Kreu Letërsi Bibliotekë Rexhep Polisi: Fëshfërimë e gjelbërt (poezi)

Rexhep Polisi: Fëshfërimë e gjelbërt (poezi)

ILUZION

Mungesa e tret dritën
Në retinën e syve…
Zbehet dita.
Dielli shkëlqimin
Humbet
E bëhet gjithçka gri.
Ajri pakësohet
E mbetem pa frymë
Kur më mungon ti…


VJESHTË

Ditë e përhime në Tiranë,
Pemët janë zhveshur lakuriq,
Dhe rrugët zhveshur janë…
Ky fllad i lehtë vjeshte
Më përshkon trupin
Tej e tej.
Janë po ato rrugë
Ku ecëm bashkë,
Po ato ndërtesa,
Po ato pemë,
Por të zhveshura krejt…
Është vjeshtë,
Një vjeshtë ndryshe
Nga vitet e tjera,
Një vjeshtë e përndritur
Si rrugët e Tiranës…
Vjeshta më sjell tek ti,
Te kujtimet tona
Të bukura dhe ndjej mall…


FËSHFËRIMË E GJELBËRT

E ndjej
Prej së largu
Fëshfërimën
E gjelbërt
Që na vështron
Me keqardhje…
Edhe në tokë,
Edhe në qiell
Nuk ka qetësi…
Malet e lartë
Kanë ulur kryet
Dhe presin
Agimin
Në agoni…
Vetëm pishat
Zgjaten e zgjaten
Drejt qiellit
Dhe derdhin lot
Trishtimi…


LIQENI

Sa herë
Iki prej teje,
Një copë liqen
Marr me vete…
E mbaj
Në retinën
E syve të mi
Për t’u kthyer
Sërish
Një çast
Tek ti…

***

Zëri yt në telefon
Më magjeps,
Më emocionon,
Më faneps,
Më drithëron…
Më ledhaton
E më tërbon
Pastaj më flak
Në hon
Dhe sheh
Si telefoni lëngon…


OQEAN LUNDRUES…

Herë-herë shiu më sjell
Një ndjesi të çuditshme.
Pikat e ujëta varen mbi xham
Dhe krijonë figura abstrakte.
Përtej xhamit gjethet e pemëve
Rëndohen nga pesha e ujtë
Që rrjedh lirshëm
Në tokën e avullt…
Kalimtarët ecin të kërrusur;
A thua po mbajnë mbi shpinë
Një oqean lundrues.
Makinat rendin me shpejtësi
Duke krijuar guva uji
anës së rrugës…
Shiu bie me një ritëm monoton,
Ndërsa ajo qëndron
përballë xhamit të tejdukshëm
Përhumbur në ëndërrime.
Për një çast i shkëlqejnë sytë,
Fytyra e purpurt i valëzoohet
Në qelqin e ujshëm.
Vështron me delikatesë orën
Në ekranin e celularit
Dhe sytë i njomen,
Aq sa nuk arrijnë
Të shquajnë kohën që fluturon
Hapsirës pa fund.
Oh, sa e vrazhdë pritja!
Ndërsa pikat e shiut
Varen e varen mbi xham
Duke krijuar figura abstrakte…

***

Hapat e tu, as në vijë ajrore
Nuk mbërrijnë më tek unë…
Ëndrrat që dikur përkundëm
Tashmë kanë rënë në gjumë.


UJVARË…

Si ujvarë vjen
Në ëndrrat e mia,
Më flet për netët e gjata,
Për lumin që avullon
Mbi trupat tanë…
Pastaj me gjeste
Më tregon mëngjeset,
Ditën që merr frymë
Në buzët e saj qershi,
Më flet për trillet e saj
Që s’njohin limit.
Unë shoh si tretet
Nata në agim,
Teksa ajo ikën
Si harrim.
Dal në rrugë dhe e kërkoj
Në rrezet e diellit verbues.
Ec kuturu,
Përplasem me njerëz
Që mbi shpinë mbajnë
Rruzullin robërues,
Ndërsa bota rënkon
Nën ritmin
E akrepave të orës…


HËNA PAS DRITARES STRUKUR…

Ti po fle. I ke mbyllur sytë e bukur.
Unë rri e mendoj dhe them me vete:
Çfarë të mundon, në ç’ëndërr je futur,
Që këtë mbrëmje si kristal e trete?!…

Ti po fle. I ke mbyllur sytë e bukur,
Unë zgjuar jam dhe në mendje të kam.
Hëna pas dritares qëndron strukur,
Mbi nurin tënd nder rrezet e saj…
 


KUR NIS TË SHKRUAJ

Nuk do të guxoj më
Të shkruaj vargje
Për ty…
Asnjëherë
Nuk do të guxoj!
Kur nis të shkruaj,
Ty s’të mendoj më…
Sepse e di që
Pas çdo vargu
Dita perëndon
Në sytë e tu
Dhe loti kristal
Vdes tek unë!

***

Nuk ka ajër në dhomën e akullt.
Fryma, mbetur pezull, po lëngon.
Bota përjashtë zvarritet e lagësht
Nën ritmin e shiut monoton…


TË KAM KALUAR NË MENDJE SOT

Të kam kaluar në mendje sot
Disa herë…
Të shikoja me vështrimin
Kah dielli,
Pastaj të shikoja prapë
E prapë;
Sytë,
Buzët,
Duart,
Flokët dredharakë…
Ndërsa fjalët belbëzonin
Emrin tënd…
Të kam kaluar në mendje sot…
Dhe s’di pse në zemër
Ndjeva një shtrëngatë…
Bashkë me imazhin tënd
Ëndrra m›u tret
Nëpër natë…

***

Gjithmonë do të bjerë borë
Në stinën tonë të bardhë,
Por bora nuk e shuan
Mallin që djeg si zjarr…


AS DIELLI S’NGROH…

Ti vëren buzëqeshjen e çiltër në fytyrë
Dhe thua, “sa lumturi buron brenda tij”,
Por s’mund ta dish se dallgët në shpirt
Përplasen dhimbshëm me mënxyrë…

Ikën kërrusur nga pesha e dhembjes,
Ai që ti e sheh çdo çast fytyrëbleruar
Dhe askush nuk i kushton vëmendje,
As dielli s’ia ngroh shpirtin robëruar.

***

Lodron dhe
Ngazëllehet
Lumturisht,
Fluturon
Në të tjerë qiej,
Përhumbet
Përmes kaltërisish
Hapsirës pafund…
Pastaj kthehet sërish
Më e lumtur
Se lumturia,
Dhe gjen strehë
Në mendimet e mia…


DO TË IK NJË DITË

Do të ik një ditë, pa lamtumirë,
Pa dhimbje e trishtim.
Do të ik nga kjo botë e pështirë,
Sa do i rëndë të jetë ky çmim…

Këtu njerëzit nuk vlerësohen,
Veç poezi e çmendur rend…
Nuk e di askush si lartësohen,
Ata që s’kanë një grosh mend.

Do të iki një ditë, pa lamtumirë,
Në një botë tjetër, pa armiqësi.
Ndoshta atje do të gjej lirinë,
Do të gjej, ndoshta, pakëz dashuri…

Do të iki një ditë, pa lamtumirë.
Të gjitha me vete do t’i marr…
Të jesh poet qënka e vështirë,
Kur shpirti s’këndon me zjarr.

Exit mobile version