Kreu Letërsi Shënime mbi libra Yzedin Hima: Vrasja e poetit, plagë e rëndë në ndërgjegjen e kombit

Yzedin Hima: Vrasja e poetit, plagë e rëndë në ndërgjegjen e kombit

Shënime për poezinë e Martin Camajt
“Vrasja e poetit”

Martin Camaj, ndonëse u formua në shkolla poetike europiane të shekullit XX, ku lulëzuan surealizmi, hermetizmi etj, nuk harroi edhe poezinë me domethënie. E tillë është edhe  poezia me titull “Vrasja e Poetit”. Natyrisht, edhe te ky tekst ndihet maksima e vjetër se armiku i estetikes është domethënia. Gjithashtu aty ndeshet lakonizmi dhe përdorimi i vargjeve eliptikë, dukuri e nyjëtimit të tekstit hermetik.

Nuk ndesha asnjë shënim dritëhedhës se cila qe shtysa e nyjëtimit të këtij teksti poetik, ndonëse është mjaft i qartë konteksti në të cilin është shkruar. Martin Camaj në një moshë të re, ende pa u njohur si poet, humbi atdheun. Për një shkrimtar kjo humbje është dyfish më e rëndë se sa për njeriun e zakonshëm. Me largimin e dhunshëm nga atdheu, Camaj humbi lexuesin e gjuhës së tij amtare, u përjashtua nga mozaiku i letërsisë shqipe për një kohë të gjatë, ndonëse vepra e tij është tejet  e rëndësishme dhe sot zë një vend të nderuar në letrat shqipe. Në Romë Camaj, krahas studimeve të doktoraturës, bashkëpunoi me bashkëqytetarin e tij nga Shkodra, prozatorin e shquar Ernest Koliqim edhe ky i ndaluar në vendin e tij. Gjithashtu nga atdheu vinin lajme gjithmonë edhe më të këqija për letërsinë dhe për shkrimtarët që nuk përqafuan metodën aestetike të socrealizmit. Besoj në këtë kontekst ka lindur edhe poezia “Vrasja e poetit”.

 Autori sjell një pohim të njohur në dy vargjet e parë, se poeti gjatë krijimtarisë së tij është krejt i lirë, ndonëse mund të jetojë në diktaturë. Vetëm shpirtrat e plogësht mund të mposhten nga diktatura. Në dy vargjet e parë Martin Camaj shkruan:

 Liria e fshehun mbas vargjeve

Të poezisë

Në një vend, ku liria mungonte kudo në jetën e njerëzve, pikërisht në vargjet e poezisë ajo ka gjetur strehë. Autori thekson  Liria e fshehun mbas vargjeve, duke qartësuar se vargjet janë nyjëtuar në një vend, ku liria mungon ose mund të gjendet e fshehur në vargje, ku poeti për të shprehur shpirtin e tij të lirë përdor metaforat apo simbolet. Lexuesi, krahas kënaqësisë estetike, në vargje të tilla zbulonte atë që në jetën e tij mungonte, lirinë. Liria është armikja e cilado diktature, ndaj diktaturat janë tejet të vëmëndshme dhe tejet të ndjeshme ndaj cdo  mendimi, veprimi të lirë. Në  vargjet në vijim autori sjell një peizazh brutal, ku metamorfoza ideologjike i ka kthyer njerëzit në  “Shpend mishngranës / Me fytyrë njerëzore”/ . Po cila është arsyeja që vargjet ruhen nga roje?

Poezia, arti në përgjithësi, përherë kanë qënë armiqtë e mëdhenj të diktaturave. Liria ka magjinë e humanizimit të shoqërisë dhe mjedisit, disponim të tillë ka në përgjithësi edhe letërsia, ndërsa mungesa e lirisë i shndërron njerëzit që i shërbejnë diktaturës nga njerëz në bisha a Shpend mishngranës:

Para tyne rrishin galuc roje

Shpend mishngranës

Me fytyrë njerëzore

Poeti pranvë dy dukuri, njëra si produkt i poetit që janë vargjet, ku fshihet liria dhe dukuria tjetër si produkt i diktaturës janë rojet, të cilët janë shndërruar në korba. Në të dy dukuritë kemi fshehje të substancave: liria që  fshihet mbas vargjeve dhe barbaria, shpesëria, kanibalizmi që fshihet pas fytyrave njerëzore. Teksti poetik sjell imazhin e një tufe korbash, shpend mishngrënës që kanë pësuar metamorfozë në substancë, duke ruajtur fytyrat prej njeriu. Është tipar i regjimeve përkujdesja për ruajtjen e formës. Krahas krimit, diktaturat i veshin veprimet e tyre me një hipokrizi mbresëlënse. Në dukje, qendrimi në pozicionin galuc, është qendrim i korbtë, të gatshëm për të shqepuar prenë e tyre. Autori është i vetdijshëm për traumat që shkakton diktatura në shoqëritë ku instalohet. Kriminalizimi i segmenteve të ndryshëm të shoqërisë është dukuri e rëndomtë në diktaturë. Dikur këta shpendë mishngrënës kanë qënë njerëz të zakonshëm.

Në tekstin tejet lakonik të strofës së parë, falë mjeshtërisë artistike, Martin Camaj nuk përmend fjalën diktaturë, por sjell efektet e veprimit të saj: liria që fshihet në vargjet e poetit nga dhuna e pranishme. Poeti krijon një strehë poetike me metafora dhe simbole, ku liria ndihet e lirë, rojat si korba presin t’ia nisin zanatit të vjetër. Aty, sikurse në tragjeditë klasiciste, nuk shfaqen imazhe të vrasjes, madje fjala vrasje mungon në tekstin poetic, përvec titullit. Autori nuk rrëfen, vetëm evokon. Pikërisht ngrirja e imazhit me vargjet e poezisë dhe përballë tyre Shpendët mishngrënës duket se ndërtohet e tillë për të përcjellë mesazhin se kjo gjendje nuk përfundon me vrasjen e poetit dhe “vrasjen” e poezisë së tij, por poetët vriten aty në çdo kohë, sikurse dhe ka ndodhur në Shqipëri.

Ndërsa në strofën e dytë dhe të fundit sillet imazhi i poetit në një mjedis të qelqtë, të mbyllur, duke u rropatur drejt dritës;

E ti ishe për ta nji bletë

Tue u rropatë ka drita në qelq,

andej kufijve të botës

njerëzore.

Martin Camaj përdor vetën e dytë  në këtë strofë , duke iu drejtuar vetes më tepër se dikujt tjetër:

E ti ishe për ta nji bletë

Tue u rropatë ka drita në qelq

Poeti shihet nga rojat si bletë, një insekt i zinxhirit ushqimor të shpendëve mishngrënës. Bleta ka vetinë e fluturimit të lirë në hapësira pa kufizim, nga lulja në lule duke mbledhur nektarin për të bërë mjaltin, si ushqim sipëran për njeriun. Bleta dhe poeti kanë të përbashkët fluturimin, fizik për bletën dhe fluturimin e fantazisë për poetin. Bleta, shpesh bie në vështirësi duke u përplasur në qelq për të gjetur rrugën e humbur, ndërsa poeti përpëlitet në qelqin e izolimit për të  arritur dritën, lirinë. Autori permend fjalën qelq për të tregur mashtrimin për iluzionin e hëpësirës që të jep qelqi, si dukuri e propagandës së dikturave për lirinë e poetit, krijuesit. Në vargun Tue u rropatë ka drita në qelq pohimi i Martin Camajt vjen si përvojë personale dhe botërore. Kur s’ka dritë ç’i do sytë, thotë dikush. Po nga vjen drita në qelq?! Autori sjell dy vargje: andej kufijve të botës/ njerëzore.

Dihet se ku gjendet bota njerëzore. Martin Camaj  pati eksperiencën nga të dy botët. Këndej, ku për shkak të dhunës, mungesës së lirisë, ndodhën shndërrime të dhimbshme të njerëzve në shpendë mishngrënës dhe bletë të izoluara dhe andej në perëndimin humanist, ku njeriu ndihej njeri dhe  ku poeti krijoi veprën e tij që i jep dimesionin europian letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shëkullit XX:

Po cila ka qënë shtysa që lindi kjo poezi?

Natyrisht, arti ka karekter përgjithësues. Kur poeti Martin Camaj flet për vrasjen e poetit, ai flet për poetin e vrarë në Shqipëri apo kudo në botë. Duke lexuar tekstin poetiK, na vjen në mend historia e dhimbshme e disa poetëve tanë, të vrarë nga diktatura. Një ndër ta është poeti dissident Trifon Xhagjika, sfidues kryneç i diktaturës, i pushkatuar nga diktatura komuniste në Shqipëri. Një shtet që vret poetët, është shtet faqezi. Në poezinë e Martin Camajt përdoret numri njëjës, vrasja e poetit. Duke lexuar poezinë, ndër mend na shfaqen disa poetë të vrarë nga diktatura: Vinçens Prenushi, Baba Ali Tomori, Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Havzi Nela. Në fakt, poeti Martin Camaj në poezinë e tij nuk flet direkt për vrasje, por për një vrasje metaforike, izolim në një botë të mbyllur më qelq, ku poeti bletë përpëlitet të prekë dritën që vjen andej kufijve të botës njerëzore.

Teksti poetik i Camajt flet për një vrasje shpirtërore, jo thjesht vrasje fizike të poetit. Edhe statusi i tij si poet i refuzuar nga vendi i tij është vrasje. Për poetin, mosreceptimi, ndalesa e librave të tij, bllokimi i rrugëve për te lexuesi, është më shumë se vrasje. Ndër mend na vijnë poetët e dënuar dhe ndaluar si Gjegj Fishta, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Arshi Pipa, Zef Zorba, Frederik Rreshpja, Visar Zhiti, Zydi Morava, artisti shumëdimesional Maks Velo, etj.

Në strofën e parë rojat qendrijnë para vargjeve. Ruajnë lirinë apo vargjet?

Martina Camaj flet pak dhe thotë shumë, por nuk shpjegon aspak Liria është fshehur te vargjet apo është bërë një me ta? Liria e fshehur është liri, apo e humb kuptimin nëse  qendron e fshehur. Siç shihet edhe liria lipset të jetë e lirë, ndryshe ajo nuk funksionon në të mirë të njeriut.

Në tekstet poetikë të Camajt korbi është fjalë çelës. Janë mjaft poezi  ku flitet për korbat apo korbin. Në një tekst korbi zbret nga shkrepat apo karpat dhe ulet te ullinjtë, aty ku pëllumbat po vallëzojnë. Korbi nuk e prish festën e pëllumbave me krokamën e tij, por qendron në heshtje deri në fund të koncertit. Ndonëse me pendët pis të zeza, korbi u ndje pëllumb në shpirt. Ndërsa në këtë tekst Camaj e krijon figurën e korbave, pa i emërtuar ata, ose i shënon me një eufemizëm, si shpend mishngrënës. Në këtë tekst njerëzit janë shndërruar në korba, në variantin më të egër të tyre.

Ka një ndarje në tekst midis poezisë dhe unit poetik.

Në strofën e parë vargjet qendrojnë përballë rojave galuc dhe brenda misterit të simboleve poetikë fshihet liria. Te strofa e dytë shfaqet poeti që përpëlitet si bleta në xham për t’i shpëtuar territ dhe për të kapur dritën që endet andej kufijve të botës / njerëzore. Nga grupi emëror botës njerëzore lind te mendja e lexuesit antonimia botë njerëzore dhe botë shtazore, ndonëse nuk thuhet në tekst, por nënkuptohet. A janë shenjat përktëse në tekst për krijimin e kësaj antonimie? Pa dyshim: shpend mishngrënës, bletë, liri e fshehur.

Imazhi që përcjell teksti është dhuna: poeti ndahet nga teksti i tij dhe burgoset në terr e moslexim duke u orvatur drejt dritës së largët. Vargjet me rojat galuc, pra edhe poeti i burgosur dhe vargjet e tij të burgosura së bashku me lirinë që fshihet brenda tyre. Imazhi ndërtohet me penelata të shpejta, por të forta përmes grupeve emërore: liri e fshehun, roje galuc, shpend mishngrënës, drita në qelq, botës njerëzore. 

Poezia “Vrasja e poetit” është drithëruese. Autori me mjeshtëri ka bërë portretin e diktaturës duke fokusuar anën më të errët të saj, ndalimin, burgosjen dhe vrasjen e poetëve. Poetët e vrarë janë plagë të pashërueshme në ndërgjegjen e kombit.

Exit mobile version