Kreu Teatër Regjisori kroat Ivica Buljan: Teatër politik, për të kuptuar tiraninë

Regjisori kroat Ivica Buljan: Teatër politik, për të kuptuar tiraninë

Nga Anila Dedaj

“Nëse është kështu, përse Cezari duhej të bëhej tiran? Sepse ai, e di, nuk do të bëhej ujk, i shkreti njeri, nëse do të vetëdijesohej që romanët nuk janë qengja; as luan, nëse romanët nuk do të ishin sorkadhe”. 420 vjet pasi Shekspiri shkroi veprën “Jul Cezari”, duket se formula e pushtetit ka mbetur po e njëjtë. Më 13 korrik, regjisori i njohur ndërkombëtarisht, Ivica Buljan, ishte në Tiranë, duke realizuar premierën “Jul Cezari”, duke u vlerësuar si një nga shfaqjet më të forta, mbështetur në një vepër që Shekspiri e shkroi në vitet ’600, kur mbretëresha Elizabetë kërkonte të përqendronte të gjithë pushtetin e saj. Regjisori kroat, njësoj si ai, i beson inteligjencës së publikut për të kuptuar paralelizmat me aktualitetin shqiptar. “Tiranitë krijohen shumë shpejt, është ky rreziku i botës së sotme. Është kjo arsyeja se pse ne jemi të sigurt se vepra është shumë bashkëkohore. Lidhjet me politikanë vendës dhe ata europianë mund t’i gjejmë menjëherë”, – shprehet Buljan. Një shfaqje që u zhvendos në katër skena të improvizuara në qiell të hapur, në mjediset e jashtme të Teatrit Kombëtar, si dhe te monumenti i Ministrisë së Mbrojtjes. Dhe zgjedhja e hapësirës, siç regjisori pohon, është një deklaratë sa politike, aq edhe estetike. Romir Zalla luan nën petkat e Jul Cezarit, kurse roli i Brutit i është besuar të talentuarit Ervin Bejleri. Amos Mujo Zaharia interpreton në rolin e Kasios, ndërsa nipin e tiranit e sjell Klejdi Metaj. Po në agoren e teatrit, regjisori dhe aktorët zgjodhën të zbulonin idenë e kësaj shfaqjeje, për të cilën ata sigurojnë që deri më sot nuk ka pasur të ngjashme.

Zoti Buljan, vini në Shqipëri për të vendosur në një skenë alternative, në qiell të hapur, një vepër të Shekspirit. Përse zgjodhët “Jul Cezarin”?

Jam shumë i lumtur që ne, më në fund, mund të njoftojmë publikisht realizimin e këtij produksioni për mediat dhe spektatorët, jo vetëm të Tiranës, por të gjithë Shqipërisë. Kur miqtë e mi, Pleuradi dhe Kiço, më ftuan të punoja në këtë teatër, një nga propozimet ishte Shekspiri e menjëherë më pas erdhi emri i pjesës së “Jul Cezarit”. Gjatë karrierës sime si regjisor kam vendosur në skenë dy pjesë të Shekspirit: “Hamletin” nga Bernard-Marie Koltès dhe “Makbethin” nga Heiner Müller. Dy autorë të mëdhenj të pjesës së dytë të shekullit XX, të cilët kanë përshtatur pjesë të Shekspirit. Nga 60 produksione të Shekspirit që kam lexuar, këtu kam gjetur Shekspirin tim të vërtetë. “Jul Cezarin” e zgjodha se është një nga të preferuarit e mi, mes teksteve të shumta të Shekspirit. Ndoshta shënon thrillerin e parë të ndonjë politikani. Dhe unë kam qenë admirues i trilleve në literaturë, në kinema dhe në teatër. Për mua kjo është zgjedhja perfekte midis poezisë së Shekspirit, teatrit politik edhe thrillerit si zhanër.

Një shfaqje ku politika mbart peshën parësore. Çfarë koherence mban kjo përshtatje?

Në përgjithësi, në teatrin bashkëkohor në Europë dhe në botë ka dy mënyra për të përshtatur një teatër politik. E para, e cila është e përhapur këto kohë, është teatri dokumentar, kur regjisori dhe aktorët i referohen direkt situatës politike. Ka shumë performanca të tilla. Kur aktorët dhe regjisori tregojnë direkt se kush është Jul Cezari, se kush është Bruti. Unë jam nga “ana tjetër e lumit”. Mua më pëlqen shumë ideja që regjisorët e viteve ’60 krijuan për politikën. Si, për shembull, nga regjisori francez Antoine Vitez, i cili thoshte se “nuk është e nevojshme të tregosh drejtpërdrejt se kush është Jul Cezari, audienca është shumë inteligjente dhe mund ta kuptojë se kush mund të jetë secili nga personazhet”. Ide që u shpalos në teatrin avangardë amerikan apo në artin e teatrit europian. Më pëlqen të ndiqet një vijë e tillë edhe për faktin se vetëm njëri nga politikanët është Juli, tjetri është Bruti. Është tepër e rëndësishme të thuhet se historia e vërtetë e Jul Cezarit ndodhi në ’44-ën, p.e.s. Pastaj Shekspiri e shkroi veprën në shekullin XVII. Ju mund ta kuptoni urën e madhe që lidh ngjarjen me romanin.

Shekspiri e zgjodhi Cezarin për të thënë se Anglia e kohës së tij ishte shumë e ngjashme me Romën e Jul Cezarit. Mbretëresha Elizabetë në atë kohë donte të merrte tërësisht fuqinë e vendit. Dhe kjo ishte arsyeja pse audienca angleze e kishte plotësisht të qartë se pse Shekspiri zgjodhi këtë pjesë. Unë mendoj se edhe sot ndodh e njëjta gjë. Të gjithë ata spektatorë që njohin pjesën, mund ta kuptojnë fare mirë se si ajo lidhet me situatën aktuale në Shqipëri. Mirëpo, diçka e tillë mund të ndodhë, edhe nëse ne e shfaqim “Jul Cezarin” në Francë apo Kroaci. Kjo, sepse ne jemi duke jetuar një periudhë të re historike. Pas rënies së murit të Berlinit qenë të shumtë ata që menduan se e ardhmja do të ishte fantastike, me Europën e Bashkuar, pa kufij, pa diferenca sociale, se do të kishte një demokraci të vërtetë.

Si ka qenë të punonit në një shfaqje të përmasave të tilla në gjuhën shqipe?

Gjuha shqipe është shumë e bukur dhe ka një muzikalitet shumë të fortë. Miqtë e mi nga Sllovenia apo Kroacia që janë këtu, e dinë shumë mirë se një nga arsyet që unë nuk e dhashë “Shekspirin” në Kroaci është sepse gjuha e tyre nuk është shumë e përshtatshme për pjesët e tij. Nuk është mjaftueshëm e fortë dhe është kjo mënyra që unë punoj. Kemi bërë shumë prova e krahasime me gjuhën origjinale, si dhe për të gjetur përkthimin më të përshtatshëm, aq sa tani unë e di kuptimin e asaj që aktorët thonë. Dhe gjuha shqipe është kaq sonorike, element i domosdoshëm për performancën.

Si ka qenë të punonit me staf shqiptar, për më tepër jo në “habitatin modern” të teatrit?

Produksioni ynë është një lloj krijimi. Unë ua përsëris vazhdimisht aktorëve se nuk jam këtu për t’i nxitur ata të interpretojnë, por për të krijuar. Krijimi nuk është thjesht një proces i bukur dhe i pastër, por ka edhe nocionin e ashpër. Madje, unë mendoj se krijimi i egër është më i bukur se diçka e qetë, krejtësisht e pastër. E përsëris shpesh se teatri nuk është një kishë. Në kishë njerëzit bëjnë interpretime të tekstit. Ndërsa në teatër, çdo produksion i ri është një krijim. Dhe arsyeja sepse ne vendosëm të performojmë jashtë është se këtu kemi një nga sheshet më të bukura të Tiranës. Një hapësirë e mrekullueshme, ku shfaqja do të ketë disa stacione.

I pari do të jetë pishina me audiencën brenda, ndërsa stacioni i dytë është Teatri Eksperimental. I treti është monumenti i Ministrisë në brendësi, ndërsa tjetri është agorja, ku po bëhet protesta kundër shkatërrimit të teatrit. Zgjedhja e hapësirës është edhe politike, por vjen dhe si një deklaratë estetike. Ndodhte kështu me teatrin europian në mesjetë, ku njerëzit e krijonin teatrin në lokacione të ndryshme të qytetit, të cilat i quanin stacione. Audienca dhe regjisorët lëviznin në to dhe përdornin një lloj muzike si ftesë. Krijohej një komunikim live midis aktorëve dhe spektatorëve. Unë mendoj se teatri bashkëkohor duhet të kujtojë herë pas here rrugët e profesionit tonë. Kjo është edhe një nga arsyet e tjera se pse ne vendosëm ta realizonim kështu këtë shfaqje. Ne kemi bërë turne në vende të ndryshme dhe i kemi parë të dyja versionet, si kur njerëzit janë brenda dhe kur janë jashtë në arenë. Kemi krijuar gjithashtu versione për skena të mëdha dhe ato të vogla, kështu që mund ta përshtatim pjesën për çdolloj hapësire. Për teatro apo hapësira të jashtme.

Exit mobile version