KAM MBETUR VETËM FILLIKAT
kam mbetur vetëm fillikat
më vetëm se vetëm
as mish, as skelet
shpirtin e harxhova në letër
s’jam as erë, as ajër, as pemë
ndoshta fjalë e humbur në hapësirë
po sytë i kam, vetëm sytë
dhe shoh një kometë që zbret
bishtin e gjatë e mbaj unë
është një kometë veshur nuse
zbret prej blusë të shkojë në blunë e deteve
dhe unë jam një shoqërues
zbresim e zbresim, tani s’jam vetëm
dhe kam një ndjesi prej dashnori hajdut
zë dhe i bëj korte si një parvenu
ende pa ia parë fytyrën dhe hiret pa ia parë
urra! s’jam vetëm, paçka se fjalë kam mbetur
as mish, as skelet, po as shpirt, vetëm sy
por ndiej sikur të isha trup
të dua, të dua, i them, të dua, kometë
dhe si një hajdut e vjedh
me kometën jam martuar,
fjala e humbur në hapësirë
lind kometa të tjera blu
RRIMË SHTRIRË
rrimë shtrirë dhe nga bulevardi poshtë dritares vjen zhurma e makinave
te majë e gishtit tënd të madh qëndron hëna
sikur do ta tërheqë këmbën në qiell
të shkelë mbi vesën që bie
njëri thumb i gjirit është në gojën time
të dy lakuriq të ngjyer me mbrëmje
përpiqemi të vëme në gjumë heshtjen
do zemra e dehur nga poezia
po s’do mishi
gijotina e revolucionit francez ngrihet përsëri
i pritet koka mbrëmjes
siç e kemi zënë
do t’i pritet koka dhe agimit
TË KISHA FUQI DEMIURGU
të kisha fuqi demiurgu
t’i bëja stinët prej mishi
të kisha në pranverë botiçellin me vajzat nimfa që dalin prej guaskave me flokët e mëdha gjer në thembër të këmbëve
dhe t’i haja frutat mbi barkun e tyre
mbi llërët e bryllta të korrja grurin
dhe në sytë e mëdhenj me dete që s’i nxënë qepallat e rrjedhin faqeve
të vija agimet
dhe muzgjet me hije
të rrokullisej në qerpikë dielli dhe hëna të ngecte në lotin e mëngjesit
vera të vinte me nudot
prej kanavacave klasike
përplot forma sensuale që vënë në ngasje dhe qiellin
t’i zbres perënditë në tokë të bëjnë seks me beverli hillsin
vjeshta të vijë prej melankolisë së madonës sikstine
dhe tërë kubetë dhe muralet e kishave dhe tërë organot hidraulike të dalin në fushë dhe të zënë krimba mëndafshi me shirat
dimri me dëborën e gjatë të zbulojë gëzofin e larës
dhe dy gjinjtë e acartë t’i puthin varret ku është varrosur doktor zhivago
të kisha fuqi demiurgu
t’i bëja stinët prej mishi
KRIPËN S’E KANË DETET
kripën s’e kanë detet
kripën e ka gruaja
pse i këndoi euridikës orfeu
dhe petrarka laurës
dante beates?
kripën e ka gruaja
ajo është deti i lakmuar
pse nuk i këndoi euridika orfeut
laura petrarkës
beate dantes?
burrat janë barka
shkojnë nga deti në det të shijojnë kripën e bekuar
shkojnë larg
detet rrinë në vend
e ka kot verdi me dona mobile
dhe kur brigjet braktisen varg e vistër
fajin e kanë barkat
që lakmojnë kripën
pse nuk i këndoi euridika orfeut
laura petrarkës
beate dantes?
sepse s’ishin barka, po dete
a ka ndodhur ndonjëherë që të këndojë deti për poetin?
kripën e ka gruaja
kjo është çështje e ndërlikuar
kështu thotë dhe shekspiri
PO DAL, THASHË
po dal, thashë
jashtë vetëm zogj kishte
dhe drurë
pastaj dolën ketrat në lirishtë
dhe xixëllonjat kandileve iu këputën flakët e akullta
dhe i tundën për të verbërit në errësirë
sa kohë kishte shkuar pa menduar për ty
ku e paskam patur mendjen?
një flutur e madhe tund brirthët e gjatë dhe lëviz krahët sikur fërkon yjet
dhe kalamendet
si e dehur me verë
e ndjek si një parandjenjë
si një flirt qe shkoi
të kisha harruar për një kohë kur u mora me shkrime
po ja, prap m’u kujtove
sa herë jam vetëm
dhe xixëllonjat flakë akulli këpusin prej kandileve
dhe ketrat vrapojnë me shpejtësinë e hijeve
kur i ndriçojnë dritat e makinave
pse m’u kujtove sonte?
diçka ka ndodhur se dhe era vjen prej larg si soprano
suvalë e oqeanit brigje të largët mbulon me sajnë dhe shkumë
dhe retë dynden prej pafundesisë me një aromë shiu që ende ështe frut
ndoshta dhe ti mendon për mua
po s’të dhemb as kujtimi
jam mashkull
një brinjë ma kanë shkulur
dhimbje ndiej më shumë
kush u dashurua dhe nuk u trishtua në fund?
rri dhe mendoj për ty
sikur kjo është kinemaja
sikur kjo është opera
edhe po të mos vish
edhe po të mos shoh më kurrë
rri dhe mendoj për ty
MERILIN MONRO
nuk punojnë semaforët e orës pesë
pati ndërprerje të menjëhershme
prej rrufeve
qielli i nju jorkut hakmerrej me grataçielat që i kanë çjerrë
kështu thonë gazetat e mëdha dhe televizionet
ishe ti
merilin monro
që u shfaqe përsëri
me fustanin që të ngrihej dhe ti e mbaje me dorë
kofshët e derdhura epshore
ngritën nga varret skulptorët
grinden dhe shahen si rrugaçë
rodeni me mikelanxhelon
ishe ti
merilin monro
s’punojnë as semaforët e botës
aksidente te llahtarshëm ndodhën
11 shtatori u përsërit, jo prej terrorizmit
po prej bukurisë së merilin monrosë
të gjithë pyesin; me kë ka lënë takim në nju jork
që papritur u shfaq si katastrofë
kjo grua e bukur dhe sensuale
merilin monro
merilin monro
merilin monro
që pushtoi gjithë reklamat
kjo mbeti enigmë
dhe askush nuk do që të zbulohet
secili ëndërrron të jetë vetë dashnori
dhe ky që po hedh këto vargje skandaloze
PARA BUKURISË
para bukurisë fjalët s’mjaftuan
ajo ishte e para
u krijuan violina dhe pianoja
si zanore
po dhe si bashtingëllore
trompa, saksi, fizarmonika
që të shprehej dashuria
po as ato s’mjaftuan
ranë paganini
shopeni, armstrongu, piazola
lulet
u shfaqën në duar
pastaj lumenjtë vërshuan të shqyenin qepallat e tua
tërë natyra mori pjesë
dhe mendja e njeriut
për bukurinë e femrës s’mjaftoi fjala
as lulet, as lumenjtë me blu absolute
ah, fjala!
sot ajo s’përfillet
po duhen shpikjet teknologjike
që ajo te përsoset
fizika dhe kimia
gruaja natyrale mbeti
madona sistine
dhe nëna ime
MUNGOJNË GISHTËRINJTË E TU
e dashur, këtij qielli në manhattan
i mungojnë gishtërinjtë e tu
s’ka qenë asnjëherë kaq i pastër dhe blu
më shkruaj një letër me qiell
si në kohët klasike
palose qiellin
vëri buzët për ta puthur
si një lindje dielli
pastaj hidhe në postat ajrore të grataçielave
dhe nise per tek unë
e pres
po ende s’ka mbërritur
marr grataçielat me radhë
të gjej letrën tënde
ç›idiot që jam!
i njëjti qiell i pastër dhe blu
mungojnë gishtërinjtë e tu
KUSH TË BËRI KAQ TË BUKUR
kush të bëri kaq të bukur
pa asnjë të metë
dhe të kesh një rrudhë të imët
ajo s’është rrudhë
po firmë e afërditës
ç›të adhuroj më parë
i lashë korat, biblën, monumentet e shkrimtarëve
prej hireve sensuale
vetë adhurimi bie
thyhet si kristali
para këmbëve të tua
shampanja të pahapura
në festën e shtratit
mbetem pa gojë
dhe me vete them
si rron midis nesh
dhe e lemë të gjallë?
se femrat e bukura hahen
me sy
s’iu lemë një grimë kocke dhe mishi
ty të kemi ngrënë
s’kish plojë më të bujshme
si hienat që shqyejnë kaprollen e qumështit
po më e bukur je bërë
prej ngrënies me sy
prej syve të ngopur të meshkujve
prej syve plot uri
hamë dhe ajrin
që le pas ti
vende – vende kafshuar hapësira
qielli i kafshuar si molla e apple
jemi gati të biem për ty përpara se beteja të ketë filluar
vetëm që të hamë me sy
kush të beri kaq të bukur?
TETËMBËDHJETË QIRINJ
iki nga iki dhe përsëri vij
s’rashë dot në ujdi me vitet që të mos të të iknin ty
shtohen qirinjtë
po unë do fryjë vetëm tetëmbëdhjetë
dhe kur të jetë pranverë
ujërat të kenë ngjyrën e syve të tu jeshil
dhe pemët si gjymtyrët
dhe lulet si brinjët që hapen dhe zbulojnë zemrën
iki
shkoj me një tjetër
po ti je torturuesja e harrimit
vij përsëri
iu fryj qirinjve
gjithmonë tetëmbëdhjetë
i fryj dhe hënës
në netët me narcis
që të mos zbulojë thinjat
të dua dhe të moshuar
dhe me shkop
dhe në karrocë invalidi
dashuria e vërtetë
nuk shikon nga sytë
iu fryj qirinjve
gjithmonë tetëmbëdhjetë
gjithmonë në pranverë
i fryj dhe diellit
të mos zbulojë shëmtinë
ah, kjo dashuri!
KUR VJEN AJO
kur vjen ajo vihen rregulla të reja dhe për stinët
shtyhet dimri me një flatër krille dhe shfaqet pranvera
shirat akordohen në ajër
për stradivarin
kur vjen ajo foshnjet lindin nën yjet më të bukur të univesit
dhe sonata e dritës së hënës
hahet me paninen e mëngjesit
dhe tingujt iu mbathen këmbëve
që zyra me e merzitshme te bëhet si fole zogjsh që ngrohin vezët
kur vjen ajo lumenjtë futen në damarë
të percjellin gjakun në dete
dhe t’i bëjnë të mahnitshëm perëndimet e gjatë të diellit
hapave t’u japin vërshimin
kur vjen ajo apple ka bërë shpikjen e syve
që lexojnë mollën e kafshuar në kopshtin e edenit
dhe mekatit i japin hir shën mërie
kur vjen ajo bota ka vdekur
në një bark venusi
për të lindur si foshnjë e bukur
kur vjen ajo s’ka rrugë
se rrugët i ka kaluar me kohë
tani është te fillimi i muzës
kur dante shkroi komedinë hyjnore
kur vjen ajo
koha është e shkurtër
dhe pritja e gjatë
ajo ka mbërritur te kufiri i fundit
ende lexohet homeri i madh
ende lexohet tolstoji
kur vjen ajo
dhe pritja bëhet e shkurtër
dhe koha e gjatë
fillon vjetërimi
kur vjen ajo dhe s’ka më pritje
tolstoi bëhet i mërzitshëm
por apple bën mrekullinë
që ajo të vijë
dhe pritja të duket e paduruar
mollës së kafshuar të edenit
i gjen copën e munguar
TI MUND TË FLESH
ti mund të flesh dhe të shohësh në ëndërr një ujk që të sulet për të mbytur
dhe jashtë në dritën e hënës ndodh mrekullia
çel jargavani te një shtëpi e braktisur ku gëlojnë minjtë dhe çimkat
mund të grindesh për lavdinë që nuk erdhi, veç gënjeu mëndjelehtët
çmimet që u ndanë për ata që kanë nevojë për paterica
dhe diku ndodh mrekullia
në ujin e oqeanit meduzat kryqëzohen në një dalldi dashurie
dhe salmoni i kuq shkon kundër rrymes në alaskë të lëshojë vezët në lumë dhe të vdesë
jashtë ndodh mrekullia
dhe narcist të jesh
dhe kriminel
diku në një ferrë lulëzon vjollca e dimrit
TË KAM DASHUR MË SHUMË SE
të kam dashur më shumë se dhjetë mësimet e moisiut
të kam dashur më shumë se kryqëzimi i krishtit
të kam dashur më shumë se poemat e uitmanit
të kam dashur më shumë se muzeu i luvrit
të kam dashur më shumë se berati
po asnjëherë nuk ia bëra vetes pyetjen sa më doje ti
e kisha frikë të vërtetën
të kam dashur më shumë se e vërteta
të kam dashur më shumë se fryma që më bënte të shkruaja
të kam dashur më shumë se nju jorku
që më dha strehë dhe bukë
që më dha dhe kudhrën
për të farkëtuar vetminë
po, medet, nuk zgjat dashuria
dhe çdo gjë u kthye në pak
mjeku të thotë; ha më pak
gruaja të thotë; harxho më pak
më pak, më pak, më pak
dhe tani jam plak me një kapelë kriketi
luan mbi kokën time trampi
më pak, më pak, dhe ndonjë kujtim që vjen nga larg
prej harrimit hahet
mbetet pak
dhe më shumë, më shumë, u bë më pak, më pak
unë plak me një kapelë kriketi
luan mbi kokën time trampi.
JAM I PUSHTUAR
jam i pushtuar
jo prej një ushtrie të huaj
po prej luleve
t’i shikosh njerëzit
me pranga lulesh në duar
s’ka pushtim më të bukur
dhe s’ka rezistencë, të gjithë jemi skllevër
lulet vijnë erë femër
të urosh të mos vijë liria kurrë
s’ka pushtim më të bukur
MË ÇMENDE
më çmende
me bezdinë që më shkakton
te filxhani i kafesë më vjen
dhe te gota e verës
vë buzët unë
vë buzët dhe ti në anën tjetër
pi nga filxhani im i kafesë
nga gota ime e verës pi
dëgjon po atë muzikë që dëgjoj dhe unë
uitni hjuston
lexon po atë libër
çehovin
dhe po atë tregim
zonja me kone
unë kthej një fletë
aty menjëherë vë dhe ti gishtërinjtë
palos cepin e fletës tjetër
dhe mollëza jote i bie asaj përsipër
krihem unë
me atë krehër krihesh dhe ti
hap kuletën të paguaj
paranë e nxjerrin gishtërinjtë e tu
nxitimthi
hap derën e makinës dhe hyj
ti ke hyrë më parë se unë
po të ndodhë ndonjë aksident
vdesim të dy
këtë e di unë
këtë e di dhe ti
ik
mos ik,
ik
ngritëm një çmendinë
përpara se të çmendemi
VAJZA TË REJA QË E KALOJNË NATËN JASHTË
vajza të reja që e kalojnë natën jashtë
djem të kokainës
të sjellshëm si uiski në gotë
shumica mbajnë në makina armë
pleq të pagjumë që rrinë në dritare
dhe vështrojnë natën e gjatë
nuk ju ka mbetur më asgjë
një filxhan kafe
që i pijnë dhe llumin
kur seks s’ka më
mund të mendosh për faturat
dhe një taketuke të re
për duhanin
poshtë muzikë dhe zhurmë
vijnë zëra djemsh të dehur
të dehura dhe vajzat
që qeshin dhe qajnë
pothuajse lakuriq lëshojnë temperaturën e trupit
në rrugët e zbrazëta
të ndezin para kohe një agim të sëmurë
pleqtë i shohin
po nuk tundohen
kohë të tjera, që s’kuptohen
dikush qëllon me armë
dhe ata kujtohen
se iu mungon një armë
në tëmtha ta shkrehin
me gaz
që t’iu dhimbsen djemve
që t’iu dhimbsen vajzave
kaq