Përktheu Andreas Dushi
Ditë për ditë çuditem pse jeta ime ka marrë këtë drejtim. Nuk mund ta besoj se më duhet të toleroj gjithë këto gjëra: të ketë artikuj të shkruar rreth meje, të shoh fotografi të miat në internet dhe të lexoj komente rreth vetes time. Kur e vura re këtë, mendova: kjo është? Dhe tani, çfarë? Por fakti është, ndonëse nuk do të thotë asgjë, se kjo më bën të mjerë dhe se nuk dua të jetoj këtë lloj jete. Kur dorëzova librin tim të parë, doja thjesht të bëja mjaftueshëm para për të përfunduar pasardhësin. Asnjëherë nuk e kam reklamuar veten si një njeri të fuqishëm mendërisht, të aftë të përballojë kërkesat e çdo fushe nga publiku brenda personalitetit dhe edukimit tim. Njerëzit që bëhen të famshëm ndërkombtarisht, dua të them njerëzit që pas një shijeje të vogël të famës duan gjithnjë e më shumë, janë, dhe vërtetë e besoj këtë, thellësisht të sëmurë mendorë. Fakti që jemi të ekspozuar përballë këtyre njerëzve kudo në kulturën tonë, sikurse ato të jenë jo vetëm normalë, por edhe tërheqës edhe për t’u pasur zili, tregojnë nivelin e çfigurimit të shoqërisë tonë të sëmurë. Ka diçka që nuk shkon me to, dhe mandej kur ne i shohim dhe mësojmë prej tyre, ka diçka që nuk shkon me ne.
Gjithsesi, çfarë raporti është mes shkrimtarit të famshëm dhe librave të tij të famshëm? Po të kisha një sjellje të keqe, personalitet të pakëndshëm dhe theks irritues, çka në opinionin tim mund të jetë pikërisht rasti, do të kishte të bënte diçka me romanet e mia? Sigurisht që jo! Puna do të ishte e njëjta, pa asnjë ndryshim. Dhe çfarë fitojnë librat duke qenë të bashkangjitur me mua, me fytyrën time, me sjelljet e mia, në të gjitha veçantitë e tyre demoralizuese? Asgjë! Atëherë pse, pse ndodh kështu? Interesit të kujt i shërben kjo gjë? Kjo më bën të mjerë, më mban larg nga e vetmja gjë në jetën time që ka kuptim, nuk kontribon asgjë në interesin publik, përmbush vetëm kafshërinë dhe nepset e kureshtarëve dhe shërben për ta vendosur diskursin letrar krejtësisht rreth figurës dominuese të “autorit” jeta dhe idiotësitë e të cilit duhet të bien në sy deri në detajet më të zbehta pa asnjë arsye. Vazhdoj të ndeshem me këtë person, që është vetja ime, dhe e urrej me të gjitha forcat. Urrej mënyrat me të cilat shpreh vetveten, urrej pamjen e saj dhe opinionet që ka rreth çdo gjëje. Dhe ende, kur njerëzit e tjerë lexojnë rreth saj, besojnë se ajo jam unë. Të përballem me këtë fakt më bën të ndihem sikur tanimë jam e vdekur.
Sigurisht, nuk mund të ankohem, pasi të gjithë janë gjithnjë duke më thënë “shijoje”. Çfarë dinë ata? Ata nuk kanë qenë këtu, e kam bërë gjithçka vetëm. Okay, ka qenë një përvojë e shkurtër në mënyrën e vet dhe e gjitha do të venitet në pak muaj ose vjet dhe askush nuk do të më kujtojë ndonjëherë, faleminderit Zotit. Por ende, është dashur ta bëj këtë, më është dashur të shkoj përmes saj vetë, pa askënd që të më mësojë se si, dhe kjo më ka bërë ta neveris veten deri në një gradë thuajse të padurueshme. Çfarëdo që unë të bëj, çfarëdo talenti të parëndësishëm të kem, njerëzit thjesht presin nga unë që ta shes atë, dua të them tekstualisht, ta shes atë për para, deri kur të kem shumë para dhe aspak talent të mbetur. Dhe atëherë, kjo është: jam e mbaruar, dhe në një çast, njëzetëepesë vjeçarja e ardhshme vjen me një kolaps psikologjik të pashmangshëm. Nëse kam takuar njerëz të vërtetë përgjatë rrugës, ata kanë qenë të maskuar më së miri në turmën e vrullshme, gjakatare e egocentrike, aq sa nuk i kam njohur dot.