Kreu Letërsi Bibliotekë Rexhep Ferri: Muzeu i njeriut (ese)

Rexhep Ferri: Muzeu i njeriut (ese)

Rexhep Ferri

1.

Me njëmijë e katërqind e tetëdhjetë e nëntë, në spitalin Santa Maria në Milano, Leonardo i përkulur mbi gjoksin e kufomave, duke studiuar natyrën, jetën, vdekjen, shpirtin e pyeti:

“Cili nerv është përgjegjës për lëvizjen e syrit dhe bën që lëvizja e njërit sy të lëvizë edhe syri tjetër?”

Për rrudhat e vetullat?

Për heshtjen.

Për të njohurat e të panjohurat gjatë Darkës së Fshehtë, gjatë Darkës së Fundit.

Kjo pikturë është histori dhe hije e jetës së njeriut.

Po të mos ishte shpresa dhe imagjinata, jeta nuk do të kishte kuptim.

Jeta jo shumë e lehtë, po shumë dinamike.

Nga jeta e krimit në jetën e fluturës.

Nga jeta e fluturës në jetën e krimit.

Dhe nga jeta e krimbit prapë në jetën e fluturës.

Dhe prapë në jetën e krimit tjetër në jetën e fluturës tjetër:

– Të mbrojtur nga malet.

– Mos e keqpërdorni imagjinatën.

Më kuptoni ku e kam fjalën.

Me pak arsye njeriu e humb fillimin.


2.

Kur i vie koha, jeta përsëritet.

Fiksimi është i panjohur.

Dëgjojeni zemrën.

Nuk duhet ta dijë dikush tjetër.

Seriozisht e kam.

Njeriu ende mbetet gjëja e fundit:

– Është pakëz rebel;

– Lakmitar e rrenc.

Pse po më telefononi?

Telefoni është thirrje.

Lutje.

Deri te realiteti i krimit nuk po rrezikoj.

Po shkoj.

Ju kam thënë: dikush po gënjen.

Pse nuk kemi pasur fat është vullnet i vonuar.

Ajo që ka marrë fund te patriotët mashtrues nuk ka marrë fund për historinë e shqiptarëve.

Por jo vetëm kaq!

Nga kjo pikë e më tej, në qytetin tim të lindjes, Kukësin, Prefekturën e Kosovës së pasur, por të plaçkitur, për herë të dytë i varrosëm eshtrat e Hasan Prishtinës.

Për historinë e emocioneve, unë nuk i kuptova të gjitha emocionet…

Me kalendarin diellor dua një përgjigje për krimet e tmerrshme, kur e kuptova të vërtetën.

Më 1933, në mes të tregut të Selanikut, shqiptari Ibrahim Çelo me katër plumba e vret Hasan Prishtinën.

Më 1977 eshtrat e Hasan Prishtinës janë sjellë në Shqipëri dhe janë varrosur në Kukës, Prefektura e Kosovës.


3.

Në Tiranë, pas shembjes së Teatrit Kombëtar, afër meje ndriçimi, skena dhe artistët në rrugë.

Keqardhja më bëri njeri krenar.

Aty ku ideja për shembjen e Teatrit Kombëtar, me një çekiç eksperimental, me një buldozer eksperimental mbyllet mesazhi.

Një hap më larg, me diploma në dorë, kërkohen vende pune.

Premtohen vende pune.

Ashtu si jemi, jemi.

Në një mënyrë apo tjetër kalojnë sekondat, minutat…

Eksperienca e re na çon të humbasim drejtpeshimin kur i besojmë kohës.

Kohës që është më naive se ne.

Aty ku asgjë nuk na vjen dy herë në jetë.

Për më shumë kohë dhe fat.

Shpirtit i thashë:

“A ka mundësi ta bëjmë një llogari, se po na ikin minutat, vitet kur dikush na e vjedh kohën!”


4.

Për tejkalimin e sfidave nuk ishim dhe nuk jemi ajo që kemi kërkuar.

Kur dëshirave u del flaka, me vlerë dhe pa vlerë.

Patriotizmin e ditëve tona, shqiptarhanja e kthyer në humor të zi.

Në skandal.

Edhe kur kishim të drejtë shqiptarhanja autobiografinë e vet e shkruan si histori të frikshme.

Shtatëdhjetë mijë dolën para Teatrit Kombëtar me fjalën:

Nxitoni!

Nuk përfundon me kaq!

Ku gjendet Tuneli i Kalimashit?

Dhe sa është larg Evropa dhe Porta e Triumfit?

Kjo histori kurrë nuk mbaron.

Atë që kam dashur ta them, nuk kam dashur ta them por ta krijoj.

Fillimi është edhe fundi kur dilemat na afrohen.

Duhet ta pranojmë.

Pa realitet nuk do të isha as për ta hapur e as për t’i mbyllur sytë.

Koha e mbushur me gënjeshtra bën matematike të tjera.

Qytetërimet nuk durojnë që ne të jemi arrogantë me sjelljet tona.

Për ta parë  veten në kohë çmendurie me një eksperiencë për një kohë të gjatë nuk duhet të jemi rob.

Me Zotin e Heshtjes a mund ta bëjmë një llogari se po na ikin minutat.

Realiteti na i ka mbyllur sytë…


5.

Kur e shohim se nuk jemi vetëm, e marrim vesh se jemi vetëm.

Për të gjitha shtresat jeta është dydimensionale.

Ballafaqohet me jetën dhe vdekjen.

Nga kjo biografi po frikësohem.

Më vonë e vetmja gjë që e kuptuam është lufta e fundit.

Sido që të jetë, harrojeni një mundësi tjetër.

Ju këshilloj që ta harroni realitetin. Mos më lini të pres shumë.

Kjo histori është rrëfim që përsëritet.

Shqiptarët e maleve, duke kapërcyer horizontet dinë gjithçka, nuk dinë asgjë.

Kjo e vërtetë ku po del?

Ku po shkon?

Kureshtja kaq e pat.

Nëse ka diçka universale janë ëndrrat.

Ëndrrat nuk e kanë vetëm një planet.

Na duhet ta gënjejmë pak veten.

Jemi qenie njerëzore.

Fantazitë janë vetëm fantazi.

Të gravuruara në gurë me gjak, me heronj.


6.

Përtej shumë të mirës, më lini të flas.

Shpirtit i thashë:

“Llogarinë nuk e mendoj!

Për çdo gjë nuk pyes.

Tashmë e di se cila është rruga e fatit.

Nëse jemi me fat kur flasim për ndonjë lidhje me fatin.

Sekretet e tjera do t’i kuptojmë nesër!”

Çka do që do të ndodhë shihet se keni shpëtuar nga plumbat qorr.

Edhe pse vetëvrasja nuk pyet për asgjë.

Kohës faljani një dollar dhe një VC publike.

Vetëvrasjes për gjëra të vogla i bëhet qejfi.

Në fund të ditës, dita e ka natën.

Duke kapërcyer pengesat, di gjithçka, s’di asgjë!…


7.

Nuk e kam menduar kurrë se njeriu deri në këtë masë do të lajthitet.

Koha e kaluar është fat.

Në konflikte me gjithë dynjanë.

Qitjani pikën.

Në shqiptarhane ka shumë inate personale.

Asnjë fjalë nuk është në interes të vendit.

As në univers të pakuptueshëm të krijesave njerëzore.

Rrena reale.

Mbretëresha reale.

Njëherë e përgjithmonë lëreni anash krenarinë.

Deri këtu kemi arritur falë Zotit.

Kur Zoti e zbut zemrën na afrohet një mundësi:

– Aty ku nuk ka njerëz të sinqertë.

– As gomarë budallenj.

Kjo e vërtetë shkon me një zog të zi.

Tmerrësisht të zi.

Për fatin tonë “dielli lind aty ku perëndon!…”

Exit mobile version