Kreu Letërsi Bibliotekë “Qyteti i padobishëm”, tregim nga Dionis Prifti

“Qyteti i padobishëm”, tregim nga Dionis Prifti

Ata na thanë se tashmë qyteti ynë klasifikohej “i padobishëm” dhe duhej të bëheshim gati per çmontim.

Kishte kohë që në rrethet tona të ngushta qarkullonin zëra se klasifikimi ishte pranë, duke ndjekur zinxhirin e qyteteve fqinj, kështuqë nuk na erdhi i papritur lajmi, dhe as nuk u shoqërua me ndonjë protestë.

Prej kohësh, etja për blerje ishte shuar. Nuk kishim as dëshirën më të vogël për të blerë qoftë edhe rroba të reja. Të veshur keq, endeshim rrugëve pa qëllim, së shpejti do duhej të largoheshim.

Na thanë se njerëzit e padobishëm ishin rritur në numër; ishte vërtet e frikshme se sa hapësirë zinin tashmë në cepat e qytetit, që dikur gumëzhinte nga prespektiva të reja. Qyteti ynë ishte bërë i padobishëm, hapësira nuk shfrytëzohej siç duhet.

Si fillim, duhet të përcaktonim sendet që mund të merrnim me vete, secili kishte një kuti kubike me brinjë 1 metër. I kishim përgatitur më parë, por gjithsesi e dinim se vëllimi prej 1 metër kub ishte i pamjaftueshëm. E vetmja shenjë proteste ishte përpilimi i një peticioni për rritjen e vëllimit të kutive, peticion që nuk arriti kurrë të firmosej e dorëzohej.

Në postera të mëdhenj në qytet përshkruhej se si qyteti do të çmontohej, se si pallatet do të zhvisheshin nga hekurat e do të paloseshin më pas në kuti kartoni. Presat gjigante prej çeliku do të shtypnin gjithçka, si në një varrezë gjigante makinash. Rreziku se mos dikush mbetej mbrapa, ishte i madh, e fati i tyre lihej në pamëshirshmërinë e presave mekanike.

Ndërsa ne prisnim kutitë kubike, na erdhi një lajmërim i dytë se ato jo vetëm që nuk do të vinin, por do të duhej të linim mbrapa çdo gjë, përfshirë kujtimet tona. Arsyeja që na u dha: ndëshkim ndaj një komploti te sapozbuluar, mbi diskreditimin e planit vital të çmontimit të qyteteve të padobishëm.

Pati midis nesh zëra se arsyeja e vërtetë qe tërësisht ekonomike: kostoja e kutive kubike ishte e lartë, ashtu si kostoja e amortizimit të presave që ishin konsumuar nga puna në çmontimin e qyteteve fqinj. Por kjo nuk justifikonte kërkesën per çmontimin e kujtimeve tona. Na thanë se të nesërmen, prej agimit deri në perëndim, do të emetoheshin rreze që pastronin kujtimet.

Sigurisht që tashmë do të protestonim fuqishëm, por më parë, gjykuam më të rëndësishme të gjenim komplotistët që na kishin sjellë deri në këtë pikë. Filloi natën një gjueti qytetare, ku u vranë shumë, tashmë nuk na kujtohet se sa.

Që prej lajmërimit të dytë kishin kaluar pak orë, kur agimi erdhi e na shkaktoi dhimbje të forta koke. E ndjenim se si na pastroheshin kujtimet: dita e parë e shkollës; puthja e parë në katin e dytë të një lokali; një motorr i shpejtë e i rrezikshëm; një aksident në trafik; pemë të larta; pemë të larta të zbukurua për festa; një ecje natën vonë mespërmes sheshit të zbrazët.

Pastaj erdhi perëndimi, më i errët se kurrë, nën eklipsin e presave gjigante.

Exit mobile version