Përgatiti Shqiptar Oseku (Stockholm, Suedi)
Një vajzë e lindur në një katund të izoluar, thotë urtësia konvencionale, s’është e predestinuar për madhështi. Lëre më kur lind me të meta, e në familje alkoolisti. Kjo tirani e pritshmërive të ulëta është gjithmonë aktuale, sidomos në mjedise patriarkale e klasore, ku gratë e devijimi përbuzen, e ku ligjin e bëjnë leku dhe ndikimi i burrave të fortë. Shkrimtarja suedeze Selma Lagerloef, e cila e ka përvjetorin e vdekjes këtë muaj, do t’i kontestonte këto pohime flakë për flakë.
Selma Lagerloef u nis nga fillimet më modeste, e arriti majat më të larta të famës e madhështisë. Njëherit, ajo ia përkushtoi krijimtarinë e vet letrare eksplorimit artistik të personave të skaduar, të thyer e të dëmtuar, duke i ngritur këto figura hijesh në kryepersonazhe letrare, etike e morale: ajo u mëkëmbte atyre në fiksionin letrar dinjitetin prej të cilit privoheshin në botën e njëmendtë. Me 12 libra të botuara, Selma Lagerloef u bë më 1909 gruaja e parë në botë e cila fitoi fitoi çmimin Nobel në letërsi. Kur vdiq në moshën 81 vjeç, më 16 mars 1940, gruaja nga katundi kish botuar 29 libra, edhe 2 të tjerë do t’i botoheshin pas vdekjes. Njëherit, ajo kish arritur të bëhet edhe gruaja e parë në akademinë suedeze, e pena më e popullarizuar e një vendi me traditë shkrimtarësh.
E pra kur lindi Selma Lagerloef, më 20 nëntor 1858, në një çiflig të vogël në provincën Vaermland, askush s’mund ta kish parashikuar gjithë atë të ardhme. Vajza e porsalindur ishte fëmija e pestë në një familje mjetesh modeste. I jati ishte oficer i alkoolizuar, e ëma amvise. Selma, si u pagëzua kërthiu, kish lindur me një të metë në ashtin e kërdhokullës, e cila do t’i fanitej gjatë tërë jetës. Kur Selma e vogël ishte 3 vjeç ajo u godit nga një paralizë, e cila do të zhukej më vonë njësoj papritur siç i ish shfaqur. Sjellja e të jatit e ngarkon poashtu vajzën me siklet e me turp. Gjatë viteve formative të fëmijërisë, Selma s’e pati kurrë të lehtë të shoqërohet me fëmijë tjerë. Ajo lexon te dritarja, luan në kopsht me kafshët ledhatare, ëndërron syhapur në livadhet rreth shtëpisë. Por nuk ndihet e vetmuar. Imagjinata e saj gëlon. Në sfond është gjithnjë shtëpia e fëmijërisë. Selma e vogël e përfytyron atë si kështjellë, fole, e shpellë cubash.
Fatmirësisht, e ëma e Selmës ishte lexuese e apasionuar, që ushqen imagjinatën e së bijës. Shtëpia e familjes ishte plot libra. Nga kujtimet e familjarëve e dimë se Selma e kish lexuar tërë Biblën në moshën 10 vjeç, pse mendon se Zoti do ta shpërblejë duke i shëruar të jatit alkoolizmin. Selma nisi të shkruajë poezi në moshën 12 vjeç. Në moshën 13 vjeç, një kushërirë e mahnitur e këshillon të provojë prozën. Selma e shkruan rrëfimin e parë në moshën 14 vjeç. Kryepersonazh i rrëfimit janë shtëpia, babai, e kafshët ledhatare. Me gjithë shpresat e lutjet e dëshpëruara, Zoti nuk i ndihmon të jatit dhe vajza e vogël pëson një krizë të besimit.
Selma del së pari prej fshatit në moshë 15 vjeç, për të marrë fizioterapi në Stokholm. Në kujtimet e veta dekada me vonë Selma, tashmë në panteon të letërsisë, përshkruan stepjen që pëson vajza adoleshente nga udhëtimi përrallor me tren, e nga takimi me dritat e gjallërinë në kryeqytet të mbretërisë. Ajo e përshkruan këtë eksperiencë si përjetim magjik, një vajzë kalon portën e vogël me ngjyra të ylberit dhe del në nje botë të madhe matanë çdo përfytyrimi. Selma katrrithet me mish e me shpirt pas kësaj eksperience. Ajo adhuron shtëpinë e fëmijërisë, kështjellën, folenë, e guvën e vet, por e di që s’mund të rrijë aty gjithë jetën, nën hijen mbytëse të një plaku alkoolist. Ajo shkon sërish në Stokholm në moshën 24 vjeç, duke sfiduar vullnetin e të jatit, për të studiuar mësuesinë. Thyerja përfundimtare me të jatin ndodh një vit më vonë, kur pija e rakia e tij detyrojnë familjen ta shesë shtëpinë. Pa pritur e pa kujtuar, Selma ngel pa rrënjët e veta: pa shtëpinë, pa kështjellën, pa folenë e shpellën e vet të kujtimeve. Vdekja e të jatit i shkakton mësueses e shkrimtares së re një traumë, pse e privon nga çdo mundësi pajtimi.
Mirëpo, Selma ka atë gen krijues që shndërron çdo humbje në triumf artistik. Ndërsa nis të punojë si mësuese, në kohën e lirë ajo kanalizon gjithë dhimbjen, pikëllimin e zhgënjimin e vet në një varg tregimesh, që botohen në shtypin letrar të kohës. Selma Lagerloef bëhet emër i njohur ndër lexuesit suedezë pikërisht në orën e vet të zorit. Saga e suksesit nis me një çmim letrar, që Selma e fiton në moshën 29 vjeç. Në moshën 33 vjeç ajo boton romanin e vet të parë, i cili është përkthyer në 50 gjuhë por mjerisht ende jo në shqip. Romani i ndarë në dy pjesë me 36 krerë quhet pararendës i realizmit magjik, narracioni gëlon nga episode të mbinatyrshme. Kryepersonazh i veprës është një prift i alkoolizuar e suicidal, që lëkundet midis lëndueshmërisë njerëzore dhe një fuqie pothuajse të mbinatyrshme, demonike, mbi njerëzit përreth. Një nga personazhet e librit është Djalli, me të cilin prifti lidh një pakt fatal. Personazhet tjerë të librit janë të gjithë njerëz me cene, por përshkruhen nga Selma me një afërsi e ngrohtësi që puqet me dashurinë agape të perëndisë biblike. Romani i hap Selmës qarqet e snobistëve letrarë, ndërsa e popullarizon në radhët e lexuesve të thjeshtë. Sidomos gratë e kohës frymëzohen nga guximi artistik i Selmës. Triumfi i saj kumton se po gdhin një kohë e re ku gjithçka është e mundur edhe për gratë.
Tre vjet më vonë, më 1894, Selma Lagerloef e kalon provimin artistik, duke botuar një roman të dytë që i konfirmon talentin. Vijojnë një përmbledhje novelash, një libër për një Antikrisht sicilian që ndihmon njerëzit përnjëmend e jo vetëm me fjalë, si dhe një libër për gratë e forta që mbretërojnë në një qytezë imagjinare. Një dashuri që ngel e panjohur gjer në ditë të sotme frymëzon një libër tjetër të radhës, ku një vajzë shëron me dashuri një student të fantaksur. Këtu dashuria biblike puqet sërish me atë tokësore në martesë artistike, për të shëruar plagë e pësime të pandreqshme. Romani i fuqishëm në dy vëllime Jerusalem (1901-1902) është dëshmi e forcës shprehëse të Selmës. Aty rroket në mënyrë ngjethëse radikalizimi fetar i njerëzve të varfër, njerëz pa pronë, pa lekë, e goxha shpesh të pamend, që braktisin vendlindjet e veta për t’u shpërngulur në Tokën e Bekuar. Selma Lagerloef shkruan për një fenomen të hershëm në Suedinë e kohës, por rrëfimi rrëqethës e tragjik ka shumëçka për t’i thënë edhe brezit tonë, me radikalizëm fetar dhe dyndje qorre drejt Lindjes së Mesme. Rrëfimi mbaron me riathesim të një çifti të mërguar. Ata kthehen por ngelin mërgimtarë edhe në shtëpi të vet, e mbajnë në vete përgjithmonë tërë traumën e një katastrofe.
A është njeriu në gjendje të mësojë diçka nga gabimet e veta? Mësuesja Selma Lagerloef, e rritur në atmosferë iluministe, do të përgjigjej gjithsesi po. Një nga kryeveprat e saj është ”Udhëtimi i mrekullueshëm i Nils Holgerssonit nëpër Suedi”, që është përkthyer tri herë në shqip. Përkthimi i fundit nga Entela Tabaku Sörman (Albas, Tiranë 2017) ka përparësinë se është përkthyer nga një poete e gjuhëtare profesioniste që jeton në Suedi, e se ngërthen për herë të parë tërë librin në version të pashkurtuar. Ky libër ka edhe një rrëfim fantastik për rrëfimin. Selma Lagerloef ishte në fakt e kontraktuar nga ministria e edukimit për të shkruar një libër gjeografie për shkollat fillore. Rezultati, një libër pedagogjik me kryepersonazh një çun mistrec, Nils Holgersson, që ngacmon një xhuxh magjik dhe nga ai shndërrohet si dënim në një piciruk. Ai s’vërehet më nga të rriturit por që mund të flasë me fëmijë, me kafshë, e me shpendë. Natyrisht, Nilsit i duhet të ndërmarrë një udhëtim plot peripeci nëpër të gjitha viset e Suedisë – detyrë kjo shumë e përshtatshme për një libër gjeografie – nëse do ta fitojë faljen e xhuxit dhe ta pezullojë magjinë.
S’do mend se ”Udhëtimi i mrekullueshëm i Nils Holgerssonit nëpër Suedi” më 1906 bëri një tërmet te kritikët dhe te lexuesit e kohës. Kreativiteti i Selmës, gjeniu i saj origjinal dhe aftësia e pashoq për të ndërtuar narracion të shtyrë nga psikologjia e personazheve, me një qasje plot ngrohtësi e simpati për të vegjëlit, fatprerët, e të nëpërkëmburit, u ofronte bashkëkohasve leksione falas në letërsi, por edhe në etikë dhe edukatë qytetare. Pena që kish shkruar Nils Holgerssonin ishte ajo e mësueses, por dukej qartë se mbahej në dorë të sigurt të një gjeniu të letërsisë. Botimi i Nils Holgerssonit ndikoi fuqishëm që akademia suedeze t’ia ndante Selmës çmimin Nobel për letërsi tre vite më vonë, më 1909.
Selma Lagerloef vazhdoi të shkruajë, duke kapërcyer pa u lagur atë që kritikët e quajnë ”mallkim i Nobelit”. Autorët që nderohen me këtë çmim shpesh herë humbasin cilësinë e shkrimit. Nëse bën të parafrazoj një shprehje të Kadaresë për Fishtën, madhështia nganjëherë mund të bëhet si rrasë e varrit që hedh në hije kreativitetin. Por Selma ish e bërë nga një lëndë e veçantë. Me lekët e çmimit ajo blen sërish shtëpinë e fëmijërisë, kështjellën e vet të dikurshme. Aty ajo vendoset të banojë me shoqen e shpirtit, sot do të thonim hapur me të dashurën e vet, shkrimtaren Sofie Elkan. Ajo lexon e shkruan sërish te dritarja e fëmijërisë, luan prapë në kopsht me kafshët ledhatare, ëndërron prapë syhapur në livadhet rreth shtëpisë. Ky kthim tek rrënjët i hap portat një deti kreativ, Selma Lagerloef shkruan gjatë këtyre viteve në pothuaj të gjitha zhanret e letërsisë. Por dyert e shtëpisë ngelin të mbyllura për burra. Gjer në vdekje të veten dekada më vonë, burrat janë të ndaluar pa dallim të shkelin pragun e shtëpisë të nobelistes Lagerloef.
Më 1914, pasi ka botuar 5 përmbledhje novelash për 5 vjet me kërkesë nga botuesi, Selma Lagerloef boton sërish një kryevepër të radhës. ”Perandori i Portugalisë”, edhe ky mjerisht i papërkthyer në shqip, është rrëfim i një familjeje të shkatërruar. Libri kap si lajtmotiv dashuritë e mangëta, pamundësitë e fjalëve, e fijet e padukshme të fajit, turpit e dashurisë që lidhin njerëz të korrur në mes nga një fat i pamëshirshëm. Kryepersonazhi është një baba i vetmuar në një qytezë të vogël gjithë paragjykime, i cili ka luajtur nga mendja prej ikjes së të bijës. Nga qyteti i madh në largësi vijnë thashetheme se e bija është prostitutë. Babai që s’ikën dot nga lëkura e vet, merr arratinë në një botë të fantazisë ku ai është perandor dhe e bija princeshë e mërguar që do të kthehet në fron. Bëhet fjalë për një metarrëfim të shtyrë nga psikologjia e personazheve, cifla të thyera dhembjesh që përgjakin këdo që kërkon të ndihmojë. Pas botimit të Perandorit të Portugalisë, më 1914, Selma Lagerloef ftohet si gruaja e parë që të zë një ulëse të veten në akademinë suedeze.
Selma vazhdon të shkruajë gjër në vitet e fundit, ndonëse në ritëm jo njësoj të ethshëm si në vitet menjëherë para e pas çmimit Nobel. Midis tjerash veprën ”Bannlyst” (në shqip: I leqituri, 1918), një rrëfim i errët për dhunë familjare e kanibalizëm, i cili botohet në prag të Luftës së Madhe. Selma Lagerloef është si një antenë sensitive e kthyer drejt së ardhmes, e cila thuase parandien thepisjen e plotë të njerëzisë dhe qytetërimit që po vinte. Vepra shkaktoi shok dhe recensa të ashpra me të botuar. Selma po përdorte një gjuhë me të cilën s’ish mësuar midja e kritikëve të kohës. Por lufta e transheve dhe kërdia që do të niste pak muaj më vonë do të hidhte në hije recensat sqimatare. Pothuajse njëqind vjet më vonë, më 2019, akademia suedeze t’i jipte çmimin Nobel një tjetër gruaje, Elfride Jelinek, që kish guxuar të gërmojë në puset e përbindshme të errësirës njerëzore.
Selma Lagerloef është 80 vjeç kur nis Lufta e Dytë Botërore, një kasaphanë të cilën ajo e pret si fund biblik të botës. Në një akt final fisnikërie, Selma shkrin një pjesë të madhe të pasurisë për të shpëtuar talentin Nelly Sachs nga shkrumboret e nazistëve në Auschwitz. Librat e hershme të shkrimtares e poetes Nelly Sachs ishin djegur nga nazistët në turrat famëkëqia të librave më 1933 dhe ajo vetë ishte shenjuar për t’u vrarë. Selma Lagerloef, që ndodhej në prag të vdekjes, përdor gjithë autoritetin që kishte për të shkëputur poeten e re nga nofullat e vdekjes. Nelly Sachs lejohet të ikën në Suedi më 1940, pak ditë para vdekjes së Selmës. Më 1966, Nelly Sachs do të fitojë çmimin Nobel për letërsi.
Por Selma Lagerloef nuk do të arrijë dot ta takojë të mbrojturën e vet. Mbrëmjen e të enjtes më 7 mars 1940, ajo i dëfton së motrës se nuk ndihet mirë, e shkon të pushojë. Atë natë Selma pëson një sulm në tru, e ngel me agoni në shtrat mëse një javë. Më 16 mars 1940 mbaron jeta e saj. Vajza e vogël nga fshati, që kish lindur me të meta fizike në një familje alkoolisti, ish bërë yll i letërsisë dhe model për mijëra tjera, duke i falur njëherit botës shembuj të panumërt arti e humanizmi.
Në epokën para televizionit masiv, varrimi i saj u ndoq në radio nga mbarë Suedia, e nga dashamirët e letërsisë kudo nëpër botë. Pse ishte shkrimtare e mrekullueshme, pse ishte njeri etik e moral, e pse ishte grua e fortë. Ajo qëndroi e pamartuar në kohë konvenancash, e ruajti me këmbëngulje zërin e vet gruenor në një mjedis të ngulfatur nga sedra burrash.
Selma Lagerloef kish kërkuar që ta varrosin në fshatin e lindjes dhe të dashurit e saj ngulmuan që t’i respektohej amaneti, ndonëse akademia insistonte për një varrim pompoz në kryeqytet. Ajo kish kërkuar të prehet afër shtëpisë së vet të dashur: pranë kështjellës, folesë, e guvës së vet. Shtëpia ku lindi e jetoi Selma Lagerloef është sot shtëpi muze, ndër më të vizituarat në Suedi. Adhuruesit duan të shohin dritaren ku ajo ulej për të lexuar e shkruar, kopshtin ku luante me kafshët ledhatare, livadhet ku ëndërronte syhapur. Portreti i Selmës ka qenë në kartëmonedhat e qindarkat suedeze, piktura e skulptura të saj ndodhen nëpër muze e mjedise urbane suedeze, e me emrin e saj është pagëzuar edhe një asteroid, si dhe një krater në Venerë. Sidomos emërtimi i asteroidit, them se i shkon mirë: Selma Lagerloef është gjeniu që ndriçoi qiellin letrar dhe vazhdon të kthehet rregullisht në duart e lexuesve.