Kreu Letërsi Bibliotekë Poezi nga Shpresa Kapisyzi

Poezi nga Shpresa Kapisyzi

Ne kafenenë e qetë

Në kafenenë e qetë
buzë Oqeanit të Ngrirë,
përhumbur valëve,
që përplaseshin mbi shkëmbinj
Qëndroj e vetme në tavolinën në cep.

Veç një thinjosh me krikëll birre
në tavolinën tej.

-Nga je? – më pyeti
-Nga Shqiperia.
Siç dukej, s’e kish dëgjuar ndonjëherë…
-Është larg, në Ballkan,
mes malesh, erërash, fushash, ujrash,
laget nga dy dete…

Pulëbardhat tej
herë ktheheshin në zambakë
që befas shpërthenin në qiell,
herë dallgët në pulëbardha
mbi shkëmbinj.

-Vendi im s’ka asnjë det,
më foli përhumbshëm me trishtim.

Pagova dhe me dorën në ajër
e pershëndeta.
Nuk e pyeta nga ish…

-Zonjë, të fala deteve,
Dy deteve të vendit tënd!


Në fund të rrugës

Edhe pak rrugë më ka mbetur..
Eci nën hijen hollake të një qiparisi,
që si heshtë ngulet në gjoks të qiellit
(Hija ime bëhet njësh me të, humbet)

Në sa ndiej bulimin e krizantemave,
që harlisen në fund të rrugës, tej…


Vjen koha e tufaneve të bardhë

Kur vjen koha e tufaneve të bardhë,
shtjella luledelesh, mjellma
përzishëm, marramendshëm
rrotullohen në ajër.
E butas-butas bijen
në gemat e kumbullës së tharë…
.
Fustanin e hollë të vajzërisë,
Më sjellin tufanet e bardhë
me lotët e kujtimeve lagur.
Hepohet, më përkëdhel dhimbshëm
trupin tim të mpakur…


Në këtë moshë kur dal

Nuk e di si harroj të shihem
në pasqyrë.
Rrugës kujtohem
e hedh sytë në vitrina…

Më sheh çuditshëm
Një grua me fytyrë të rrudhur,
paksa e kërrusur…

Ah, sa gjëra, shfryj me vete,
ka prishur teknologjia!


Golem…

“Më presin pesë fëmijë”
Më tha punëtori i ndërtimit
tek shtronte beton
në hotelin luksoz,
në Golem…


Dielli në zenith përvëlon…

“Ata janë qielli, ata janë deti, dielli im!”
Përkulur mbi beton
nuk e shihte as qiellin,
nuk e shihte as detin,
nuk e shihte as diellin.

E prisnin në shtëpi…

Një rrugë

Tashmë të gjitha rrugët
i kam më të shkurtëra.
Kafen e mëngjesit
e pi në lokalin më të afërt,
shëtitjet nga liqeni
përherë e më rrallë,
larg më duket të shkoj
në Vermosh
larg më duket të shkoj në Sarandë.
Veç një rrugë
që e mas me perëndimet e diellit
më duket afër, fare afër
E nuk mund ta zgjas…


Kur nëna filloi të thinjej…

Kur nëna filloi të thinjej
nuk doja ta besoja nga e bardha moshë…
Duke bërë byrekun që më pëlqente
Pa dashur kish kaluar dorën
përmbi flokë…


Nën urdhërin “Zjarr”

Nën urdhërin “Zjarr!”
ushtarët qajnë,
qajnë, qajnë pa zë.
Në tokën e largët…

E loti në faqe u ngrin.
Dhimbshëm, gjithë drojë
si vetë ata, që mbas komandës
kjo borë do i mbulojë…

Ushtarët trishtueshëm qajnë pa zë…
Me erërat e pyjeve, stepës,
Me zërin e dridhur të nënave një ninullë,
Nga larg u vjen…


* * *

Mani gjysë i bardhë e gjysë i kuq
Në oborr
Ish plasaritë nga pritja.
Plasë ishin dhe knallat
Nga kanga
Në plasat e manit.

Koha ish aty,
E takova,
Në shregullën që filloi të tundej ajrit
Si flutur e bardhë gëzueshëm
E në manat që bijshin si lot
Herë bardh, herë kuq.

Veç unë
kisha ikur…


Edhe po nuk u zgjuam, bir…

Edhe po nuk u zgjuam, bir,
Nën këtë qiell, ku s’duken yjtë,
Është veç një lojë.
(Siç luan ti me balonë,
që fluturon qiejve lart)
lojë e botës së çmendur
Që ti nuk e kupton.
Ja një hedhje topi
që mbulon diellin
Është veç një bombë.

Edhe po nuk u zgjuam,
përralla e stërlashtë
e kësaj toke gjithë dej
do të vazhdojë të ecë…
Nën qepallat,
si krahë fluturash të bardha
ëndrrat gjallë do jenë,
dridhshëm, mbetur në sy
në pikën e mbrame të lotit tënd,
Bir!


* * *

Kam humbur shumë kohë më dukej,
pa menduar, pa të dashur ty.
Humbisja duke parë zambakun
në shpërthim,
si shatërvani i bardhë,
dalë nga trupi yt.
Humbisja mbas fluturimit
të fluturës,
e uljes mbi lule në livadh
Si prekje e lehtë,
në kthimet e tua
nga rruga larg…
Mrekullohesha me qeshjen e trëndafiltë
në gjumë të fëmijës, gjithë pafajësi…
Shumë kohë kam humbur,
Mendoja,
Më dukej shumë…
Pa e ditur
Që ti ishe brenda meje,
Ishe unë.


Ndërsa përpiqesha…

Ndërsa përpiqesha
të ngjitesha shpatit
në atë mal,
gurë, gurë herëpashere
më binin,
Rrokulliseshin nga lart…
Një çast ngrita sytë,
diellin ma zuri
silueta e një miku,
për të cilin dikur kisha pasur
aq mall…

nga rruga larg…
Mrekullohesha me qeshjen e trëndafiltë
në gjumë të fëmijës, gjithë pafajësi…
Shumë kohë kam humbur,
Mendoja,
Më dukej shumë…
Pa e ditur
Që ti ishe brenda meje,
Ishe unë.


Ndërsa përpiqesha…

Ndërsa përpiqesha
të ngjitesha shpatit
në atë mal,
gurë, gurë herëpashere
më binin,
Rrokulliseshin nga lart…
Një çast ngrita sytë,
diellin ma zuri
silueta e një miku,
për të cilin dikur kisha pasur
aq mall…

Exit mobile version