Kreu Letërsi Shënime mbi libra Daut Dauti: Fatin që nuk e pati Shqipëria

Daut Dauti: Fatin që nuk e pati Shqipëria

Besnik Mustafaj, “Fati i marrë”, Onufri 2023. Bli këtu.

Unë, por edhe opinioni publik në Kosovë, njihemi me Besnik Mustafajn që nga fillimi i vitit 1991. Në janar të atij viti Besniku filloi të shkruante në revistën KOHA dhe më vonë në ZERI ku shkruaja edhe unë. Kjo ka qenë koha e fillimit të ndryshimeve në Kosovë dhe Shqipëri. Ne në Kosovë kishim një nevojë apo etje të madhe që të merrnim vesh se çka po ndodhte në Shqipëri dhe si do të ndryshojë ky vend. Dhe, tashti, për herë të parë, po informoheshim nga një gazetar dhe analist i pavarur nga Shqipëria e jo përmes kanaleve zyrtare të mëparshme, që në fakt ishin propagandë komuniste që e mbante të fshehur të vërtetën.

Besnik Mustafaj me shkrimet e tija e hapi një dritare përmes së cilës ne shikonin zhvillimin politik dhe kulturor në Shqipëri. Ky ka qenë takimi jonë dhe i imi i parë me Besnikun që u bë përmes shkrimeve. Shkrimet e tija zgjonin interesim të madh. Ka qenë e zakonshme që në mesin tonë të gazetarëve, por edhe më gjërë, të parashtrohej pyetja: çka ka thënë Besniku?

Besniku gjithmonë ka pasur çka të thotë, si atëherë në këto dy revista të Kosovës dhe tjerat në Shqipëri, sikur edhe më vonë në diplomaci dhe letërsi ku u angazhua më shumë për të dhënë kontribut të pazëvendësueshëm.

Njeriu i dytë për të cilin dua t’i them disa fjalë, poashtu shkurtimisht, është personazhi kryesor i romanit ‘Fati i Marrë’. Ai është Benjamin Disraeli, njëri ndër politikanët apo burrështetasit qendrorë në historinë e Britanisë së Madhe, sikur edhe në letërsinë e këtij vendi.

Disraeli në rininë e tij ka qenë shembull tipik i dështimit të njeriut. Ai shkoi në shkollat private, studioj drejtësinë dhe si një i ri tejet i talentuar, u kualifikua për ‘barrister’ (avokat). Por, e braktisi këtë profesion shumë shpejt. Pastaj, e nxori gazetën ‘The Representative’ me qëllim që ta konkurronte gazetën e famshme ‘The Times’, por dështoi pas 6 muajve. Pastaj, e provoi fatin në fushën e biznesit duke investuar një shumë të madhe të parave në industrinë e minierave në Amerikën Latine. Dështoi edhe këtu.

Por, Disraeli kishte vendosur që të përparonte në shoqëri duke dalur nga rrethi i shtresës së mesme dhe për të hyrë në atë të lartë. Përkundër origjinës që i qëndronte si pengesë, ai nuk dorëzohej dhe ndërmerrte iniciativa të reja dhe kështu e shkroi romanin e tij të parë ‘Vivien Grey’. As këtu nuk pati sukses, por u bë i njohur relativisht.

Në vitin 1830, si 26 vjeçar, Disraeli vendosi të shkonte në Shqipëri dhe t’i vizitonte vendet tjera të Perandorisë Otomane. Ai këtë vendim e mori jo për shkak se kishte shpirt të aventuristit, por për shkak se atëherë ishte në modë për intelektualët dhe aristokratët britanikë ta vizitonin territorin otoman. Shqipëria në Britani ishte popullarizuar për shkak të Byronit. Disraeli ishte ndër adhuruesit më të mëdhenj të Byronit dhe për këtë arsye erdhi në Shqipëri.

Disraeli, si konservator që ishte, do të vinte në Shqipëri me një qëllim: që t’i bashkohej ushtrisë otomane në luftë kundër shqiptarëve dhe grekëve. Këtë qëllim ia forcuan edhe më shumë oficerët britanikë në Maltë, që ishte stacioni kryesor i tyre në Mesdhe. Kur Disraeli mbërrini në Korfuz, që poashtu ishte territor britanik, zyrtarët e këshilluan që të priste edhe disa ditë dhe pastaj të kalonte në Shqipëri për shkak të trazirave. Dhe, kështu, Disraeli nuk mori pjesë në luftë siç kishte planifikuar.

Por, Shqipëria me natyrën dhe historinë e saj, sikur dhe shqiptarët me karakterin e tyre, ia ndryshuan mendjen Disraelit. Sa qëndroi në Shqipëri, Disraeli shprehu simpati për shqiptarët dhe e kuptoi gjendjen e tyre. Mbi të gjitha e kuptoi dallimin mes shqiptarëve dhe grekëve, të cilin kufi e kishin mjegulluar me qëllim filohelenët në Britani të Madhe. Kjo ishte një njohuri që atij më vonë, pas gjysmë shekulli, do t’i ndihmonte në Kongresin e Berlinit.

Pas kthimit në shtëpi, Disraeli kishte ndryshuar shumë. Hyri në politikë, u zgjodh deputet i partisë konservatore, ministër i financave (edhe pse kishte borxh), e fitoi garën për udhëheqës të Partisë Konservatore, u zgjodh dy herë kryeministër dhe u bë kryeministri më i dashur i mbretëreshës Victoria.

Pas kthimit nga Shqipëria, Disraeli e shkroi romanin ‘The Rise of Iskandar’ të cilin e botoi më 1833. E kishte dëgjuar legjendën e Skënderbeut ndër shqiptarët dhe kjo ishte arsyeja që e shkroi këtë roman. Duhet theksuar se ky është romani i parë i shkruar për Skënderbeun dhe këtë fakt e hasim të diskutuar në distopinë ‘Fati i Marrë’. ‘The Rise of Iskandar’, pothuaj pas 200 viteve është përkthyer në shqip nga Mal Berisha, i cili edhe është personazh në “Fati i Marrë” si inspiruesi kryesor për autorin, Besnik Mustafajn. E ndiej veten të nderuar, pasi që edhe unë i kam shërbyer autorit si inspirim dhe në këtë roman jam i paraqitur si personazhi ‘Historiani DD’. Poashtu, kisha nderin që me rastin e promovimit të romanit që u bë në Tiranë, të flisja në panel për romanin. (Kishte kohë që nuk kisha folur para një audience aq të lartë.)

Për diskutim apo analizë, ‘Fati i Marrë’ mund të ndahet në dy pjesë. Por, në të dy pjesët autori e përcjellë vijën e narracionit duke e patur parasysh se si do të duhej të ishin zhvilluar ngjarjet në mënyrë që Shqipëria të pavarësohej më herët dhe si një tërësi e plotë etnike. Ndoshta kjo gjë do të bëhej sikur Skënderbeu të martohej me Idunën dhe Disraeli me Hanën. 

Pra, në pjesën e parë të ‘Fati i Marrë’, Besnik Mustafaj e korrigjon romanin e Disraelit, ‘Naltësimi i Iskanderit’ duke e paraqitur ngjarjen se si do të duhej të ishte zhvilluar në mënyrë që punët të shkonin për së mbari. Njësoj është edhe më pjesën e dytë, por në këtë rast kemi të bëjmë me atë se si do të duhej të kishte vepruar Disraeli. Por, ngjarja, duke u sjellë rreth boshtit dhe në një strukturë të lakmueshme, paraqet hulumtimin e vijës së ndikimit që ishte krijuar për pavarësimin e Shqipërisë, e cila ka kaluar te Disraeli e deri te mbretëresha Victoria. Ky është fati që nuk e kishte Shqipëria. 

Në rastet e promovimeve dhe recensioneve të romaneve nuk është e udhës që të shpjegohet tërë narrativa. Por, ajo që duhet të thuhet në këtë rast është fakti se Besnik Mustafaj është i pari që e ka sjellë në mënyrë të suksesshme frymën politike dhe rolin britanik si temë primare të një romani në letërsinë shqipe.

Më në fund duhet bërë me dije se Disraeli në Britani të Madhe është i njohur edhe për thëniet e tija. Është shënuar dhe përsëritet shpesh edhe sot se Disraeli në lidhje me romanet, ka thënë: ‘Kur dua ta lexoj një roman të mirë, e shkruaj vet’.

Besnik Mustafaj e ka përcjellë këtë thënie apo këshillë të Disraelit. Besniku me siguri ka dashtë ta lexojë një roman të mirë për Disraelin. Prandaj, e ka shkruar vet.

Exit mobile version