Kreu Letërsi Bibliotekë “Ritual dëshire”, poezi nga Albana Shala

“Ritual dëshire”, poezi nga Albana Shala

Nënë

Mos u fol të panjohurve – tha,
tek i shtërngonte dorën një të panjohuri.
Po lindte ime motër.

Më pas, më la aty,
në korridorrin e errët të poliklinikës,
në pritje të kontrollit të parë te dentisti,
a thua se po më linte në një kopsht të gjelbëruar.

Nxitonte për punë, tokësore, eterike
mësuesja ime e anglishtes.

Kaluan vite dhe një herë si rastësisht na tregoi
që ende në ëndërr fluturonte.

E di, edhe sot, herë pas herë më kontrollon
tek udhëtoj vetëm,
me të panjohur.


Vjeshtë e poetëve

Vjeshtë e poetëve
musht që shkrin damarët e njerëzimit
(merret pa recetë);

jehonë trumpetash në muzg,
mirazh betejash, kthim ushtarësh shputëdjegur;

e kuqërrëmte ftesë, dëshmi, duel
për këmishën e mëndafshtë të Pushkinit;

syth premtimi për fëmijë flokëkuq –
shegë – hurmë shartisur në prehër të nuseve;

shkarpa pëshpërimash, kërcitje në varg,
pikëpresje para dimrit;

një tel kitare ngatërruar në flokët e mjaltë,
ara e korrur shpon si faqe burri.


Në buzët e lagështa të qytetit

Sot ështe e dielë, bie shi,
në stacion të metrosë artistët e reklamuar kërkojnë përjetësi,
dhe pëllumbat çukisin dimër.

Vetëm hapat e shpejtë të një gruaje kumbojnë në platfomë,
aty afër një furrë buke premton,
disa turistë kërkojnë të vendosur një specialitet autokton,
dhe shpirti im mbështillet me heshtjen e ishullit
dhe kujtesën e prekjes tënde,
oh, një manushaqe e tharë në xhep
paska udhëtuar pa biletë.


Lulet e egra

Sa herë që dua të shkruaj për kopshtet e Babilonisë,
për Ishtarin, vezët e ngjyrosura
dhe lepujt crepuscular,
për tarracat me portokalle, për ullishtet e pamosha,
për shpinat e përkulura dhe gishtërinjtë e ngjyrosur,
me një sens drejtësie, një sens bukurie,
marr një shteg, një shteg që më çon te një burim,
një burim me ujë të rëndë.

Jam dhjetë vjeç,
kam humbur nënën time të dashur,
humbje e paralajmëruar në një qiell me luspa resh.

Babilonia, tarracat, ullishtet të gjitha më largohen
vendin ua lënë luleve të egra, milingonave dhe bletëve të vonuara.

Gjurmët e sandaleve në baltën e freskët
më thonë që këtë rrugë e bëj shpesh
dhe do të vazhdoj ta bëj,
për aq kohë sa nuk dua të çlirohem
nga lulet e egra.


Uni i vonuar

As si mamaja
kur merr frymë rëndë,
pas një dushi të gjatë;
zëri i saj tingëllon,
më fort se sa dëshiroj.

As si babai, dorë, sy, mosbesim i koduar
as si ime motër, qingj, zemër.

Rini që shëtit në park, pa fatalizëm,
vjeshtë.

Një varkë e mbërritur në port
lidhur me fije të padukshme.

Dielli përvëlon rrasat,
zbardhon udhëtimet,
dhimbja me baticën shkon e vjen.

Pa litarë, pa spirancë,
qetësisht,
përsiatje,
mes erës dhe ujit,

një e çarë për dritën,
një e çarë për ujin.


Dashuria na goditi

Dashuria na goditi,
por nuk na shitoi,
na kqyri, por nuk na marrosi,
na thirri n’emër, por nuk na njehsoi,
pëshpëriti fjalë, por nuk na këndoi.

Na fali një ishull dhe njëqind varka shpëtimi,
shënoi një vend dhe na dha gurë për një tempull,
por jo frymë dhe zemër për flijim.

Shënoi sinore, por jo për monopatin brenda vetes,
na la në duar çelësin e një shtëpie me mure të lartë,
por asgjë për t’i shembur.

Na ngopi me kënaqësi, por nuk na e shuajti etjen,
na solli muzat me gjithë mëmën Kujtesë.

Dhe ja ku jemi, shpëtuar marrëzisë,
fëmijë lojcakë, të etur, të arsyeshëm,
dhimbjen e dëshirën bashkë,
të koduara si vaksinë.


Ritual dëshire

Se ç’ka diçka të ngadaltë ky ritual shpalosës
dëshire që si llavë rrëshqet e gjithçka përpin,
por ka edhe diçka të brishtë si flatër zogu
shtrënguar lehtas në shami.

Një erë e madhe fryn mes dy rrahjesh zemre,
na merr e na hedh tutje,
atje larg përtej kohës së matshme që ndajmë.

Prandaj ngulem në shkëmb, këmbëfortë si molusk,
hap e mbyll kapakët me ritmin e valës tënde,
në trup mëndafsh dhe perlë,
nga brenda jashtë fryn.


Vizatim

Fëmija vizaton një sy
kur i thonë të pikturojë mamanë
dhe një si enë kur vizaton të atin,
apo ndoshta është një buzëqeshje,
e mbajtur me një shkop.

Të dy i vendos mbi ca si dallgë,
sepse tashmë fëmija ka parë detin.
Janë të mëdhenj, pa masë e perspektivë.
Bota është një vijë e pafundme që pret të lidhet.


Dashuri Eonike

Kishte një univers para tonit, kishte jetë në shumë yje, hënëza dhe botë të pafund.
Njerëzit jetonin për mijëra vjet dhe gjeneronin energji në vazo yjesh.
Kllounët e përkulnin hapësirën dhe kohën herë pas here, dhe mund t’i zhbënin këto akte, pa asnjë problem.
Marrja e transportit publik nëpër galaktika ishte kënaqësi.
Mbaheshin referendume për të përcaktuar kuptimin e jetës e votuar për Miss Universin, megjithëse koncepti i plakjes nuk ekzistonte.
Migrimet vlerësoheshin si ndërmarrje shumë të nevojshme.
Disa shqetësoheshin për ruajtjen e dritës, e vetmja monedhë energjie në univers: drita eonike.

Dhe kishte Dashuri. Lindte nga përkulja e energjisë dhe shkëmbimi i ngrohtësisë midis njerëzve eonikë.
Dikush mund të thotë se qëllimi i universit ishte të sigurohej që drita e dashurisë do të
mbërrinte te ne, në të ardhmen.
Ata flisnin me dashuri për ne. Sepse na kishin ëndërruar. A thua se na njihnin, na lexonin, si një libër. Sikur ne të paskëshim qënë në të kaluarën e tyre dhe ata në të ardhmen tonë.
Çdo rrahje zemre atje i korrespondonte një rrahje zemre në universin e ri.
Dhe Shpërthimi i Madh nuk ishte gjë tjetër veç dhimbjet e lindjes së dritës së universit përmes vrimave të zeza gëlltisëse.
Ne, fëmijë të një dashurie eonike.

Exit mobile version