Konkursi i parë për një përmendore të Gjergj Kastriotit u organizua në vitin 1937, në kuadër të nismave që u ndërmorën nga komisioni shtetëror mbretëror për kremtimin festiv të 25-vjetorit të vetqeverimit, që qeverisë mbretërore i nevojitej edhe për përurimin e vetes dhe formimin e një imazhi kombëtar të saj.
Konkursi i parë për një përmendore të Gjergj Kastriotit u organizua në vitin 1937, në kuadër të nismave që u ndërmorën nga komisioni shtetëror mbretëror për kremtimin festiv të 25-vjetorit të vetqeverimit, që qeverisë mbretërore i nevojitej edhe për përurimin e vetes dhe formimin e një imazhi kombëtar të saj.
Po në këtë kuadër u shpall konkurs kombëtar edhe për një himn të ri kombëtar, prurjet e të cilit u botuan në një vëllim të përbashkët.
Botimi i kolanës Visaret e Kombit, parashikuar për mbi 20 vëllime (por u realizuan vetëm 15 prej tyre), në të cilën do të përfshihej dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, dhe poema Lahuta e Malcìs e Àt Gjergj Fishtës; themelimi e akordimi i disa dekoratave personaliteve parësorë të dijes dhe trimërisë, vendës e të huaj (ndër ta edhe Norbert Jokli), përbënin nismat më të rëndësishme të shpallura nga ky komision.
Konkursi për një përmendore kalorësike të Gjergj Kastriotit, siç thuhet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në vendimin për shpalljen e tij, kishte për synim glorifikimin e mbretit fatos, luftëtarit dhe mbrojtësit të madh të kombit shqiptar kundër invasioneve dhe sundimeve të huaja (pika 5 e vendimit për shpalljen e konkursit nga komisjoni për festimin e aniverserit të 25-të të independences shqiptare, ruhet në Fondin e 25-vjetorit të vetqeverimit, AQSH). Siç vërehet që në titull, është shmangur me kujdes cilësimi i invasorit të huaj, tyrqve selçukë, madje dhe fjala (kundër) mvarësinave, e shenjuar në dorë të parë, është shuar më pas me mbivijëzim me dorë.
Në mënyrë disi tinëzare kësaj pike iu shtua ngritja e një monumenti tjetër për t’u vendosur në qendrën e kryeqytetit, për glorifikimin e mbretit reformator, rikrijonjësit dhe konsoliduesit të Mbretniës Shqiptare, ruajtësit më të parë të independencës, A. Zogut.
Konkursi cilësohej i rendit të parë dhe kishte karakter ndërkombëtar. Zhurija, vendimet e së cilës përcaktoheshin si të pakontrollueshëm, ftonte për pjesëmarrje artistë të ç’do kombësije qofshin. Vendimet e komisionit u miratuan me një akt të posaçëm nga Këshilli Ministruer, në mbledhjen e datës 11 gusht 1937. Ndonëse jo pjesë e këtij vendimi, më 1937 u akordua për herë të parë Urdhri i Skënderbeut.
Nuk ishte e para herë dhe as e fundit që propozoheshin projekte nderimi për Gjergj Kastriotin. Sami Frashëri, në traktatin e tij mbi të shkuarën, gjendjen dhe të ardhmen e Shqipërisë, mendonte se kryeqyteti i saj duhej të ishte gjeografikisht në mesin e saj (në Belsh, për shembull) dhe të quhej Skënderbe. Përgjatë pesë shekujve janë shkruar mbi 600 libra kronikalë e jetëshkrimorë posaçërisht për jetën dhe bëmat heroike të tij, pa numëruar librat e amatorëve. Ndonëse nuk ekziston një akt papnor për shpalljen zyrtarisht Athleta Christi, në gjithë historinë europiane dhe atë botërore ai cilësohet mirëqenësisht si fitues i këtij titulli të lartë që u jepej mbrojtësve të krishterimit dhe kryqtarëve të tij. Në gjysmën e dytë të shekullit XX ai u shpall gjithashtu Mastermind of the First Euro-Atlantic Alliance.
Deri atëherë, siç kanë vërejtur studiuesit (F. Hudhri, Shqiptarët në artin botëror, bot. QSA, 2012), në artet pamore shqiptare ekzistonte vetëm një bust-miniaturë për Gjergj Kastriotin, vepër e Murad Toptanit, realizuar në Tiranë më 1917, e njohur më shumë përmes një kartoline, e paraqitur në ekspozita brenda dhe jashtë vendit (Tiranë 1931, Paris 1937) dhe e riprodhuar pas një dëmtimi fizik rastësor me ngjitje në dy kopje më 1938 në Torino nga skulptori Odhise Paskali, njëra prej të cilave e rishfaqur në vitin 1968, në mjediset e Muzeut Gjergj Kastrioti të Krujës.
Vilson Halimi, Në studion e Murad Toptanit (1979) |
Rezultatet e konkursit të vitit 1937 mbetën të panjohura për një kohë të gjatë, përveçse në studime. E njëjta heshtje e gjatë u mbajt dhe për konkursin për një himn të ri kombëtar dhe për nismat e tjera të komisionit të vetëqeverimit. Arsyeja duhet kërkuar tek qendrimi mohues që mbahej zyrtarisht ndaj periudhës mbretërore, prej së cilës nuk mund të pritej asgjë për së mbari; duke i shtuar kësaj edhe vënien e nismave në funksion të madhështimit të mbretit reformator.
Në konkursin ndërkombëtar të vitit 1937, më i rëndësishmi si për nga numri i pjesëmarrësve ashtu dhe për momentin historik të zgjedhur (krahasuar dhe me konkursin Gjergj Kastrioti – Skenderbeu strateg dhe diplomat që u organizua në vitin 2018, në 550-vjetorin e lindjes së kryeheroit kombëtar), u paraqitën mbi 70 bocete, prej të cilëve 39 u shenjuan si vepra të cilësuara për të vijuar fazën e dytë të garës. Nëse bocetet do të ishin ruajtur, do të formonin së bashku një koleksion shumë të rëndësishëm të vendit të figurës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut – sunduese sovrane në artet pamore, pa dyshim figura më jetëgjatë në këto arte: në gravurë, grafikë e skicografi, në miniaturë e në ilustrime, në ikonografi e në pikturën murale, sidomos në nënllojin e portretit, që zuri vend qendror përgjatë shekujve edhe në medalistikë, heraldikë, emblematikë, numizmatikë e filateli. Për fat, në fondin arkivistik të mbicituar, ruhen jo vetëm foto të boceteve, por edhe mjaft vizatime profilesh të tyre nga piktori Abdurahim Buza, i cili ishte i përfshirë në juri si vizatues, në përbërje të sekretarisë teknike, ashtu si dhe Odhise Paskali. Ky fond është përmendur vetëm në dy artikuj shkencorë-popullarizues të botuar nga Kujtim Buza, piktor, në shenjë nderimi për dy nga veprat pjesëmarrëse në konkurs, realizuar nga skulptori kroat Antun Augustinčić dhe bullgari Peikov[1], të cilët u shpallën fitues të konkursit, gjegjësisht të vendit të parë dhe të vendit të dytë, pas një mosmarrëveshjeje dhe debati të shoqëruar me vendime shumë të diskutueshme dhe madje me dorëheqje[2]. Më hollësisht për konkurruesit e rendit të parë ka shkruar studiuesi Ferid Hudhri[3].
Në artin tripërmasësh kuptohen arsyet pse figura e Gjergj Kastriotit erdhi me një vonesë relative. Edhe pas pesë shekujsh, jo më një vepër publike, por thjesht epinomi i tij Skënderbe dhe patronimi Kastrioti, edhe në toponomastikë a frazeologji po të dilnin, pa diskutuar për persona historikë që quheshin Kastriotë, ishin nën vigjiljen e rreptë të sulltanatit, siç dëshmojnë regjistrat e arkivave osmanë të Konstantinopojës deklasifikuar në dekadat e fundme[4]. Njerëzit e Skëndebeut, në mënyrë të veçantë pretenduesit si trashëgues të gjakut të tij, vazhdonin t’i kallnin datën perandorisë edhe në shekullin e 20-të[5].
Midis 39 veprave të zgjedhura në fazën e ndërmjetme (në numrin e përgjithshëm me shumë gjasë përfshihen edhe bustet që u paraqitën për A. Zogun), vetëm 7 prej tyre u përcaktuan si të denja për konkurrimin përfundimtar. Mungesa e një regjistri të pjesëmarrësve dhe e një inventari të veprave të tyre e vështirëson ndarjen.
Të dhënat, të nxjerra nga burime të tërthorta, shpesh kanë çuar edhe në njoftime kundërthënëse, duke përfshirë fituesin. Dy artistë italianë, Amerigo Totti e Mario Sena, që përmenden si fitues të vendit të dytë, i pari si skuptor dhe i dyti si projektues, për të cilët pati një konflikt institucional midis Këshillit të Shtetit dhe Mbretit, nuk rezultojnë të kenë pasur karrierë në këtë fushë krijimtarie[6].
Në të njëjtin vendim fitues të vendit të tretë shpallen italiani Giovanni-domenico da Marchis [Gian Domenico da Marchis në tekst] dhe bullgari Assen Peikoff (sic in text, por Asen Pejkov / Асен Пейков), të dy të njohur më parë dhe më pas për veprimtari krijuese në artet pamore, gjegjësisht në Brazil dhe në vendin e tij të lindjes. Pejkov pati një të ardhme të lavdishme, që e fitoi kryesisht pas realizimit të monumentit të Leondardo da Vinci-it në Fiumicino. Në dekadat që pasuan, emri i italianit Da Marchis gati-gati harrohet dhe, pa ndonjë burim të rëndësishëm, bullgarit Pejkov i ngjitet si bashkëfitues një bullgar tjetër, Georges / Georgi Popoff (Георги Попов), veprimtaria e të cilit pas luftës antifashiste u zhvillua kryesisht në Francë, pa ndonjë të dhënë të rëndësishme në karrierë në periudha të mëvonshme, përveç një cilësimi që ishte një bohemian bulgar dhe se, unfortunately, his name is not among the most popular in Bulgarian art. Galeritë e arteve dhe lajmëset e tyre heshtin për Popovin, ndërsa për kroatin Drago Galić (in text: Golić!), që rregullisht i shtohet emrit të skulptorit Antun Augustinčić si bashkautor, shenjohet se ka qenë arkitekt shumë i njohur kroat. Drago Galić u pranua anëtar i Akademisë të Shkencave e Arteve të ish-Jugosllavisë dhe njëherësh anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kroacisë që në vitet 1950. Para Luftës së Dytë Botërore, bashkë me skulptorin Augustinčić, me zgjidhje të përbashkëta, ka fituar çmime të para për ndërtimin e disa monumenteve arkitekturore-skulpturore, si monumenti i Gjergj Kastriotit dhe ai i kryengritjes sileziane. Një nga çmimet më të rëndësishme për konkurset në arkitekturë në Kroaci mban emrin e tij. Ishte i prirur për orientime të reja; pjesëmarrës aktiv në krijimin e shkollës së arkitekturës të Zagrebit. Në projektet e tij interpretoi elementë tradicionalë me gjuhë arkitekturore bashkëkohore, sidomos me një qasje krejtësisht të re në projektimin e hapësirës[7].
Medalioni i çmimit që mban emrin e arkitektit kroat Drago Galić | Ndërtesa “shumëkëmbëshe” në Zagreb, arkitektura nga Drago Galić |
Në shtypin italian fitues i konkursit shpallet skulptori i njohur Romano Romanelli, vijues i dinastisë fiorentine të Romanelle-ve, autor i monumentit të Gjergj Kastriotit që u vendos në Piazza d’Albania në Romë më 28 tetor 1940, me praninë e disa përfaqësuesve të lartë shqiptarë dhe të vetë Musolinit. Në fondin e dokumenteve që dëshmojnë pjesëmarrjen, rregullat dhe kriteret e nevojshme për t’u plotësuar, të përshkruara me imtësi: përmasa të bocetit dhe përmasa reale të veprës, këto të kushtëzuara nga organizatori, duke përmbajtur edhe përmasat bashkë me piedestalin, 8-10 metra lartësi. Gjendet edhe një kontratë e qeverisë mbretërore me Romano Romanelli-n për një përmendore të Gjergj Kastriotit thuajse me të njëjtat të dhëna si ato të konkursit, por pa e përmendur konkursin vetë.
Giandomenico De Marchis, autobust | Asen Pejkov [Assen Peikoff, Асен Пейков] Fitues të vendit të dytë |
* * *
Në vitin 2004, pjesëmarrës në konferencën kushtuar vëllezërve Ivanaj, veprimtari e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, u njoha me konfliktin e tretë të Mirash Ivanajt përfunduar me dorëheqje me Mbretin Zog gjatë më pak se katër vjetëve. Dorëheqja e tij e parë ndodhi për shkak të mospajtimit për reformën laicizuese-shekullarizuese në arsim, që M. Ivanaj kishte propozuar, duke përfshirë brenda saj edhe arsimin fetar: seminaret, kolegjet, kuvendet dhe medresetë[8]. Dorëheqja e dytë e Ivanajt ndodhi në vitin 1937, kur Këshilli i Ministrave urdhëroi lirimin e zyrave të Këshillit të Shtetit, të cilin Ivanaj e kryesonte. Me anë të një letre drejtuar mbretit Zog Ivanaj paralajmëron se urdhri qeveritar për lirimin e këtyre zyrave për mikpritje të të ftuarve të festës së 25-vjetorit të vetëqeverimit nuk ka të bëjë me këtë nevojë, por me një dhunë të ushtruar nga një pushtet ndaj një pushteti tjetër, dhe ofroi dorëheqjen. Për herë të tretë ai u tërhoq zyrtarisht nga detyra si kryetar jurie dhe si kryesues i Këshillit të Shtetit për shkak të presioneve të A. Zogut për shpalljen fitues të një italiani dhe zhbërjen e vendimit të jurisë për zgjedhjen e kroatit Antun Augustinčić si fitues.
Skicë-portret i Mirash Ivanajt nga piktori Maks Velo | Shuplakë për regjimin tiran: nga shtypi i kohës për dorëheqjen e parë të M. Ivanajt |
Sipas rregullit të vendosur, pjesëmarrja në konkurs duhej të ishte me emër të shifruar ose me emër letrar, për të përjashtuar ndikimet e mundshme mbi jurinë. Në përfundim të disa seancave të njëpasnjëshme të debatit në juri, fituese u shpall një shtatore që, siç rezultoi, i takonte dorës së skulptorit kroat. Votimi në juri, që kryesohej nga Mirash Ivanaj, qe katër pro dhe tre kundër. Ndër votat kundër ishte dhe vota e vetë Ivanajt. Shpallja e rezultatit provokoi zemërimin e qeverisë italiane, e cila priste që kandidaturë fituese të ishte një skulptor italian. Vetë mbreti Zog, në kushte presioni nga Roma, deklaroi se vendimi i jurisë do të anulohej. Pikërisht kjo u bë shkas që Mirash Ivanaj të shkonte drejt dorëheqjes së tretë. Në një letër drejtuar mbretit Zog, Ivanaj shprehet që, megjithëse kishte votuar kundër zgjedhjes së jurisë, duke qenë kjo një zgjedhje e shumicës, e shihte të domosdoshme të fliste në emër të saj dhe të kërkonte prej mbretit mosndërhyrjen publike në vendimmarrjen e jurisë. Ivanaj, në të njëjtën letër, këshillon dashamirësisht mbretin për hapat që mund të hidhen për të bërë të mundshme pranimin e kandidaturës italiane, pa shkelur mbi autoritetin e jurisë. Si hap i parë, Ivanaj mendon se mund të ishte kundërshtimi i vendimit të jurisë nga komisioni i festimit të 25-vjetorit të vetëqeverimit, gjë që do të shmangte akuzat për ndërhyrje politike. Një mundësi e dytë do të ishte që qeveria e Shqipërisë, siç ishte shprehur në kushtet e konkursit, të jepte shpërblimin për fituesin dhe të mos e porosiste zbatimin e përmendores së paraqitur prej tij. Zgjidhja e fundme mbetej dorëheqja[9].
Dy dekada më parë, ende pa u hapur gjerësisht arkivat, ishte jo aq e papritur të besohej në përshkrimet arkeografike që konflikti midis Mbretit dhe Ivanajt kishte për bazë zgjedhjen si fitues të një italiani kundrejt kroatit Augustinčić: zbutja e qendrimeve të tij ndaj Romës paralelisht me rritjen e presioneve të saj kontrolluese pas dy-tri vjetësh shprese se ndikimi italian mund të konkurrohej nga kapitalet angleze dhe amerikane e bënte të besueshëm argumentimin ideologjik. Por a ishte zgjedhja e Zogut një italian çfarëdo, nga konkurrentët e regjistruar në garë, apo ishte fjala për Romano Romanelli-n, figurë e mirënjohur jo vetëm në Itali për mjeshtërinë e tij, që ngjan me artin klasik romak, me artin e Renesancës, me neoklasicizmin e romantizmin, por nuk është asnjëri prej tyre? Ndoshta qeveria mbretërore e përfshiu në kremtimet e 25-vjetorit të vetëqeverimit edhe konkursin për përmendoren e Gjergj Kastriotit për të përligjur një kontratë që ajo nënshkroi vetëm një vit më vonë me Romanelli-n, me një vleftë prej 60 mijë frangash ari, një shumë sfidante për shtetin e pamëkëmbur shqiptar, shumë afër honorarit që A. Zogu, me ndërmjetësimin e Mit‘hat Frashërit, i ofroi po kundrejt një kontrate albanologut kroat Milan pl. Šufflay (75 mijë franga ari, afërsisht 2 milion dollarë përllogaritur në vlerat e sotme) për Historinë e shqiptarëve (mbetur e pambaruar, por rreth 600 fletë të saj gjenden në dorëshkrim në AQSH) dhe për vëllimin e tretë të korpusit Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illistrantia, prospekti i së cilës, një regest prej 43 fletësh, përmban titujt e gjithë dokumenteve që do të bëheshin pjesë e veprës (regesti gjendet gjithashtu në AQSH)[10].
Nëse do të bëhej një krahasim midis vlerësimeve të shprehura në vlera monetare për fituesit e konkursit dhe për kontraktuesin e veprës, do të bëhej edhe më e qartë se kërkesa e Zogut për të shpallur fitues një italian nuk ishte as për Giandomenico di Marco-n, as për Amerigo Totti-n e Mario Sena-n, por për një personalitet të dorës së parë në fushë të arteve pamore. Siç dëshmohen nga vendimi i Këshillit Ministruer të cituar më herët, honorari për fituesin e çmimit të parë do të ishte 4 mijë franga ari, për çmimin e dytë 3 mijë dhe për të tretin 2 mijë franga ari. Me sa duket, të dy, edhe Mirash Ivanaj, edhe Zogu, e dinin cili ishte projekti – konkursi ishte diçka tjetër nga kontrata për realizimin e monumentit: konkursi do të shërbente sa për të përligjur vendimin e qeverisë, ashtu sikurse dhe ndodhi.
Boceti i monumentit të Gjergj Kastriotit në studion Romanelli në Firenze (1938) dhe monumenti i vendosur në Piazza Albania më 28 tetor 1940, me praninë e Musolinit (foto e botuar në Rivista illustrata dei popoli d’Italia, 1940)
Kontrata midis qeverisë së Zogut dhe skulptorit Romano Romanelli u nënshkrua në vjeshtë të vitit 1938. Monumenti do të vendosej në sheshin e ministrive në qendër të kryeqytetit dhe do të derdhej në bronz. Monumenti vetë nuk u realizua, për shkak të përshpejtimit të ngjarjeve politike e gjeopolitike në raportet italo-shqiptare, që u përmbyllën me ndërhyrjen ushtarake të 7 prillit të vitit 1939. Por boceti, ndonëse jo për konkursin, ishte realizuar dhe ruhet edhe sot në galerinë e arteve që mban mbiemrin e tij në Firenze. Alessandra Imbellone, në artikullin monografik kushtuar Romano Romanelli-t në përbërje të Dizionario biografico degli italiani (volume 88, edit. 2018), shkruan: Romanelli vinse invece concorso per il monumento equestre dell’eroe albanese Giorgio Castriota, detto Scanderbeg, destinato a Tirana ma poi collocato a Roma in piazza Albania (1940). Nella galleria “Romanelli“ vi è la statua equestre originale in gesso di Scanderbeg, opera dell‘omonimo scultore.
Edhe në botime të tjera, duke përfshirë artikullin nominal në Treccani, theksohet se la statua di Scanderbeg, destinata a una piazza di Tirana, vinto dal bozzetto di Romanelli, l’anno precedente era stato indetto un concorso.
Romano Romanelli dhe boceti i përmendores së Gjergj Kastriotit në studion e tij (1938) |
Sa i takon personalitetit të Romano Romanelli-t ka shumë për të thënë. Përveçse në skulpturë, ai është gjithashtu autor i më shumë se dymijë vizatimeve, skica e etyde, si dhe medalist. Prirja themelore e tij ishte skulptura monumentale, duke filluar prej figurave të lashtësisë antike romake, mitologjisë dhe figurave historike, deri tek personalitete të Renesancës, të historisë italiane dhe vetë Musolini. Ishte anëtar i Academia Reale d’Italia qysh në vitin 1930. Në vitin 1934 iu propozua ta kryesonte këtë institucion historik të dijes (Academia dei Lincei), por e refuzoi me takt, siç refuzoi edhe detyra të tjera drejtuese. Siç kanë shkruar biografët e tij, ndër ta dhe më i hershmi, Mario Tinti (1924), Romanelli nuk ishte një skulptor religjioz, në kuptimin që të krijonte figura madonash dhe engjëjsh, portrete ikonografikë, por në thellësinë e vet arti i tij përmban besim dhe shpirt. Jetoi deri në vitin 1968, por nuk iu dha mundësia të vizitonte vendin që më herët e kishte ftuar të monumentalizonte figurën më të rëndësishme të historisë së vet, Gjergj Kastriotin.
Pjesëmarrës në konkurs apo jo, i shpallur apo i pashpallur, Romano Romanelli është i vetmi fitues real i garës së shpallur e të realizuar në vitin 1937 për një pomendore të Skënderbeut. Megjithëse me disa dallime jothelbësore me bocetin, e vetmja vepër që doli nga formati i studios e u vendos në një shesh është monumenti equester (kalorësiak) i Romano Romanelli-t, e cila u vendos në një pozicion qendror në Romë në shenjë të kurorëzimit të bashkimit vullnetar të Shqipërisë me Italinë, nën kurorën e Victor Emanuelle III. Vetë autori e pati shenjuar veprën e tij në kategorinë patria e libertà. Afro një shekull pas kësaj përmendorje, shenja kujtese për Gjergj Kastriotin janë ngritur shumë, në dhjetëra kryeqytete të Europës, si dhe në vendet fqinje (Maqedoni e Veriut e Kosovë), por në pjesën më të madhe janë riprodhime të monumenteve ekzistuese në Tiranë e në Krujë dhe veçmas të bustit të Odhise Paskalit.
Romano Romanelli, Giorgio Castriotta-Skanderbeg, Piazza Albania, Roma 1940 |
Geor(ius) Castriota Scanderbeg princeps Epiri – ad fidem iconis rest an dom MDCCCXVLIII / Gjergj Kastrioti Skënderbeu, princ i Epirit, ikonë e fesë, u preh në vitin 1468 (A.D.)– portret në portikun e shtëpisë muze në Romë, ku u mikprit e mirëprit në vitin 1967, i ftuar nga Selia e Shenjtë
Antun Augustinčić, fituesi zyrtar i çmimit të parë të konkursit sipas vendimit të jurisë, vendim që u shenjua në analet e ngjarjeve artistike-kulturore dhe galeria që mban emrin e tij në Zagreb edhe sot e quan të tillë, në vitin 1937 ishte djalë i ri, 25 vjeç, i formuar në shkollën e Rodin-it. Një vit më parë kishte ngritur në Shkup një përmendore kushtuar car Aleksandrit, e cila ushkatërrua gjatë zgjerimit bullgar nën pushtimin nazist dhe nuk mbeti gjurmë prej saj. Me sa kemi mundur të provojmë, edhe modeli i monumentit të Gjergj Kastriotit ose është zhdukur, ose nuk dihet ku ndodhet, por së paku në galerinë që mban emrin e tij jo. Në letërkëmbimin tonë me drejtuesit e kësaj galerie patëm një përgjigje të mirësjellë, por me fakte pesimiste.
Dr. Davorin Vujčić, këshilltar muzeor (muzejski savjetnik) na shkruan: Fatkeqësisht, në dokumentacionin tonë muzeor nuk kemi shumë informacione për monumentin e Skënderbeut. Ne dimë se Augustinčić fitoi çmimin e parë në një konkurs ndërkombëtar në vitin 1938, nga mbi 70 konkurrentë. Modeli i monumentit tregon Skënderbeun mbi një kalë duke sulmuar dhe në këmbë të piedestalit ka një figurë femërore me shpatë të mbajtur në dorën e djathtë e një mburojë të ngritur në dorën e majtë. Augustinčić-it iu besua gjithashtu ngritja e memorialit, por kjo u pengua nga pushtimi i Musolinit në Shqipëri. Gjithashtu, për fat të keq, nuk e dimë se ku ndodhet sot ai model për monumentin. Në vitet e mëvonshme, Augustinčić e interpretoi këtë temë monumenti në variante të ndryshme. Po bashkangjitim një foto të modelit, nga dokumentacioni ynë muzeor, realizuar nga fotografi kroat Tošo Dabac. Nëse dëshironi ta publikoni, ju lutem, më njoftoni[11].
Përmendorja e Gjergj Kastriotit (bocet dhe portret-profil) realizuar nga kroati Antun Antunčić (Fototeka e AQSH, Fondi i komisionit të kremtimit të 25-vjetorit të vetqeverimit) | |
Antun Augustinčić, bocet për një përmendore të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (studija spomenika Skenderbeg), foto e kroatit Tošo Dabac, një nga gjurmët e rralla të mbijetesës së tij, motiv të cilit, siç shkruan dr. Davorin Vujčić, skulptori iu rikthye më vonë në variacione të tjera, që meritojnë të njihen e të krahasohen |
Ashtu si Romanelli, Augustinčić pati karrierë akademike. Në periudhën e dytë krijuese, të pasluftës, u ndikua lehtë prej monumentalizmit të drejtimit soc-realist që sundonte edhe në ish-Jugosllavi, ndonëse lehtas. Drejtoi institucione të rendit parësor në Kroaci: akademi e galeri artesh të bukura, si dhe u pranua anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Jugosllavisë dhe anëtar i jashtëm në atë të Serbisë. Nuk pati mundësi të vizitonte vendin ku konkurroi për herë të parë.
Modeli i skulptorit kroat është i vetmi që përmban edhe një figurë të dytë, femërore, me sa duket simbol i Shqipërisë. Për arkitektin Drago Galić, emri i të cilit gjendet si bashkautor me fituesin Augustinčić, kërkimi mbetet i hapur. Njohja për të rezulton e kufizuar edhe në muzetë e artit të Kroacisë. Një rrugë e papërshkuar mbetet ajo e historisë së arkitekturës. Galić mund të jetë bashkuar me skulptorin për pjesën e realizimit inxhinierik të veprës (gjatë derdhjes). Në njoftimet e shtypit të vitit 1937 rreth konkursit përmendet në formën Drago Galiç (Golič).
Antun Agustinčić | Vizatim nga Ibrahim Kodra |
Nga koleksioni i komisionit të kremtimit të festimeve të 25-vjetorit të vetqeverimit (Fototeka e AQSH) besojmë se kemi identifikuar bocetin e paraqitur nga Giovanni-Domendico da Marchis, nisur nga shkrimi i dorës në italisht dhe titulli i motos në italisht, Gloria (Romanelli ka shenjuar si moto Patria e libertà)[12].
Një arsye shtesë për të besuar se ky bocet, që publikohet për herë të parë, u përket fituesve të shpallur të konkursit, është dhe karakteri monumental i stilit të romanitetit të ringjallur, të cilit i përmbahej ideologjia fashiste. Në fakt, Da Marchis më së shumti identifikohet me veprën Dux, monument me karakter luftarak-triumfues, njëherësh dhe trinitetin e shenjtë (tre veta në një). Arsyeja e largimit të tij nga Italia dhe e vendosjes në Brazil mund të ketë lidhje me këtë të kaluar të tij të lidhur me fashizmin dhe me problemet që mund t’i dilnin me republikën. Da Marchis vinte nga një karrierë ushtarake dhe u shfaq al improvisso në vitin 1936 në një konkurs të arteve pamore, të cilin e fitoi po aq befasisht, pavarësisht se ishte autodidakt.
Arsyeja pse asnjëri nga fituesit, duke përfshirë italianët Da Marchis e Sena, nuk u ankua, duhet gjetur tek parakushti i mësipërm, që organizatori (qeveria mbretërore) mund të organizonte një konkurs tjetër po ta shihte të nevojshme, pa përfillur pretendime të palëve pjesëmarrëse në konkursin e parë.
Boceti Gloria i paraqitur në konkursin për përmendoren e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut nga italianët Giandomenico da Marchis e Mario Sena |
Me mbarimin e luftës, Asen Pejkov vendoset në Romë, ku e vazhdoi veprimtarinë e tij krijuese në stilin e shkollës vendëse, shkollës së Romës, sa pati jetë. Në galerinë që mban emrin e tij në këtë qytet gjenden mbi 1300 bocete veprash të realizuara. Njohjen ndërkombëtare ia dha monumenti i Leonardo da Vinci-t në Fiumicino, vepër fituese e një konkursi europian.
Asen Pejkov (Асен Пейков) dhe kryevepra e tij Leonardo da Vinci |
Nuk kemi mundur ta identifikojmë bocetin e paraqitur prej tij në konkurs përmes koleksionit të fotove jo aq të qarta që ruhen në Fototekën e AQSH. Por disa imazhe që shoqërojnë këtë kërkim mund të shërbejnë si nxitje për të thelluar krahasimet bazuar mbi pasurinë që ruhet në galerinë Asen Pejkov, via Marguta 21, Romë.
*
* *
Konkursi ndërkombëtar për përmendoren e Gjergj Kastriotit, organizuar në vitin 1937, në kuadër të festimeve për 25-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, zgjoi një interes të jashtëzakonshëm midis artistëve të rajonit. Mbi 70 vepra u paraqitën për konkurrim, 39 prej tyre plotësonin kushtet e parashikuara dhe 7 prej tyre u veçuan në fazën përfundimtare, prej të cilave dolën tre fituesit. Dy artistë vendës, Odhise Paskali e Abdurahim Buza, u përfshinë në shërbime të jurisë.
Për aq kohë sa konkursi u drejtua e vlerësua nga juria e posaçme e kryesuar nga dr. Mirash Ivanaj, u garantua qartësi dhe barazi në konkurrencë, bazuar në kriterin e vendimmarrjes së shumicës.
Me dorëheqjen e dr. Mirash Ivanajt vendimi i jurisë u anulua. Në vend të kroatit Antun Augustinčić fitues i çmimit të parë u shpall Giovanni-Domenico da Marchis dhe arkitekti Mario Sena, sipas vullnetit të Mbretit Zog. Vendimi u formalizua përmes një vendimi të komisionit qendror të festimeve, që mori dhe kompetencën e jurisë. Shpallja e fituesve u bë me vendim të Këshillit Ministruer. Ndërhyrja e A. Zogut shfaqet vetëm në letërkëmbimin e M. Ivanajt.
Procedimi i mëtejshëm, për të lidhur kontratën dhe shpallur fitues të konkursit një jopjesëmarrës, ndoqi rekomandimet e Ivanajt për një zgjidhje të butë.
Me Romano Romanelli-n kontrata për realizimin e monumentit u bë në vjeshtë të vitit 1938. Përmendorja nuk u arrit të vendosej ku ishte parashikuar, duke i dhënë dhe emrin e sotëm sheshit, sheshi Skënderbej, për shkak të ndërhyrjes ushtarake italiane në Shqipëri. Një variant i saj u vendos më 28 tetor 1940 në Piazza Albania në Romë, me praninë e Duçes e të përfaqësuesve të lartë shqiptarë.
Paqartësitë për fituesin u shkaktuan nga ndërhyrja e autoritetit mbretëror në përgjegjësitë e jurisë. Kjo ka bërë që të përmenden rregullisht e paradoksalisht tre fitues të çmimit të parë.
Përveç autorëve të përzgjedhur (jo për të gjithë), mungon informacioni për bocetet e përmendoreve të paraqitura, të cilat në tërësi i bashkon simbolika e përkrenares, me brirët e dhisë, totemit të heroit.
Nga Fondi i komisionit të 25-vjetorit të vetqeverimit, Fototeka e AQSH:
Kushtet e pjesëmarrjes në konkurs:
Për kontratën me skulptorin italian Romano Romanelli:
[1] Kujtim Buza, Skënderbeu ynë në shpirtin kroat: cili ishte Antun Augustinçiç [Augustinčić], mjeshtri kroat i skulpturës që fitoi çmim të parë për monumentin ekuestër të Skënderbeut në vitin 1937, në Shqip, e përditshme e pavarur, nr. 204, 26 korrik 2008, f. 39; po ai, Skënderbeu në duart e një bullgari: me rastin e 100–vjetorit të lindjes së skulptorit të madh bullgar Assen Peikov [Асен Пейков] – është rasti të kujtojmë një vepër të tij mbi heroin tonë kombëtar, në Shqip, e përditshme e pavarur, nr. 113, 26 prill 2008, f. 39.
[2] Për mospajtimet konceptuale midis jurisë dhe Mbretit lidhur me shpalljen e fituesit të konkursit kemi shërbyer të dhëna të hollësishme në shkrimin Mirash Ivanaj, portret i një shtetasi model (ministri që refuzoi Zogun e Enverin): cili ishte ministri i arsimit i mbretërisë shqiptare, në Gazeta shqiptare / La gazeta del mezzogiorno, nr. 2728, 2 mars 2004, f. 12-13. Për më shumë shih: Letër dërguar A. Zogut nga Mirash Ivanaj rreth polemikave për vendimin e jurisë (AQSH, F. M. Ivanaj, D. 12, fl. 25-26, Tiranë 17 shtator 1937); Procesverbale të mbledhjeve të jurisë për konkursin e shtatores së Skënderbeut (AQSH, F. M. Ivanaj, D. 12, fl. 1, 12, Tiranë 13-15 shtator 1937); Relacion përfundimtar i jurisë së përzgjedhjes së shtatores së Skënderbeut dhe mendimi i kryetarit të jurisë dr. Mirash Ivanaj (AQSH, F. M. Ivanaj, D. 12, fl. 9-10, 16-18, 23, Tiranë 15 shtator 1937); Vendime e mendime të Këshillit të Shtetit, të kryesuar nga dr. Mirash Ivanaj (AQSH, F. M. Ivanaj, D. 7, fl. 1-2, 13-16, 21-27, Tiranë, 1937).
[3] Ferid Hudhri, Arti në vitet e mbretërisë, në ExLibris, e përjavshme letrare e kulturore, 31 maj 2022).
[4] Të konsiderohet i rrezikshëm udhëtimi nëpër Shqipëri i disa italianëve që cilët kanë shkuar në kazanë e Himarës për të kërkuar gjenealogjinë e Skënderbeut (Arkivi Osman i Stambollit – AOS: Box 282, F. 72, V. 1902); Të mos të lejohen t’u mbajnë fjalim shqiptarëve në Bari Alehandro Kastrioti dhe Filip Kraja nga Shkodra (Arkivi Osman i Stambollit – AOS: B. 130, F. 41, V. 1906); Të vërtetohet informacioni që disa persona nga Shkodra do të shkojnë në Bari për t’u takuar me banditin Alehandro Kastrioti (Arkivi Osman i Stambollit – AOS: B. 337, F. 93, V. 1906); Në lidhje me shtetasin austriak Jozef, i cili ka kopjuar disa shkrimet në muret e një kishe dhe manastiri të Krujës dhe më pas ka shkuar në qytetin e Lezhës për të gjetur fotografinë e Skënderbeut (B. 196, F. 45, V. 1896); Listë pronash të xhamisë në emër të Skënderbeut në qytetin e Ohrit (AOS, B. 59, F. 26, V. 1881); Urdhër për shpenzime të nevojshme në postëblloqet e xhandarmërisë dhe nëpunësve të pasaportave që do të ndërtohen në disa vende në kazatë e Tiranës, Kavajës dhe Peqinit për të kontrolluar lëvizjen e njerëzve të Skënderbeut (AOS, B. 1021, F. 6, V. 1866); Në lidhje me të quajturin Alehandro Kastrioti, që pretendon se është pasardhës i Skënderbeut, ish–prijësit të Shqipërisë (B. 289, F. 10, V. 1864); Sanxhakbeu i Ohrit dhe kadiu i Krujës të ndëshkojnë 50-60 banorë të Krujës, që nuk u përgjigjen urdhrave të tyre duke thënë se “ne jemi pasardhës të Skënderbeut, nuk i jemi bindur dhe nuk i bindemi kujt” (AOS: B. 30, F. 685, V. 1577); Të hetohet një person i kazasë së Durrësit, që akuzohet se furnizon flotën frënge në vendin e quajtur “kulla e Skënderbeut” (1576).
[5] Pashk Trashani / Pasco Trasciane, nënshtetas osman po bashkëpunon me Alehandro Kastriotin: në Mal të Zi po mblidhen arbëreshë të Italisë që të sulmojnë papritur Shkodrën (1908); Në Durrës bëhet kontrabandë armësh për llogari të Kastriotit (1906); Është arrestuar si njeri i Kastriotit në Itli njëfarë Koka nga Shkodra (1906); Alehando Kastrioti vazhdon të pretendojë se është princi i Shqipërisë (1906); Telegram në lidhje me përmbajtjen e letrës që Kastrioti i ka dërguar një murgu në kishën e Blinishtit (1904); Në lidhje me letrën që Alehandro Kastrioti u ka dërguar murgjve të kishës së Pultit (1904); Të hetohen fshehtas njerëzit e Aleksandër Kastriotit, si Aleksandër Naçi dhe i vëllai i tij, si dhe Ismail Qemali (1903); Dërgohen telegrame me fotografinë e Alador Kastriotit (1902); Posta italiane të mos lejojë që dërgimin e sendeve postare në me fotografinë e Alehandro spanjollit, i cili pretendon se është pasardhës i Kastriotëve (1902); Të merren masa që personi i vetëquajtur Alehandro Kastrioti, i përzënë nga Parisi, të mos hyjë në Shkodër (1902).
[6] Shih për këtë vendimin nr. 1198 datë 9.X.1937 të Këshillit Ministruer për shpalljen e fituesve të konkursit për monumentin e Skënderbeut (ruhet në AQSH). Për më shumë shih në koleksionin e dokumenteve që ruhen në AQSHVendime dhe korrespondencë midis Kryeministrisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për lidhjen e kontratës me Italinë për përgatitjen e monumentit të Skënderbeut.
[7] Leter of dr. Davorin Vujčić, Fabruary 2025: Drago Galić (Zagreb, 1907-1992), was very important Croatian architect. He graduated on the Academy of Fine Arts in Zagreb (D. Ibler). In 1947–76, he was professor at the Faculty of Architecture in Zagreb and member of Yugoslav Academy of Science and Art (JAZU; now Croatian Academy of Science and Art – HAZU) since 1950; he led the Master Workshop for Architecture JAZU 1964–84. Accepting new orientations, he very early became an active participant in the creation of the interwar Zagreb school of architecture; in his projects, he interpreted traditional elements with contemporary architectural language, while he confirmed a completely new approach to the design of space with the project of residential buildings and tender works. In 1934, he exhibited with the group art group “Earth” (“Zemlja” in Croatian). After 1945, he successfully engaged in pedagogical work and designed industrial, hotel, school and residential buildings. He often collaborated with Antun Augustinčić on the construction of memorial structures (Monument of Gratitude to the Red Army in Batina, 1945; Monument to the Peasants’ Revolt and Matija Gubec in Gornja Stubica, 1973). Even before the WWII, Augustinčić and Galić won first prizes for the construction of monuments with their joint sculptural architectural solutions, but these solutions remained unfinished due to the outbreak of war (Monument to the Silesian Uprising and Marshal Pilsudski for Katowice, Monument to Skenderbeg for Tirana).
[8] Për dorëheqjen e parë dhe më të rëndësishmen, për shkak të qendrimit refuzues të A. Zogut ndaj ideve reformatore të M. Ivanajt për një shkollë kombëtare dhe përjashtimisht me programe në shqip (me përjashtim të mësimit të gjuhëve të huaja), duke përfshirë shkollat fetare, shih: Akt i dorëheqjes së dr. Mirash Ivanajit nga posti i Ministrit të Arsimit (AQSH, F. M. Ivanaj, D. 6, fl. 1-3, Tiranë 1935). Më herët: “Nevoja e një reforme”, ekspoze e dr. Mirash Ivanajit paraqitur Ministrisë së Arsimit (AQSH, F. M. Ivanaj, D. 20, fl. 23, 41, Shkodër maj 1925); Njoftim mbi krijimin e kabinetit të ri qeveritar, ku bën pjesë edhe dr. Mirash Ivanaj (AQSH, F.195, V. 1933, D. 21, fl. 2, Tiranë, 12 janar 1933).
[9] Për më shumë shih: Letër dërguar A. Zogut nga Mirash Ivanaj rreth polemikave për vendimin e jurisë (AQSH, F. M. Ivanaj, D. 12, fl. 25-26, Tiranë 17 shtator 1937). Gjithashtu: Sh. Sinani, Mirash Ivanaj, portret i një shtetasi model (ministri që refuzoi Zogun e Enverin): cili ishte ministri i arsimit i mbretërisë shqiptare, në Gazeta shqiptare / La gazeta del mezzogiorno, nr. 2728, 2 mars 2004, f. 12-13.
[10] Këtë çështje e kemi shtjelluar gjerësisht në studimin Milan pl. Šufflay dhe Acta Albaniae III, botuar në librin Ura dhe kështjella, Tiranë 2006, f. 168-178; si dhe në disa artikuj më të hershëm: Milan Šufflay dhe Balshajt e Shkodrës: “Acta Albaniae III” – një udhërrëfyes i shkëlqyer; në Korrieri, e përditshme, nr. 277, 27 nëntor 2002, f. 19; M. Šufflay, shkencëtari që u vra për Shqipërinë, në Ballkan, revistë e pavarur kulturore, satirike, panballkanike, nr. 268, 24 nëntor 2002, f. 8-9; Šufflay shpëtoi nga zhdukja dëshmitë ilire: “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia, III”, në Ballkan, nr. 294, 25 dhjetor 2002, f. 18-19. Letërkëmbimi midis albanologut dhe Mit’hat Frashërit, si dhe testamenti i Šufflay-t për lënien në trashëgimi të shtetit shqiptar të dy veprave kryesore të tij janë botuar më herët nga studiuesi kroat Darko Sagrak, biograf i tij, në Izabrani eseji, prikazi i članci Milana Šufflaya (Zagreb 1999) dhe Izabrani eseji, rasprave, prikazi, članci i korespondencija Milana Šufflaya (Zagreb 2000). Honorari që iu ofrua këtyre dy personaliteteve për vepra shkencore e letrare, Šufflay-t (1927) dhe Romanelli-t (1938), qendrojnë në krye të listës së të gjitha mbështetjeve shtetërore shqiptare të të gjitha kohërave.
[11] Përmbajtja e plotë e letrës: Dear prof Sinani, Thank you for contacting us and thank you for your interest in Augustinčić’s work. Unfortunately, we do not have much information about the Skanderbeg monument in our museum documentation. We know that Augustinčić won 1st prize in an international competition in 1938., out of over 70 competitors. The model of the monument shows Skanderbeg on a rearing horse, and on the socle there is a female figure with a lowered sword in her right hand and a raised shield in her left hand. Augustinčić was likewise entrusted with the erection of the memorial, but this was thwarted by Mussolini’s invasion of Albania. Also, unfortunately, we do not know where that model for the monument is today. In later years, Augustinčić interpreted this type of monument in different variants. I am attaching a photo of the model, from our museum documentation, taken by Croatian photographer Tošo Dabac. If you want to publish it, please, let me know. Sincerely, dr. sc. Davorin Vujčić, kustos, MHZ – Galerija Antuna Augustinčića.
[12] Titullimi i veprës me një moto ishte një nga kërkesat e pjesëmarrjes në konkurs, krahas tipologjisë së veprës (monument), përmasave reale të përmendores dhe përmasave minimale të modelit (bocetit), afatit, mënyrës së gjykimit, teknologjisë së derdhjes (tunxh).