Kreu Letërsi Bibliotekë “Rrëfimet e një dashnori”, tregim nga Artur Spanjolli

“Rrëfimet e një dashnori”, tregim nga Artur Spanjolli

Spanjolli

Ai u shtri për të fjetur. Por më shumë se dëshirën për të fjetur, kishte dëshirën për të ëndërruar. Aty, me ëndrrën ai mund të bënte ç’të donte. Mund t’a merrte atë, personazhin e tij, i cili ishte vetvetja dhe padyshim, ajo. Dhe mund të bënte ç’të donte. E lozte filmin si të dëshironte. Ishte vetë si regjizor, ashtu edhe aktor. Mund të futej gjithkund. Mund të ishte i ftuar në shtëpinë e saj, dhe i lumtur, mund të ulej fare pranë saj. Tani, me sytë e mbyllur, kruspull nën shtroje, ishte e mundur gjithçka. Mund të bënte dashuri për orë të tëra. Mund ta puthte dhe ta përkëdhelte, sa të lodhej.

Gjithë ajo indiferencë dhe përçmim në botën reale, aty nuk kishte fare pushtet. I pëlqente ta sëmurte personazhin e tij. Ta bënte të plagosur, ndaj ajo, e bukur dhe e shndritshme si dielli, me atë ndjenjën e ëmbël të mëshirës që për vajzat është dhunti natyrale, e merrte dhe e kuronte.

Plaga e tij, më shumë se në trup, nga armët, ajo ishte thellë në shpirt. Aty i dhimbte. Aty tek dashuria që i mungonte. Aty lëngimi i tij arrinte kulmin. Ajo afrohej dhe me dashuri, me përkëdheli i mërmëriste ëmbël.

“E di. Shërimi yt është thjesht një buzëqeshje e ime.

E di. Ilaci yt më i mirë, është përkëdhelja ime. Ti dëshiron me zjarr që unë të t’i fshij lotët e dashurisë dhe të të pëshpëris pa fund: – Të dua. Të dua. Të dua – Mbreti im. Ëndrra ime. Shpirti im. Me ato buzët e holla, me vështrimin e thellë, misterioz, me bebet e zeza dhe të ëmbla, poshtë ballukeve të verdha. Asgjë tjetër. E di! E di, por nuk mundem! Ne jemi dy botë që kurrë nuk mund të takohen. Jemi dy paralele që ecin në dy dimensione të ndryshme.”

Ajo e hapte derën përherë duke buzëqeshur, dhe ai, për të njëqindën herë rrinte pranë saj, e puthte, e përqafonte. E përkëdhelte. E dashuronte me zjarr.

Ai rrinte brenda shtrojeve. Ishte ftohtë. Dimër, vetmi. Jashtë era plot ngricë fshikullonte xhamat e akullt. Fishkëllente fort era e nëntorit. Ajo ishte larg. Flinte diku mes reve. Në një dhomë mes tokës dhe qiellit. Por ai e dinte që jetonte në të njëjtin qytet. Ndaj e dashuronte atë qytet. Atë rrugë. Ato pemë.

Pastaj, tek mblidhej mes shtrojeve të ftohta, fillonte dhe krijonte filma. Filma abstraktë. Ai ngjitej plot tmerr tek shkallët e saj, dhe ajo i hapte portën. Ç’derë parajse ishte ajo? Ishte e mundur aq shumë dashuri në gjoks?! Buzëqeshja e saj plot diell, ndritja e flokëve ngjyrë gruri të pjekur, sytë e zinj dhe të thellë, zëri i saj plot grimca drite.

Rrinte me orë i kredhur në ëndërrime. Kënaqej me atë sfilitje joshëse. Ushqente shpirtin e tij të dashuruar.

Ishte kjo dashuria vallë? E pashë. Më pa, dhe me një shkëndijë dashurore, zemra ndizej krejt?

Ishte kjo dashuria? Kur veç një buzëqeshje e saj, mund të ndizte lumturinë më të egër? Ishte kjo, dashuria?

Pa fjalë, pa prekje, pa puthje, pa premtime?! Veç shikime. Dy botë fare të largëta por edhe fare të afërta?

Ishte kjo dashuria?

Sa Dante, Kastadiva dhe sa Tonio e Virgjilë. Sa Laura dhe Anna Karenina. Sa De Muset dhe Haine, e Van Gogh-ë, kishin dashuruar vallë në këtë formë? Dashuronin vallë kaq marrëzisht veç shpirtrat e mëdhenj? Sa Petrarka dhe Hugo, sa Lasgushër kishin dashuruar ashtu vallë? Sa Romeo e Xhuljetë, ishin shkrirë vallë nga afshi i ëndërrimeve, ku prekja mashkullore kish qenë veç një dëshirë e zjarrtë? Dashuri pa finale mishi. Veç ëndërr kimike, kimerë në ngritje. Vrull pasioni pa konsumim me ofshama.

Sa të lumtura ishin ato që e njihnin nga afër?! Sa i lumtur ishte vallë jastëku ku ajo mbështeste kokën. Të ishte një foto në dhomën e saj, gjatë atyre dhjetë stinëve vendimtarë, sa zgjati tmerri. Derisa ajo iku përgjithmonë. U tret në botën e madhe. Të ishte pjesë muri e dhomës së saj, copë gëlqerje, veç ta shihte pa mbarim. Dante do të dinte ta këndonte, me siguri si e meritonte. Të ishte libri ku ajo drejtonte sytë. Ato sytë e thellë. Të zinj. Tepër të ëmbël. Sy engjëlli prej mishi. Ai vështrim i mprehtë, me vetullat si krahë dallëndysheje. Ishte e çuditshme?! Dashurohej mishi apo shpirti? Dashurohej zëri apo fjalët? Ai i dashuronte të gjitha. Për sytë e tij të magjepsur ai trup, ajo lëkurë, ato forma mishi prej tetëmbëdhjetë vjeçarje, ishin hyjnore. Ishin kozmike. Ishin qiellore. I dëshironte me një zjarr që digjte fort ato forma, atë trup. E dukej diçka absurde. Nuk e njihte fare nga afër. Nuk kishte pasur kurrë rast t’a njihte nga afër. Kish dashur, po. Por e kishte humbur fare toruan, siç mund të dashuronte njeriu veç 19 vjeç. I mungonte në çdo grimcë të trupit të tij të zhuritur. Të tjerët. Ato që asgjë nuk ndjenin? Ato pra, që jetonin rreth saj, si nuk e shihnin atë dritë? Ato mund të lumturoheshin pranë saj. Ato mundeshin. Ndërsa ai, që po digjej i gjallë. Ai nuk mundej. Nuk ishte absurde e gjitha kjo?!

Ishte kjo dashuria vallë?

Martirizimi total, humbja kryekëput e çdo dinjiteti?! Ç’mund të dinte vallë tetëmbëdhjetëvjeçar? Nuk dinte asgjë. Gjithçka është aq naive, por edhe aq e pafundë në atë moshë.

Mendonte këto gjëra tek rrinte duke parë tavanin. I plogësht, i zbehtë, i mbyllur. Me lot ndër sy. Pasiv dhe fare i zhgënjyer. Zhgënjimi e kishte pushtuar gjithkund. Një zhgënjim i thellë, pa skaj. Por ai zhgënjim mishi, në jetën reale, kishte filluar të ishte edhe triumfi i zbulimit të vetvetes. Kishte zbuluar një botë krejt të re. Një botë fantastike. Horizontet e imagjinatës së tij i kishin rritur dimensionet e perandorisë së shpirtit. Ngjyrat e emocioneve të tij ishin shtuar, ishin shumëfishuar. Ishin bërë të thella. Të pafunda. Nuk ishte kjo një rilindje, një prezantim i pafundësisë së njeriut? Nuk ishte kjo një zbulim i madh. Një pafundësi, ku ai mund të lundronte me imagjinatën e tij, pa e gjetur kurrë kufirin. Veç se ishte i rrënuar tërësisht. Tempulli i tij, i trishtë, jehonte me tinguj vaji. Ishte tërësisht i vdekur brenda. Ecte nëpër rrugë me vdekjen në gjoks. Ishte dashuria e pafatë, e cila nuk kishte pasur as përgjigje dhe as ngushëllim. Askush nuk e kishte ndihmuar. Ndaj qante i vetmuar mes perëndimesh që ulërisnin dhimbjen dhe vetminë. Zëri i dashurisë së errët.

“Ç’do të thotë kjo ndjenjë? Ti as nuk e njeh fare?”

– Nuk e njoh por ja që më kapi. Më zuri në distancë.

– Dashuri e pamundur?

– Dashuri e pamundur.

Si mund të dashurosh aq pafundësisht idenë, imazhin e një femre të cilën as nuk e ke takuar kurrë? Veç e ke parë nga larg, me adhurim, krejt i bërzhitur. Krejt i magjepsur nga bukuria e saj 16-vjeçare.

– Nuk e di. Nuk e shpreh dot. Kush i njeh sekretet e dashurisë. Ndodhi dhe aq!

– Si, ndodhi?!

– Nuk ishte hera e parë. Kisha rënë në dashuri në këtë formë edhe herë të tjera. Shumë herë. Loja fillonte me shikime, nga larg. Më pas filloja të përgjumësha dhe e ëndërroja me zjarr. Si duket është një gjendje natyrale e përbërjes time thelbësore. Veç se kjo, ishte më e tmerrshmja. Nuk doja. Shkoja drejt saj fatalisht. Pa shpresë. Si i magjepsuri drejt sirenës. Si i droguari drejt dozës së shkatërrimit. Ishte diçka tepër e madhe. Sikur të dëshiroje me zjarr të ishe princ. Fëmijë mbreti, kur e dija mirë se kisha lindur, veç një femijë i thjeshtë populli. Vija nga një familje punëtori.

E dije që ishte një iluzion?!

E dija po s’më interesonte. E dija me logjikën racionale. Por pasioni, ndjenja mori dhenë, mori timonin në dorë dhe as nuk e përfilli fare arsyen. I dha shkelmin arsyes, e cila u aneksua dhe nuk kishte më, asnjë farë pushteti në atë simfoni dramatike plot vdekje, e cila po luhej në muzgun tim. Kur zemra do, aq i bën. Ajo veç dëshiron të përgjumet me lot ndër sy, dhe të ëndërrojë. Ajo do të flijohet. Do të vdesë në emër të dashurisë. Po! Dëshira e saj e vetme është martirizimi total i qënies.

Absurde!

– Sa gjëra absurde ka në jetë.

– Si Dante!

– Po

– E pastaj?

Pastaj pafuqia, dhe dëshira e squllur, mos ta shihja më. Ajo ishte tepër e madhe, por fare e pamundur. Unë, shkoja drejt saj veç me mendimin që të vuaja. Doja veç ta shihja prap. Por, kur zuri atë tjetrin, ate bukuroshin, si u hap fjala. Kur e mora vesh, atëherë, me shumë sforcim. Me shumë mund arrita t’i mbushja mendjen vetes se duhej të bëhesha mënjanë. S’kishte më kuptim. Por, ç’kohë madhështore kisha jetuar. Ishte një kohë fare madhështore. Ishte koha më e egër, por edhe ajo me më me plot ndjenja, që kisha kaluar ndonjëherë në jetën time. Kohë e madhe dashurie. As të gjitha këngët e rruzullit nuk arrinin të më ngushëllonin. As edhe të gjitha poezitë e tokës nuk ma gjenin dot ilaçin. Lexoja si i tërbuar. Pa e mëshiruar veten. Doja të pikasja, të njihja të gjithë fatlumët si puna ime nëpër botë. Doja t’i mbushja mendjen vetes, se nuk isha i vetmi. Se kishte edhe të tjerë që kishin vuajtur si unë. Nuk ishte fundi i botës. Ishte ndoshta fillimi i saj.

– Do ta bëje përsëri një gjë të tillë? Po të kishe mundësinë pra. Do t’a përsërisje akoma një eksperiencë të tillë?

– Kurrë! Nuk do kishte kuptim. Nëse do të mbetesh pa dinjtet. Nëse do të poshtërosh vetveten. Nëse do ta humbësh kryelartësinë tënde, rend atëherë mbas një historie të tillë. Kurrë mos ardhtë.

Jetoja si i humburi. Si i mbyturi në lumë. Si i mpiri, si i trullosuri nga gjumi. Isha krejt i ngrirë nga frika. U bëra edhe me fiksime. Mu shfaqën disa njolla nën lëkurë. Njolla gjaku. Kisha parë në atë kohë një film. “Pranvera nuk erdhi vetëm” me një aktore. A. Markajan, personazh, e cila ishte e sëmurë me leuçemi. Thellë-thellë isha i bindur se edhe unë e kisha atë sëmundje. Shihja njollat e gjakut tek duart dhe u tmerrova. Edhe aktorja tek filmi kishte pasur një simptomë të tillë. Kam jetuar me këtë frikë të fshehtë për muaj të tërë. Në të vërtetë fiksimi ishte një tjetër. Ishte ajo. Vajza e largët, e cila jo vetëm nuk ma vari kurrë, por filloi të më marrë inat, për të mos thënë që unë, në vend që t’i ngjallja mëshirë, i ngjallja neveri dhe ndoshta urrejtje. Ndërronte rrugë e shqetësuar, sapo më pikaste nga larg. Nuk dilte kurrë vetëm në rrugë. Një herë e ndoqa si idiot. Kisha hedhur në të pastër poezitë e para për të. Ishte shtator. E ndoqa derisa u fut tek pallati i saj me të motrën. Darkave dilnin deri poshtë tek Vollga. U ngjita shpejt si kaproll nëpër shkallët e pallatit të saj, dhe i ndalova në kat të dytë tek ngjiteshin. “Kam shkruar këto poezitë për ty!”, i thashë si idiot, me duart që më dridheshin. “Ik qërohu!”, mu kthye ajo me tërë forcën e shpirtit. “Mos të të shoh më me sy!” Kjo ishte përgjigja e shkrumbit tim shumëmujor. Ika i vrarë krejt në shpirt. Nuk e kam menduar kurrë vetëvrasjen edhe pse vuaja si i dënuari në ferr. Ndoshta për mendjen e kokës. Më mjaftonte që ajo jetonte në të njëjtin qytet. Në atë periudhë doli në qarkullim romani i Markezit: “Dashuria…..” gjeta vetveten aty. “Zot” mendova. “Nuk qënkam i vetëm!” Më pëlqeu historia, por e kuptova se shkrimtari e kishte shkruar historinë siç e kishte dëgjuar. Nuk e kishte jetuar një gjë të tillë. E kishte përshkruar nga jashtë, jo si Dante, nga brenda. Dukej që ishte shkrimi i një njohësi të shpirtit njerëzor, por veç nëpërmjet eksperiencave të njerëzve të tretë. “Po ta shkruaja unë, do t’a shkruaja më mirë!”, mendoja. Por libri ishte një ngushëllim i madh për shpirtin tim dramatik dhe mjeran. Veç ç’mjerim sublim! Më vonë jetova, njoha, dashurova shumë vajza, por kurrë më nuk ndjeva zemërçjerrjen aq ulëritëse të atyre kohërave. Qiejt në perëndim, ishin zemra plot gjak. Mbushur me tmerr të gjallë. Netët, vetmitare. Ishin fare dramatike skulpturat e harresës, zhytur në qiej të panjohur. Sa nuanca ka shpirti vallë? Sa mjerime ka trishtimi? Po dhimbja, e cila me siguri është kozmike?

Nuk arrija më të ëndërroja si asohere. Gjatë periudhës së parë, kur e njoha nga larg, kur vinte tek shkolla ime, mbasditeve. Tani shpirti i tronditur veç vuante pasojat e përleshjes. Nuk arrija më të ëndërroja, vërtet. Tani, shtrihesha i vetmuar. Dëgjoja muzikë për orë të tëra. Ngushëllimi ishte dëgjimi i çdo tingulli të ëmbël dhe agresiv. Refrenet e këngëve ma gudulisnin shpirtin fare thellë. Qaja me tërbim. “Këto gjëra nuk zgjasin tërë jetën. Vuaj tani sa të keshë mundësi!”, kisha lexuar tek libri i Markezit. Ishte e vërtetë. Ishte tragjikisht e vërtetë, sepse edhe unë, në mjerimin më të pamëshirshëm, ndjeja muzikën më sublime. Atë të pafundmen, ku njeriu arrin të dëgjojë edhe flautet e korit të engjëjve. Gjithmonë e kam lidhur historinë time me “Qielloren”. Me “Perëndinë, të “Cilin” as nuk e njihja asokohe. Ishte “Dashuria”. Dashuria e pafundshme, e cila më kishte bërë vizitë me aq bujë. Me aq dhunë. Një dashur pa limite. Pa brigje, pa kufi. Një dashuri e cila, nga pafundësitë kishte ardhur dhe asaj i drejtohej. Një dashuri, e cila do të më prezantonte përjetësinë. Jo. Nuk kisha më forcë të ëndërroja si dikur. Tani përthithja gjithçka që të tjerët kishin thënë. Ndoshta një ditë, do të dija edhe unë t’i thoja ndjenjat aq bukur. Si një shkrimtar i vërtetë.

Exit mobile version