Kreu Opinion Rudolf Marku: Keqkuptimet e modernitetit

Rudolf Marku: Keqkuptimet e modernitetit

rudolf-marku

1.

Kam lexuar të paktën në tre-katër shkrime studiuesish dhe kritikësh letrarë të sotëm për një pikëpamje që shtjellohet pak a shumë kështu: Shkrimtarët shqiptarë bashkëkohës, sidomos ata që shkruajnë a vazhdojnë të shkruajnë pas viteve ’90-të, janë gjendur para një vështirësie të madhe, sepse befas, në kushtet e botimit dhe të përkthimeve të lira, duke u ballafaquan me letërsinë moderne (herë tjetër thuhet-Letërsinë bashkëkohore) që shkruhet në Botë, befas u ndjenë dhe vazhdojnë të ndihen inferiorë para kryeveprave të mëdha. Shkrimtarët shqiptarë e kuptuan se, në kushtet e tregut të lirë, atyre  u duhej  të ecnin me hapin e shkrimësisë moderne të veprave bashkëkohore, sa kohë që lexuesit sot kanë Menynë e pafundme të zgjedhjes në botimet e pacensuruara të letërsisë moderne…Lexuesi që merr në dorë veprat e Nobelistëve, arsyetojnë ata, e kanë të vështirë të përtypin letërsinë që shkruhet sot nga autorët vendas. Kësisoj vetë autorët shqiptarë mbesin pas, të shpërfillur nga lexuesit e vet, dhe do vazhdojnë të qëndrojnë jashtë vëmendjes së lexuesve  nëse ata vetë nuk do të arrijnë të shkruajnë letërsi moderne….

Nuk është e vështirë të dallosh në këtë pikëpamje përuljen dhe lakimin e Periferisë ndaj Qendrës; mendimin provincial se të gjitha të këqijat ndodhin vetëm në shtëpinë tonë; pamundësinë e vështrimit përtej Kodrës së Fshatit; përfytyrimin se ajo që është përtej Kodrës së Katundit tonë është më e bukur, më terheqëse, më e mençur, më joshëse…Nuk është hera e parë që penduli i vlerësimit të vlerave artistike të studiuesve tanë të këtë lëvizur nëpër ekstremet e vlerësimeve e të gjykimeve, që nga gjykimi i djeshëm i vlerave artistike bërë nga  primitivizmi patriotik se vetëm letërsia që shkruhet në viset tona ka vlerë, e  deri tek nënvlerësimi i vlerave tona për shkakun e një mahnitjeve primitive të shkëlqimit vezullues të ambalazhit që mbështjellë një libër të importuar…Mendoj se është një keqkuptim i madh dhe naiv, dhe është një snobizëm katundar të thuash se shkrimtarët shqiptarë dhe vetë lexuesit shqiptar paskan pritur pluralizmin politik që të njihen me kryeveprat e letërsisë moderne dhe të vendosin një kut të ri vlerash për vlerat letrare. Kjo mendësi mbështetet në disa keqkuptime rreth konceptit tw modernizmit: personalisht besoj tek paradoksi se modernizmi është njohja e thellë e tradites, dhe se lexuesi shqiptar i ka pasur të njohur prej kohësh vlerat e mëdha të  letërsisë Botërore përmes përkthimeve dhe leximeve në origjinal, dhe mendoj se njohja e thellë e veprave të Homerit, e dramaturgëve të mëdhenj të antikitetit të Greqisë, njohja e letersisë klasike latine, leximi me etje i Servantesit, Shekspirit, Dante Aligierit, Gëtes dhe Shilerit, Çehovit dhe Gogolit, Pushkinit dhe Lermontovit, Mopasanit dhe Floberit, Heminguejt dhe Fitcxheraldit, botimi nga Shtepia Botuese ‘Naim Frashëri, i ca Antologjive të shkëlqyera të Poezisë së shekullit të Njëzet Greke, Franceze, Spanjolle, i tregimeve të letërsisë Amerikane dhe Italiane, pa përmendur dhe leximin klandestin i natyrës samizdat  të shkrimtarëve si Xhojsi, TS Elioti, Ungareti, M.Bulkagovi, Isak Babeli e shumë e shumë të tjerë, bënte që lexuesi shqiptar dhe shkrimtari shqiptar të ishte i përgatitur për të mos u mahnitur lehtë, si një provincial i mjerë që del për herë të parë nga pyjet e nga xhunglat drejt e në autostradë dhe mahnitet me shkëlqimi e vezullimit të dritave në distancë…Mendoj se njohja e mirë me klasikët e mëdhenj, duke përfshirë këtu dhe klasikët e shekullit të Njëzet, është dhe përgatitja për t’i përballë lehtësisht shkrimtarët modern dhe bashkëkohor. Mbivlerësimi i shkrimtarëve të sotëm të stërlavdëruar në shtypin tonë si modele të letersisë moderne bëhet nga boshllëku i atyre njerëzve që e kanë startin e njohjes së vlerave të vonuar. Realizmin magjik të shkrimtarëve të Amerikës Latine lexuesi i vëmendshëm e ka ndeshur shumë kohë më parë në tregimet dhe novelat e Nikola Gogolit, pa përmendur Ferrin e Dante Aligerit…Më rastisi ca ditë më parë që të shoh, në Londer, Ekspozitën e Ilustrimeve të Dalisë për Komedinë Hyjnore të Dantes. Salvador Dali nuk është ndër piktorët e mi të preferuar. Por Ekspozita e ilustrimeve të Divina Comedia  është njëra ndër Ekzpozitat më mbresëlënëse që kam parë në jetën time.  Këtë radhë surealizmi i skicave grafike të Salvador Dalisë vinte drejtpërsëdrejti nga vepra e një Gjeniu të shekullit të 13-të, Dantes. Salavador Dali, ky mohues eksentrik i artit që ka ekzistuar para tij, befas ka lexuar kryeveprën e Dante Aligerit dhe ka parë i mahnitur se surealizmi i vet paska ekzistuar shekuj e shekuj më parë, që në shekullit e 13-të,tek vepra e poetit fiorentin. Dhe nuk e ka patur të vështirë ilustrimin e Divina Comedia-së,sepse i është dukur se është duke ilustruar veprën e një bashkëkohësi të vet, madje veprën e një mjeshtri prej credo-së estetike të të cilit ai ka mësuar dhe vazhdon të mësojë…Të njëjtën gjë do të kishte ndjerë Dali po qe se ai do ta kishte lexuar dhe poetin romak, Ovidin, sidomos Metamorfozat e tij. Jam i sigurt se leximi i Ovidit do t’i kishte dhënë Salavador Dalisë ngasjen e pashmangshme për të ilustruar veprën e poetit romak, si veprën e një artisti me të cilit gjen mirëkuptim dhe solidaritet estetik…

Më duken se Letërsia moderne dhe Arti modern krijohen kur autorët nuk i vënë vetes si qëllim që të krijojnë Art modern; kur moderniteti vjen vetvetiu, si shprehje frymore e veprës. Vetëm të palentuarit e kanë të lehtë të synojnë modernitetin artificial, vulgar,si shprehje mode dhe thyerje tabush. Ose ta përfytyrojnë  modernitetin në Art si krijimtari e të Rinjëve!!! Koncepti se Arti Modern krijohet nga brezi i Ri më duket një koncept konsmolas, një koncept arkaik dhe primtiv. Arti modern mund të shkruhet nga një 80 vjeçar, po aq sa arti mediokër mund të shkruhet nga një njezetvjeçar,ashtu siç mund të ndodhë dhe e anasjellta! Keqkuptime të tilla që mahnitin mendjet e klasit të katërt gjallojnë jo vetëm në vendin tonë. Nuk besoj se Bosch i vuri vetes të krijonte një Art modern tek krijonte veprat që konsiderohen, me standartin e sotëm, si pikturat mw moderne. Dhe po ashtu dhe Ovidi, Servantesi, Albert Durer, Velazques, Gioto, Catuli, Fransua Vijon, TS Eliot, Ezra Pound, Rikle, Jeronim de Rada, Migjeni, Martin Camaj dhe Anton Pashku, Kafka  dhe Kadare,  e mijëra autorë të tjerë që i kanë prirë modernitetit artistik. Keqkuptimi i madh i modernitetit vjen atëherë kur krijuesit modern i vënë vetes si qëllim që të krijojnë një Art Modern, po ashtu si dhe krijuesit e Artit të Soc Realizmit i venin vetes si qëllim të krijonin një Art të angazhuar ideor. Me ndryshimin se krijuesit Soc-Realist e bënin një gjë të tillë nga detyrimi i censurës, ndërsa krijuesit e qëllimshëm të Modernitetit e bëjnë nga e kundërta, pikërisht nga mungesa e censures dhe e vetëcensurës, të bashkuar me mediokritetin e ambalazhuar si Art. Më duket se kritikët dhe studiuesit shqiptarë kur ankohen për letërsinë e vendit të vet  janë aq të verbër, sa të mos arrijnë të shohin vlerat e krijuara tek ne, tek kërkojnë  me këmbëngulje vegime dhe mirazhe përtej gardhit rrethues që i kanë krijuar vetes me telat e mediokritetit.

2.

Gratë dhe poetët janë aleatë natyralë, po aq sa mund të thuhet se politikanët dhe gratë janë armiq natyralë. Në Greqinë e lashtë gratë ishin kundërshtare të politikanëve, sepse për to politikanët ishin një kërcënim për fëmijët e tyre, për veten e tyre dhe për burrat e tyre. Sokrati deklaronte se “Sa të marr frymë, nuk do rresht së filozofuari…”. Ksanthipi me dinakërinë e saj shtirej se nuk e kuptonte madhështinë shpirtërore të Sokratit, dhe me intuitën dhe dinakërinë e gruas, shtirej se ishte kundër tij; nga ana e vet Sokrati vlerësohej si shenjt se e duronte mrekullisht shtirjen e saj. Shtirja e Ksanthipit ishte një mrekulli: ajo shtirej se nuk donte që dhe familja e Sokratit të binte në turp apo të katandisej nëpër gjyqe aspak të lavdishme, sikundër vetë Sokrati.

Ndonëse Jezusi i këshillonte dishepujt e vet që të mos i përgatisnin argumentet e veta që më përpara, vetë misionarët dhe përhapësit e Krishterimit ishin trajnuar që në fillim si retoricienë. Është e vërtetë se Logjika abstrakte, e njohur fillimisht si shërbyesja e qenies njerëzore, është kthyer në një zotëruese, pronare e njeriut, duke i mohuar poezisë çdo arsye që të ekzistojë. Por nga ana tjetër arsyeshmëria është e domosdoshme për qenien njerëzore, po aq sa dhe ndjenja dhe intensiteti emocional. Ksanthipi vepronte me intuitë, ndërsa Sokrati me arsye. Ku qëndron Poezia? Mendoj në një mesore, në mesin e rrugës mes Ksanthipit dhe Sokratit. Mes përditshmërisë së gruas dhe përjetësisë së të shoqit të saj, mes intuitës së saj dhe arsyes së tij. Por poezia moderne ngul këmbë që arsyeja është armikja e poezisë. Është e vërtetë se T.S.Eliot ngul këmbë se, aq sa mund të vendosesh ndonjë lidhje logjike mes fërshëllimës së çajnikut dhe librit që lexon, aq mund të vendosësh lidhje logjike mes poezisë dhe arsyes. Por këtë pohim ai e thotë me një logjikë të saktë, me arsyeshmëri. T.S. Eliot asokohe kur shkruante për ndarjen e poezisë me logjikën kishte ndjekur në Paris me kureshtje leksionet e Bergsonit, i cili, siç dihet, është për intuitën. Por mendoj se të jesh për intuitën nuk do të thotë të jesh kundër arsyeshmërisë…

Shoqëria shqiptare është një shoqëri disi e vonuar në kurset e zhvillimeve eksperimentale të artit e të letërsisë. Nuk më duket ndonjë humbje tragjike. Sepse shumë nga shkollat eksperimentale të modernizmit janë provuar se kanë qenë eksperimente, nisje, por jo gjithmonë arritje. Puna është se një shoqëri si kjo e jona, e cila beson verbazi në çdo gjë që vjen nga metropolet, është e prirur të fajësojë veten vullnetarisht si e prapambetur dhe provinciale. Shtoji dhe sa e sa vetëdemaskues masohistë që bërtasin se arti dhe letërsia e jonë janë të prapambetura, se janë larg nga arti modernist dhe eksperimental, se shkrimtarët tanë janë të marxhinalizuar në krahasim me artin e sotëm me emra kumbues dhe shurdhues të botës…

3.

Për të kapur kohën e humbur, shumë krijues naivë (dhe të patalentuar) ri-bëjnë eksperimentet artistike të fillimit të shekullit XX, me bindjen se kanë për të çuditur lexuesit. Përqartjet vulgare të këtyre krijuesve konsiderohen prej disa gjykuesve mediokër si- Thyes tabush…Kam përkthyer dhe botuar një poezi të poetit Laureat më jetëgjatë të Anglisë, Ted Hughes, poezinë e tij të njohur ‘Nuse dhe dhëndër fshihen tri ditë dhe tri netë’ (shih Antologjinë ‘ Poezitë më të bukura të Botës’-botim i MediaPrint, 2025). Është një poezi e mrekullueshme dashurie, kushtuar gruas së tij, poeteshës fatkeqe Sylvia Plath, ditën/natën e parë të martesës. Është një poezi që përshkruan marrëdhënien seksuale imtësisht, me detaje, që nga vrragat e kafshimeve gjatë seksit e deri te seksi oral. Po pa përmendur asnjë fjalë seksuale. Poezia e Hughes është si një  pikturë nudo, në të cilën nuditeti mbulohet/vishet nga një vello e padukshme e artit.Si çdo poet i vertetë, Hughes e bën dallimin elementar mes artit erotik dhe vulgaritetit pornografik. Dhe askujt nuk i ka shkuar ndërmend që Ted Hughes ta lavdërojnë si një thyes tabush, një term i përafërt me profesionet Gurëthyes a Metalthyes…

Kam lexuar në shtypin shqiptar shkrime me pretendime estetike për letërsinë futuriste dhe manifestin e saj. Artikullshkruesit gati-gati të bënin që të ndjeje një kompleks faji që ne, poetët shqiptarë, nuk jemi futuristë…Kam lexuar në revistat e mira letrare shqiptare, krahas krijimesh të kthjellëta estetike, dhe poema futuristike, si dhe shkrime marramendëse me një përbuzje të hapur për arsyeshmërinë. Dhe kjo, me pretekstin se mungesa totale e arsyeshmërisë i shkon poezisë në veçanti, dhe artit në përgjithësi. Nuk i besoj atij arti modernist që këmbëngul se një shtrat i parregulluar, vetëm e vetëm se është ekspozuar në Modern Tate Gallery na qenka një art i madh modern. Dhe po ashtu nuk besoj se organe gjenitale të vdekurish a bajga të ekspozuara në Gugenheim Gallery të New York-ut kanë diçka të përbashkët me artin, edhe pse kritikë të shquar të artit kanë ngulur këmbë, të paktën para disa vitesh, në New York Times, për të kundërtën. Njeriu i sotëm modern e ka të vështirë që të mendojë me kokën  e vet. George Orwell, njëri ndër njerëzit e rrallë të shekullit të kaluar që guxonte të shihte qartë, falë ndershmërisë ekstreme, pat thënë se Salvador Dali është piktor i mirë, por jo gjithçka që mban siglën e tij është një kryevepër. Orwell fliste lirshëm për talentin e Dalisë, por dhe për natyrën spekulative të tij, madje dhe për pedofilinë e tij. Po ashtu, admirimi i Orwell-it për Pikason, nuk e pengonte shkrimtarin anglez të përçmonte shumë piktura të pas periudhës blue të Pikaso-s. A guxojmë ne të mendojmë me kokën tonë? Në shtypin shqiptar flasim me superlativa për emrat e huaj, dhe nuk guxojmë të zbulojmë vlerat e veprave tona. Jemi gati të përmendim gjithfarë emrash nga letërsitë e huaja, dhe të injorojmë me një qejf të madh bashkëkohësit tanë sikur të mos ekzistojnë në këtë botë. Kompleksi i periferisë ndaj qendrës. Kompleksi i së pavlerës ndaj vlerës së vërtetë…Ky kompleks bëhet më i vështirë për t’u dalluar kur ne vetë shpallim si vlerat tona shpesh herë antivlerat apo dhe vlerat më të dyshimta, gjë që i jep padashje njëfarë legjimiteti spekulimit snob…

Në një gazetë botohej një recension për romanin “On the Road” të Jack Kerouac, një ndër përfaqësuesit e Beat movement, duke u stërlavdëruar si një kryevepër e letërsisë botërore. Në fakt, libri është i rëndësishëm për letërsinë amerikane si përfaqësues i asaj lëvizjeje që fillon nga vitet ’50 të shekullit të kaluar e që lidhet me kundërshtimin e shoqërisë konvencionale përmes artit, drogës, seksit, dhe jo aq për vlerat letrare. I shkruar si një reportazh i zakonshëm, madje i merzitshem, libri as dhe në fantazinë më të egër nuk mund të quhet një vepër me vlera të jashtëzakonshme letrare. Këtë e merr vesh po qe se e lexon librin para se të shkruash recensionin, dhe po qe se nuk impresionohesh nga parathëniet, dhe po qe se e lejon vehten  të mendosh me kokën tënde. Ajo që është e rëndësishme për historinë e letërsisë amerikane nuk do të thotë që nevojshmërisht të jetë e rëndësishme për lexuesin dhe shijet e lexuesit shqiptar e atij çek a francez. Besoj se letërsia shqipe e tanishme ka autorë që shkruajnë me një dinjitet të madh artistik, me një intensitet emocional dhe me një mjeshtëri stilistikore, me mjete shprehëse të fuqishme dhe me një zë autentik. Ne vetë duhet të kemi dinjitetin që ta kthejmë vëmendjen te vlerat e letërsisë sonë, te vlerat e vërteta të saj, që shpeshherë mbulohen me heshtje provokative dhe me një qëllim të kalkuluar ligësie…Andaj mendoj se kam arsye  që ta mbyll këtë shkrim duke lavdëruar ato pak Shtëpi Botuese, si “Onufri”, “Toena”, “MediaPrint”, dhe “UET” për këmbënguljen që tregojnë në mbrojtjen e dinjitetit të autorve bashkëkohës Shqiptar.

Exit mobile version