(Edhe një vit pas botimit, në Itali vazhdon jehona rreth romanit “Vera pa kthim” të Besnik Mustafaj. Me 23 shtator (2025), kritiku letrar Roberto Campagna ka botuar një vështrim shumë vlerësues, duke e quajtur “një vepër ikonike”, në portalin e njohur “Il mondo Reale”.
Është një vepër ikonike e letërsisë bashkëkohore ballkanase. I disponueshëm në shumë gjuhë tashmë dhe i rishikuar nga autori në botime të ndryshme, më në fund pa shkurtimet e censurës komuniste që e kishin sakatuar, i botuar nga “Bibliotheka Edizioni”, romani “Vera pa kthim” i Besnik Mustafajt paraqitet në version të plotë, në përkthimin italian të Julian Zharës dhe me një postscriptum nga autori, i cili rindërton rrugëtimin e një vepre, e cila mes realitetit dhe vegimit psikotik, i jep formë një përralle të errët dhe të tmerrshme, të aftë të ndërthurë pritjen dhe dashurinë, besnikërinë dhe fantazmat e së shkuarës. Është historia e Sanës, e cila ka pritur dyzet vjet kthimin e Gorit, të fejuarit të saj. Një ditë burri ia beh në pragun e shtëpisë. Por ai ka ndryshuar. Është i zbehtë, nuk arrin të qeshë më, trupi i tij nuk djersin dhe ka mbi lëkurë ngjyrën e gëlqeres. Përveç kësaj, nuk i pëlqen të takojë njerëz, flet vetëm duke përdorur foljet në kohën e shkuar dhe kohën e kalon duke lexuar libra shkruar nga veteranë lufte. Çfarë i ka ndodhur?
“Gjatë gjithë kohës së diktaturës, Shqipëria – shkruan autori në postscriptum – kishte vetëm një shtëpi botuese kushtuar letërsisë artistike, e cila funksiononte si botues dhe njëkohësisht si zyrë e censurës. Më shumë se për cilësinë letrare, dorëshkrimet gjykoheshin në bazë të përmbajtjes, në mënyrë që kjo përmbajtje të ishte në përputhje me vijën politike të Partisë. Enver Hoxha kishte përcaktuar qartë se cili do të ishte roli i shkrimtarit në shoqërinë shqiptare: “Ndihmës i Partisë në edukimin komunist të masave”. As shkrimtarëve më të njohur nuk u kishte ndodhur që vepra e tyre t’u arrinte lexuesve pa shkurtime. Problemi, për autorët, ishte shkalla dhe cilësia e shkurtimeve. Asnjë shkrimtar – përfundon Mustafaj – nuk shihej si i imunizuar ndaj të ashtuquajturave gabime politike”.
Ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë shqiptarë, Besnik Mustafaj ka punuar si profesor, përkthyes dhe gazetar. Ambasador në Francë nga viti 1992 deri në vitin 1997, ka qenë Ministër i Punëve të Jashtme nga viti 2005 deri në vitin 2007, duke u dorëhequr më pas me qëllimin për t’iu përkushtuar përfundimisht shkrimit. Autor i shumë romaneve, eseve dhe përmbledhjeve poetike, veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë dhe kanë marrë një pëlqim të gjerë të kritikës. Në vitin 1997, ai fitoi në Francë çmimin “Méditerranée” për romanin “Daullja prej letre”.
“Vera pa kthim”, i cili në Francë e lartësoji Besnik Mustafajn si një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të Evropës Lindore, është bërë gjithashtu subjekti i një filmi të drejtuar nga Besnik Bisha.
Portali “Il mondo reale”, 23 shtator 2025
Përktheu dhe përgatiti për botim: Amarildo Veizi
