Kreu Letërsi Bibliotekë Shpresa Kapisyzi: Kur mes yjesh të jemi…

Shpresa Kapisyzi: Kur mes yjesh të jemi…

Stacioni i fundit

Në stacionin e fundit
dikur më priste dashuria.
Isha petal, petal,
që dridhej në erë
fërgëllonte ajri, gjithçka përreth.
Marramendshëm rizgjoheshin
gjithë djajtë e pranverave
fshehur brenda nesh.

Tashmë kalojnë trena
gjithë gulç, të lodhur
hapësirash të heshtura, pa anë.
Ne, strukur si zogj të mardhur
në dimrat e thellë.
numërojmë fishkëllimat
që vinë nga stacioni i fundit i trenave…


Vrapojnë retë qiejve

Vrapojnë retë qiejve
e hijen danga-danga
hedhin mbi fushën e gjerë,
mbi mua tek ec.
Lart, lart me sy i ndjek,
ikin sa shpejt!

Nën retë që danga hedhin mbi mua
ndiej lehtas një fërfërimë,
përhapet, vallëzon në ajër
dridhshëm, gjithë trill…

E unë përhumbur humb
në syrin e zogut në fluturim.


Sa herë vij në këtë qytet

Sa herë vij në këtë qytet
këmbët më çojnë në rrugën
nga shoh apartamentin tim,
të hershëm.
Të tjerë jetojnë tani.
Mbaj mend çdo gjë,
dhoma ime shihte
nga lindja,
me shtratin metalik,
që përherë kërciste
sa herë lëvizja…

Humbur tek njeri-tjetri,
a s’di se ku,
aty bëra dashuri
për të parën herë.
Në çarçafët e bardhë befas
kish mbirë
një trëndafil i kuq,
e ne s’e kishim vënë re…


Dhimbje

Çdo mëngjes më zgjonte
herët, shumë herët
trokitja e bastunit në trotuar
e herë-herë një kollë e thatë
e fqinjit të moshuari në fund të rrugës,
tek dilte shetitje në park.

Prej disa kohësh më zgjon
heshtja e akullt, cingërimë,
që vjen rrëshqanë
nga jashtë,
tek pres zemërthyer më kot
trokitjen e bastunit
në trotuar
dhe kollën e thatë.


Në ag…

Fëshfërin gruri
në fushën pa anë.
tek përkundet, valëzon nën erë.

Hap pëllëmbën e përkëdhel.
thellë më drithëroi kjo prekje.
Vesimi kristal i agut të ri
akoma nuk ishte tretë…

Kur mes yjesh të jemi…

Ai, që dikur më deshi
si i çmendur,
u largua një ditë vjeshte,
pa kthim, me shtegtarët
shumë vite më parë.

Ajo, që dikur
Çmendurisht e deshe,
u end për vite
buzë detesh, diku larg.
Thanë u shndërrua
në mjellmë të bardhë,
mes ujrash
pak vite më parë.

Në qiell ish shkruar
martesa jonë,
që ne të ishim bashkë.

Kur mes yjesh të jemi
e të vezullojmë lart
a do mund t’u kërkojmë ndjesë
pse nuk arritëm t’i donim,
apo pse dashuruam aq fort?!


Kur u largua një refugjat

Kopsiti gjithë dokumentet
sipas rregullave strikte,
me vërtetime, shkresa, foto,
I mbylli pensionin,paret në bankë
me përqindjen më të lartë,
shtëpinë e dha me qira deri sa të shitet,
në portofol palosur dollarë.
Çdo gjë në rregull
për në vendin e madh përtej oqeanit,
gjithçka gati për nisje.

Sapo të arrijnë
fotot e para në fb
në vende luks në fundjavë…
Nga nxitimi,
harroi të takonte vëllanë…


Për dyzet vjet…

“Tani në vendlindjen time
shpërthejnë jargavanët
e unë nuk i shoh”
Më thosh e mira ime
sa herë vinte maji.

“Si nuk jam zog
të kapërcej kufijtë!”

“Tani atje
me pllanga të mëdha
bije borë,
që askund s’e kam parë
e malet si arinj polarë
sulmojnë qiejt”
Më thosh e mira ime
sa herë vinte dimri.

“Si nuk jam zog
të kapërcej kufijtë!”

E sytë e saj të kaltër
përherë plot re
si qiell në pragshi.


Për 40 vjet, për 40 vjet…

“O zot si nuk jam zog
të kapërcej kufijtë,
o zot, po unë kufijtë
i kam shumë frikë!”


Në periferi

Në lagjet periferike të Tiranës
Rrugëve, linjave të autobuzëve
Vjen erë e rëndë, erë djersë.
Plehrat vallëzojnë në erë
Si ciganët, në ditë dasmash,
nga pija tapë, kënga, gazi
Që deh….

Një lypës gjithë rrecka,
si pemë tufanesh rrëzuar,
me shishen zbrazur e qenin që fle…

Me sytë gjysmëmbyllur,
zëzvargur, dhimbshëm këndon
“O Shamps Elize, o shamp Elize…”

Exit mobile version