Kreu Letërsi Shënime mbi libra Sarë Gjergji: Arti që shenjtëron

Sarë Gjergji: Arti që shenjtëron

Emri i Prend Buzhalës, në historinë e letërsisë shqipe dhe kulturës shqiptare përgjithësisht, lidhet me studiuesin e letërsisë, kritikun letrar, eseistin, poetin, prozatorin e publicistin. Është zëri më i veçantë, tejet i fuqishëm e me shumë ndikim, që tek lexuesi përcjell me shumë përkushtim dhe kompetencë të lartë profesionale, rrjedhat e gjithmbarshme jo vetëm letrare e kulturore.

“Dy format e krijimtarisë së Prend Buzhalës: studimi i letërsisë dhe përftimi i veprave letrare poetike e ndihmuan dhe e plotësuan  njëra – tjetrën dhe të dyja së bashku bëjnë tërësinë dhe plotninë e figurës së tij krijuese dhe i sigurojnë atij një vend të qenësishëm në letërsinë tonë.” Kështu shprehet studiuesi i  mirënjohur i letërsisë, Anton N. Berisha, në parathënien e vëllimit poetik Psherëtima pergamene, poezitë e së cilës edhe i përzgjodhi.

Vepra në fjalë, është një dramë më vete, e cila duket se vjen nga fillimi i botës, ose nga vendi (amë) ku fillon jeta dhe vdekja, drita dhe terri, miti dhe realiteti, dashuria dhe urrejtja, liria dhe lufta, njerëzorja dhe hyjnorja; vjen si një proces e rrugëtim i pandërprerë i kohëve, i pikave kulminante që kanë pikasur ato.

Libri është ndarë dhe sistemuar në nëntë cikle me gjithsej 140 poezi dhe në fokus ka çështje nga më të ndryshme të jetës dhe artit.  Ndonëse poezitë vijnë nga libra të ndryshëm të Buzhalës,  elementi kryesor i përbashkët është syri kritik mbi realitetin dhe një ton plot ngjyra, kur ironik e përcëllues, kur me një kolorit pranveror.

Buzhala zgjedh tema, ngjarje e dukuri të larmishme, tunduese e intriguese, që sa lidhen me aktualitetin, po aq reflektojnë edhe të kaluarën e mitiken. Temat, ndërkaq, sa përkojnë me botën amë, po aq janë dhe universale. Poezia lind nga ankthet e tij, nga vëzhgimi i tij i saktë i kohës dhe hapësirës (F. Matos)

Libri flet për shumëçka që kemi harruar e për gjithçka që nuk duam të themi, duke shpërfaqur kështu, një mendje të uritur (të autorit) për drejtësi dhe integritet në të gjitha rrafshet e nivelet.Pikënisje e shumë poezive, shpesh është kontrasti midis dritës dhe errësirës. Është një lloj shtytje imagjinare në tema të densitetit të thellë, në një moment kur qenia jonë (si individ, shoqëri e komb, në raport me vetveten dhe të tjerët) tregon shenja stërkeqjeje. Ato i trajton me një gjuhë mjeshtërisht  të jashtëzakonshme.

Kushdo që e njeh Prend Buzhalën, pajton me mendimin se ai shquhet për një konceptim të veçantë të jetës dhe artit. Vetë vargu buzhalian, poetika e tij, lë mundësi për një shumësi interpretimesh. Gjuha me fuqinë e saj, në poezinë e Buzhalës, mundëson ndërtimin e imazheve të shkëlqyera poetike, ndërkaq metafora, mes burimeve të tjera, e pasuron jashtëzakonisht shumë mesazhin. Këto, bashkë me simbolet dhe figurat e shumta, ironinë, sarkazmin, paradoksin, alegorinë, epitetin, antitezën, kontrastin, paralelizmin, pyetjet retorike, etj., janë përtej një mikrokozmosi në veprën tejet komplekse dhe shumështresore të Buzhalës. Vërtet, siç do shprehej Lotman, teksti poetik paraqet një strukturë komplekse artistike. Si i tillë, në vëllimin poetik Psherëtima pergamene, shtron shumë çështje e hap shumë dilema, edhe të natyrës ekzistenciale.

Poezia e tij është jo vetëm moment, jo vetëm çast shenjtërimi i gjendjes, i qenies sonë. Fjala, së cilës i këndon, në analogji më filozofinë biblike, në këtë vepër është e shenjtë e shenjtëron për amshim:

Fjalën  shqipe s’ke si ta pjesëtosh, as gjakun si ta ndash së bashku me prangat.

Ati ynë, mund të shkojmë në kalvar, vetëm të jetojë  Fjala Shqipe.  (Kur erdhi çasti i ringjalljes, Atë Luigj Palajt)

***

Poezia e Buzhalës sjell historinë, përditshmërinë dhe realitetin, kohë, ambiente e kultura të ndryshme, në një mënyrë të përpunuar dhe mahnitëse poetike, duke përftuar një realitet të ri poetik. Vargu i tij kërkon një marrëdhënie më të sinqertë me vetë natyrën tonë, me të tjerët e me gjithçka tjetër; një poezi që, pareshtur, na sjell sfidën për të kërkuar pak më shumë nga vetja jonë.

Buzhala në poezinë bashkëkohore shqipe është edhe një shembull i mrekullueshëm se si mund ta shkurtojmë vargun pa humbur bukurinë e poezisë (poezitë Haiku…).

Vërtet, lexuesi mbahet peng i vargut mahnitës të Buzhalës.

Autori këndon e rrëfen me një urtësi të gjallë, me një urtësi solomonike. As shpreh ekzaltim, as ftohtësi të tepruar. Nëse gjërat për të cilat shkruan, në dukje janë të përkohshme (në fakt edhe gjërat e vogla dalin të jenë gjigante në poezinë e P. Buzhalës), arti i tij është i përjetshëm. Gjithçka ka një masë dhe një rend të mirëmenduar.

Arti i tij është fruta që duhet korrur e shijuar; është një pemishte vargjesh që ngërthejnë brenda vetes aq shumë diell e dritë edhe kur flet për terr e demonë.

Si i tillë, vargu i Buzhalës vjen edhe si një lloj katarse që pastron e fisnikëron shpirtin.

Duke njohur mendimet e Platonit e të Aristotelit për filozofinë dhe artin poetik – poezinë, mund të themi se Buzhala në këtë vëllim poetik na vjen edhe si filozof (i denjë për  shtetin ideal Platonit), edhe si poet. Ndërkaq, në pajtim me pohimin e H. Bloomit se poezia është një thirrje profetike që meriton pa diskutim kurorën e letërsisë imagjinare, atëherë mund të themi me plot gojën se vëllimi poetik Psherëtima pergamene është dëshmia më e mirë e kësaj kurore.

Exit mobile version