Kreu In memoriam Resul Shabani: Njeriu dhe poeti i mirë Bardhyl londo

Resul Shabani: Njeriu dhe poeti i mirë Bardhyl londo

Bardhyl Londo

Viti 1996 shënonte 35-vjetorin e Festivalit ndërkombëtar Mbrëmjet Strugane të Poezisë. Për fatin e mirë të poezisë shqipe, Bordi i festivalit vendosi që pikërisht këtë vit të prezantohet poezia e Shqipërisë. Anëtar i bordit desh fati që të jem edhe unë. Ky lajm i gëzueshëm u prit shumë mirë nga opinioni i gjerë letrar shqiptarë, meqë, pas mungesës absolute për motive politike, ishin fillimet e prezencës së poezisë dhe poetëve të Shqipërisë, pas rënies së sistemit komunist në vend. Por, pati edhe vërejtje “serioze” nga qarqet e “patriotëve” kujdestarë për fatet e kombit, se Bordi dhe R.Sh. po ndanin poezinë shqiptare, duke heshtur faktin se vite më parë Festivali kishte prezantuar poezinë që krijohej në Kosovë, dhe se kjo praktikë prezantimi ishte bërë për të gjitha poezitë dhe shtetet e Botës. Ky vendim i Bordit ishte marrë për arsye praktike: komunikimi me institucionet, organizimi, përgatitja e përzgjedhjeve poetike të rastit, përkthimi, sistemimi, financat etj., etj. A mund të merret me mend se si mund të organizohej prezantimi i poezisë që shkruhet në gjuhën angleze, frënge, gjermane… Dhe, natyrisht, siç e donte rregulli dhe tradita, në festival do ftohej edhe delegacioni zyrtar. Për të gjitha këto kishim biseduar dhe ishim marrë vesh në parim, me kryetarin dhe sekretarin e atëhershëm të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, poetin Bardhyl Londo dhe Xhevahir Spahiu. Nga ana e Bordit ër komunikim të mëtejmë dhe për konkretizimin e mbarëvajtjes isha caktuar unë, kurse nga ana e LSHA, Xhevahir Spahiu. Por punët nuk ecnin si deshëm ne dhe siç e diktonte limiti kohor. Kishte zvarritje, edhepse pas çdo telefonate, përgjigja ishe kjo: do bëhet, po punojmë… Pra Bordit i duheshin emrat dhe numri i poetëve pjesëmarrës, emri i aktores, pajtimi (edhe formal) për poetët që do prezantoheshin në Antologjinë e rastit, për transportin, etj. Koha po afrohej, përgjigjja askund. Shtypshkronja kërkonte përkthimet e përkthyesit poezitë, redaktorët dhe hoteli emrat dhe numrin.

Me Bardhylin kishim edhe një “muhabet” tjetër. Në njërin nga takimet e shpeshta që kisha me poetin dhe mikun tim Visar Zhiti, më thotë se do bëja mirë sikur t’i botoja një libër poetik poetit dhe mikut të tij, Bardhit. Ishte viti 1995. I premtova se do bëja përpjekje, me që isha redaktor përgjegjës i Redaksisë së botimit pranë gazetës “Flaka e vëllazërimit” në Shkup. Ndonjë vit më parë Redaksia jonë i kishte botuar Visarit librin “Mbjellja e vetëtimave”, dhe jo vetëm atij.(“Flaka” ka botuar edhe Ismail Kadarenë, Fatos Arapin, Moikom Zeqon, Xhevahir Spahiun etj.).  Unë kisha në dorë pak fuqi: aq sa ta përgatis planin-programin dhe t’ia dërgojë si propozim Ministrisë së Kulturës të Republikës së Maqedonisë. Bardhyli këtë propozim e pranoi me gëzim, që s’e fshihte dot, por nuk e la pa shtuar: Resul, po mos të nxjerrim ndonjë telash, se natyrisht që pajtohem? Gëzimi u shumëfishua kur nga Ministria erdhi përgjigja pozitive dhe unë ia përcolla lajmin e mirë me telefon. Pa vonuar shumë e përgatiti dorëshkrimin e librit “Eksodi i yjeve”, i cili u botua në verën e vitit 1996. Gjatë nënshkrimit të kontratës, për ta gëzuar atë e mbase edhe për ta mburrur veten, ia përmenda edhe honorarin, por me njëfarë droje, duke i thënë se shuma varet nga Ministria. E Bardhyli, me humor, më thotë: Lëre këtë muhabet, se s’u ka zgjidhur ndonjë hall honorari poetëve. Por, nëse ka edhe për një qerasje, faleminderit.

Dhe t’i kthehemi “luftës” për pjesëmarrjen e poetëve në festival. Meqë koha numëronte “sekondat” e fundit, e përgjigje të saktë nga Tirana nuk merrnim, Bordi vendosi që unë me drejtorin e festivalit, shkrimtarin e përkthyesin Paskal Gilevski, të shkonim në Tiranë. U nisëm nga Struga me taksi, e në kufi na priste poeti Xhevahir Spahiu me makinën e Lidhjes. Rrugës për në kryeqytet, në majën e Qafë Kërrabës, ndodhi “mrekullia”!. Për çudi, edhepse ishte fundi i korrikut, apo fillimi i gushtit, moti ishte “çmendur”. Na zuri një shi, por shi i vërtetë Elbasani. E, siç thash, në maje të malit, makina jonë gati sa nuk u “puth” me një makinë që vinte nga Tirana. Ishte makina e Shtëpisë Botuese “Onufri”. Akoma pa vënë këmbët në tokë për të takuar mikun dhe botuesin Bujar Hudhri, jo vetëm që u ndal shiu si me komandë, por u shpërndanë retë dhe shndriti një diell i paparë. Takoheshin miqtë!  Për dashurinë ndaj librit, Bujari kishte zhvendosur  redaksinë nga Elbasani në Tiranë. Udhëtonte çdo ditë me bashkëpunëtorët. Sakrificë jo e pakët. E, ishte viti kur “Onufri” kishte botuar librin tim poetik “Mëkat i trilluar”, libri i parë që më botohej në shtetin amë. Natyrisht që isha shumë i lumtur.

Mbërrimë në Tiranë. Në selinë e LSHA na priste Bardhyli me buzëqeshjen e tij të pakrahasueshme. Dhe, siç e do tradita jonë shqiptare, miqtë drejt e në sofër. Pas pyetjeve të zakonshme: si jeni e si kaluat rrugës, unë e nisa bisedën e pjesëmarrjes në festival. Mendova: ta zgjidhim këtë “problem” dhe të kthehemi, por Bardhyli ma preu: Bisedojmë nesër, tani do shplodheni. S’ka të ikur. Edhe neve na rrihej, sidomos mua. Të nesërmen na priste një befasi përgatitur nga Bardhyli: kishte lajmëruar Televizionin e shtetit për intervistë. Gazetare Eni Vasili, , e sapo diplomuar, e bukur sa s’thuhet. Pas shtrimit të pyetjes së parë (në frëngjisht), Paskali po bënte një pauzë pak sa të gjatë para përgjigjes. Eni, pak sa e hutuar pyeti se ç’ndodhi. E bashkëbiseduesi i përgjigjet: Është bukuria jote që më shastisi, e s’e gjej përgjigjen. Natyrisht që qeshëm të gjithë. E ditën tjetër edhe një befasi – gazeta Drita shkruante për ardhjen tonë me titullin pak sa të ekzagjeruar: Paskal Gilevski në Tiranë (!!!). Do shkonim në Durrës. Para nisjes e pyes Bardhylin se ku gjendet fshati Sukth. Ç’të duhet?, më pyeti. Jo mua, por Paskalit. E ka pasur nënën refugjate aty gjatë luftës civile greke (1945-’49). (këtë ma kishte thënë Paskali rrugës, sapo e kaluam kufirin.) Bardhi u prek. Pas pak shtoi: Patjetër. U çon Xhevoja. Dhe kështu ndodhi. Në të kthyer, devijuam rrugën për në fshat. Pasi pyeti dy tre fshatarë se ku ndodheshin partizanët grekë, Xhevahiri i lumtur na thotë se e gjetëm vendin. Ishin do konvaleshenca të braktisura kuajsh, ku qenë strehuar refugjatët e dëbuar nga pushteti grek, me pretekstin se janë partizanë. Vinin nga fshatrat e Kosturit të Greqisë, ku ka lindur edhe Paskali. Lufta ia kishte bërë familjen pikë e pesë: nënën pa takuar gjashtë vjet, e babën dymbëdhjetë. Paskali u fotografua te dera e strehimores, si dërmuar shpirtërisht.

Në mbrëmje, gjatë darkës, unë u përpoqa edhe njëherë ta çel bisedën e festivalit, por Bardhyli përsëri ma preu qetë-qetë: bisedojmë nesër. Nesër do kthehemi, i them unë. Ta gdhimë natën njëherë, shtoni, pastaj shohim e bëjmë. Dita e re na pret me pyetjen e re të Bardhylit: cilin qytet dëshironi ta vizitoni sot? Rrudha krahët, ç’është kjo pyetje!? Ia përcjell pyetjen Paskalit, ai më përgjigjet se mos e teprojmë. Më në fund fitoi Bardhyli. I them, mos është larg Berati? Jo, nja dy orë, ma kthen. Do shkoni me Jorgon. Poeti dhe përkthyesi i shkëlqyer Jorgo Bllaci, sapo i ishte kthyer nga shërbimi diplomatik në Moskë, e qe emëruar drejtor i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”. Ishte dekoruar nga presidenti i Rusisë Boris Jellcin për përkthimin e poezisë ruse dhe ky fakt e bënte të lumtur. Nga Jorgoja e mësova fjalën kavak, titull i një poezie të Eseninit, botuar tek libri “Vjersha dhe poema të zgjedhura”. Rrugës për në Berat, po dëgjonim muzikë popullore nga radioja e makinës. Në një çast shoferi ia ngriti zërin deri në kupë të qiellit. Njëherë melodia e njohur pastaj shpërtheu basi që s’ka të dytë, i Mentor Xhemalit. Ishte aq i fuqishëm, sa thashë fluturuan dyer e dritare. (Kisha lexuar se shumë shtëpi operistike në botë, vuanin mungesën e basëve, kurse Shqipëria eksportonte). Ishte kënga “Mora rrugën për Janinë”. Jorgoja ia priste, Paskali u zverdh limon në fytyrë dhe po i binte xhamit me kokë, unë shtanga, shoferi bënte punën e tij. Pasi mbaroi kënga dhe u qetësua situata, e pyes Paskali se ç’e gjeti. Kjo këngë më ktheu në fëmijërinë time. Për të shkuar te tezja, kaloja nëpër fshatrat shqiptare të Kosturit, e më binte ta dëgjoja këtë këngë nëpër dasma. Më preku, më tronditi. Pasi e mori pak veten, më thotë: Resul, mbrëmjen e poezisë shqiptare në festival, do ta çelim me këtë këngë. I entuziazmuar ia ktheva: na duhet vetëm edhe një votë, se dy jemi. Do ta gjejmë, do ta gjejmë, tha. Gjatë darkës, ia përmenda Bardhylit këtë propozim. Ai gati nuk u besonte veshëve.  A bëhet, a është e mundur? Pyeti. Tani më atij nuk i shkëlqenin vetëm sytë, por tërë fytyra. Dhe lëshoi një “AH” nga thellësia e shpirtit: Ah sikur të ishte gjallë përmetari im, Mentori (kishte vdekur para katër vjetësh), do ta merrnin edhe atë në Strugë. Patjetër që do ta merrnim, pohova. Dhe, duke ngrënë e duke pirë, e solla përsëri bisedën te përfaqësimi në festival. E pyeta pa doreza: ku qëndron problemi i zvarritjes? Ai më pa drejt në sy e ma tha me zemër të plasur: te hatërmbetja. Të gjithë duan të vijnë në Strugë, e ju pranoni pesë a gjashtë. Ç’ bëj? Të gjithë i kam shokë e miq. Më erdhi keq për Bardhylin e mirë, që s’donte t’ia prishte qejfin askujt. Dhe u morëm vesh që delegacionin ta përbëjnë: Bardhyl Londo, Xhevahir Spahiu, Ndoc Gjetja, Jorgo Bllaci, Andi Bejtja, botuesi Bujar Hudhri, aktorja Yllka Mujo, e ndonjë tjetër që s’më kujtohet. U bë një mbrëmje model, mbrëmje plot hijeshi. Mbrëmje që s’ishte parë para, por nuk u pa as pas kësaj. Nisi me këngën “Mora rrugën për Janinë”, këngë që i la pa frymë mbi 200 poetë nga mbarë bota, diplomatë, politikanë, gazetarë, botues, njerëz të artit e të kulturës. Deklamimi i poezisë nga Yllka Mujo dhe Bajrush Mjaku, ngritën edhe më nivelin e poezisë. U botua edhe Antologjia e përgatitur nga akademiku Ali Aliu, e që çelej me Naimin e madh.

Dhe, në të kthyer, në Elbasan na priste Bujari bujar, që na kishte shtruar një drekë, drekë mbreti, te Uji i Ftohtë, karshi Kodrës së Vajzës, buzë Shkumbinit. Gjithmonë me Xhevahir Spahiun deri në Qafë Thanë.

Pas dy vjetësh Bardhyli u ftua në një tjetër festival, atë të Velesit, me karakter ballkanik. Do ta mbante fjalën e rastit, pra do ishte pjesëmarrësi numër NJË. Do e pranoj Resul, më tha, edhe për një arsye tjetër. Nga aty do hidhem në Bullgari, ta shoh vajzën. (E bija studionte në një universitet amerikan). Prandaj do vij me makinë, jo me aeroplan, por ti do më arsyetosh para miqve. Dhe u ashtu u bë.

Bardhyli nuk ishte vetëm poet i mirë, por edhe prind e mik i mirë. Lavdi emrit dhe veprës së tij!

Exit mobile version