Editorial i revistës “Il Librario”
Vazhdon të ngjallë debate përjashtimi nga çmimi Goncourt i romanit “C’était ça ou mourir” të shkrimtarit kanadez Thélyson Orélien, pas akuzës se ishte shkruar me ndihmën e inteligjencës artificiale. Dhe ndërsa denoncimi anonim në X është bërë viral, shumëkush pyet (edhe në Itali) se çfarë do të thotë të shkruash me inteligjencën artificiale (ose me ndihmën e saj) dhe nëse mjetet e posaçme për zbulimin e përdorimit të saj janë apo jo të efektshme. Një diskutim që prek disa tema (përfshirë mbrojtjen e së drejtës së autorit, si edhe akuzat për racizëm) dhe që është rihapur nga një ndërhyrje e shkrimtarit Paolo Giordano, i cili ka treguar se nuk ka kurrfarë marrëdhënieje me IA-në (“E kam shkëputur nga interneti kompjuterin në të cilin shkruaj…”) dhe ka shprehur të gjitha frikërat e tij – Hollësitë e debatit dhe rastet e mëparshme (në pritje të zhvillimeve të reja)
Të jesh artificial apo të mos jesh artificial? Duket se tashmë kjo është një nga çështjet (dhe dilemat) qendrore të debatit letrar (dhe botues) bashkëkohor. Sidomos në Francë, ku shkrimtari kanadezo-haitian Thélyson Orélien është përjashtuar nga gara për çmimin Goncourt (vlerësimi më prestigjioz letrar francez, që do të jepet më 3 nëntor), me pretendimin se e ka përdorur gjerësisht inteligjencën artificiale për të shkruar romanin e tij C’était ça ou mourir (Grasset). Siç do ta shohim, këtu duhet folur me rezervë.
Por le t’i marrim gjërat me radhë. Romani i shkrimtarit 38-vjeçar, i botuar në mars në Kanada dhe në gusht në Francë, u akuzua nga një llogari anonime në X se ishte shkruar “pothuajse tërësisht” me ndihmën e IA-së. Kjo llogari thuhet se e kishte analizuar tekstin me programin Pangram (një mjet i krijuar pikërisht për të zbuluar tekstet e gjeneruara artificialisht). Ndërsa fillimisht Akademia Goncourt këshilloi të tregohej kujdes, shtypi në Kanada risolli në vëmendje disa tregime të Orélienit, për të cilat ishin ngritur akuza për plagjiaturë.
Kështu, pas hulumtimeve që nuk dhanë të dhëna të sigurta (jo të paktë janë ata që pohojnë se vetë mjetet e analizës nuk janë fort të efektshme, dhe po aq të tjerë pyesin nëse ka kuptim që të jenë pikërisht mjetet e IA-së ato që japin verdikte nëse tekstet janë shkruar apo jo me ndihmën e IA-së…), Akademia vendosi ta përjashtonte romanin, me synimin për të “ruajtur integritetin e Çmimit”: “Nuk e miratojmë dhe as nuk e tolerojmë në asnjë mënyrë krijimin e teksteve të gjeneruara me ndihmën e inteligjencës artificiale”.
Ndërkohë, Samuel Fitoussi, gazetar i Le Figaro-së, ka pohuar se është një nga personat që administrojnë llogarinë anonime nga e cila nisi denoncimi. Dhe këtu polemika mori një tjetër drejtim.
Komentet e shumta
Ndonëse turi i prezantimit të librit është pezulluar, Orélien vazhdon të mbrojë punën e tij: “Gjithmonë i kam dashur krijimtarinë dhe shkrimin, nuk shoh pse do të duhej t’i drejtohesha një makine”, ka deklaruar në një intervistë për Libération, ndërsa botuesi i tij ka folur për “deklarata dashakeqe” ndaj tij. Komentet nuk kanë të sosur, pasi lajmi, që po përçan profesionistët e fushës, është përcjellë nga mediat e mbarë botës.
Sa i përket librit të Thélyson Orélien, që në Francë tashmë është shitur në dhjetëra mijëra kopje, në Itali të drejtat e botimit i ka blerë Rizzoli: “E kemi vlerësuar për zërin e tij”, ka shpjeguar për Repubblica Massimo Turchetta, drejtor i përgjithshëm dhe botues i kësaj shtëpie botuese të Grupit Mondadori, duke shtuar: “Shtëpitë më të mëdha botuese nga e gjithë bota morën pjesë në ankandin ndërkombëtar për të blerë të drejtat e tij. Boréal po e thellon analizën e tekstit për të sqaruar përtej çdo dyshimi se çfarë ka ndodhur, ndërsa Rizzoli mbetet në pritje të një tabloje më të plotë”.
Në Francë, ndër të tjerë, për këtë çështje është shprehur edhe Mohamed Mbougar Sarr, shkrimtari që fitoi çmimin prestigjioz në vitin 2021. Autori i Kujtesa më e fshehtë e njerëzve (e/o, përkthimi italisht nga Alberto Bracci Testasecca) ka folur për nevojën që “të mos nënvlerësohet fakti se këto sulme, dyshime dhe pikëpyetje ndërthuren me një racizëm që buron nga një mjedis politik lehtësisht i identifikueshëm” dhe ka vijuar duke theksuar se “llogaritë konservatore i kanë dhënë jehonë postimit dhe i kanë siguruar një audiencë jashtëzakonisht të gjerë”.
Duke e zgjeruar më tej reflektimin, Sarr ka pohuar se “në vitet e ardhshme paditë e këtij lloji do të shtohen kundër të gjithë autorëve, ndoshta me një mosbesim gjithnjë e më të madh ndaj atyre që nuk kishin botuar përpara përhapjes së vrullshme të LLM-ve” (modeleve të mëdha gjuhësore, shën. i red.).
Ndërsa vetëm pak muaj më parë Il Post kishte dalë me një artikull me “truke dhe faqe interneti që mund të japin ndonjë të dhënë” për të kuptuar nëse një tekst është shkruar nga njeriu, vetë Sarr reflekton mbi “rrugën pa krye” ku ndodhemi sot: “T’i nënshtrosh tekstet kontrollit të një programi për zbulimin e IA-së është një tjetër mënyrë për të ushqyer IA-në, për të majmur mizorinë e kapitalizmit në versionin e tij tekno-vrasës dhe për ta kthyer makinën jo vetëm në një arbitër, por në një Zot që do të vendosë çfarë është njerëzore dhe çfarë nuk është njerëzore”.
“Asnjë libër nuk shkruhet ‘nga një inteligjencë artificiale’”
Ndërsa debati është zgjeruar pashmangshëm, del në pah se sa pak dihet ende për këto modele gjuhësore dhe për përdorimin – krijues? – të sistemeve të inteligjencës artificiale. Luca Sofri, themeluesi i Post-it, në blogun e tij, Wittgenstein, ka reflektuar mbi procesin e shkrimit të një libri, me ose pa ndihmën e makinave: “[Orélien] nuk është se u zgjua një mëngjes, shkoi në tryezën e tij të punës, hapi kompjuterin dhe gjeti aty një roman që një program e kishte shkruar gjatë natës pa dijeninë e tij”. E shumta, ka vijuar Sofri, mund të thuhet se ky mjet është përdorur “në përputhje me një ide dhe me një udhëzim të hollësishëm të autorit të librit dhe në shërbim të tyre”. Sigurisht, kjo nuk e përjashton mundësinë që përdorimi i padeklaruar i këtij mjeti të bjerë ndesh me rregullat e çmimeve e të vlerësimeve apo me kontratat me botuesit.
E gjithë kjo na rikthen te pyetjet mbi aftësitë krijuese të IA-së, edhe në krahasim me aftësitë njerëzore: “Ose vendosim se [cilësia e romanit] është meritë e mjeshtërisë dhe e talentit të autorit”, ose “arrijmë në përfundimin se një libër vërtet i bukur është prodhuar nga një program mbi bazën e disa udhëzimeve të parëndësishme e me pak vlerë, të dhëna nga njeriu: dhe atëherë ndoshta duhet të përmbysim gjithçka që i kemi thënë njëri-tjetrit deri më sot”.
“Të shkruash me IA-në është më se në rregull”
Ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar është menduar për një etiketë që të dallojë veprat e shkruara nga njerëzit, është me interes të reflektojmë se çfarë do të thotë vërtet të shkruash duke përdorur këto mjete. Në Facebook, drejtori editorial i revistës L’indiscreto, Francesco D’Isa, i cili shprehet shpesh për këto tema, ka reflektuar mbi mbingarkesën me informacion që shkakton përdorimi i inteligjencës artificiale, pasi “e rrit aq shumë kapacitetin njohës, sa ndonjëherë e mbingarkon trurin”. Dhe pikërisht duke komentuar lajmin e përjashtimit të Thélyson Orélien nga çmimi Goncourt, ka shtuar: “Të shkruash me IA-në është më se në rregull, madje, nëse punon më mirë duke e përdorur, më duket marrëzi të mos e përdorësh…”.
Vetë D’Isa ka shkruar më pas për the-bunker.it një reflektim me titull Gjuetia e shtrigave kundër atyre që përdorin IA-në për të shkruar është marrëzi: “(…) Mund të përdor stilografin e gjyshit, një makinë shkrimi, Word-in me korrigjuesin automatik, një redaktor që paguhet për faqe dhe ma rishkruan gjysmën e kapitullit, ose një model gjuhësor që më propozon njëzet variante të një paragrafi, nga të cilat ruaj tre rreshta. Mund të kem lexuar një mijë libra dhe të kem marrë prej tyre stil e ide, ose të mos kem lexuar asnjë rresht. Mund të marr një subjekt nga një histori e dëgjuar në kafene ose të ma sugjerojë një ëndërr; mund të flas për ngjarje të vërteta nga jeta ime ose t’i sajoj fund e krye dhe të them se janë të vërteta. Lexuesi ka gjithë të drejtën ta gjykojë atë që gjen në faqe dhe ta ndërpresë leximin nëse nuk i pëlqen. Të tjerat, ama, janë punë të miat dhe, nëse të intereson kaq shumë ta zbulosh të vërtetën, dije se ajo do të mbetet gjithmonë përtej vështrimit tënd: nuk do të kesh kurrë asnjë siguri. Shkrimi e fsheh atë që shkruan në një mijë mënyra dhe nuk është kurrë, kurrë dhe, e përsëris, kurrë, fryt i një pene të vetme, as edhe po ta mbyllësh autorin në një qeli izolimi”.
Nuk është rasti i parë: nga Shy Girl te Call Me, I’ll Hide the Body
Ndonëse Orélien vazhdon të bëjë bujë edhe për shkak të suksesit të librit, rasti i tij nuk është i pari ku përdorimi i mundshëm i inteligjencës artificiale gjeneruese ngjall debate në botën e botimeve.
Mes fundit të korrikut dhe fillimit të gushtit, për shembull, u fol për Jerry Falade dhe romanin e tij të parë, Call Me, I’ll Hide the Body: pasi 14 botues shprehën interes dhe ofertat tejkaluan 2 milionë dollarë, agjencia që përfaqësonte shkrimtarin e ri vendosi ta tërhiqte romanin kriminalistik për shkak të “dyshimeve mbi zanafillën e dorëshkrimit”. Falade, përveçse mohoi të kishte përdorur IA-në, foli edhe për një “paragjykim ndaj autorëve të zinj”.
Në mars, ndërkaq, shtëpia botuese Hachette kishte vendosur ta tërhiqte nga tregu romanin horror Shy Girl të Mia Ballard, për shkak të dyshimeve për përdorimin e IA-së. Kjo çështje u hap pas botimit të romanit, i cili, siç njofton edhe BBC-ja, tashmë ishte shitur në afro dy mijë kopje në tregun britanik. Ndonëse gjatë gjithë kohës është folur për një përdorim të dyshuar, emri i Ballardit mbetet i njollosur: “Kjo polemikë ma ka ndryshuar jetën në shumë drejtime, shëndeti im mendor nuk ka qenë kurrë më keq dhe reputacioni im është shkatërruar për diçka që as nuk e kam bërë unë vetë”, ka rrëfyer autorja.
Komunikata e Les Éditions du Boréal (botuesi kanadez i Orélienit)
Por le t’i kthehemi rindërtimit të çështjes Thélyson Orélien: më 24 shtator, botuesi kanadez i Orélienit lëshoi një komunikatë për shtyp, ku komentonte ngjarjen, duke pohuar se “në asnjërën prej këtyre fazave (redaktimi gjuhësor dhe korrektimi i bocave, shën. i red.) Boréal nuk ka përdorur inteligjencën artificiale”. Nga ana tjetër, sa i përket punës së kryer përpara dërgimit të dorëshkrimit, theksohet se për shtëpinë botuese “është e pamundur të konfirmojë ose të hedhë poshtë akuzat e ngritura kundër autorit dhe, në këto rrethana, është thelbësore të mos nxirren përfundime të nxituara…”. Më pas shtohet: “Në mungesë të provave konkrete dhe të prekshme, nuk na takon neve të vendosim nëse ka të drejtë të ekzistojë”.

Duke reflektuar edhe mbi debatin e tanishëm, që shkon përtej këtij rasti të veçantë dhe tashmë përfshin shumë më tepër aktorë, shtëpia botuese kanadeze Boréal thekson se marrëdhënia mes botuesit dhe autorit duhet të mbështetet te besimi: “Nuk duhet të shndërrohet në një proces mbikëqyrjeje”.
Në këtë diskutim, ndër të tjera, nuk duhet harruar roli qendror që ka e drejta e autorit në veprimtarinë botuese…
Përgjigjja ndaj akuzës për plagjiaturë
Në një tekst dërguar Agence France-Presse (AFP) në mesin e tetorit, edhe Thélyson Orélien ka shprehur qëndrimin e tij pas akuzave dhe komenteve të panumërta. Shkrimtari kanadezo-haitian e ka cilësuar si “një shpifje dhe një herezi” akuzën se ka përdorur inteligjencën artificiale, duke shpjeguar se ka përdorur “mjete për kërkim”, por se “asnjë fjali nuk është krijuar nga një makinë” (siç njofton edhe Le Monde).
Sa u përket, ndërkaq, akuzave për plagjiaturë, Orélien pohon se ka “bërë gabime të papranueshme”, duke kërkuar ndjesë që ka kopjuar tekste pa cituar burimet.
Vetëm pak javë më parë, po në një komunikatë për shtyp, botuesi i tij i kishte cilësuar këto akuza si “shkak për shqetësim”, sepse “cenojnë vlera të shtrenjta për ne…”.
Paolo Giordano dhe “mbrojtja” kundër IA-së
Siç u përmend më sipër, edhe në Itali po diskutohet shumë për këto tema dhe, në këtë drejtim, duket se do të hapë një tjetër shteg diskutimi reflektimi i shkrimtarit Paolo Giordano, i botuar më 13 tetor në Corriere della Sera. Edhe fituesi i çmimit Strega të vitit 2008 është shprehur për çështjen Orélien dhe ka treguar se nuk ka kurrfarë marrëdhënieje me inteligjencën artificiale.
Fillimisht, Giordano e ka cilësuar vendimin e Akademisë Goncourt si një “luftë të shenjtë – që ajo do ta humbasë, që ne do ta humbasim – në mbrojtje të inteligjencës natyrore”, ndërsa më pas është përqendruar tek e tashmja: “[IA-ja] Ndoshta nuk do t’i zhdukë romancierët, por tashmë ka ndryshuar diçka në profesionin tonë…”.
Giordano, i cili ka treguar se po punon për një roman të ri, ka shpjeguar mënyrën se si e ruan skedarin: “Dua të lë një gjurmë të qartë, në rast se do të nevojitet, të procesit të korrigjimit hap pas hapi, si edhe të çorientimit tim”.
“E kam shkëputur nga interneti kompjuterin në të cilin shkruaj”
Por jo vetëm kaq. Si reagim ndaj shumë prej denoncimeve dhe zbulimeve lidhur me “ndërhyrjen e platformave sociale në zgjedhjet e vendeve të ndryshme”, ndikimin e këtyre platformave në shëndet dhe “trajnimin e inteligjencave artificiale” në shkelje të privatësisë dhe të së drejtës së autorit, Paolo Giordano ka pohuar se e ka “shkëputur nga interneti kompjuterin” në të cilin shkruan.
Për t’u mbrojtur nga vizitorë të mundshëm nga jashtë, Giordano ka zgjedhur, në fakt, të “kthehet prapa”, duke shmangur ruajtjen e skedarëve në cloud ose dërgimin e varianteve të dorëshkrimit me email: “Për herë të parë në karrierën time, agjentja ime, kur të vijë çasti, nuk do të marrë një mesazh me një skedar bashkëngjitur. Do t’i çoj memorien USB ose fletët e shtypura, dorazi, ose do t’ia dërgoj me postë të shpejtë. Të njëjtën gjë do të bëjë edhe ajo me shtëpinë botuese”.
Kështu, mes frikës se mos e marrin për paranojak dhe shpjegimit të çmimit që i është dashur të paguajë për zgjedhjet e tij, autori i romanit Vetmia e numrave të thjeshtë, që vazhdon të shitet prej vitesh, e ka mbyllur me një propozim. Jo për “t’i djegur makinat (tani për tani)”, por për “t’i përdorur sa më pak”.
Debati i ngjallur nga reflektimi i Giordanos
Paolo Giordanos i është përgjigjur shkrimtarja Chiara Valerio, në një shkrim të botuar në Post: “Refuzoj të verifikohem e të certifikohem nga një makinë e majmur prej vitesh me fjalët e mia dhe të të tjerëve. Refuzoj, me pak fjalë, të pranoj që kronologjia e fjalëve të mia të përcaktohet nga një makinë”. Eseistja vijon më tej: “E di shumë mirë se nesër dikush mund të më thotë se ajo që kam shkruar sot, dhe mënyra se si e kam shkruar, është vepër e IA-së. Por është e kundërta: IA-ja vjen prej meje, madje prej të gjithëve ne”.
Giordanos i është përgjigjur edhe vetë D’Isa, në një reflektim të botuar në theitalianreview.com, me titull “I dashur Paolo, mos i numërto më skedarët”, që niset nga një premisë: “(…) Giordano është krejt i lirë të mos e përdorë inteligjencën artificiale, të mos i zërë besë, ta urrejë, t’i shkruajë romanet e tij në një pllakë argjile, nëse kjo e bën të ndihet më mirë. Besoj se askush, as më i marrosuri pas teknologjisë, nuk i ka kërkuar ndonjëherë të veprojë ndryshe. E keqja është se ai kërkon diçka prej nesh…”. Dhe më tej shkruan: “(…) Atëherë po përpiqem t’i bëj një propozim Paolos dhe kryqtarëve: si thua të vazhdosh të shkruash si të duash, të mos i numërtosh më skedarët dhe të biem të gjithë e të gjitha së bashku dakord që secili të shkruajë me çfarë të dojë? Mund t’i refuzosh këto makina për arsye etike, estetike, politike. Deri këtu gjithçka në rregull. Mjafton që ai që nuk përdor një mjet të mos i japë vetes të drejtën të përcaktojë se si punon ai që e përdor…”.



