Kreu Letërsi Bibliotekë “Shi i butë kurmesh”, cikël poetik nga Andi Meçaj

“Shi i butë kurmesh”, cikël poetik nga Andi Meçaj

Andi Mecaj

BUBULLON E NDRIN NJË E QESHUR VAJZE

Rrotullohen gjethet, flokët
endacakët,
qëmtuesit e hedhurinave.
Hëna zhgarravit muret e natës
me spray portokalli.
Një e qeshur vajze bubulloi,
rrufe hareje.
Poet Rushitin
e kanë braktisur poezitë,
nuk i ushqen dot.

Goni, la në bast
bukën e fëmijëve dhe gjumin.
një i çmendur bërtet:
-Poshtë komunizmi!
Dy adoleshentë grinden
apo bëjnë sikur zihen,
ngrohin muskujt.

Rrotullohen gjethet, flokët,
endacakët që ikën duke mërmëritur,
as sot nuk kanë me se të ngopen,
ngopen duke parë hënën
që zhgarravit muret e natës,
natës që bubullon,
vetëtin e ndrin
nga një e qeshur
vajze.

Janar, 2019


SHTËPIA KA FTOHTË

Shtëpia ka ftohtë, mbërdhi,
mbërdhijnë dhe zërat
strukur qosheve.
Fotografia në mur,
diell që qesh.
Hapat e ngadaltë
mezi ndihen,
kolla këndon
melodi të harruara.
Një kujtim
ardhur nga larg,
derdh grimca lumturie.

Era shkulmon kanatat,
sjell gu-gu foshnjash,
përkëdhelje dhe cicërima
që ngrohin shpirtin,
shpirtin e shtëpisë
që mbërdhi.

Shkurt, 2019


SHI I BUTË KURMESH

Mbi çati shfaqen njerëz të kuq
si njolla gjaku,
fillon të bjerë
një shi i butë trupash.
Trupash që mbushin
gropat e rrugëve.
Rrugëve që u kërcasin brinjët
nga dëshpërimi i mishit.

Mbi tarracë duken njerëz blu
si copëza deti,
fryn një erë e qetë
kurmesh.
Kurme që trazojnë
gjumin e qytetit.
Qytetit që prishet e ndërton,
ndërton e prishet
nga sipërorët e babëzitur.

Mbi ballkone shihen
njerëz të argjendtë,
si guguftu që puthen,
nis një rrapëllimë e ëmbël flatrash,
flatrash për të tjera botë,
flatrash për të tjerë qiej.

Shkurt, 2019

BRENDA NESH U NGUJUA FËMIJËRIA

Hodhi mbi supe
pallton e një nate të trishtë,
zboi ëndrrat,
u zhyt në kujtime.

Peshku i vogël, i kuq
e guduliste në gushë,
macja e mirë
dhe llafazane
dërdëlliste fjalë pakuptim.
Ai shkrihej,
qeshnin dhe pantallonat e shkurtra
grirë nga fërkimet.
Rrokullisej në bar
bashkë me pemët, retë,
kur topi thyente ndonjë xham
ose qelqurinat e diellit.

Papritur u shfaq ajo
anija e kaltër,
i rrëmbeu të gjitha,
shtëpitë e ngrohta të fëmijërisë
me prindërit e ëmbël
e pak grindavecë,
lulishten me zogjtë këngëtarë
e të dashuruar,
rrugicën ku loznim futboll
sikur bënim luftë.
Dhe xhaxha Pjetrin,
atë xhaxha Pjetrin shtrembanik
që na i shponte topat
sa herë i bombardonim
qeramidhet e çatisë.

Por ne vazhdonim,
vazhdonim të qeshnim, të bërtisnim,
të luanim, të ngacmoheshim,
pa e çarë kokën
se ashtu pa kuptuar
brenda nesh
u ngujua fëmijëria.

Janar, 2019

Exit mobile version