Kreu Muzikë Pse Liszt pinte një shishe konjak në ditë?

Pse Liszt pinte një shishe konjak në ditë?

HN29TR Liszt koncertteremben Theodor Hosemann 1842

Ushqimet dhe pijet e preferuara të pianistit të madh.

Nga Georg Predota

Përktheu Jola Tasellari

Franc Liszt kishte një sërë vesesh nga të cilat alkooli, duhani dhe konjaku renditeshin ndër të parat në atë listë. Një vakt me Franc Liszt do të thoshte gjithnjë të bëheshe xurxull! Kur mori pjesë në një banket në Pragë në vitin 1846, Hektor Berlioz ishte pjesëmarrës dhe raportoi: “Mjerisht, nëse Liszt foli mirë, ashtu edhe piu. Kupa fatkeqe krijoi një vërshim dallgësh të atilla shampanje saqë elokuenca e tij u mbyt në to”. Mesa duket, Berliozit iu desh ta merrte zvarrë Lisztin në orën dy të mëngjesit në hotel, dhe kur atje hasën një festar tjetër të vonë, shkëmbyen fjalë me inat. Fatmirësisht, përpara se Liszt të përleshej, Berliozi e nguti për në dhomën e vet.
 
Pavarësisht kësaj, në koncertin e së nesërmes Berliozi e përshkroi Lisztin si “perëndi për pianistët”. Si alkoolist i provuar, Liszt pinte një shishe konjak në ditë me besimin se i jepte forcë dhe nganjëherë, edhe dy shishe verë. Atij i pëlqenin verërat e rajonit të Szekszárd-it në Hungari. Të njohura për mushtin kuqalak të pjekur nga vera e gjatë dhe e nxehtë dhe dimri i butë, ato u bënë shoqërueset e pandara të Lisztit. Thuhet se njëherë i dhuroi një shishe vere Szekszárd-i Papa Piut të IX-të.

Liszt ishte i pashëm, por dhëmbët i kishte dukshëm keq. Higjiena dentare me gjasë nuk ishte prioritet për të dhe kishte disa proteza të vëna. Kjo qartazi ia kufizoi llojet e ushqimeve që mund të shijonte, dhe një ngjarje e njohur dëshmon qëndrimin e tij me Riçard dhe Kosima Vagner në Bajrojth për premierën “Tristani dhe Izolda”. Mesa duket, dhëndri i vet i dërgon një biftek viçi të tymosur me salcë kajsie, por në pamundësi për ta përtypur, Liszt ia jep studentes së tij, Lina Shmalhausen. Lina nuk kishte neps për mish viçi dhe ia jep qenit, ndërkohë atij i gatoi supë. E shqetësuar për vlerat ushqimore, Lina udhëzon kuzhinën se Liszt “duhej të hante jo vetëm vezë, por edhe ca mish, perime dhe buding me qumësht, të atilla si prej orizi apo krundesh, të gatuara në mënyrë tërheqëse”. Kështu, Lisztit nisi t’i shijonte shpargu, sepse mund ta hante pa vendosur protezat. Me shikimin që po i dobësohej, të ngrënit iu bë edhe më tepër sprovim. Në një banket të mbajtur për nderin e tij në vitin 1886, Lisztit iu desh të ushqehej prej së ëmës së Uinston Çërçillit, Xhenit, duke qenë se nuk mundte dot të shihte as pjatën. 

Exit mobile version