Kreu Opinion Xhevair Lleshi: Ditë leximesh në parkun e madh të liqenit

Xhevair Lleshi: Ditë leximesh në parkun e madh të liqenit

Ditë me diell të bukur. Puku, vogëlushi Puku, që zakonisht prehet mes librave dhe lodrave, kësaj radhe zgjodhi të bëjmë së bashku me mua një shëtitje nga liqeni. Vetëm kur mbërrita tek Teatri Veror m’u duk se ai duhet të ishte njoftuar (ndoshta prej facebook-ut të tij të çuditshëm!) për të lexuar librin e ri të afishuar në anën e majtë të rrugës buzë liqenit. Puku vuri putrën e vogël te pllaka e llamarintë ku ishte shkruar : «Shëtitje e tregimeve» 1-21 qershor, Parku i Madh i Liqenit, për fëmijët – dhe të rriturit, për të shijuar leximin dhe natyrën në të njëjtën kohë. Por Puku nuk po donte të largoheshim më tej. Kishte ngelur diçka? Po. Ishte edhe teksti anglisht. Puku e çoi, ngritur vertikalisht, i mbështetur në dy këmbët e pasme, me putrën e bardhë si bora mbi shkronjat anglisht: «Dog’s colorful day» nga Emma Dodd.» Më tej Puku qeshi. Dielli edhe ai qeshte. Frynte një fllad i lehtë pylli. Diçka e mahnitshme. Me këtë fllad duket se gjithçka filloi dhe mbaroi. Dhe bashkë, të dy, i lexuam ngadalë, në të dy gjuhët. E mora në duar Pukun e vogël, zemra e të cilit punonte me ngut të madh, me një tik-tak që të kujtonte orën e krevatit të gjumit, si në një çast dashurie të krisur. Ndërkohë dëgjonim muzikë klasike në kufje dhe gati ishim të këndonim të dy (e ç’këngë do të qe! Gati pa zë dhe në diell. Dielli i qershorit në Tiranë dhe sidomos në Parkun e Madh të Liqenit është i Jashtëzakonshëm!). I lexuam të 16 pllakëzat e llamarinta, me ngjyra. Dhe, edhe shëtitjen e bëmë po edhe lexuam një histori me qenush. Puku shikonte me një lloj egoje qenushin e tregimit dhe vihej re tek ai xhelozia. Xhelozi qeni! Kohë leximesh në park. Filloi, thashë me vete, një kohë e shkujdesur, thjesht për të përmbushur një kënaqësi të paprovuar më parë…

Më kujtohet kur shëtisnim me Nensin e vogël, mbesën, para njëzet vitesh në buzë të këtij liqeni, por ja që u deshën njëzet vjet të gjejmë një tregim të parë. Një nga miqtë e mi, më ngacmoi: E mo, u je vënë leximeve? Ç’të bësh! – iu përgjigja. E ka fajin Lali Eri dhe shpirti i tij krijues. Nëse e ka krijuar Lali Eri, unë i them një Bravo të madhe! Ashtu siç i thashë po këtë bravo, teksa shëtita me Pukun e vogël me treninon plot me pasagjerë (me gjyshër e fëmijë!), shoqëruar me foto pa fund, nën një gjelbërim që ta mbush shpirtin plot, po edhe me ajër të mrekullueshëm… Sa mbaruam leximin, në rrugën përplot hije dolën me vrap nga pylli vajzat e një skuadre volejbolli me veshje sportive. Një grup vajzash të bukura, pa pikën e grimit, me një freski të mrekullueshme (edhe Puku e pati zili!), paksa të djersitura, me pikla djerse si pikla vese në qerpikë dhe me buzët e ngarkuara me të kuq gjaku, më të kuqe se trëndafilat që bëjnë merak njerëzit tek «Dinasty» në rrugën e Kosovarëve, drejt Digës së Liqenit, përballë dy kullave harkore, siç thonë të Ndragetës… I thashë edhe Pukut se ato kurme gati më dukeshin si të punuara me dorë, aq fine e të zhdërvjellëta ishin, ndërsa vraponin lehtë në bulevardin tekanjoz të liqenit, i cili duket po aq i jashtëzakonshëm edhe në ditët me shi… I shikoja nga afër dhe po më merrej fryma prej një tundimi të fortë. Po ti? – sikur më thoshin sytë e Pukut me një thërrime trembjeje. Pastaj na rrëmbeu muzika klasike e kufjeve dhe u harruam prej saj. Befas po fishkëllente flladi. Dikush na krijoi rrymë në vrap e sipër, ishte një sportist truplartë, e pa Pukun që iu gafrrua dhe ai, sportisti, u përkul duke e puthur qenushin e bukur me emrin Puku. Tani më ngacmojnë veç aventurat e Pukut!… Ditën tjetër mbase lexojmë një tregim tjetër, Puku! Por s’më ha buza kulaç. Do të na duhet kohë derisa ta shohim përsëri këtë lloj elegance leximore. Ok? Më kuptove? … Dhe u endëm më tej, nën diellin e bukur të qershorit në Parkun e Madh të Liqenit…

Tiranë, më 10 qershor 2021,

Një ditë vërtet e mrekullueshme

Ndoshta pse është Dita e Lidhjes Kombëtare të Prizrenit

Exit mobile version