zemra e tij.
Ai merr frymë,
Flutrojnë flokët e mij.
Kam frikë me e mendue,
Se mos ia prishi gjumin…
Zhurma e frigoriferit…
Sa e akullt asht loja e lules
“Më do, s’më do”.
( a më do ai?)
I njajti qiell na i mbulon thinjat,
E njajta tokë na i varros friknat.
Terr…!
Në mur ban dritë syni i tij.
Perendi,
qerpiku i tij m’a shkrep fatin e jetës?
Deka dhe dashnia
janë baraz për njerinë,
“Mos u tut”,-
e ndëgjova se më tha shpirti,
Kur më zuni teksa flisja me veten
( apo me të?)
Qetësi!
Ky pallat ka vetëm njerëz të kulturuem,
Akademikë, bankierë, mjekë, nji Zoti e di…
Janë të qetë, urryeshëm të qetë,
Më mundon kaq rregull dhe qetësi.
Sikur të çmendesha me të,
Me të qeshunën e tij.
Nuk gjej njeri të ngjashëm me vetin
Përveç shpirtin e tij të lirë e rebel
( s’e njoh, por e ndiej).
Kjo natë e pasosme…!
Andej detit flen ai.
Flen përnjimend?
E len mendimi jem për të,
me vu gjumë në sy?
Në darkë e mendova përballë,
Të pëlqejnë spaghetti-t shpirt?
Vera, e mirë?
…ky filli i padukshëm i ndjesisë…
Kam ndërtue nji telefon të ri,
Unë të mendoj dhe ti buzëqesh
Unë të shkruej dhe ti tund kryet.
Komunikim-ndjesi.
Nuk jam idealiste
Qeshi se nuk due me kja…
Më pëlqen me fluturue në naltësi,
Në jetën tjetër duhet të kem’ qenë zogë.
Fryn murla,
Varrezat të jenë mirë?
Herën e fundit pashë nji kryq të thyem
Të jenë njallë të dekunit?
Prapë m’u kujtue deka,
Ajo nuk vjen sa jam pa ty.
Kam me të tregu nji përrallë të shejtë
për përjetësinë.
Eja pështete kryet në Danub.
A nuk të kanë fol kurrë
për skuqjen e diellit mbi lumë?
Sa shumë gjana na i mëson
Veç dashnia…
Kurrë ma parë s’më asht dhimbt jeta.
As për shëndetin s’isha ba kurrë merak
As për ushqimin, analizat i urrej
( si spitalin dhe uniformën),
as se mos më shtyp metroja
Kur eci cokatun, përhumbun e hutuem.
Dje harrova veten në market,
Më futen në magazinë
Në kartopeceta që ishin stok
shkruejta diçka për ty.
Kam me t’a dhanë sonde në andërr,
Mos e harro kund si e ke zakon
Si çanten bjen fjala…
( harro ç’ka të duesh,
veç mos harro si asht kur dashuron)
Jo çdo gja shkon me rregullën e treshit, shpirt
Nji frikë për me dashurue plus nji frikë me vuejt,
Bajnë baraz me nji vetmi.
( vetmia më kujton trupin e gjyshës së dekun
dhe nji rrëshajë të ngordhun që ‘em atë e vrau.
“Tani do jesh mirë”- më tha, –
gjarpni s’ta lidhë ma fatin tand”.)
Shpejt ka me ardh Pashka…
Mos më len’ kelkun vetun me e pi…
mbulue m’i ka nata supet.
Plagën më len’ me t’a prekë
Si Shen Toma,
T’a di se je ala njeri.
Dy vetmi bashkë,
Bajnë baraz me nji dashni.
O Perendi,
Banem andrrën e tij,
Aktin e fundit të dramës
…mandej le të mos vijë,
Kurrë të mos vijë,
Se tutem,
nëse jam e lumtun me të,
vjen e më merr deka…
DITA PAS SHIUT
Pas ditës së shiut
Mbeti aroma e barit të lagun
Gjethi si syni pas lotit
Qielli i kthjellët
Dhe luleshtrydhet në kopshtin tonë
Kuq si gjaku,
Të ngjashme me faqet e mia
Sa herë të sjelli ndërmend në msheftësi.
Shinat pushuen
Dashnia jeme.
Gjithshka duket ma e pastër
Dhe ndrin
Shkalla
Oborri
Asfalti…
Në balli tem
ndrijnë
veç sytë e tu …
DUE DIKAND…
Due dikand me të cilin të harrohna në paqe
dhe pa zhurmë,
Dikand me të cilin mbasi të na mbarojë dashnia
mos të mallkojmë kohën kur dashnia
ishte në lulimin e saj.
Due dikand me të cilin paqësisht me thanë
“ A e mban mend atë kohë”…
Se edhe pse dashnia nuk ka me qenë ma,
gjithmonë ka me lanë
gjurmët e padukshme të gishtërinjëve,
zanat nëpër veshë, kujtimet e pavaruna
që sjellin tanë jetën buzëqeshje tinzare
në cep të buzëve, e dritën që mbetet në sy.
Gjithmonë kam mendue që dashnia
edhe pse mbaron, prapë nuk mbaron kurrë…
Due dikand me të cilin të qeshem me lot,
Që më mban’ në prehen dhe në shpinë.
Dikand me të cilin me u dashtë për pak
mandej me e fikë dashuninë,
para se të na fikë ajo ne buzëqeshjen.
Due dikand të marrë si veten,
Që ma kupton çmenduninë.
Dikand me të cilin nuk kam me fol për
plot gjashtë muej për nji keqkuptim a krenari,
Qe nuk kam me ndejt tu pa mos po shkruen,
as nuk kam me qa pas perdes ngjyrë blu,
Se do i ruhem edhe vetes se mos më heton…
Dikand që në kulmin e dashnisë ta quej idjot
dhe me çdo fjalë të mundshme të çuditshme
t’ia shpreh dashninë.
Dikand që ta dëboj në nerva e sipër
dhe prapë mos të ikin prej shpisë.
Due dikand që mbasi mos të dashurohna ma,
të përshëndetna në paqe të plotë
në nji ditë me shi, mbramje letrare a për bamirësi…
Dikand me të cilin mos të shkojmë
në gjygj për me nda librat që i bashkuem
kur ishim bashkë,
As dhomën me guzhinë me kredi
As të qeshunat as lotët
As netët pa gjumë
As rrëfimet në orët e vona
As fajet.
Due dikand,
me të cilin me më lind prapë dashnia
pasi të më ketë mbarue…



