Kreu Forumi mbi përkthimin René Troy Tun: Bukuria e së papërkthyeshmes! (Rasti i nobelistes Anne Carson)

René Troy Tun: Bukuria e së papërkthyeshmes! (Rasti i nobelistes Anne Carson)

“Çdo përkthyes e njeh atë pikë ku një gjuhë nuk mund të përkthehet në një tjetër… Ka diçka çmendurisht tërheqëse tek e papërkthyeshmja, te një fjalë që hesht gjatë kalimit.”

Në esenë e saj Variacione mbi të drejtën për të heshtur, Anne Carson vë në dukje se çdo gjuhë ka çaste papërkthyeshmërie të kulluar — fjalë ose struktura gramatikore që thjesht heshtin kur përpiqesh t’i sjellësh në anglisht. Për të, leximi në gjuhën origjinale është e vetmja mënyrë për të qëndruar pranë atyre çasteve të heshtura e të pazëvendësueshme, në vend që t’i fusësh me forcë në një gjuhë tjetër.

Ndonëse është edhe vetë një përkthyese e shquar, Carson e bëri fare të qartë në një intervistë të kohëve të fundit se gjithmonë ka parapëlqyer të lexojë në gjuhën origjinale, sepse kjo është krejt tjetër gjë. Ka shumë fjalë ose nuanca gramatikore që thjesht nuk mund të gjejnë vend në një gjuhë tjetër.

PIKËRISHT KJO ËSHTË ARSYEJA PËRSE I NXIS GJITHMONË STUDENTËT E MI DHE TË RINJTË NË VENDIN TIM TË PËRPIQEN T’I LEXOJNË LIBRAT NË GJUHËN E TYRE ORIGJINALE, QOFTË AJO ANGLISHTJA, GREQISHTJA, FRËNGJISHTJA, GJERMANISHTJA APO KINESISHTJA, DHE TË MOS MBËSHTETEN TE PËRKTHIMET.

Gjuha nuk është aq e thjeshtë sa mund të mendoni.

Në përmbledhjen e saj Biseda të shkurtra (“Mbi shiun”), Carson shkruan për përpjekjen e pafund e rigoroze që kërkohet për të jetuar vërtet brenda një gjuhe e për ta kuptuar atë:

“Është detyra e një jete të tërë. Kurrë nuk mund të dish aq sa duhet, kurrë të punosh aq sa duhet, kurrë t’i përdorësh paskajoret dhe pjesoret aq çuditshëm sa duhet, kurrë ta pengosh lëvizjen aq ashpër sa duhet, kurrë ta braktisësh mendjen aq shpejt sa duhet.”

Anne Carson është përkthyese. Edhe unë jam përkthyes. Por një mesazh që të dy duam të përcjellim është ky: mos e gënjeni veten, përmes një përkthimi nuk do të përjetoni kurrë atë që përjetoni duke lexuar një vepër në origjinal. Në të vërtetë, nuk mund të thoni se keni lexuar një libër të caktuar. Mund të thoni vetëm se keni lexuar një përkthim. Dhe, ju lutem, vini re se kam përdorur “një përkthim” dhe jo “përkthimin”, sepse çdo përkthim është, sërish, një libër tjetër, i ndryshëm.

Exit mobile version