Kreu Letërsi Bibliotekë Rudolf Marku: Një kolazh shekspirian

Rudolf Marku: Një kolazh shekspirian

Diku, në njerën prej shënimeve të saj, poetesha e njohur amerikane, Emily Dickinson, shkruan ‘ai që do të jetojë në të ardhmen, duhet të lexoj Shakespear-in’. 

Duket një paradoks kapriçioz poetik, nga ato kapriçio që nuk t’i falin kritikët e letërsisë. Një shkrimtar i viteve 1500 qenka udhërryesi i së ardhmes tonë? Po rrymat dhe shkollat letrare? Po modernizmi dhe moderniteti? Aq më tepër, po postmodernizmi?…

Emily Dickinson, më fal që t’i kujtojë të gjithë këto rreziqe të mundshme që duhet t’i shkapërcesh, kur ndeshesh me kritikët tonë! Megjithatë, prapë, i inkurajuar prej teje, po botoj këtë faqe kolazhi në nderimin e idhullit tonë të përbashkët, bardit  të hershëm që quhet William Shakespeare!


WILLIAM SHAKESPEARE
(1564-1616)

Kjo poezi e Shakespeare-it është marrë nga tragjedia ‘’Macbeth’’ dhe është përfshirë nga poeti i njohur Laureate Ted Hughes si njëra nga 101 poezitë botërore që njeriu duhet t’i dijë përmendsh gjatë jetës së vet.

KJO NESËR, NESËR, NESËR

Kjo Nesër, Nesër, Nesër, 
Na heq zvarrë me çapa të vegjël nga dita në ditë,
Der’ tek rrokja e fundit e kohës që mbajmë mend,
E të gjitha të Djeshmet mashtrueshëm na kanë sjellë në pritë
Në rrugën e Vdekjes së pluhurt.
Shuaju, shuaju, o qiri jet’shkurtë!
Jeta nuk është gjë tjetër veç një hije që ecë a një aktor i mjerë
Që në një orë të vetme fryhet, e pastaj është gjithë pezmatim,
E pastaj harrohet. Jeta është një përrallë,
Q’e tregon një i marrë gjithë tinguj dhe tërbim,
 
Që nuk thotë asgjë e nuk ka asnjë kuptim.

Shqipëroi: Rudolf Marku


Boris Pasternak
1890-1960
HAMLET

Mërmërimat shuhen; hyj nga anësoret,
Përkulur në tunelin që të çon në skenë.
Përpiqem të kap një jehonë në distancë,
Hypje-zbritjet e fatit që në botë marrin dhenë
 
 Mijëra  tejkyrëse teatri më shohin,
Përmës errësirës më drejtohen në sy;
O Ati im, të lutem bëj të mundur,
Që kupa e helmit tek unë të vijë.
 
E dua kokfortësinë e papërkulur tëndën,
Isha gati të luaj  at’rol  që m’ kërkon;
Por drama të tjera tani luhen në botë,
Më nxirr nga kjo shfaqje sa nuk është vonë!
 
 Aktet e dramës tashmë janë shkruar,
Dhe nga rruga e nisur nuk ka më kthim,
Jam i vetëm, në një det filistinësh tek mbytem;
Jeta nuk qënka mes fushave, një udhëtim!
 
1941 (përfshirë më vonë në romanin  ‘Doktor Zhivago’)
 Shqipëroi: Rudolf Marku 


Carl Sandburg
(1878 – 1967)
TË GJITHË DUAN TË LOZIN HAMLETIN

Të gjithë duan të luajnë Hamletin.
Ata nuk kanë parë të vriten baballarët e tyre,
Dhe as nënat e tyre në kurthe për të vrarë,
Nuk kanë  parë  asnjë Ofeli që i merret fryma nga ajëri me pluhur që mbyt zemrën,
Nuk kanë përjetuar rrethorët e rrotullimit të  akrepave prej ari që  këndojnë 
Aspak këtë nuk e kanë përjetuar, as kuptimin e luleve – o lule, lule të flakura pas nga një vajzë  që vallëzon – në dramën më të trishtë që Octopodi Shekspir ka shkruar ndonjëherë;
Megjithatë, të gjithë duan të luajnë Hamletin sepse është i trishtë, ashtu si të gjithë aktorët janë të trishtë, dhe të qëndrosh pranë një varri të hapur me një kafkë gaztori në dorë dhe pastaj të thuash me ngadalë dhe përsëri me ngadalë fjalë të urta, të zgjuara, të bukura që i drejtohen zemrës që po thyhet, po thyhet,
Kjo është diçka që e kanë në gjak;
Ata po aktojnë  kur flasin për këtë dhe e dinë që aktimi është që  të jetë veçanërisht për këtë, dhe megjithatë:
Të gjithë duan të lozin Hamletin.
 
Shqipëroi nga origjinali: Rudolf Marku


Sadik Bejko
HAMLETI

(Kjo poezi e poetit Sadik BEJKO-s është botuar, nëse nuk më gabon kujtesa, në vitin 1972. Një poezi që tërhoq mënjëherë vëmendjen e lexuesve. Ismail Kadare e lavdëroi këtë poezi, duke deklaruar se, gjatë vizites së tij në Elsinor, te Kështjella e Hamletit, Denimark, pak muaj më vonë,i kishte ardhur ndërmend vetvetiu pikërisht kjo poezi e Bejkos ! Koha kur poetët lavdëronin krijmtarinë e mirë poetike mes kolegësh, dhe kjo nuk përbënte asnjë çudi.)
 
Kur në histori fryjnë erërat
dhe shemben muret e kalbura të botëve,
kur kombet, shtetet shkunden si fletët
në vorbullën e madhe të shqotave,

ti vret naivitetin e shkollarit,
vështron shekujt nga kështjellat bosh,
braktis skenat, del prej ekranit,
nuk pyet më: “Të rrosh a të mos rrosh?”

Pa i hedh përsipër dashurisë,
shtjella monologësh si savanë:
kënga e fundit e mjellmës Ofeli,
fashitet brigjeve, ujërave në valë.

Dhe ecën mespërmes tragjedisë
nën monologët e ankthët si nën barrë,
shkel e harron ëndrrat e rinisë
në erë e mjegulla kurthesh vërdallë.

Kur në histori fryjnë erërat e janarit,
kur shemben skenat, ekranet mbesin bosh,
ti me shpatën në emër të birit e të atit,
nuk pyet më: të rrosh a të mos rrosh?

(përfshirë në ‘Antologjia e Poezisë Moderne Shqipe’, 2023)


Rudolf Marku

(Poezinë më poshtë e kam shkruar dhe botuar në vitin 1986. Është recituar në një Festival të Poezisë botërore në një  kryeqytet të  një  vendi ballkanik,  në  vitin 1989).

AKTORËT SHEKSPIRIANË

Në sallë u shua dhe duartrokitja e fundit
Veç femija më i vogël tek dilte kthente  kokën pas,
Sikur ta dinte se pikërisht tani është koha.
Pa hequr rrobat e aktorëve, pa bërë makiazh
Nga prapa perdesh të rënda dalin aktorët;
Hamleti me vrasësin e të atit shkëmbejnë duhan,
Dhe thonë se plazhin do ta kalojnë bashkë,
Duke ndërruar pikëpamje të njëjta kundër fantazmës;
Makbethi me thiken e Bankos qëron një mollë
Dhe e ndan përgjysem me mbretin Dunkan,
Romeon e pret një ftesë për divorcë
Me gruan e tij të dashur Xhuljetë
Dhe të gjithë këto pa perde, pa biletë !

Exit mobile version