Kreu Letërsi Bibliotekë “BMX”, tregim nga Shqiptar Oseku

“BMX”, tregim nga Shqiptar Oseku

Xhungla e bicikletave brenda shitores ishte e dendur dhe e vështirë, për të mos thënë e pamundur, ta depërtoje. E megjithatë, një klient po bërrylej kryeneçësisht nëpër hapësirat e ngushta drejt një caku të paqartë, një si Indiana Jones i konsumerizmit, me celular në dorë në vend të maçetës. 

E josh sigurisht ndonjë bicikletë aty në murin përballë, mendoi shitësi. Në faqen gjigande të murit përballë ishin mbërthyer si në ekspozitë arti, nga tavani e gjer poshtë në dysheme, dhjetë modele bicikletash. 

-A mund t’ju ndihmoj?- pyeti shitësi, duke iu qasur klientit në mënyrë diskrete, për të mos e stresuar. Në ato hapësira të ngushta s’kërkohej shumë që të bëhej nami i zi. Dy ditë më parë, një tjetër klient i pashkathët kish rrëzuar si domino, dymbëdhjetë bicikleta.  

-Ah, po,- u përgjigj klienti e u ndal në vend, dukshëm i lehtësuar.-Atë bicikletën e zezë përballë, ju lutem.

Shitësi, i lehtësuar edhe ai, shkrepi buzëshjen e vet më profesionale e iu afrua, gracioz si balerin, faqes së murit me ekspozitë të bicikletave. 

-Këtë këtu?

-Jo, atë pak më lart, model BMX.

-Aha, doni një bicikletë terreni, – tha shitësi, pa cenuar për asnjë wast buzëqeshjen profesionale. -Një që duron ca presion e sforco, apo jo?

-Dua një BMX, -tha shkurt klienti. 

Shitësit i erdhi të psherëtijë, por e përmbajti veten. Ja dhe një viktimë reklamash, mendoi. Ai ishte vetë entuziast i flaktë i biciklizmit, e s’para i pëlqente që industria mashtronte klientët me reklama koti.

-Kuptoj, – tha shitësi me mirësjellje, -BMX kanë reputacion të mirë dhe u bëjnë reklamë të fortë modeleve të veta. Por a mund t’jua rekomandoj pak këtë modelin këtu? Me fije karboni. Më i lehtë por më i fortë se BMX, susta efikase, sistem frenimi si fjalë e fundit e teknikës…

-Dua të jetë BMX, – tha klienti.

-Ashtu vërtet, BMX është super. Veçse ky modeli këtu është edhe më i lirë se BMX, këtë po mendoja. Se mos thoni se jua shes për para. Jam një si fantast i biciklimit dhe vetë, i njoh këto modele.

Shitësi intensifikoi buzëqeshjen profesionale, është me rëndësi që klientët të mos ndihen të fyer nga injoranca e vet.

-BMX, ju lutem.

Shitësi e shikoi klientin me një vëmendje të shtuar, pa e cenuar për asnjë çast buzëqeshjen e vet plastike. Figura që kish ngecur ngathtësisht në vegjetacion të bicikletave ishte një mesoburrë i gjatë, me flokë të thinjur në tamtha, e sy blu prapa syzesh. Qëndrim i drejtë, e nënqeshje e lehtë e njeriut që s’është mësuar t’ia prishin. 

Nganjëherë njeriu duhet të çojë duart e të dorëzohet, mendoi shitësi. 

-Ndoshta e keni për dikë tjetër që kërkon pikërisht BMX, – tha ai, ndërsa u kthye të zbriste nga muri bicikletën e kërkuar. -Ndonjë nip a mbesë që ka ditëlindjen.

-Në fakt po, – tha klienti; shitësi ndiu një triumf të vocërr përbrenda. Nuk gaboj lehtë unë, mendoi ai për vete.

-E kam për një nipin tim,- tha klienti. -Por ai s’më ka kërkuar BMX. Po ia blej për hir të babait të tij, vëllait tim.

Shitësi ngriti vetullat lehtë, në shenjë diskrete habie. Çdo njeri është një rrëfim i pashkruar.

-Po i bleni BMX nipit për hir të të atit? 

-Rrëfim i ngatërruar, – tha klienti, që kish nisur të tërhiqet me kujdes nga drizat e metalit dhe gomave.

-Unë kam kohë, -tha shitësi,- dhe bicikleta merr ca kohë sa të paketohet. Sepse ju e doni në pako dhuratash, apo jo?

Bicikleta u tret në punishten prapa banakut. Atje duar të shkathta do ta fusnin në pako dhuratash me fjongo shumëngjyrëshe. Klienti, që mezi kish dalë sërish në rrafsh, u afrua të paguante me kartë.

-Unë e tim vëlla ishim jetimë të vegjël kur erdhëm në këtë vend, – tha ai duke i zgjatur kartën e vet shitësit, dhe këtij iu duk sikur arriti ta pikasë një si theks të lehtë në të folmen e klientit. 

-Atëbotë unë isha trembëdhjetë vjeç dhe ai shtatë. 

Shitësi nisi të piketonte ekranin e arkës, pa ia shqitur sytë klientit. Këto rrëfimet e vocrra të klientëve. Këto ta ndreqin ditën.

-Ishim fikall vetëm, im vëlla e unë, por ai nuk donte të ikte. T’i lërë shokët e shkollës, varrin e mamasë. Kur je jetim, këto të bëhen të rëndësishme.

-E po, – tha shitësi. -Janë të rëndësishme për të gjithë.

-Më shumë për jetimët, – tha klienti. -Por unë e dija se s’do të mbijetonim dot po të rrinim atje. Ne jemi me origjinë nga Kosova, e dini, në Ballkan. Një si valë lufte po ndihej në ajër, e në luftëra të vegjëlit e pësojnë së pari.

Shitësi mbaroi punën me kartë dhe ia ktheu atë klientit.

-Për fat të mirë, unë arrita disi ta bind vëllain të ikim. Duke i premtuar diçka që ai e ëndërronte, një bicikletë BMX. Ish i fantaksur pas tyre. 

E dija, mendoi shitësi. E dija që këtu kish një rrëfim.

-Kështu që unë i premtova tim vëllai se do t’i bleja një BMX. Po të arratisej me mua, po të iknim në Perëndim. Do t’ia bleja një BMX.

Ja pra, tha me vete shitësi, u zbulua sekreti. Nuk shesim produkte këtu, shesim histori.

-Por unë s’arrita t’i blej atë BMX të nëmur tim vëllai, -tha klienti. Me sytë ngulitur larg, ai sikur po fliste me vete.

-Të ndërtosh jetë të re një një vend të dytë s’është lehtë. Aq më fort kur vjen si fëmijë i pashoqëruar. Zyra sociale të sorollasin nëpër strehimore, ente, familje kurative, ju e dini si funksionon. Ne na ndanë për ca vjet. Kur i mbusha 18 kërkova me avokat kujdesin ligjor për të, por ai kish ndryshuar. S’fliste shqip më. Nuk donte të fliste për mamanë. 

Klienti u kthye dhe ia nguli sytë shitësit.

-Ai vdiq katër vjet më vonë, nga një mbidozë. Dhe ju ishit punëtori social që na ndatë, zotëri. Sa punonit në shërbimet sociale.

Shitësit iu tha pështyma në gojë.

-Mos keni frikë, – zotëri. Ju njoha në rrugë një ditë dhe ju ndoqa gjera këtu, por jo për sherr. Erdha për të blerë një bicikletë nga ju. Një bicikletë BMX.

-Më vjen keq, – tha shitësi, duke marrë frymë me vështirësi. -Puna sociale është e vështirë. Prandaj shes bicikleta sot.

-Kuptoj, – tha klienti. -Jeta vazhdon. Im vëlla la një djalë, që e rris unë. Ai mbush shtatë vjeç sot. Aq sa ishte im vëlla, kur i premtova një BMX. .

-Më vjen shumë keq, – tha shitësi. 

-S’ka gjë, – tha klienti. -Për këtë erdha te ju. Që t’ju them se jua fal. Ju sigurisht as na mbani mend, mua e vëllain tim. Por për mua është me rëndësi që t’jua fal, zotëri. Që të ju them se jua fal. 

Një punëtor u derdh gjithë rrëmujë nga punishtja me një pako të madhe, mbështjellë me fjongo shumëngjyrëshe.

-Ja bicikleta juaj, e gëzofshit!

-Ju falem nderit, – tha klienti, duke marrë pakon e madhe. -Shumë bukur! Ju lumshin duart!

Punëtori pa klientin me krenari, pastaj shitësin, prapë klientin. Pastaj u kthye pa fjalë në punishten mbas banakut.

-Dëgjoni, – tha shitësi me një zë të mekur,- ju keni të drejtë. Mua s’më kujtoheni. Ato vite, ju e dini, erdhën mijëra si ju dhe vëllai juaj. Por më vjen keq për traumën tuaj. Kërkoj ndjesë.

Një moment i heshtjes ra në shitore të bicikletave.

-Ju qoftë falur zotëri, -tha klienti. –Juve ju bën nder që kërkoni ndjesë. Por fatkeqësia ime e tim vëllai nisi shumë para jush. Ata që e nisën enden sot lirshëm nëpër Serbi, s’janë kujtuar kurrë për ndjesë. Dhe njeriu s’bën të ngelë peng i historisë, apo jo? 

Klienti u bë sikur po e maste me duar peshën e bicikletës. Fjongoja e kuqe në paketë dukej si njollë gjaku.

-Falja është punë e madhe, – zotëri. Më duhet më fort mua që fal, se tjetrit që ka bërë faj. Se tjetri e ka luksin të harrojë, nëse do. Por unë… unë do të fal, nëse dua të çlirohem. Nëse dua t’i prij mbarë djalit të vëllait tim.

Shitësi heshti. E çfarë mund të thotë njeriu në situata si këto?

Klienti hodhi sytë nga rruga përjashta. Jeta, e cila sikur kish ngrirë për ca kohë, po ulërinte prapë me të madhe atje jashtë. Thirrje. Bori. Gërvishje të frenave. Qyteti po luante dramën e vet të madhe, pa u lodhur për pështjellimet e milingonave të vocrra.

-Tashti mund të bëjmë tutje edhe ne, – tha klienti.

-Ashtu uroj!

-Një fillim i ri, për mua dhe nipin tim. Kjo është ajo që na duhet. Një BMX fringo i ri.

Klienti uroi ditë të mbarë, e doli nga shitorja. Shitësi e ndoqi për ca kohë largimin e tij, teksa ky po ngarkonte pakon e madhe në një veturë përjashta. Pastaj vetura hyri në rrjedhën e trafikut, e u bë gradualisht një si pikë e vogël në largësi. Dikur u zhduk krejt midis pikash tjera që gëlonin në pasditen me diell. 

Shitësi hodhi sytë drejt vendit në mur ku dikur kish ndenjur varur bicikleta BMX. Ajo zbrastësirë aty sikur i përmendi diçka, diçka të skajuar por me rëndësi, por ai s’po arrinte dot të kujtohet se çka.

Exit mobile version