Kreu Letërsi Bibliotekë Letrat e M. Bullgakovit drejtuar Stalinit

Letrat e M. Bullgakovit drejtuar Stalinit

Përgatiti dhe përktheu nga origjinali Agron Tufa

E para gjë që të trondit në letrat e Mihaill Bullgakovit dhe Evgenij Zamjatinit dërguar Stalinit (ato janë shumë të ndryshme: letrat e Bullgakovit janë plot dyshime, ndwrsa të Zamjatinit janë më drejtvizore), – është fakti që ata nuk kërkojnë ndihmë, ndonëse jetojnë në varfëri, të ftohtë dhe nevojë, por kërkojnë ndërprerjen e persekutimit dhe heshtjes, me të cilat i ka rrethuar pushteti, shtëpitë botuese, shokët e botës së kulturës.
Falë ndërhyrjes së Gorkit Zamjatini arrin të kapërcjë kufijtë e BRSS-së dhe vdes pas pesë vitesh në Paris, ndërsa Bullgakovi mbetet brenda internimit të brendshëm dhe do të duhet të durojë ndalimet, fyerjet, kërcënimet, manipulimet me tekstet e tij, deri dhe vjedhjet e dorëshkrimeve. Bullgakovi i drejtohet Stalinit ta lejojë që bashkë me të shoqen ta lënë BRSS-në, pasi për të “pamundësi për të shkruar është e njëjtë me varrosjen për së gjalli”. Në prill të vitit 1930 Stalini i telefonon Bullgakovit në shtëpi, për t’i thënë të fillonte punë në МХАТ (Moskovskij Hudozhestvjenyj Akademiçeskij Teatr – Teatri Artistik Akademik i Moskës) dhe i propozon për t’u takuar. Porse ky takim nuk ndodhi asnjëherë, ndërkaq që Bullgakovi jetoi ndërmjet depresionit dhe çmendurisë për shkak të torturës shpirtërore që vazhdoi t’i bënte pushteti sovjetik me urdhër të Stalinit.
Disa javë para vdekjes Bullgakovi mbaron së shkruari kryeveprën e tij dhe një prej romaneve më madhështore të shekullit XX “Mjeshtri dhe Margarita”, që u botua i plotë në BRSS vetëm në vitin 1989. Nuk qe e thënë që ai të shihte se çfarë efekti shkaktoi tek lexuesit analogjia në romanin e tij ndërmjet Stalinit dhe Satanait.
Disa letra të Bullgakovit nuk arritën kurrë t’i dërgoheshin Stalinit. Shkrimtari ato i ka nënshkruar me pseudonimin “Tarzan” dhe në to ai qe përpjekur të vendoste njëfarë raporti personal me Stalinin. Ky ishte një iluzion naiv me një përzierje të çuditshme paniku, mazokizmi dhe mahnie. “Lahtari paralizues ka lënë gjurmën e vet në jetën e shumë intelektualëve deri në vdekjen e Stalinit në mars të vitit 1953. Këto letra janë pasqyrimi i frikës dhe nevojës për të ikur prej tij. Këto letra na ndihmojnë të kuptojmë natyrën e stalinizmit dhe banalitetit të së keqes.

NGA LETRAT E MIHAILL BULLGAKOVIT DËRGUAR STALINIT

Biseda telefonike e Mihaill Bullgakovit me Josif Stalinin u bë me 18 prill 1930. Shkak për këtë bisedë qe bërë letra e shkrimtarit dërguar Stalinit. Kjo letër që një klithje shpirtërore e shkrimtarit, të cilit në fund të viteve njëretë nuk e lejuan të vërë në skenë asnjë prej veprave të tij dramaturgjike, nuk e lejuan të botonte as dhe një rresht.

Në këtë letër të shkrimtarit drejtuar udhëheqjes së BRSS dhe vetë Stalinit, të datuar me 28 mars 1930, Mihaill Bullgakovi ka shkruar, duke rrëfyer gjendjen e vet: “tash unë jam i shkatërruar”, “gjërat e mia janë të pashpresa”, “pamundësia për të shkruar është për mua e njëjtë me të qenit i varrosur për së gjalli”. Duke cituar sulmet shpartalluese ndaj veprave të të tij letrare, ai mbrohet:

Unë ju dëshmoj me dokumenta në dorë që i gjithë shtypi i BRSS-së, e me të bashkë dhe të gjitha institucionet e udhëzuara të kontrollojnë repertuarin, përgjatë gjithë viteve të mia të punës letrare, të gjithë në një mendje e me një tërbim të pa imagjinueshëm, kanë dhënë verdiktin se veprat e Mihaill Bullgakovit nuk kanë vend në BRSS.

Dhe unë po e shpall, se shtypi i BRSS-së KA PLOTËSISHT TË DREJTË.

Lufta me cenzurën, cilado qoftë ajo dhe në çdo pushtet qoftë, është detyra ime prej shkrimtari…

Dhe, së fundi, karakteristikat e mia të mbrame në dramat që më kanë marrë më qafë: “Ditët e Turbinëve”, “Arratia” dhe në romanin “Garda e bardhë”: paraqitja këmbëngulëse e inteligjencies ruse si shtesa më e mirë në vendin tonë. Më përveçëm – paraqitja e inteligjencies së familjeve aristokrate, të hedhur sipas kapriços së fatit historik gjatë luftës civile në kampin e gardës së bardhë, në traditat e “Lufta dhe Paqja”. Një paraqitje e tillë është krejt e natyrshme për një shkrimtar që me inteligjencien e lidh gjenetikisht gjaku.

Porse paraqitje të tilla na çuakan në përfundimin se autori, këtë inteligjencë në BRSS, njëlloj si me heronjtë e vet, pa marrë parasysh sforcimin e stërmundimshëm PËR T’I BËRË ATA TË PAANSHËM NDAJ TË KUQVE DHE TË BARDHËVE – pra autori na bëhet atestat i bjellgardistit-armik, dhe me ta bërë këtë atestim, sikundër gjithkushi e kupton, e shpall veten njeri të mbaruar nën pushtetin e BRSS-ve..

I drejtohem humanizmit të pushtetit sovjet me lutjen, të më lerë mua, shkrimtarin, i cili nuk mund të jetë i dobishëm në shtëpinë e vet, në atdheun e vet, i lutem pra këtij pushteti, ta bëjë shpirtin të gjerë dhe të më japë udhët në liri.”

Dhe ja, pas një britme të tillë të shpirtit të datës 18 prill 1930 rreth orës 19 në apartamentin e Mihaill Bullgakovit ra zilja e telefonit. Receptorin e mori e shoqja, Ljubova Bullgakova. Me të marrë vesh që telefonata vinte nga Komiteti Qendror, ajo thirri të shoqin. Bullgakovi mendoi se është ndonjë përqeshje, andaj iu avit telefonit i zemëruar.

Sekretari: Mihaill Afanasjeviç Bullgakovi?

Bullgakovi: Po, po.

Sekretari: Tash fill me ju do të flasë vetë tovarish Stalini.

Bullgakovi: Çfarë? Stalini thatë?

…Kaluan 2-3 minuta…

Stalini: Me ju po flet Stalini. Ngjatjetani, tovarish Bullgakov.

Bullgakovi: Ngjatjetani, Josif Visarionoviç.

Stalini: Letrën tuaj e kemi marrë. E lexuam me shokët. Ju do të keni për këtë letër një përgjigje pozitive… Por, ndoshta, menjëmend – Ju këmbënulni për t’ju lënë të ikni jashtë shtetit? Si ta kuptojmë, ne jua kemi sjellë në majë të hundës?

Bullgakovi (i turbulluar dhe jo menjëherë): …Kohët e fundit kam menduar gjatë nëse ia del dot një shkrimtar rus të jetojë jashtë atdheut të tij. Dhe mua më duket, se e ka të pamundur.

Stalini: Ju keni të drejtë. Edhe unë ashtu mendoj. Ku dëshironi të punoni? Në Teatrin Artistik?

Bullgakovi: Po, do të doja. Por unë kam kërkuar punë aty dhe më kanë refuzuar.

Stalini: Po ju çojeni dhe njëherë kërkesën tuaj atje. Kam përshtypjen, se ata do të pranojnë. Do të doja të linim një takim dhe të flisnim bashkë.

Bullgakovi: Po, po! Josif Visarionoviç, edhe unë kam shumë nevojë të kuvendoj me Ju.

Stalini: Po, duhet gjetur kohë dhe të takohemi, patjetër. E tani ju uroj të gjitha të mirat.

Takimi i Bullgakovit me Stalinin nuk u bë kurrë. Por me 19 prill të vitit 1930 Bullgakovi u emërua asistent-regjisor në Teatrin Artistik. Dhe përveç kësaj, u punësua dhe në Teatrin e Rinisë, por, megjithatë, sado paradoksale, dramat nuk lejuan t’ia vënë në skenë.

Me 30 maj 1931 në një letër tjtër për Stalinin Bullgakovi shkruan:

“Që nga fundi i vitit 1930 jam sëmurë me një formë të rëndë neurastenie me ethe frike dhe ankth atrial dhe aktualisht jam i mbaruar.

Unë kam synime, por nuk ka forca fizike, nuk ka kushte të nevojshme për të bërë punën. Shkaku i sëmundjes sime e kam shumë të qartë.

Në fushën e gjerë të letërsisë ruse në BRSS, unë isha i vetmi ujk letrar. Më këshilluan të lyeja lëkurën. Këshilla qesharake. Qoftë një ujk i lyer apo një ujk i prerë, ai ende nuk duket si një pudel. Më trajtuan si ujk. Dhe për disa vite më çuan sipas rregullave të një kafazi letrar në një oborr të rrethuar. Nuk kam keqdashje, por jam shumë i lodhur. Në fund të fundit, bisha mund të lodhet.

Bisha deklaroi se ai nuk ishte më një ujk, jo një shkrimtar. Refuzon profesionin e tij. Bie në heshtje. Kjo është, sinqerisht, shpirtvogëlsi.

Nuk ka një shkrimtar të tillë që do të donte të heshtte. Nëse ai ndalon së foluri, do të thotë se ai nuk ka qenë i vërtetë. Dhe nëse i vërteti hesht, ai do të vdesë”…

Vërtetë, Stalini mori pjesë dy herë në një produksion të shfaqjes së Bulgakovit “Apartamenti i Zojkinës”, duke theksuar: “Është një shfaqje e mirë! Nuk e kuptoj, nuk e kuptoj fare pse kjo dramë njëherë lejohet e njëherë tjetër ndalohet. Është një shfaqje e mirë, asgjë të keqe nuk shoh në të”. Dhe në shkurt 1932, Stalini, pasi kishte parë shfaqjen “Frika” të e Afinogenovit, të cilën nuk e pëlqeu, u tha përfaqësuesve të teatrit: “Keni pasur një shfaqje të mirë, “Ditët e Turbinëve” të Bullgakovit – pse e keni ndaluar? … Është një dramë e mirë, duhet ta vini sërish në skenë”. U urdhëri për ta rivënë shfaqjen.

Përveç “Ditëve të Turbinëve” të rikther në Teatrin Artistik në Moskë, pasoi vënia në skenë e shumëpritur e shfaqjes së tij “Kabala Shenjtëruese” (e cila megjithatë u hoq shpejt nga repertori). Të lejuara për vënien në skenë janë “Shpirtra të vdekur” të vënë në skenë nga vetë Bullgakovi.

Por gjatë gjithë kësaj kohe Bulgakov po kërkon një takim me Stalinin, duke shpresuar të shpjegojë pozicionin e vet në kuvendim e sipër dhe të kuptojë pozicionin e tij. Në një letër, ai madje i kërkoi Stalinit “të bëheni lexuesi im i parë”. Por nuk ka më asnjëlloj kontakti me udhëheqësin.

Në 1934, Bulgakovët u thirrën në komitetin ekzekutiv të qytetit për të plotësuar dokumentet për largimin nga BRSS. Bulgakov është i kënaqur dhe beson se përndjekja ka mbaruar dhe “Kështu, unë do të shoh dritën!” Por pas disa ditësh ai mori një refuzim zyrtar.

Dhe Bulgakov përsëri i shkruan një letër Stalinit duke i kërkuar personalisht ndërmjetësim.

Përgjigje s’ka.

Në vitin 1938, Bullgakovi, në një letër tjetër drejtuar Stalinit, ndërmjetësoi për poetin dhe dramaturgun Nikolai R. Erdman, i cili nuk u lejua të kthehej në Moskë pasi u internua në Siberi.

Dhe Bulgakov përsëri i shkruan një letër Stalinit duke i kërkuar personalisht ndërmjetësim.

Përgjigje s’ka.

Në vitin 1939, Bullgakovit i dhanë një vend si libretist në Teatrin “Bolshoj”, ku ai gjithashtu punon si përkthyes. Dhe një herë në shfaqjen “Ivan Susanin” Bullgakovi pa në llozhë Stalinin.

Por Stalini nuk i kushtoi vëmendje

Miqtë e këshillojnë Bulgakovin: “Shkruaj një dramë propagandistike… Sa kohë mund të vazhdojë kjo? Duhet të heqim dorë, të gjithë janë dorëzuar. Ju keni mbetur vetëm. Kjo është marrëzi.” Dhe Bullgakovi po përpiqet të bëjë një hap përpara – ai shkruan shfaqjen “Batum” për të riun Josif Xhugashvili.

Por përpjekja dështon.

Kur Bullgakovi me regjisorin dhe aktorët e përfshirë në prodhimin e “Batum-it”, niset për në Gjeorgji për t’u njohur me vendet historike në vend, i vjen një telegram në tren ku i bën me dije se: “nuk ka nevojë për një udhëtim të tillë, kthehu në Moskë!…”

Rezulton se Stalini, gjatë vizitës së tij në Teatrin e Artit në Moskë, i thotë Njemiroviç-Dançenkos se “ai e konsideron shfaqjen “Batum” shumë të mirë, por ajo “nuk mund të vihet në skenë”.

“Lusja,” i tha atëherë Bullgakovi gruas së tij, “ai sapo më nënshkroi një urdhër vdekjeje”.

Në tetor 1939, Bullgakovi i sëmurë dhe i dëshpëruar shkroi testamentin. Ai tashmë ishte tepër i sëmurë. Kolegët dhe të njohurit i shkruajtën një letër qeverisë me një kërkesë për lejimin e Bullgakovit në Itali për kurim mjekësor.

Përgjigje s’pati.

Me 10 mars 1940 Bullgakovi ndërroi jetë.

Po atë ditë në apartamentin e tij ra telefoni. Telefononte sekretaria e Stalinit:

Sekretari: Si është puna, shoku Bullgakov vdiq?

L. Bullgakova: Po, vdiq.

Në skajin tjetër ulën dorezën.

Letër e Bullgakovit Udhëheqjes së BRSS-së

28 mars 1930, Moskë

Mihaill Afanasjeviç Bullgakov

(Moskë, B. Pirogovskaja, Pallati 35, ap 6)

I drejtohem Udhëheqjes së BRSS-së me këtë letër, si më poshtë vijon:

1

Pasi të gjitha veprat e  mia u ndaluan, mes shumë qytetarëve që më njohin si shkrimtar, zunë të më vinin fjalë që përqendroheshin te një këshillë:

të krijoj një “dramë komuniste” (në thonjëza sjell vetëm citatet), përveç kësaj, t’i drejtohem udhëheqjes së BRSS-së me një letër pendese ku përmbajtja të jetë refuzimi i pikëpamjeve të mia mbi veprat letrare dhe besimi se nga ky moment, do të punoj me përkushtim të rrallë për idenë e komunizmit si shkrimtar i angazhuar.

Qëllimi: të shpëtoj nga përndjekjet, varfëria dhe vdekja e pashmangshme si finale.

Kësaj këshille nuk ia vura veshin. Zor se do të dilja përpara Udhëheqjes së BRSS-së si i sinqertë, duke shkruar një letër mashtruese që përfaqëson një kurbet  politik naiv dhe të parehatshëm. Kurse përpjekjen për të krijuar një dramë komuniste, për këtë as që e vura ujin në zjarr, duke e ditur qysh më parë se këtë gjë nuk dëgjon pena ta shkruajë.

Dëshira që u poq brenda meje për të ndërprerë mundimet e mia prej shkrimtari, më shtrëngon t’i drejtohem Udhëheqjes së BRSS-së me një letër të vërtetë.

2

Duke analizuar albumet me ato çka shkruhen për mua, zbulova se në shtypin e BRSS-së përgjatë dhjetë vjetëve të punës sime letrare, janë shkruar 310 artikuj. Prej tyre: lavdërues – 3, kurse armiqësorë-sharës – 298.

Këta 298 artikujt e fundit paraqesin një pasqyrë të jetës sime prej shkrimtari.

Heroin e dramës sime “Ditët e Turbinëve”, Aleksei Turbinin, e kanë quajtur, me gërma kapitale në vargje, “bir kurve”, ndërsa autorin e dramës e kanë rekomanduar si “të pushtuar nga pleqëria e qenit”. Për mua, kanë shkruar si për një “kazan plehrash letrar” që mbledh kocka e mbeturina, pasi ato i ka “vjellë një dyzinë gostiarësh”.

Kanë shkruar kështu:

“…mishka Bullgakov, o nuni im, më falni për shprehjen – mender me thanë, gjithashtu shkrimtar, ti rrëmih në fund të koshit të plehrave… Ç’pallavra i ke këto more vëllam, këto gërthitje prej daci…? Jam një njeri delikat, por merre e përveshja me legen surratit atij debili… Ne rrojmë edhe pa ata Turbinët e tu, të ngjashëm sutjena për cica buçje që s’i hyjnë kujt në punë… Nga na dole more BIR KURVE, MORE TURBIN QË S’I HYN KUJT NË ALET…” (“Jeta e artit” No 44 – 1927).

Kanë shkruar “për Bullgakovin, i cili siç ka qenë, ashtu do të mbetet, një BASTARD I BORGJEZISË SË RE, që hesh  cirka qyrresh të helmëta, por të pafuqishme mbi klasën punëtore dhe idealin komunist të saj” (“Komsomolskaja pravda” 14. X. 1926).

Kanë shkruar se mua më pëlqen ATMOSFERA E SHKËRDHIMIT QENÇE përreth e rrotull ndonjë gruaje flokëkuqërremtë të ndonjë shoku (A. Llunaçarskij, “Izvjestia”, 8/X – 1926) dhe se prej dramës sime “Ditët e Turbinëve” të shpon hundët KUTËRBIMI (Stenogrami i shpërndarë nga agjitpropi në maj 1927), e të tjera, e të tjera…

Nxitoj t’ju bëj me dije se të gjitha këto që citova, nuk i citoj aspak që t’ju ankohem juve për kritikat e as për të hyrë në ndofarë polemike. Qëllimi im – është shumë e më shumë serioz.

Unë ju dëshmoj me dokumenta në dorë që i gjithë shtypi i BRSS-së, e me të bashkë dhe të gjitha institucionet e udhëzuara të kontrollojnë repertuarin, përgjatë gjithë viteve të mia të punës letrare, të gjithë në një mendje e me një tërbim të pa imagjinueshëm, kanë dhënë verdiktin se veprat e Mihaill Bullgakovit nuk kanë vend në BRSS.

Dhe unë po e shpall, se shtypi i BRSS-së KA PLOTËSISHT TË DREJTË.

3

Pikënisje për këtë letër u bë një pamfleti im me titull “Ishulli i kuqërremtë”.

E gjithë kritika e BRSS-së, pa përjashtim, e priti këtë dramë me deklaratën se ajo është “mediokrre, pa kockë, beterr” dhe që ajo paraqet një “paskuil mbi revolucionin”.

Uniteti qe i plotë, por ai u thye papritmas dhe krejt çuditshëm.

Në numrin 12 të “Buletini i repertuarit” (1928) u botua recensioni i P. Novickijt, në të cilin thuhej se “Ishulli i kuqërremttë” është – “një parodi interesante e mendjemprehtë”, në të cilën, “del në pah hija e Inkuizitorit të Madh që ndrydh dhe shtyp krijimtarinë artistike që kultivon SERVILIZËM SKLLAVI me shtampa të trasha dramaturgjike, që fshin personalitetin e aktorit dhe shkrimtarit”, që në “Ishullin e kuqërremtë” bëhet fjalë për “forcën e zezë të së ligës që mëkon SPEKULATORËT, SERVILAT DHE PANEGJIRIKËT…”

Thënë është edhe “nëse një forcë e tillë e errët ekziston, INDINJATA DHE MENDJEMPREHTËSIA E LIGË E BORGJEZISË SË LËVDUAR NGA DRAMATURGU ËSHTË E JUSTIFIKUAR”.

Me lejoni t’ju pyes – ku qëndron e vërteta?

Çfarë është fundja “Ishulli i kuqërremtë”? – “një dramë mediokre, beterre”, apo një “pamflet mendjemprehtë”?

E vërteta qëndron në reçensionin e Novickijt. Nuk marr të gjykoj se sa mendjemprehtë ishte drama ime, por një gjë e di mirë, që në dramë menjëmend ngrihet një hije e ligë dhe se kjo është hija e Komitetit Udhëheqës të Repertuarëve. Pikërisht ky komitet edukon mediokërrit, panegjirikët dhe “shërbetorë” të trembur. Ai po e merr më qafë skenën sovjete dhe do ta shkatërrojë përfare.

Unë këtë nuk e kam shprehur me të pëshpëritura qoshove. E kam shprehur në një pamflet satirik dhe e kam vënë në skenë. Shtypi sovjet, duke bërë dalazotësin e Drejtorit të Repertuarëve, shkroi se “Ishulli i kuqërremtë” – është një paskuil, tallje e revolucionit. Kjo është një pallavër jo serioze. Nuk është paskuil mbi revolucionin për shumë arsye, prej të cilave, për ekonomi letre po iu tregoj vetëm njërën: paskuil mbi revolucionin, për shkak të madhështisë së tij të jashtëzakonshme është e PAMUNDUR të shkruash. Pamfleti nuk është paskuil, sikurse Drejtoria e Repertuarëve – nuk është revolucioni.

Por kur shtypi gjerman shkruan se “Ishulli i kuqërremtë” – është “apeli i parë për lirinë e shtypit në BRSS” (“Molladaja gvardija” No 1 – 1929), – pra shtypi gjerman thotë të vërtetën. Për këtë jam i bindur. Lufta me cenzurën, sido që të jetë ajo dhe në çfarëdo pushteti qoftë cenzura – është misioni im prej shkrimtari, sikundër se dhe apeli për liri të shtypit. Unë jam një adhurimtar i zjarrtë i kësaj lirie dhe mendoj se, në pastë shkrimtar që rreht të provojë të kundërtën, që kjo liri nuk i duhet, ai do t’i shembëllente një peshku që shpall publikisht se nuk ia ka nevojën ujit.

4

Ja pra ku e keni njërën prej karakteristikave të letërsisë time dhe se ka mjaftuar vetëm kjo që veprat e mia të mos ekzistojnë në BRSS. Por lidhur me këtë karakteristikë janë të lidhura të gjitha të tjerat që dalin gjithkund nëpër novelat e mia satirike: ngjyrat e zeza e mistike (UNË JAM NJË SHKRIMTAR MISTIK), ngjyra me të cilat janë paraqitur shëmtira të panumërta nga jeta jonë e bastarduar, helmi me të cilin është nginjur gjuha ime, skepticizmi i thellë në lidhje me procesin e revolucionit që po ngjet në vendin tim të prapambetur dhe kundërvënia  e tij ndaj Evolucionit të Madh; por më kryesorja – është paraqitja e tipareve të tmerrshme të popullit tim, të atyre tipareve që shumë më përpara revolucionit i shkaktonin vuajtje të thella mësuesit tim M. E. Sllatikov-Shçedrin-it.

Nuk ia vlen ta themi që shtypi i BRSS-së as e ka çarë kokën të mendojë seriozisht për t’i nënvizuar të gjitha këto, ashtu siç është ai i zënë më komunikatat mendjelehta se, gjoja, në satirën e Mihaill Bullgakov-it kemi të bëjmë me “SHPIFJE”.

Vetëmse një herë, në fillim të popullaritetit tim, qe shkruar nënvizueshëm thuajse me një habi mendjemadhe se: “M. Bullgakov-i DËSHIRON të bëhet satirik i epokës tonë (“Libërbartësi”, No 6 – 1925).

Ajme, foljen “dëshiron” është e kotë ta marrim tani në kohën e tashme. Atë mund ta shpiem të transferuar në pluskuamperfektum: M. Bullgakov U BË SATIRIK, dhe pos kësaj në të njëjtën kohë kur asnjë lloj satire (që përshkon zonat tabu) në BRSS nuk mund të imaggjinohet.

Nuk më takon mua nderi ta shpreh këtë mendim kriminal në shtyp. Vetë shtypi e ka shprehur krejtësisht qartë në artikullin e B. Blumit (No 6 “Literaturnaja gazeta”), dhe kuptimi i këtij artikulli saktë e mrekullisht reduktohet në një formulë:

ÇDO SATIRIK NË BRSS ËSHTË NJË ATENTAT MBI REGJIMIN SOVJET.

A kam vallë vend unë në BRSS?

5

Dhe, së fundi, karakteristikat e mia të mbrame në dramat që më kanë marrë më qafë: “Ditët e Turbinëve”, “Arratia” dhe në romanin “Garda e bardhë”: paraqitja këmbëngulëse e inteligjencies ruse si shtesa më e mirë në vendin tonë. Më përveçëm – paraqitja e inteligjencies së familjeve aristokrate, të hedhur sipas kapriços së fatit historik gjatë luftës civile në kampin e gardës së bardhë, në traditat e “Lufta dhe Paqja”. Një paraqitje e tillë është krejt e natyrshme për një shkrimtar që me inteligjencien e lidh gjenetikisht gjaku.

Porse paraqitje të tilla na çuakan në përfundimin se autori, këtë inteligjencë në BRSS, njëlloj si me heronjtë e vet, pa marrë parasysh sforcimin e stërmundimshëm PËR T’I BËRË ATA TË PAANSHËM NDAJ TË KUQVE DHE TË BARDHËVE – pra autori na bëhet atestat i bjellgardistit-armik, dhe me ta bërë këtë atestim, sikundër gjithkushi e kupton, e shpall veten njeri të mbaruar nën pushtetin e BRSS-ve.

6

Portreti im letrar është tashmë i përfunduar, por ai është portret politik. Nuk mund të them se çafrë thellësie tjetër mund të kërkojë në të kriminalistika, por po ju lutem për një gjë: përtej kornizave të këtij portreti s’keni ç’kërkoni gjë tjetër. Ai është i mbaruar me ndërgjegje të plotë.

7

Tani jam i shkatërruar.

Ky shkatërrim u përjetua me gëzim të madh nga shoqëria sovjete dhe i kanë vënë edhe emër “ARRITJE”.

R. Pikel, duke festuar shkatërrimin tim (“Izvjestia” 15/IX 1929), na thënkësh një mendim liberal:

“Ne nuk duam të themi me këtë se emrit të Bullgakovit i është hequr vizë nga lista e dramaturgëve sovjetë”.

Dhe i dha gajret e shpresë shkremtarit të therur me fjalët: “Është fjala për veprat dramatike të mëparshme të tij”.

Mirëpo jeta si Drejtor Repertuari, ka treguar që liberalizmi i R. Pikel-it është një ckërmitje dhëmbësh.

Me 18 mars të vitit 1930 mora një pusullë nga ky njeri që telegrafikisht njoftonte, se jo dramaturgjia ime e shkuar, por drama ime re “Shenjtnia e Kabalës” NUK LEJOHET TË VIHET NË SKENË.

Po i nie shkurt: me dy rreshta zyrtarë është varrosur puna ime nëpër arkiva, fantazia ime, drama ime që ka marrë nga specialistët e kualifikuar të teatrit vlerësime të panumërta si “dramë e shkëlqyer”.

R. Pikel nuk është në vete. U varrosën veprat e mia të deritashme, por edhe vepra më e re, edhe veprat e mia të ardhshme. Dhe vetë me duart e mia, e hodha në zjarrin e sobës dorëshkrimin e romanit mbi djallin, dorëshkrimin e komedisë së vëllimit të dytë të romanit “Teatri”

Të gjitha krijimet e mia janë të pashpresa.

8

I lutem Udhëheqjes sovjetike të marrë në vëmendje që unë nuk jam ndonjë veprimtar politik, por shkrimtar dhe që gjithë produktin tim ia kam dhënë skenës sovjete.

Ju lutëm vini re dy opinionet e dhëna për mua në shtypin sovjet.

Të dy këto opinione vijnë nga armiqtë e papajtueshëm të veprave të mia, prndaj janë shumë të çmuara:

“Na doli një shkrimtar, që NUK ËSHTË I RRADHËVE TONA MADJE AS NË NGJYRA TË PËRKOHSHME” (L. Averbah, “Izvjestia” 20/ IX – 1925).

Ndërsa në vitin 1929:

“Talenti i tij është aq demonstrativisht i spikatur, sakundër dhe forca reaksionare e krijimtarisë së tij” (R. Pikel, “Izvjestia”, 15/IX – 1929).

Ju lutëm të merrni parasysh një gjë, që pamundësia për të shkruar është për mua e njëllojtë sikundër se vdekja për së gjalli.

9

I LUTEM UDHËHEQJES SË BRSS TË URDHËROJË SIPAS RREGULLAVE TË BRAKTIS KUFIJTË E BRSS I SHOQËRUAR NGA BASHKËSHORTJA IME LJUBOVA EVGENIEVNA BULLGAKOVA.

10

I drejtohem humanizmit të pushtetit sovjet me lutjen, të më lerë mua, shkrimtarin, i cili nuk mund të jetë i dobishëm në shtëpinë e vet, në atdheun e vet, i lutem pra këtij pushteti, ta bëjë shpirtin të gjerë dhe të më japë udhët në liri.

11

Nëse edhe ajo çfarë ju shkruajta është jo bindëse dhe më dënoni sa të kem jetë me heshtje në BRSS, e lus Udhëheqjen Sovjete të me gjejë punë në specialitetin tim të komandoj në teatër si regjizor shtetëror.

Unë ju lutem pikërisht, saktë dhe nënvizueshëm për një URDHËR KATEGORIK, PËR TË KOMANDUAR, sepse përpjekjet e mia për të gjetur punë në atë sferë të vetme ku mund të jem i dobishëm në BRSS, si specialist jashtëzakonisht i kualifikuar, kanë pësuar deri tash fiasko. Emri im është bërë aq gogol, sa lutja ime e natyrshme për punë shkakton gjithandej TMERR, pa marrë parasysh se në Moskë ka një sasi të të madhe aktorësh e regjizorësh, sikundërse dhe drejtorë teatrosh, të cilët e njohin mirë dijen time virtuoze të skenës.

I propozoj BRSS-së krejt ndershmërisht, pa asnjë hije keqëdashëse, të më gjejë punë si regjizor specialist dhe aktor, i cili me ndërgjegje të plotë do të verë në skenë çdo dramë, duke filluar nga darmat e Shekspirit gjer në dramat e ditëve tona.

Ose ju lutem të emëroni laborant-regjizor në Teatrin e parë artistik – në shkollën më të mirë, të kryesuar nga K. S. Stanislavski dhe V. I. Dançenko.

Nëse nuk me emërojnë regjizor, atëherë ju lutem për postin shtetëror të aktorit për role të dyta. Nëse edhe kjo s’është e mundur, atëherë ju lutem të punoj si punëtor skene.

Por edhe nëse kjo s’bëhet, e lus Udhëheqjen Sovjete, të bëjë me mua çka të dojë, si ta gjykojë ajo më mirë, por ama, diçka të bëjë, sepse mua, dramaturgut që ka shkruar 5 drama, të njohur në BRSS dhe në Evropë, më mbetet shqeto, NË KËTË ÇAST, – mjerimi, rruga dhe vdekja.

Moskë, Mihaill Bullgakov

28 mars 1930.

Exit mobile version