Instistimi për t’mos u mbërthyer në kthetrat e “jetës normale” të burgut, bëri që poeti Visar Zhiti t’i mbështetet muzës krijuese – emocionit të madh të të gjallit. Duke i kënduar këtij emocioni, ai krijoi fantastikën e miti mbi poezië-viktimë dhe paralelisht me këtë rindërtoi idealin e rilindasve shqiptarë mbi poetin si roje besnike e ideve progresiste të kombit
Poeti Visar Zhiti provoi mbylljen e dhunshme brenda një hapësire që ai do ta shndërrojë në laborator krijues. Dhe kur shkruajmë për Zhitin, na kujtohet edhe Nazim Hikmeti, Janis Ricos, Bertolt Breht e Vaclav Havel, arti i të cilëve shkuli nga zemra e errësirës lëngun e përjetshëm të mos-harrimit për ta.
Visar Zhiti pasi vizatoi shkretëtirën e madhe të antijetës me bishtin e lugës së urisë, gdhendi inicialet e veprës jetësore mbi dyshemenë e kalbur të vdekjes. Me siguri, pa këtë poet nuk do të mund të krijonim përfytyrimin real për jetën paralele të botës së burgosur shqiptare. Poezia është ajo që i prek damarët e kësaj bote dhe prej andej sjell sinjale të një vitaliteti krijues e intelektual.
Duke e “xhiruar” brendinë e lagshtë dhe të errët të burgjeve të Shqipërisë, poezia e Visar Zhitit të bind edhe për një fakt: të kota janë burgosjet e poetëve, sepse poezia e tyre lind çuditshëm edhe në shkëmbijtë më të thepisur të diktaturës. Për rrjedhojë, kjo poezi nuk është vetëm një kronikë telegrafike nga jeta e të burgosurve, por njëkohësisht është edhe një metafigurë e vrullit të ndërprerë krijues të Shqipërisë. Për fat të mirë Visar Zhiti burgun nuk e kishte kuptuar si një tunel të mbyllur që do t’ia shkëpuste rrjedhën dhe dinamikën e artit poetik. Mbase në saje të këtij koncepti krijues është ndërtuar edhe struktura e vëllimit të tij poetik “Hedh një kafkë te këmbët e tua (botoi “Naim Frashëri”, Tiranë, 1994).
Ashtu siç e shpjegon vet autori në parathënine librit, këto poezi në fillim nuk u shkruan por u krijuan në mend “mes mureve kiklope të qelisë”. Kjo mënyrë e të krijuarit të poezisë por edhe të prozës është dëshmuar si e suksshme te shumë krijues të burgosur të cilët vetëm pas daljes në liri bënë rikonstruimin e gjithë asaj që kishin regjistruar në kokë. Visar Zhiti poezitë e tij ua kishte recituar disa kolegëve të burgosur. Edhe kjo ishte një prej metodave që poezitë të mos dergjen skutave të errëta të burgut. Përpos poezisë “ilegale”, ai krijoi edhe një publik “ilegal” te i cili u mboll imazhi për vazhdimësinë e jetës përtej grilave. Ndërkaq ajo që sfidoi mundimin, urinë, frikën, mungesën e gruas, vdekjen, gjyqet, ridëmimin, ishte identifikuar me poezinë e cila e shpëtoi autorin të bëjë vetëvrasje.
Pikërisht instistimi për t’mos u mbërthyer në kthetrat e “jetës normale” të burgut, bëri që autori t’i mbështetet muzës krijuese – emocionit të madh të të gjallit. Duke i kënduar këtij emocioni, Visar Zhiti krijoi fantastikën e miti mbi poezinë-viktimë dhe paralelisht me këtë rindërtoi idealin e rilindasve shqiptarë mbi poetin si roje besnike e ideve progresiste të kombit. Peshën e rrezikut nga këto ide në lëkurën e tij e kishte provuar edhe ky poet, i cili u burgos për shkak të një libri “dekadent”. Në një mënyrë pak më elokuente për këtë “dekadentizëm”, ai do të shprehet: “poezia kish qenë prostituta që më kish tradhëtuar”.
Vëllimi poetik “Hedh një kafkë te këmbët e tua” është i organizuar në gjashtë njësi ciklike: “Mërmërimat e zbathura”, “Atdheu i çmendur”, “Gozhdët e përgjakura të kryqit”, “Kafshët e mira dhe të këqiaj në burg”, “Vdekja pa arkiv(ole)” dhe “Ç’kohë është, apo e skeleletit të tij?”
Arktetipet associative që ndërlidhen me mesazhet e poezive, sajojnë një frekuencë të gjerë emocionale të autorit, duke filluar nga poezia e parë “Ditëlindja ime në qeli” e deri te ajo e fundit “Syri i ditës”, ku ndeshim një sërë derivatesh të mendimit dhe refleksionit të njeriut i cili sekretet e jetës i shpjegon me shembuj konkret nga itinerari i përditshmërisë. Burgu si një hapësirë poetike merr konotacionin e figures së një mikro-toposi socio-politik, ose siç do ta sinkretizoj këtë figurshmëri vet autori me vargjet: “Atdheu im- hamlet/ me kafka burgjesh ndër duar”/ “Ringjallja imagjinare e kafkës“ (fq. 159).
Përmes paraformës së kësaj figurshmërie, autori e orienton edhe rrjedhën e polifonisë semantike që zhvillohet përmes ekuivanceve simbolike të tipit: “Atdheu i çmendur”, “Shkretëria e gjallë”, “Antininullë”, “Myshku i mërzisë”, “Lëkura e shekujve” etj.
Të gjitha poezitë e këtij vëllimi mbajnë datën e krijimit. Jo rastësish po e vëmë në dukje këtë fakt, edhe atë për një arsye të vetme: në këtë mënyrë regjistrohet dhe memorohet kronologjia e dokumentuar e një poetike brenda një dekade 1979 – 1989, ndërkohë që jashtë mureve të burgut aktrohej një poetikë krejt tjetër, do të thoshim, fasadë e asaj që quhet poezi e njëmendët.
Struktura tematike e këtij vëllimi poetik është e ndërtuar sipas bioritmit që impononte jeta në burg. Megjithatë, poeti shkon përtej këtij përcaktimi estetik dhe penin e tij asociativ e lidh në formë të një spiranceje dhe pahetueshëm prek dimensionet e botës së hapur. Tipi i këtyre poezive nuk dominon në libër, por e ndeshim dukshëm bagazhin e përjetimeve dhe meditimeve, si në poezitë: “Jetë”, “Dëshpërimi që mbaron me një fabul dhe me një këshillë pa takt në fund”, “Dy varre 500 vjet larg njëri-tjetrit”, “Arratisja”, “Kënga është e mundur” etj. Kësisoji poeti gjakon të mbajë një baraspeshë midis përjetimit dhe meditimit, por edhe të harmonizojë variacionet e paradigmës që sjell jeta e mbyllur brenda grilave, si në poezitë: “Rileximi i Don Kishotit”, “Eposi ynë” etj. Poeti paradigmën nuk e bën sipas modelit libresk, por sipas ambivalencës rele, sepse: /Don Kishoti tallet me ne/ dhe qan në heshtje/ (fq. 29), ose: Gjergj Elez Alinë, Mujin, Halilin Konstandinin e vdekur/ i kam parë mes rreshtave të të burgosurve,/ lecka-lecka të qethur,/ pa duhan./ (“Eposi ynë”, fq. 45-46).
Duke e demitologjizuar heroizmin e Gjergj Elez Alisë, autori poetikisht demaskon destruktivitetin shtetëror përmes vargjeve: “Gruaja e Omerit/ bën dashuri me operativin/, ose: Gjergj Elez Alia ato pak lekë që fitonte,/ ia dërgonte motrës në burgun e grave./ (Po aty, fq. 45).
Të shumta do të jenë arsyet për ta cilësuar këtë vepër një prej dëshmive poetike më autentike për një realitet të panjohur për ne. Ndonëse në veprat e tilla është i pranishëm edhe rreziku nga pasojat e (mos)distancës kohore, te kjo vepër një distancë e tillë ndërtohet aty për aty, jo dhunshëm, kurse fleksibiliteti për t’i kapur damarët më të vrullshëm të aktualitetit nuk e lë të dalë në sipërfaqe fragmentarizmin reporteresk.
Visar Zhiti me këtë vëllim poetik tregoi se guximin krijues nuk e arrit duke urrejtur dhe duke u revanshuar ndaj atyre që e burgosën, por duke farkuar tolerancë në palcën e lashtë të trungut kulturor iliro-shqiptar.
