Kreu In memoriam Prof. Dr. Klara Kodra: Jolanda Kodra – studiuesja, kritikja origjinale dhe përkthyesja...

Prof. Dr. Klara Kodra: Jolanda Kodra – studiuesja, kritikja origjinale dhe përkthyesja e njohur

Jolanda Kodra

Një nga emrat që shkëlqyen në kritikën shqiptare të viteve 30-40-të është ai i Jolanda Kodrës, italiane nga origjina, po e përkushtuar tepër ndaj atdheut të saj të dytë, Shqipërisë, atdheut të të shoqit dhe të vajzave të saj.

Në ato vite kritika shqiptare u dallua për një përndezje të veçantë polemike dhe gjithashtu për një pluralitet që i takonin, qoftë krahut përmbajtësor të saj si metoda pozitiviste, qoftë krahut formalist, si metoda impresioniste, intuitiviste, metoda stilistike.

Në atë kohë kritika shqiptare ishte ende në fëmijërinë e vet, po digjte etapat me një shpejtësi marramendëse në përpjekje për t’u afruar me kritikën bashkëkohore evropiane.

Karakteristik qe zhvillimi i debateve për të portretizuar individualitetet krijuese më të spikatura të kohës dhe për të trajtuar çështje të përgjithshme të letërsisë shqiptare.

Pranë emrave të kritikëve të njohur të kësaj kohe (Krist Maloki, Namik Resuli, Mitrush Kuteli) mund të gjejmë emrin e kësaj gruaje të re, tridhjetë e ca vjeçe, e vetmja kritike grua në atë kohë në Shqipëri dhe një nga poetet e njohura në atë periudhë tok me Luçie Serreqin, Selfixhe Ciun, Musine Kokalarin.

Kritikat e saj ishin ndikuar ndjeshëm nga intuitivizni i Benedeto Kroçes, po kishin thithur diçka edhe nga trashëgimia e kritikës romantike të De Sanktisit. Këto artikuj dhe studime kritike kishin një veçori që i dallonte, evidenconin formën artistike në poezi, jo duke e parë si më të lartë nga mesazhi, përkundrazi si mishërim të gjallë të tij, koncept më tepër desanktisian se sa kroçian që dëshmonte për një vështrim të ekuilibruar të raportit mesazh – formë.

Jolanda Kodra arriti të vizatonte dy nga individualitetet krijuese më të fuqishëm të letërsisë shqiptare që në shtypin e kohës përlesheshin për vendin e poetit kombëtar – Naimit dhe Fishtës. Ajo u kushtoi atyre dy studime të gjata që madje mund të quhen minimonografi, “At Gjergj Fishta në dritën e artit të vet”, “Naim Frashëri” në dy pjesë “Poeti i Tokës” dhe “Mejtimi filozofiko-fetar i Poetit”. Jolanda e analizoi formën e veprës së tyre si mishërim i “vizionit të jetës” së tyre.

Gjithashtu, Jolanda zbuloi botën poetike të një autori tepër origjinal bashkëkohës, një poeti që lëkundej midis romantizmit, realizmit dhe neoklasicizmit, po ishte në thelb modern në kuptimin e gjerë të fjalës, Ndre Mjedës.

Madje, kjo kritike e përgatitur dhe e mprehtë do të zbulonte hermetizmin e një poeti të ri tepër interesant që vdiq para kohe, Gaspër Palit, po artikulli i saj për këtë poet mbeti i pabotuar.

Artikujt kritikë të Jolanda Kodrës spikasin për erudicion të gjerë, për një shije të sigurtë estetike që e lejon të godasë në shenjë në analizat e veta, për një stil të rrjedhshëm, elegant, fin, që i përcjell me forcë komunikuese idetë e saj te lexuesi.

Jolanda nuk bie në skajshmërinë e atyre kritikëve polemistë të kohës që shohin me lente zmadhuese të metat e Naimit, Lasgushit, Mjedës. Në ndonjë rast ajo “mëkaton” në drejtim të kundërt duke idealizuar poetët e analizuar me pasionin e poetes që kupton sivëllezërit.

Në artikujt e vet Jolanda trajton gjithashtu probleme teorike (në një kohë kur artikujt teorikë ishin tepër të rrallë), probleme filozofike (artikulli “Njeriu” i botuar te revista homonime), estetike (“Vlera e poezisë në letërsi”, botuar po aty), gjuhësore (“Rëndësia e gjuhës në jetën e një populli”, po në atë revistë).

Kjo kritike dallohet për mendësi të hapur, kështu që boton edhe te revista katolike “Hylli i dritës” edhe te revistat myslimane “Kultura islame” dhe “Njeriu”, edhe te revista tepër elitare “Fryma” ku boton artikullin “Themelimi kreshnik i Shkodrës në poezinë e Ndre Mjedës”.

Ajo shkruan në dy gjuhë, në gjuhën zyrtare të kohës që ishte gegërishtja me pasurinë e veçantë të leksikut dhe të formave gramatikore dhe në gjuhën e vet amtare, italishten, çka e lejon të komunikojë me një publik mjaft të gjerë.

Si poete, Jolanda lëvron lirikën e mendimit, trajton një problematikë patriotike, filozofike, etike. Në lirikat e saj gjejmë probleme ekzistenciale dhe akuarele delikate pejsazhi si “Liqeni” dhe “Perëndim në një kopsht të Romës”.

Ajo nuk e lëvron lirikën e angazhuar sociale si disa simotra bashkëkohëse dhe as lirikën e dashurisë që mund të quhej si më e afërt për një poeteshë. Lirikat e saj nuk e arrijnë nivelin e kritikave, po janë të ëmbla dhe delikate. Jolanda nuk është epigone, ka zërin e vet edhe si poete. Që në atë kohë ajo nisi edhe një veprimtari të tretë, përkthimin, duke u dhënë jetë të re poetëve të saj të shtrenjtë, Naimit, Fishtës dhe Mjedës në gjuhën e vet të lindjes, italishten.

 Këtë veprimtari në të cilën gjithashtu do të shquhet, Jolanda do ta vazhdojë dhe do ta zgjerojë në periudhën e pasluftës, në hapësirën e njëzet vjetëve (gjer më 1963 kur jeta e saj do të shuhet para kohe). Tani ajo do të përfshijë edhe poetë të tjerë të afirmuar, Migjenin, Kadarenë, Agollin dhe mjaft poetë të viteve 50-të.

Madje provon të matet edhe me disa poetë që quheshin si të papërkthyeshëm si Lasgushi e Noli.

Në periudhën e dytë provon të përkthejë edhe prozën, që nga skicat dhe novelat e Migjenit në romane të Petro Markos dhe Spasses.

Si përkthyese, Jolanda është rikrijuese. Ajo e mbruan në shpirtin e vet lëndën poetike shqiptare për ta riformësuar në gjuhën italiane, duke ndryshuar në disa raste metrin, po duke ruajtur muzikalitetin e origjinalit dhe fushën e figuracionit. Tetërrokëshi dhe gjashtëmbëdhjetërrokëshi i shqipes do t’i lenë vendin në shumicën e rasteve vargut kombëtar të italishtes, njëmbëdhjetërrokëshit.

Rimat e origjinalit ruhen në një formë tjetër, jo rrallë edhe aliteracionet.

Në prozë, Jolanda gjithashtu do të ruajë ritmin e frazave dhe gjallërinë e dialogëve.

Jolanda Kodra alternon, pra, në përkthimet e veta liri dhe besnikëri. Jo rrallë ajo i lejon vetes tradhtinë krijuese që në thelb është një besnikëri më e madhe se sa besnikëria literale.

Disa nga përkthimet e saj të Naimit, Fishtës, Mjedës dhe Migjenit kanë arritur një përsosmëri të veçantë formale. Me vargun e lirë apo të çlirët e të thyer të Kadaresë, dhe Agollit Jolanda do ta ketë më të lehtë meqenëse nuk do t’i duhet të sfidojë pengesën e metrit dhe të rimës. Në këto raste të fundit ajo do të synojë të ruajë ritmin e brendshëm.

Jolanda Kodra do të arrijë të rijapë dhe dy-tri nga lirikat më të spikatura të poetëve gati të pamundur të përkthehen për shkak të përsosmërisë formale të arritur në origjinalin shqip, Lasgushit dhe Nolit (“Poradeci” të Lasgushit, “Moisiu në mal” dhe “Rend, or Marathonomak” të Nolit).

Jolanda ka shkruar edhe dy artikuj të pabotuar në të gjallë mbi letërsinë ruse, mbi Çehovin dhe Gorkin. Ka lënë gjithashtu një komedi të pabotuar me një akt, “Tabloja” që ka në qendër figurën e një avokati oportunist. Kjo komedi dallohet për komizmin e dy karaktereve kryesore, avokatit që satirizohet, vajzës së tij adoleshente që vështrohet me një humor dashamirës. Kjo komedi është e vetmja që njohim prej saj dhe ka qenë shkruar në vitin e fundit të jetës.

Jolanda Kodra ka qenë një figurë poliedrike që la gjurmë në disa fusha, por për shkaqe jashtëletrare, kryesisht ideologjike, nuk u vlerësua aq sa meritonte.

Botimi i plotë i krijimtarisë së saj nën kujdesin e së bijës është vonuar gjithashtu për shkaqe objektive dhe kur do të realizohet do të hedhë më tepër dritë në këtë figurë.

Shtëpia Botuese “Argeta” ka bërë gati për botim studimin e saj për Naimin. Përkthimi i novelës së Nasho Jorgaqit “Dashuria e Mimozës”, ndaluar nga censura në të gjallë të Jolandës, ka parë dritë në Itali në një botim të Shtëpisë Botuese “Rrezja e gjelbër” (“Il raggio verde”).

Edhe Shtëpia Botuese italiane “Besa” ka shfaqur tani vonë interesim për ribotimin e disa prej përkthimeve të Jolandës.

Mund të shpresohet edhe për botimin e dy antologjive të përkthyera prej saj nga shqipja, njëra në poezi, tjetra në prozë.

Më 16 gusht mbushen 60 vjet që Jolanda Kodra u nda nga jeta. Po ashtu si yjet që vazhdojnë të rrezatojnë dritë edhe të shuar, ajo jeton ende në krijimet e saj.

Exit mobile version