Kreu Letërsi Bibliotekë “Shiu lexon trishtimin tim”, poezi nga Dhimitër Pojanaku

“Shiu lexon trishtimin tim”, poezi nga Dhimitër Pojanaku

SHTRATI KUR TI S`JE

I madh, i gjerë, alpin.
Unë mlidhem e mblidhem,
Mbështillem e mbështillem,
Struk duar e këmbë si nën një guackë mbrojtëse dhe prapë
Ngrij.
Ndriçomëni nga lart,
Jam si një kërmill mbi një bordurë të ftohtë.

DIMËR NË LIMAN

Ç’është ky lot thellë në liman?!
Era fryn
Por dot s’e than.

Varka e dashurisë,
Qan.

KUR FLASIN FËMIJËT

Po flasin fëmijët.
Erdhën nga gjuha e zogjve në gjuhën njerëzore.
Erdhën!
U ka mbetur një “r” që lëmohet dhëmbëve, buzëve
E bëhet “l” e ëmbël,
Një “th” e bryllët, çudibërëse,
Një “c” kristal.

Erdhën, po flasin.

Tulatuni ju fjalë të pasinqerta,
Pini në kaltërsinë e fjalëve të tyre,
Vishuni në blerimin e tyre,
Rrethojuni me pushin e ajkën e valë,
E nisuni,
Si të porsadala nga alfabetet.

Kur flasin fëmijët,
Gjuhët gjelbërojnë…

E DASHURUARA

Ajo e di ku flenë ditën ëndrrat.
Ku mbështeten natën ylberët.
Ajo e di orarin e pranverave, bulëzimin e sytheve,
Pluskimin e frutit;
Ajo e di kur lumenjtë lënë shtratet e bari brigjeve s’ngopet së piri,
Kur detet bien në baticë
E mezi çmallen te tokën,
Kur hapësirës del një yll i ri 
E qielli sa s’përmbytet nga lumturia,
Ajo e di 

Ajo që udhëkryqeve rri
E shpërndan fluturimet.

ERËS

Fry erë,
Fry!
Detet të ndërrojnë dallgë e të përmendin fundet,
Malet të dëgjojnë fyejt e pyjeve, grykave, luginave.
Gjethet e vjeshtës të luajnë danset e fundit,
Telat të ndiejnë fërgëllimat e teshës së nderur,
Balonat t’u çojnë fjalë reve,
Flamurët puthje qiejve,
Qoshkat e qeta të dridhen,
Prushet e fjetur të ndizen,
E unë,
Të tallazit gjoksin
E unë të rrah mendimin, ndjenjën,
Fry erë.

GJYSHES

Ku je?
S’më dëgjon?
Atherë unë po sajoj një grindje, një sherr,
Dhe ti, si
Mjeshtre pajtimi,
Do dalësh,
E do qetësosh gjithçka në limanet e lirishtet e tua.

Ndonëse e ikur,
Patjetër do dalësh.

Ku je,
E nisa shamatën.

S’JEMI MË SI MË PARË

Marrim lajmin se po bëhemi me fëmijë
Dhe s’jemi më si më parë.
Mbajmë mbi krye një brerore që na e lakmojnë të katra stinët,
U thërrasim grave me emrat më përkëdhelës, 
Me shkurtimet më të dashura.
U vërshëllejnë parreshtur motivet e takimeve të hershme,
U vërtitim ca shirita ylberësh që veç ne i shohim,
Jemi si në ëndërr, si në zhgjëndër.

Lirikë jemi gjer në ind.

TRËNDAFILAT E VARREZAVE

Asnjë dorë nuk i këput 
Asnjë nuk s`u afrohet,
S’i mbledh
E ata prapë çelin
Dimër e verë. 
Mbajnë mbi vete petalet e thara
Si vetë dhimbjen
Si vetë vdekjen, 

Dhe vetë i shkundin
Pjalmohen, 
E çelin. 

S`janë trëndafila dashuri.

Askush s`i këput.
E ata çelin

Dimë e verë.

YJEVE QË BIEN

Ku bini kur e zbraz kupa e qiellit
Ku?!
Rënçi në det,
Të shuheni përnjëherë!
Se do jetë tmerr të vdisni ngadalë,
Qiell duke parë.
Të shuheni përnjëherë!
Se do jetë tmerr të vdisni ngadalë,
Qiell duke parë.

FTESË PAJTIMI

Nxito t’i bëjmë një kurdh kësaj merie që po bren si demon.
Që po na rrëmben të folurat të parat
Po na ndan dhomat, rrugët, plazhet,
Po na varros kujtimet e na stis gabimet.
Nxito t’i bëjmë një kurth
T’i vëmë ura zjarri përreth,
Ta tërbojmë,
Ta valojmë!

Se edhe pak
Po vonuam edhe pak,

Afrojmë orën e ajsbergut!

SHELGJET LOTUES

Gjithnjë të heshtur, të ndrydhur
Si dashuri të pathëna.
Gjithnjë në përkëdheli, pëshpërima, kujtime.
Gjithnjë në lot
Si nën një shi të fshehtë.
I rrëfehen vetëm lumit, zallit,
Ca rrethinave toke,
Ca netëve me hënë.
Gjithnjë të qetë, të patrazuar,
Larg zhurmës e bujës, pa emër, mënjanë.
Si nuk shpërthyet një herë?!
Si s’dhatë njëherë alarm?!

MALL I FSHEHTË

Pranë pyllit me bredha ra vjeshtë
Dhe bredhat i dogji zili e  fshehtë,
Çështë kjo stinë si mërmëritje
Aty e qetë atje e dridhshme
Aty dremiste si perëndimi
Më tutje digjej me ag agimi.
Aty vallëzonte me marramendje
Aty trishtihej nga caste ndarjeje.
Dhe bredhat kërkonin të ndjenin pak vjeshtë,
A nuk mund ti merrte njëherë në kaq vjet?!
Po ishin krenarë veç shihnin përpjetë
Sa mmalli u mbedti I mbyllur I fshehtë

Dhe vjeshta se diti, se donin ca vjeshtë…

POROSI NATE*

Hidhe tej `dhe rroben e fundit.
Jam unë, nata e pagojë,
e pasy,
e paveshë.
Jam verbuar, shurdhuar, sakatuar,
Prej dashurive.
Hidhe!
Të feksin trupat e çveshur,

QIELLI NGRIN

Qielli ngrin.
Hodhi kuvertën ambulante të reve,
Dhe u mbulua me gjithsej.

Tash syri im,
Më ther për pak qiell.
Ther syri im.

Ngrin qielli, ngrin.

SPIUNKAT 

Mëngjes për mëngjes, lulishtari merr vesh
Sekretet e mbrëmjes.
Ia thënkan lulet!
Ato, të urtat!
Ato, të butat!
Bëka sikur dremitin,
Por qenkan sy e veshë:

Përgjojnë mbrëmjeve
Kallzojnë në mëngjes.

Ato, të urtat,
Të bukurat!

LISI

Ǜi thua qiellit ti lis,
Është muzg, dremitje
E ti e ngacmon me gishtrinjtë e gjethtë,
E afron.
I trembesh ikjes të së kaltërës
Si braktisjes prej të dashurës.
Ǜi thua qiellit ti, lis,
Është muzg, dremitje
E ti s’nanurit,
S’mbështillesh,
S’bie në kujtime,
S’të josh serenatë e hënës.

I gris qiellit mbulesën e natës
Me kthetrat e vetmisë.

NJË DASHURI E MADHE DHE NJË DASHURI E VOGËL

Në fushën sa deti digjet një zjarr.
Fusha,
Ndonse lakuriq,
I rri ftohtë,
Mospërfillëse.
Fundet e fushës nuk mblidhen rreth zjarrit,
Fundet e fushës harbojnë pas horizontit,
Lakmohen tok,
Përpihen tok,
Shumohen tok.

E në zjarrin që digjet,
Ngrohet vjeshta e tretë,
Si vejushë e mardhur,
E zbehtë.

Fry!

SHIU LEXON TRISHTIMIN TIM

Ky shi ra qëllimisht.
Qëllimisht ende me një si tenjë të brishtë
Rrugët,
Sheshet,
Shpirtrat,

Vetëm kështu mund të lexojë trishtimin tim.

Poezitë u përzgjodhën nga libri me të njëjtin titull, botoi sh. b. “Naim Frashëri” Tiranë 1991. (red I. Yzeiri)

Exit mobile version