Kreu Letërsi Shënime mbi libra Rei F. Hodo: Pse duhet lexuar Gaspër Pali

Rei F. Hodo: Pse duhet lexuar Gaspër Pali

Gaspër Pali, Prendimi i andrrimeve. “Berk”, 2024

Nëpërmjet përgjigjes së pyetjes që pretendohet që edhe në titullin e këtyre radhëve, arsyet e psesë themelore nuk janë domosdoshmërisht shteruese apo të pakorrigjueshme nga të tjerë. Këto arsye janë gjendje dhe qasje personale, janë vetja brenda çdo vargu, jo si kufizim por si liri e të vepruarit dhe e të menduarit.

I panjohur fort në terrenin e sotëm të letërsisë shqipe por siç del edhe nga parathënia e botimit më të fundit, autori në fjalë, me përjashtim të botimit të vitit 1959, atij të vitit 2000 dhe atij të vitit 2014 në Prishtinë, nuk ka qenë prezent gjerësisht tek lexuesi shqiptar. Për të gjetur arsyet e këtij fenomeni, do të ishte krejt e lehtë po të mjaftohemi duke u nisur qoftë edhe vetëm nga një detaj, ai i të harruarit shpejt, ai i kalimit në heshtje të diçkasë që ka vlerë dhe është e bukur. Megjithatë, është e pavend të vijojmë në këtë drejtim.

Vepra e autorit në fjalë është e pakët, gjë që mund të shihet edhe si karakterizuese e G. Palit. Ndonëse e tillë, ajo vepron si e kundërt kur vjen puna tek materiali që të ofron për t’u thelluar në të. Studimi apo çështjet që mund të burojnë prej asaj jete poetike janë holistike, me mundësi ndërthurjesh interesante dhe në interes të lëmit studimor letrar.

Para se të mund të identifikojmë një pakicë nën-çështjesh si sa më sipër, po aq estetike dhe po aq e kompletuar është në tërësi përmbledhja “Prendimi i andrrimeve”, (Berk, 2024). Për t’u konsideruar një libërth, prej shtatit të tij e për t’u konsideruar një peizazh penelatash të mëdha prej palcës poetike që të vë përpara. Botime të tilla duhet të nxisin dëshirën për lexim, pikë së pari, prej thjeshtësisë së të hyrit në një marrëdhënie me të.

Krijimtaria poetike e Gasper Palit bëhet një udhëtim që pandërprerë vijon, nuk ndalet por vështirë të kuptohet nëse nis në Shkodër e mbyllet në Firence apo nis në Firence dhe mbyllet në Shkodër. E gjithë loja poetike përpëlitet mes jetës por edhe mendësisë së këtyre dy fenomeneve qytetare. Në “Bisedë me qytetin t’im”, autori të rrëfen se “Si vegim endej mbarë jeta/ në Shkodren anderrtare.”. Megjithatë, po në këtë poezi, të ndjek pas edhe një dyvargësh jo domosdoshmërisht pesimit më shumë se realist. “Sepse sa u shduk rinija,/ nji nga nji u treten tana shpres’t e mija.”. Nga sa përcillet më sipër, mesazhi mund të përthithet fare lehtë. Autori përpiqet të vërë në dukje, të ravijëzojë qëllimin e tij të fshehur jo në shumë nënshtresa. Pali të sjell ndërmend se lodhja e jetës nga procesi i të krijuarit, nuk nënkupton shterpësi; ajo do të thotë rikthim tek rikrijimi. Jeta nuk rikthehet të rikrijojë ç’ka ishte dhe është por sheh nga të krijuarit e formave gjithnjë e më të reja që pasurojnë jetën e shpirtit (Pipa, 2011). Poeti na e vërteton këtë pikërisht në vargje si: “Por Shkodra prap andrron/ e zemra nuk e lshon.” apo edhe “Kshu mjes mjerimi na buron andrrimi/ për ty e mue, Shkoder, me andrrue na kande.”

Së dyti, plotësimi i vetes, si proces i thurjes së enturazhi cilësor e intelektual, gjen zgjidhje tek arti, i cili padyshim mund të na shfaqet në forma të larmishme. Këtu nuk duhet harruar edhe fakti se e pranojmë art atë që e ndjejmë si të tillë, duke mos qenë domosdoshmërisht ne burimi i tij. Duhet thënë se, nëpërmjet artit, jo vetëm je në kërkim të kuptimit të jetës por pasi e ke realizuar këtë, kërkon ta zotërosh atë. Në jetë, njeriu është vetëm një krijesë si çdo krijesë tjetër por në art, ai sundon mbi gjithçka sepse atëherë kur të jetë sosur fuqia e veprimit të tij, atëherë nis përjetësia e krijimit, e artit. Autori na paraqet formën e tij të artit, nëpërmjet vargjeve më tej. Në poezinë “Psalm muzgu” hasim në vargjet: “Zot o Zot, shndoshen sytë që kurr s kan pa?/ A mund sherohet shpirti dyshimtar?/ Më gjanë se tash sa shekuj/ muzgu sonte ka ra n’botë/ e se çdo agim urimtar/ asht nji dëshirë i këto./ Zot fali syve dritë/ e buzve haré./ Ban që çdo njeri t’gjejë t’Vërtetën vetë/ e t’kthillet shpirti porsi qiella e priellit/ kur lvizë prendvera e ré./ O Zot ankimin degjò kah do vjen./ Zot o Zot…. Amen!” Poeti na rrëfen, (për aq kohë sa poezinë do të njihja vetëm si rrëfim) se e vërteta nuk është pra aty, e palëvizshme, diçka e gatshme. Tek ajo mund të mbërrihet vetëm me luftë e në luftë, duke qenë gjithë kohës në ndjekje të kësaj hijeje të lëvizshme e cila, vetëm duke besuar tek ajo, priresh për ta mbërritur.

Së treti, me interes është të hidhet një sy edhe tek trajtimi që i bën poeti fenomenit të dashurisë. Në dy nga poezitë e përmbledhjes “Prendimi i andrrimeve”, mund të gjendet fare qartë koncepti që edhe Unamuno (2023) kishte pikërisht për dashurinë. Në poezinë “Vashë e panjohtun” si edhe në poezinë “Zane stuhish (Vdekja e dashunis)”, autori forcon mendimin se gjëja më tragjike në botë dhe jetë është dashuria. Dashuria është ngushëllim, është pikëllim por njëkohësisht është ilaçi i vetëm kundër vdekjes. Në poezinë e parë vërejmë ndërthurjen midis mallit dhe përkujtimit të së shkuarës. “e unë due me e zbulue,/ pse n’shpirtin t’im/ ka lindë malli per sy tue.”;apo vargjet si: “hije që krijojnë gardhin ndalimtarë,/ pse tash nuk mundem mâ/ asnjenin sy me pa.”; apo vargjet si: “Por sytë s t’i dajë o vashë,/ pse m’perkujton jeten qysh n’fminí t’parë:/ gjithkund kah heci ndeshi veç mshehtsí,/ por vijoj udhen me sy anderrtarë./ Kështu vashë,/ fytyra e jote forca t’reja m’ngjallë/ pse m’bahet se vroj Misterin mu n’ballë.”. Në sa më sipër cituam, mund të kuptojmë se për poetin, dashuria nuk perceptohet as si element intelektual as si element vullnetar apo që mund të lindë nga hiçi. Ajo është diçka trupore në shpirt, që ndjehet dhe që kërkon fuqishëm nëpërmjet procesit të të dashuruarit diçka që gjendet përtej saj. E atëherë kur ajo nuk e gjen, dëshpërohet. Në poezinë e dytë, hasim vargjet: “Drita e shpirtit t’and/ m’ban me u turbullue”; apo “mbahet se m’perpijnë”; apo “ku m’shuhen andrrat/ e ndiej ner vdekjen e nji dashunije”; apo “Por nji ditë u shkëputa syve tue/ e n’shpirt mjerimi nisi m’u shpeshtue.”; apo “perse kaq shpejt zbehen andrrat mbi botë?”; apo vargjet që mbyllin poezinë “Drue se shpresat tjeter s janë/ veç flakë n’shpirtin tonë,/ flakë që nji mbas nji fiken heret-vonë,/ e mbesin n’terr si në nji natë nandori./ Shkon malli i dashunis,/ shuehet mâ vonë, ndoshta, malli i gjithsis/ e shpirti mbetë i ftoftë, si muzg dhetori”. Ajo që e përjetëson të dashuruarit në botën tonë është dhimbja e përtej kësaj, si paraardhës i dhimbjes është vetëm instikti njerëzor i zotërimit dhe përvetësimit të tjetrit. Po në këtë vijë mendimi, poeti të kujton edhe Pessoan, sipas të cilit “asht dashnija thelb i gjithçkaje”. E poeti e vijon dhimbjen e tij me vargun “M’thuej, e shkreta mori vashë,/ m’thuej: ,,asht vall mkat me dashë”, nga poezia “Dritë të mshehuna”.

Së katërti, autori të lë të kuptosh se vetë jeta është një udhëtim eksperimental që kryhet në një mënyrë të pavullnetshme. Në poezina “Zemer anderrtare”, edhe pse e mbyllur në mënyrë disi pesimiste (tipar karakterizues ky i poetit), sërish ai të krijon mundësinë të njohësh tiparet e një jete krejt në lëvizje e të bukur, nga e cila kënaqësia është e sigurt.

Së pesti, poezia e cila, në mendimin tim, vlen të veçohet së tepërmi është “Zoja e Krishti fmí në djep”.  Fillimisht, është e qartë se, për poetin, Zoti ekziston për sa kohë ai i mishëron atij atribute të caktuara dhe një esencë të përjetshme, sikur në mëson edhe Spinoza. Tek poeti, Zoti nuk është as logjik dhe as racional. Ai është asgjë më shumë se sa veç ndjenja e njeriut për hyjnoren, është adhurimi për të, është Zoti njerëzor, i kulluar. Poeti arrin deri aty sa ta qytetëzojë Zotin, duke i vendosur atij përmasat e barabarta si të të gjithëve ne, në vargun: “Në nji skaj të gjytetit të vogël shifet nji shpi jo e madhe,/ po qi bje në sy mei’herë”. Autori beson në këtë Zot për sa kohë ai e dëshiron atë. Poeti nis një tjetër udhëtim, niset drejt Zotit për të arritur hyjnoren dhe nuk rreket të nxjerrë atë nga ai vetë. Cila është hyjnorja e poetit? Këtë përgjigje e përcjell më së miri vetë përmbledhja poetike megjithatë ai jep një pasqyrim të saktë të gjendjes së Zotit në kohë dhe vend, në marrëdhënie me amën e tij. Poezia rrëfen se: “Â Zoja, â e Ama e të voglit,/ qi tuj e perkundë djepin e foshnjes,/ merr e i kndon amel:/ ,,Flej moj njome, Mbret i qillit/ flej në kët djep të zhgatrrumë!”; apo “Koha e ardhshme plot mundime/ s të len me mbyllun sy?/ Ah! Oh Njome. Bir i Zotit,/ psimet qi tash hjekë!/ Mos mendo mal’n e Golgotit/ mbi të cilin ke me dekë…/ mos mendo sande mundimet/ qi Zot ke me i ndie;/ vec mendo Jezus ngallnjmet./ Flej me nanen Mri,/ flej i dashtni djalë se â heret/ kto punë me i mendue?”.

E së fundmi, ndër të tjera, poeti e njeriu Gasper Pali të kujton se jeta mbetet një vrull i pafund dëshirash e andrrimesh ndonëse për Herodotin, “trishtimi më i hidhur që njeriu mund të njohë është të bëjë shumë e mos të marrë asgjë”. Gasper Pali, ndonëse sipas parathënies, bën pjesë tek poetët tuberkularë, bëri të kuptojmë se ëndrra për me u ba njeri, naltohet mbi gjithçka.

Referenca:

 de Unamuno, M. (2023). Ndjenja tragjike e jetës (I. Maliqi & B. Braho, Përkth.). Alphabet J&H.

Pali, G., & Kola, L. (2024). Prendimi i andrrimeve. Berk.

Pessoa, F. (2023). Poeti, kjo krijesë e shtirun (J. Radi, Përkth.). Botimet Jozef.

Pipa, A. (2011). Skicë e një konceptimi për jetën dhe Mbi gjeniun. Botimet Princi.

Exit mobile version