Do të na duhet të themi që në fillim të këtij vëzhgimi historik se – nuk është hera e parë që individë, rrethe të caktuara, kryesisht nacionaliste greke, apo edhe më tej akoma shoviniste të ashtuquajtura “vorio epirote”, lëshojnë përpara opinionit të tyre shkrime të brujtura me pretendime dhe të pavërteta historike rreth; – historisë së popullit tonë, – hapsirave gjeografike ku lindi dhe u brujt si komb, tek të cilat ai jeton si zot i fateve të veta. Në një shkrim të fundit të gazetës “Proto Thema” të Athinës të ditëve të fundit, vec sa sipër ngrihen dyshime edhe për kombësinë e heroit tonë kombëtar – Skënderbeut; përkatësinë etnike të trojeve arbërore; qëndresa e shqiptarëve para invadorëve të huaj; emigrimet dhe kontrubutet e tyre në historinë dhe prosperitetin e popujve fqinjë, etj.
Shkrime të tilla, sigurisht nuk bëjnë asgjë më shumë vecsa përpiqen të deformojnë të vërtetat historike, bashkë me to të hedhin hijet e dyshimit mbi realitetet e qëndrueshme të fqinjësisë së mirë, apo më tej të nxisin dhe ushqejnë instiktet nacionaliste të rretheve shovene antishqiptare.
Nga mënyra e të shkruarit, artikulimi dhe analiza historike, duket qartë që autori nuk është një historian apo studjues i mirfilltë që njeh dhe di të respektojë kriteret e kërkimit, korrektesisë dhe formatit shkencor të subjektit për cfarë shkruan dhe as u referohet burimeve serioze apo dokumentacionit arkivor të nevojshëm.
KUSH ISHTE EPIRI DHE EPIROTËT; MAQEDONIA DHE MAQEDONASIT NË ANTIKITET DHE MESJETË?
Referuar tërrë përmbajtjes së artikullit, botuar në gazetën “Proto Thema”, ajo që bie në sy në tërësinë e mëndësisë të artikullshkruesit, është se ai merr të mirqënë faktin se dy mbretëritë e formuara në antikitet Epiri dhe Maqedonia kanë qënë dhe janë greke!!
Pa dashur të futemi thellë në vlerësimin e të dhënave historike, burimet dokumentare të autorëve antikë, ato që ka sjellë dhe vazhdon të sjellë arkeologjia, rezultatet e studimimeve antropologjike dhe genetike, etj., na duhet ti kujtojmë autorit të artikullit shkurtimisht vetëm disa vleresime për popullsitë e këtyre dy rajoneve.
Në burimet dokumentare të antikitetit nuk flitet askund se në territoret e mbretërive të Maqedonisë dhe të Epirit jetonin popullsi helene. Vetë autorët antikë grekë dhe më pas ata romakë, filluar nga Herodoti, duke folur për fiset që banonin Epirin dhe Maqedoninë, na bëjnë me dije se ato populloheshin prej fiseve “barbare”. Sigurisht, me “fise barabare” grekët e lashtë nënkuptonin popullsitë që nuk flisnin gjuhën greke dhe kishin kulturë të ndryshme nga ajo e helenëve. Me të njëjta vlerësime flasin për Epirin dhe Maqedoninë, për popullsinë e tyre edhe autorët e tjerë të antikitetit, sikundër Tuqididi, Straboni, Polibi, Livi, Plini, etj. Na shkrimet e tyre gjejmë askund të flitet për popullsi helene në këto dy mbretëri. Jo vetëm kaq, por ata evidentojnë saktësisht se ku mbaron bota helene dhe ku filojnë venbaninet e “barbarëve epirotë dhe maqedonë”. Bashkë me emrat e këtyre fiseve ne gjejmë të evidentuar qartë se gjer ku shtrihen e mbarojnë kufijtë e helenëve dhe ku fillojnë kufijtë e fiseve barbare (jo greke). Në këto kronika të historianëve grekë të antkitetit thuhet qartë se “të parat toka të popullisë jo helene janë ato të fisit të Amfilohëve barbarë“.( 1) Të njëjtin përcaktim, “barbarë” ata e bëjnë jo vetëm për fisin e Amfilohëve por edhe për fiset e njohura të Epirit, sikundër ato të Molosëve, të Thesprotëve, të Kaonëve, etj. Të njëjtat vlerësime bëjnë burimet e antikitetit edhe për Mbretërinë Maqedone para dhe pas Aleksandrit të Madh. (2) Madje, historianët e kohës, duke folur për Filipin e Dytë (babanë e Aleksandrit) dhe reformat e tij të thella, transformuese, vënë në dukje se ” për ngritur shtetin në stadet e një fuqie të rëndësishme ekonomike dhe ushtarake Filipi mori këshilltarë të huaj – helenë”, cka flet qatrtë se për “maqedonët barbarë”, grekët ishin të huaj. (3)
KUFIJTË E EPIRIT DHE MAQEDONISË NË MESJETË
Por, për t’ju qasur më pranë në kohë cështjes të cilën trajtojmë, do tu referohemi shekujve të XIII, XIV, XV, të fundmit e ekzistencës së Perandorisë Bizantine, dhe kufijve administrative të Despotateve apo Principatave që kishte kjo Perandori. Me këtë rast duhet të sqarojmë se kufijtë e ndarjeve administrative, nën hegjemoninë e Përandorisë, nuk ishin ato që qenë ravijëzuar dikur në antikitet, në periudhat e lavdisë së madhe të tyre, nën Aleksandrin e Madh dhe Pirron e Epirit.
Principatat apo despotatet, në mesjetën e këtyre shekujve, nuk ishin statike. Ato kishin ndryshuar shumë herë, zgjeruar apo zvogëluar, ndërhyrë tek njëri tjetri apo marë e lënë territore tek njëri tjetri, në varësi të zhvillimeve politike dhe ushtarake, të reformave teritoriale apo invazioneve të huaj. Jo rallë dimensinet dhe shtrirjet gjeografike të Maqedonise apo Epirit kishin ndryshuar edhe për shkak të krizave të brendëshme të perandorisë dhe të konflikteve mes perandorëve. (4)
Për të qënë më konkretë bëjmë me dije se kufijtë administrativë të Despotatit të Epirit, shtriheshin nga Gjiri i Ambrakisë (Artë, Prevezë…) në jugë dhe në veri mbrinin gjer në Shkodër. Në territoret perëndimore të saj përfshiheshin edhe Durrësi dhe Vlora, ndërsa në lindje përfshiheshin nën këtë Despotat edhe Ohëri, Kruja, Lezha, etj. Në këto rrethana të gjithë banorët arbërorë të përfshirë brenda kësaj ndarjeje administrative, kësaj krahine, pra brenda kësaj harte thirreshin apo vetëidentifikoheshin si Epirotë, sipas ndarjes administrative në të cilën ndodheshin. Ndërsa në dokumentet latine të kohës, Katalane, Venecjane, Napolitane, Anzhuine etj., banorët e Epirit dhe Maqedonisë i gjejmë të shkruar qartazi si “albanezi” (lat.). Në dokumentet e kronistëve të njohur bizantine apo të perandorëve të tyre, shqiptarët i gjejmë përherë të pranishëm në këto njësi administrative bizantine, krahas emrave të territoreve të Epirit dhe Maqedonisë, të shkruar si “Allvani”. (5)
Kështu, historiani dhe perandori bizantin, i fillimit të shekullit të X-të, Kostandin Profyrogjeneti, në veprën e tij të njohur “Mbi Themat” – ndarjet administrativo-territoriale të Perandorisë Bizantine, në fillimin e shekullit të X-të dhe konkretisht, për “Thema e Tetë – Nikopoli”, ai bën me dije se: “Këtu është provinca e Epirit të Ri” , domethënë e Durrahut, që në të kaluarën quhej Epidamn, prej heroit të lashtë Epidamnit … Deksipi në kapitullin e kronikave e quan atë qytet Maqedon duke shkruar kështu: “Edhe Epidanin e Maqedonëve, që pastaj iu ndërrua emri në Dyrrah, që ishte qytet i madh dhe i pasur i Maqedonisë, e shkatërruan plotësisht…” (6)
Ndërsa autori tjetër bizantin Anonimi, në veprën e tij “Panigjiriku”, duke folur për Epirin, në gjysmën e parë të shekullit të XV, shkruan: “… edhe tani, i gjithë ai vend që quhet Epir banohet në mënyrë të shpërndarë dhe në grupe të vegjël apo në fshatra nga shqiptarët, popullsi ilire…” (7)
Një tjetër historian dhe Perandor i njohur i Bizantit, Kantakuzeni duke folur për krahinën e Maqedonisë në shekujt e XIV-XV, shkruan: “Asgjë nuk lëvizi ato kohë, me përjashtim të shqiptarëve që banojnë të vetëm në Thesali (krahinë territoret e së cilës përfshiheshin në ndarjen administrative të Bizantit me emërtimin Maqedoni.) Këta (shqiptarët) kur morën vesh vdekjen e perandorit, sulmuan qytetet e atjeshme dhe kryen plackitje….” (8)
Vec sa sipër edhe një numur tjetër historianësh bizantinë sikundër Gjergj Akropoliti, Teodor Skutrioti, Efremi, Pahimeri dhe Grigorean, flasin qartë për shtrirjen e njësive administrative të Epirit dhe Maqedonisë nën Perandorinë bizantine në shekujt e mesjetës dhe popullsisë arbërore si banorë autoktonë në to. (9)
MARIN BARLETI – PËR EPIRIN DHE MAQEDONINË
Duke shkuar më tej në reshtat e shkrimit të artikullit të gazetës “Proto Thema”, autori i saj deklaron se “Skënderbeu është thirrur Mbret i Epirit, prandaj ai duhet konsiderohet grek…”. E shkoqitur, kjo deklaratë e autorit të shkrimit do të thotë hapur dhe apriori: “Epiri është grek dhe meqë ai është i tillë edhe Skënderbeu që ishte mbret në këtë vend, edhe ai është grek!!!!” (10)
Na duhet të sqarojmë që në fillim se autor i këtij konkluzioni të deformuar dhe aspak shkencor, nuk njeh të vertetat historike mbi përkatësinë etnike të Epirit nëpër shekuj. Burimet dokumentare thonë të kundërtën e asj që pretendon artikullshkruesi. Nga antikiteti dhe duke vazhduar më tej, nën perandorinë bizantine, nën pushtimin osman dhe gjer tëhu, mbi këto territore ka dominuar masivisht popullsia me përkatësi etnike arbërore, pa përjashtuar dhe përzjerje minorance greke.
Por, autori i njeh apriori Epirit përkatësinë greke dhe bashkë me të kushdo që thirret “epirot” ai e pais me pasaportën greke, qoftë ky qytetar i zakonshë, qoftë princ apo Mbret!!!! Kjo i mjafton “Proto Themës”që ta bëjë këtë pa pyetur askënd, as dokumentacionin arkivor dhe as provat e shumta historike.!!! Duket qartë se autori nuk njeh gjenealigjinë, lidhjet familjare, vendlindjes dhe as popullsisn ku lindën brezat e të parëve dhe ai vetë heroi kombëtar i shqiptarëve – Skënderbeu. Duket qartë gjithashtu se ai nuk njeh as studjuesit e shumtë dhe seriozë, as vlerësimet e bashkëkohësve, që janë mërë dhe kanë lënë gjurmë të rëndësishme dokumentare për këtë Hero, as deklarimet e atij vetë, mbi të parët dhe rracën e tij.
Përpara se artikullshkruesi të mbrinte në konkluzione duhej të mësonte mirë se kush ishte konkretisht vendi, krahina ku lindën dhe u rritën brezat e të parëve të Heroit tonë, ku jetoi dhe cila ishte popullsia që banonte në ato treva. C’thonë burimet historike për kombësinë e kësaj popullsie dhe prijesin e saj.
Duke iu referuar fillimisht një prej dëshmitarëve më autentikë të kohës, veprës së iluministit të shquar Marin Barletit, njeriut që kishte lindur dhe ishte rritur në Shkodër, që kishte marrë pjesë dhe përjetuar dy rrethimet e përgjakshme të saj, që kishte luftuar edhe vetë krah luftëtarëve të tjerë të Skënderbeut kundër pushtuesve osmanë, në të gjitha rastet, kur flet për hapsirat gjeografike ku jetonin shqiptarët, përmënd etnonimin “Albania” (Shqipëria). Ai e përdor këtë si një emërtim identifikues përgjithësues për gjithë arbërorët, trojet dhe krahinat ku ata banonin. (11)
Ndërsa, në mënyrë permanente, në përshkrimet e ngjarjeve, referuar vendeve konkrete ku ndodhnin ato, në përshkrimin e personazheve historikë të kohës, ai flet për përkatësinë e tyre krahinore dhe përkrah me to nënvizon etninë e tyre – “albanezi”. Kështu, Barleti përdor emëritmet “Epir” apo “Maqedoni”, si krahina të natyrshme të hapsirave gjeografike ku banonin arbërorët dhe bashkë me to edhe etnonimin përmbledhës “albanezi”. Ai i identifikon në mënyrë të natyrshme, të sakta, këto vendbanime dhe krahina, si etnikisht arbërore (albanezi), si dy krahina të dalluara qartësisht të tilla, madje sikundër shkruan Barleti, edhe vetë Skënderbeu, e quan vehten “Epirot”. (12)
Duke iu referuar më hollësisht botimit të Barletit, “Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum Principis”, – “Historia e Skënderbeut princ i Epirotëve”, Venecia 1505, qysh në titullin e kësaj vepre autori shënon qartë dhe pa mëdyshje se “… Skënderbeu ishte Princ i Epirotëve”, madje edhe nga tërë përmbajtja historike e veprës autori shprehej qartë se Epiri është një nga krahinat e banuara prej arbërorëve (Albanezi). (13)
Edhe krahinën e Matit, ku kish lindur Skënderbeu dhe të parët e tij, apo më gjërë, drejt veriut në Shkodër dhe mbi të, Barleti i përcakton si territore të Epirit (“Epirotarun”). Ai përfshin nën këtë emërtesë edhe Krujën, Lezhën, Zadrimën, Pultin, etj. (14)
Duke iu referuar “Kuvendit të Lezhës” dhe arsyet se përse Skënderbeu zgjodhi këtë qytet për atë takim të rëndësishëm të krerëve – princave shqiptarë, Barleti ravijëzon këtë territor gjeografik si pjesë e shtrirjes së Epirit. Për të ai shkruan:
“(Skënderbeu) Që të mos linte përshtypjen se kujdesej më shumë për nderin e vet se të të tjerëve, dhe që të mos mbetej asnjë shteg dyshimi, nuk i thërriti princat në Krujë. Por, ai nuk i thiri as në Apolloni, as në Dejë, as në Zhabjak, apo në ndonjë qytet tjetër të Epirit….. U gjet shumë me vend që të caktohej për të gjithë një mbledhje e përbashkët, diku në një vend të Epirit, ku burrat me vetë praninë e tyre do të parashtronin …. Dhe në zgjedhjen e vendit, Skënderbeu veproi me urtësi dhe maturi. …., ai nuk i thirri princat shqiptarë në Krujë, por në qytetin e Lezhës”. (15)

Pra, shihet qartë që Barleti përfshin gjithashtu nën këtë emërtesë, “Epirotarun”, vedbanimet e veriut Dejën, Zhabjakun dhe Lezhën. Më tej akoma ai përfshin nën këtë emërtesë “Epir” tërë qytetet bregdetarë të Adriatikut dhe Jonit, Shkodrën, Lezhen, Durrësin, Vlorën, Himarën, Pargën, Prevezën, Artën, etj, dhe shtrin kufijtë e saj në prapatokë shqiptare, gjer në Dibër të Vogël dhe të Madhe, etj. (16)
Duke iu referuar kufijtë administrativë lindorë, të territoreve të Epirit- “Epirotarun”, Bartleti sqaron fare qartë se në këto anë shtrihen territoret e “Maqedonisë”, që sipas tij edhe këtu banonin arbërorë (Albanezi). Nën këtë emërtesë ai përfshin territore të Elbasanit, Beratit, Librazhdit, Mokrës, Oparit, Pogradecit, Ohrit, (7) Pollogut, Shkupit, e më gjërë. (17 )
Pra, qartazi, me konceptin etno-gjeografik “Epir” dhe “Maqedoni”, Barleti shpreh dhe kupton prerazi dy krahina ku banojnë arbërorë (albanezi), madje, duke folur për origjinën e shqiptarëve, “Epirotëve”, Barleti qartëson prerazi se: “Epirotët të cilët janë quajtur dhe Albanesi”. (18)
Duke vazhduar më tej Barleti na sqaron më hollësisht edhe me faktin se: “Ndoshta nuk do të gabonte kush, – po të thoshte se prej këtyre ka rjedhur gjuha arbërore, apo epirote…. nga këta kanë dalë Albanët (“his igitur Albani”) një pjesë e të cilëve sot kanë zënë vend në Peloponez, një pjesë ndodhen në Maqedoni apo në Albania, në Epir.” (19)
(20).
Sikundër shihet, në mënyrë të qartë, Barleti saktëson edhe faktin se gjuha e banorëve të Epirit, e banorëve të Maqedonisë dhe Peloponezit, është Shqipja. Në këtë mënyrë ai shuan cdo mëdyshje dhe sqaron pa lënë ekuivoke jo vetëm kombësinë arbërore të popullsisë që banojnë këto krahina Epirin, Maqedoninë, por edhe gjuhën e tyre, që është shqipja.
Në këto rrethana na lind e drejta të pyesim: – Për cfarë greku apo gjuhë greke, pretendon autori i artikullit në “Proto Thema”, të ketë pasur në popullsinë e ketyre krahinave, Epir apo Maqedoni, ….?
Me këtë rast duhet të kujtojmë se jemi ende në kohët e mesjetës, kur ende nuk ishin shfaqur prirjet dhe tendencat nacionaliste, ku përfaqësues i njërës etni të urrenin apo të deformonin realitetet etniko-gjeografike të etnisë tjetër. Për më tepër, asnjë studjues i veprës së Barletit, këtij humanisti të shquar, nuk ka konstatuar gjer më sot tek ai dimensionet e shenja të nacionalizmave, sepse ato ende nuk kishin lindur.
NUK MUND TË JETË MBIEMRI TREGUES I KOMBËSISË SË INDIVIDIT
Duke u përpkjekur edhe më tej “të sjellë argumente” që mund të na bindin se Skënderbeu nuk ishte shqiptar, autori i shkrimit në mënyrë ironike shtron me qesëndi pyetjen: “A është mbiemri “Kastrioti”, shqiptar? Dhe nëse po cila është etimologjia e tij?”
Sigurisht, autori e shtron këtë pyetje për të na thënë se “Kastri” është fjalë greke, që do të thotë “Kala”, “Kështjellë” “Kështjellar”. Dhe për të na treguar edhe një herë se – meqë Skënderbeu mbiemrin e familjes së tij e ka nga fondi i leksikut grek, – ai është grek???!!!
Fatkeqsisht, ky shkrues naiv i artikullit, duket qarte nuk njeh kriteret e njohura shkencërisht të mënyrës se si janë fituar mbiemrat familjare nëpër histori. Një nga shtatë mënyra se si është fituar mbiemri familjar i referohet funksionit që personi mbante në hierarkinë politike, ushtarake, juridike, fetare, në administratën byzantine apo edhe atë osmane më vonë. Pikërisht ky funksion apo profesion mbetej shpesh si mbiemër identifikues. Popujt nën këto perandori kishin njerëzit e tyre në funksione dhe strukturat shtetrore. Është kjo arsyeja që edhe sot si në Shqipëri, në Bullgari, në Sërbi, në Greqi, Kroaci, por edhe më gjërë në Ballkan, ka qytetarë me mbiemra të tillë që vijnë nga periudha e Bizantit, sikundër protopapa, stratigo, dhjaku, logotheti, etj. (20)
Por, ne gjejmë në Greqi edhe mbiemra të shumtë me origjinë nga osmanishtja sikundër Pashalis (Gjenerali), Spahis (taksidari), Kadilaris (gjyqtari), Kasapis, Beis, (titull fisnikërie), etj. Do ti kujtojmë me këtë rast autorit të shkrimit se edhe mbiemri i ish presidentit të njohur grek Kostandin Karamanlis … ishte turk. Atëhere me logjikën e parashtruar nga ky autor, ne duhet të konkludojmë se: – ish presidenti i tyre Karamanlisi dhe bashkë me të, të gjithë këta grekë me mbiemra të tillë, që vijnë nga osmanishtja, janë Turq? Kjo është një logjikë fare naive. Ky arsyetim diletant gjithcka mund të jetë, por vetëm shkencore kursesi jo! (21)
VENDLINDJA E HEROIT DHE LIDHJET E GJENEALOGJIKE
Për të sqaruar edhe më tej autorin e shkrimit tek “Proto Thema” për origjininën dhe vendlindjen e Heroit tonë Kombëtar do ti referohemi një dëshmie tjetër, që sjell Barleti për vendin e origjinës së Skënderbeut, në faqet e veprës së tij, “HISTORIA DE VITA ET GESTIS SCANDERBEGI EPIROTARUM PRINCIPIS”. Ndërsa autori flet për këtë subjekt, Barleti deklaron se Skënderbeu kishte lindur në krahinën e Matit. (22) Si atëherë edhe sot gjeografikisht kjo krahinë gjendet në qëndrën e territoreve gjeografike të Shqipërisë veriore, krahinë që nuk ka pasur asnjë lidhje apo kontakt territorial, njerëzor, gjuhësor apo edhe kulturor ne me Greqinë. Në këto rrethana nuk e dimë ku e gjen autori grek origjinën greke të Skënderbeut!!!???
Të njëjtën gjë e konfirmon edhe Kronika “I Musachi di Berat” shkruar nga një prej pinjollëve të familjes fisnike arbërore – Kostandin Muzaka, lidhje familjare e Skënderbeut. Ai flet për të parët e Heroit, Matin si vend i origjinës së Kastriotit, lidhjet e tij fisnore, krushqitë, lidhjet martesore të cilat qenë të gjitha me familjet finike arbërore të Muzakajve, Komnenëve, Balshajve, Topiajt, etj. Askund në këtë pemë gjenealogjike të Kastriotëve nuk shfaqen grekë apo krushqi me fisnikërinë greke. Kjo mund të kishte ndodhur mes familjeve fisnike shqiptare dhe greke, pavarësisht nga kombësia e tyre, ky ishte rregulli i trashëguar i rangjeve të fisnikërisë europiane dhe ballkanase të kohës, por kjo nuk ka ndodhur me familjen e Kastriotëve. (23)
POHIMET E VETË SKËNDERBEUT PËR ORIGJINËN DHE KOMBËSINË E TIJ
Por, për të sqaruar edhe më tej cështjen do të ishte me vënd “të dëgjonim edhe vetë deklarimet e “të zotit të punës”, Heroit tonë Kombëtar – Skënderbeut, për origjinën dhe etninë e tij dhe të bashkëluftëtarëvë të tij.
Duke ndalur në këtë subjekt, do ti referohemi vetëm një dokumenti, letrës të shkruar nga Skënderbeut, më 1462, drejtuar Princit të Tarantes, i cili së bashku me Dukën Anzhu kërcënonin dhe rrezikonin seriozisht fronin e Ferdinantit të Parë, Mbretit të Napolit. Për të shpëtuar mikun e tij të derës së Aragonës, Skënderbeu kishte zbritur në brigjet puljese me një repart prej 400 burrash të kalorësisë së tij të lehtë. Përpara betejës, Skënderbeu duke iu përgjigjur një letre fyese, që armiku i tij, Princi i Tarantës i dërgonte atij, i shkruante:
«…Ti nuk je më pak turk sesa vetë turqit, megjithëse thonë për ty se nuk i përket asnjë feje. Sa për Shqiptarët e mi, ti nuk i njeh ata;
Ne, jemi trashëgimtarë të Epiriotëve të Pirros, që u ndesh trimërisht me Romakët, jemi pasardhës të Maqedonasve, të Aleksandrit të Madh, që doli fitimtar mbi Indinë. Dhe për çfarë po më flet ti, për Tarentinët e tu, racë nevrike që është e aftë vetëm për të peshkuar. Në rast se gjej varrin tim këtu, Perëndia, e cila është në dijeni për
mendimet e mia, le të më gjykojë». (24)
Pa dashur ti bëjmë shumë komente letrës së mësipërme, prej saj bëhet e qartë se Skënderbeu jo vetëm njihte mirë origjin e tij dhe të rracës së tij, por ishte krenar që të parët e tij qenë Maqedonët e Aleksandrit të Madh dhe epirotët e Pirros së Epirit.
TË TJERË AUTORË DHE DËSHMI PËR ORIGJINËN E SKËNDERBEUT DHE SHQIPTARËVE
Sigurisht, një numur i madh autorësh, historianësh, biografësh, studjuesish, strategësh ushtarakë, kronistësh, shkrimtarësh, poetësh, dramaturgësh, kineastësh etj., nga të katër anët e botës janë marë me figurën e Skënbderbeut, por askush prej tyre nuk ka vënë në dyshim origjinën e tij shqiptare. Këto qëndrime kanë mbajtur edhe studjues dhe historianë seriozë grekë të hershëm, por edhe të kohëve moderne. Prandaj, është mjerane përpjekja e autorit të shkrimit në gazetën “Proto Thema” për të ofruar “gjetje”, që vetëm gjetje nuk janë, vecse një ushqim bajat për mëndjet perverse të rretheve të uritura të qarqeve shoviniste antishqiptare.
Duke shtjelluar edhe në tej, cështjet që lidhen me etnonimet “Epir” dhe “Maqedoni”, si dhe qënien etnikisht shqiptare të Skënderbeut mund të sjellim edhe shumë dëshmi të tjera rreth subjektit. Kështu;
Historiani arbëror, Dhimitër Frangu në veprën e tij dedikuar Heroit Kombëtar – Skënderbeut, të shkruar dhe botuar në Venecja, më 1586, e titullon atë: “Gli Ilustri et Gloriosi Gesti et Vittoriose et Imprese…dal Sign. D. Giorgio Castrioto detto Scanderbeg – Principe Epirro”. Pra, edhe ky bashkëkohës i heroit e quan Skënderbeun – “Princ i Epirit”, sepse vërtet ato kohë territoret brenda të cilës u shtri pushteti i tij dhe i princave të tjerë arbërorë në aleancë me të, thirrej Epir dhe një pjesë e tyre Maqedoni. (25)
Një tjetër arbëror i mesjetës, Frank Bardhi shkrimtar dhe ipeshkv, në vitin 1635 botoi në Romë “Dictionarium Latino-Epiroticum”, që me të kupton qartë “Fjalori Latinisht – Shqip”, sepse në brendinë e tij flalori përmbledh leksikun latinisht dhe krah tij përkthimin në shqip (epirotisht). Pra, me termin “epirotisht” ai dhe arbërorët e mesjetës nënkupton qartazi gjuhën shqipe.
Një vit më vonë, po ky autor, më 1636, botoi në Venecja veprën dedikuar heroit të shqiptarëve të titulluar “Georgius Castriottus – Epirotarum Princeps Fortissimus…”, që sikundër shihet ai e identifikon heroin tonë me etnonimin “Epirot”, që nënkuoton qartë etninë “Shqiptare” të tij. (26)
Ky vetidentifikimin etnik i shqiptarëve si “Epirot” apo “Maqedon,” që nënkuptonte kombësinë shqiptare (Albanezi, Allvani, Arnaut apo Allbanci) ishte “pasaporta” koshiente e kësaj popullsie, por jo vetëm e saj sepse edhe të huajt krahas identifikimit “Albanezi”, jo rallë si sinonim të saj përdornin për shqiptarët edhe përcaktuesit krahinorë “Epiriti” apo “Maqedoni”. Kështu;
Biografi dhe historiani i njohur i Skënbderbeut, italiani Giammaria Biemmi, i cili në vitin 1766 shkroi librin kushtuar Gjergj Kastriotit, nën titullin “Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-Begh” (që sipas tij është mbështetur në dorëshkrimin e një Tivarasi, bashkëkohës dhe luftëtar i afërt i Skënderbeut), duke folur për shtrirjen gjeografike të vendbanimeve shqiptare, ndarjet krahinore dhe emrtimet e tyre, ato kohë, shkruan:
“Shqipëria e Poshtme përfshin nën kufijtë e saj territoret e atij vendi që dikur (në lashtësi) thirreshin Epir. Ajo edhe sot mban këtë emër, Epir dhe banorët e saj janë (albanezi) shqiptarë.
Ky komb, shqiptarët, kanë gjuhën e tyre të vecantë, që është krejt e ndryshme nga ajo greke dhe ajo sllave…” (27)
Duke u afruar më tëhu në kohë, do ti rreferoheshim diplomatit dhe Koloneli britanik John Morier, i cili në vitin 1804 përshkoi në këmbë tërë territoret e Pashallëkut të Janinës dhe më gjërë, në “Relacionin” e tij dërguar Forign Office, shkruante:
“Shqipëria (Albania) nënkupton …Vendin që shtrihet nga Gjiri i Artës dhe shkon larg, drejt veriut, gjer në Bojanë, e më tej. Ky vend thirret Shqipëri (Albania). Territoret e këtyre anëve paraqesin për cdo pushtues një pengesë tepër rrezistente natyrore…”
“Pashallëqet kryesore të Shqipërisë janë ato të Shkodrës, Janinës dhe të Vlorës. Ky i fundit, nisur nga pozicioni ndërmjet dy të tjerëve është më pak i fuqishëm…”
“Arnautët, kështu quhen banorët e Shqipërisë, shkruan Morier, – me zakonet, kostumet dhe sidomos me ndarjen e tyre në fise, tregojnë qartë edhe një herë, lidhjen e tyre me origjinën, si banorë autoktonë të Epirit dhe të Ilirisë.”(28)
Të tjerë studjues të mëvonë, në shekujt e XIX , sikundër historiani i njohur grek, ndoshta një nga më të rëndësishmit, Kostandin Satha, në vitin 1876, duke folur për Skënderbeun shprehet:
“Gjergj Kastrioti i famshëm i Shqipërisë së dikurshme, i shkruan princit të Tarantos, duke i thënë se – Prindërit e tij ishin Hypirotei (Epirotas), nga të cilët kishte lindur Pyrhius (Pirrua), sulmit të të cilëve romakët mezi i rrezistuan. Ishte pikërisht ai që kishte pushtuar Tarantaon dhe vendet e tjera të Italisë me forcë…. Shqipëria ishte pjesë e Maqedonisë….. ata përulen përpara paraardhësve të tyre fisnikë, të cilët nën Aleksandrin e Madh shkuan deri në Indi…. Pikërisht prej tyre vijnë shqiptarët e sotëm.” (29)
Duke iu referuar edhe më tej deklarimeve të Sathës, ai shkruan: “…kujtojmë se edhe historiani bizantin Halkokondili edhe Skënderbeu edhe vetë Koroneo shkruajnë dhe i emërtojnë këto anë gjeografike me emrin Maqedoni dhe më tej Epir. Pra, sikundër shihet, ashtu sikundër historianët e lashtë edhe atë të mëvonë nën emrin e përgjithshëm Maqedoni përfshinë edhe Epirin.” (30)
Aq e fortë ishte e ngjizur në mëmorjen e popullit shqiptar origjina e tyre nga Aleksandri i Madh dhe Pirrua i Epirit, sa ajo vazhdoi të përcillej nëpër shekuj, nga një gjeneratë në tjetrën, gjer së fundi. Kështu në vitin 1737, Mbreti Karli Burbon lejoi krijimin e “Regjimentit Real Maqedon”. Ky Regjiment i Këmbësorisë (Reximiento de Fanteria de Real Macedonio) që mbante emërtimin “Maqedon” përbëhej tërësisht nga trupa shqiptare. Emri “maqedon” nënkuptonte një emër përgjithësues (nome generico), sepse në fakt termi “maqedon”, me të cilin identifikohej regjimenti, nënkuptonte thjesht “shqiptarët”. (31)
Po ashtu, Konsulli i njohur francez, misionor i Bonapartit pranë Ali Pashës, Fransua Pouqueville, në vitin 1809, shkruante: ”Shqiptarët, të cilët historianët i thërrasin Epirotë, janë banorë të sotëm të qytetit të Argosit (Peloponez), qytet me famë jo më të vogël nga ai i Spartës…”. (32)
Pra, sikundër shihet tek shqiptarët, përgjatë shekujve të mesjetës, identifikimi i kombësisë me etnonimin “Epirot” apo “Maqedon” ishte pjesë e ndërgjegjes dhe koshiencës së tyre, që në thelb nënkuptonte për të huajt “albanezi” dhe për vetë ata qënien arbërore.
Të njëjtat vlerësime për origjinën, vendbanimet, territoret dhe etninë e shqiptarëve dhe të Skënderbeut në mesjetë flasin qartësiht edhe shumë autorë të tjerë, sikundër Paulus Jovius, Giovaanni Bruto, tirolezi J. P. Fallmerajer, konsulli anglez pranë Ali Pashës, Ëilliam Martin Leak, Konsulli dhe albanologu i njohur austriak, Johan Von Hahn, historianët e njohur grekë Kostandin Papaigopulos, Antonik Miliarakis, udhëtarë dhe studjues të njohur europianë John Hobhouse, Vadencourt, Lamartin, Devanport, Lady Mary Ëortlay Montagu, George Finalay, poeti i njohur britanik Lord Bajroni dhe shumë të tjerë. (33)
Sigurisht, nuk mund të lëmë pa përmëndur me këtë rast edhe kronistët osmanë të kohës, sikundër, Ashik Pashazade dhe Tursun Beu, të cilët vecsa flasin qartë për origjinën arbërore të Skënderbeut, përshkruajnë barbaritë dhe masakrat kundër popullsisë shqiptare, gjatë operacioneve ushtarake, në tre rrethimet e Krujës dhe pas vdekjes së Heëroit. (34)
SKËNDERBEU NË FOLKLORIN SHQIPTAR
Me cinizëm të dukshëm, autori i artikullit të gazetës “Proto Thema”, për të bindur lexuesit e tij se Skënderbeu nuk është shqiptar, shtron edhe një pyetje që mendon se është argumenti më sfidues për të. Ai pyet: “Përse nuk ka këngë popullore (në gjuhën e folur) shqipe për heroizmin e Kastriotit, ndërsa ka të ngjashme për heronj me rëndësi të vogël?
“Proto Thema” duket që nuk e njëh mirë fondin dhe pasurinë e pafund të folklorit shqiptar dhe me një të rënë të lapsit ai shuan edhe atë trashëgimi të kufizuar folklorike që ka mundur të mbrijë pas pesë shekujsh robërie dhe qëndrese të pargjakshme gjer në ditët tona për Heroin Kombëtar të shqiptarëve. Sigurisht folklori ynë nuk është i mbushur vetëm me këngë për Skënderbeun, por populli ynë ka mundur të sjellë si ujët e pakët jo vetëm këngë por edhe rëfenja popullore, tregime dhe përallëza nga më të bukurat për të.
Ky numur i rëgjuar i pasurisë folklorike për Skënderbeun lidhet:
Së pari – me distancën e madhe kohore, nëpër të cilën do të kalonte trashëgimia folklorike shqiptare nëpër shekuj. Ajo u ronit në kalvarin e rrugëtimeve të gjata, të mundimëshme dhe ndëshkimeve të dhimbëshme gjersa nën pushtimin e gjatë osman do të mbrinte në ditët tona.
Së dyti – një pjesë e mirë e folklorit, që nuk mundi të mbrijë tek ne, vjen edhe për faktin se shqipja nuk shkruhej ato shekuj, që të mund të depozitonte kujtesën popullore në radhojtë e arkivave dokumentare të shkruara. Sikundër dimë shqipja u shkrua shumë vonë, në fillimin e shekullit të XX. Ajo cfarë kishte mundur të shpëtonte nga ropatjet e mundimëshme të folklorit nëpër shekuj, ariti të mblidhej aty nga fundi i shekullit të XIX dhe fillimet e shekullit të XX.
Së treti – Ky numur i kufizuar i këngëve, rëfenjave dhe tregimeve për Heroin tonë lidhet edhe me faktin se mbas vdekjes së Skënderbeut një terror i pashëmbullt u ushtrua mbi shqiptarët, pasuritë dhe trashëgiminë e tyre. Bashkë me to një censurë e egër dhe barbare do të kontrollonte dhe ndëshkonte cdo kujtim apo krijim që sillte në vëmëndjen e popullit fitoret dhe lavdinë e heroit të shqiptarëve – Skënderbeun, i cili kishte qënë qëndresa heoike e fundit në raport me të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit.
Së katërti – Sesa i pasur ka qënë folklori shqiptar, me krijime për Heroin e tyre ka një tjetër dëshmi domethënëse dhe të pakontestueshme, që autori grek nuk e kupton dot dhe nuk e njeh. Folklori i arbëreshëve është i mbushur me këngë për epokën e Skënderbeut, vetë heroin, betejat e tij heroike dhe trimat e tij.
Kjo pasuri e pafund folklorike na rrëfen se kur arbërorët largoheshin nga trojet e tyre (Shqipëria) drejt brigjeve italiane, pas vdekjes së Skënderbeut, ata merrnin me vehte vec pasurisë së pakët materiale edhe një pasuri shumë të madhe shpirtërore. Ata merrnin krijimet, këngët për Heroin e tyre dhe kujtimet për Atdheun-Arbërinë, që linin pas. Bashkë me to, arbëreshët, merrnin edhe një dëshmi që do të na tregonte se sa i pasur ka qënë fondi i krijimtarisë së popullit tonë ato kohë të lavdishme për Skënderbeun.
Së pesti – Do të donim të pyesnim autorin; – Vallë pse nuk na tregon “Proto Thema” sa këngë popullore ka folklori grek për herojtë e vet të shekullit të XV-të? Sa këngë ka për Paleologët dhe Kantakuzenët? Dhe më tej akoma do të pyesnim autorin e artikullit: “Sa nga këngët e folklorit grek flasin për herojtë e shqiptarëve, për luftrat dhe përpjekjet e tyre antiosmane? Sa këngë popullore krijuan arvanitët e vendosur nëpër shekuj nëpër territoret helenike? Sa prej tyre u mblodhën për tu vendosur në fondin e pasurisë shpirtërore të popujve? (35)
KISHAT SHQIPTARE NË MALIN E ATHOSIT DHE SHQIPONJA DYKRENARE E SKËNDERBEUT
Duke dashur të mbyllim këtë shkrim, nuk do të linim pa përmëndur njoftimet e autorit për varret e vëllait të Skënderbeut, Reposhit dhe të atit të tij, Gjonit që ndodhen në manastiret e Malit të Athosti. Megjithse ai nuk shprehet qartë cfarë don të thotë me këtë, duket se autori praninë e varreve në Athos kërkon ta lidhë me origjinën e tyre me kishën apo sentimente greke!!!
Nuk do të thoshim në këtë rast ndonjë fakt të panjohur, por do të duhej të sqaronim lexuesin se territoret e Malit të Shenjtë (Άγιο Όρος) nuk kanë qënë historikisht greke dhe nuk janë as aktualisht të tillë. Manastiret e Malit të Athosit dhe territoret e tij kanë statusin e një shteti të pavarur, brenda kufijve shtetrorë të Republikës Greke. Prej shekujsh ky territor dhe njëzet manastiret e tij varen nga Patriarku i Kostandinopojës.
Varret e dy pinjollëve të familjes së Kastriotëve në këtë vend nuk lidhen dhe nuk kanë të bëjnë me Greqinë, sepse këto territore nuk janë as greke dhe as objekt i sentimenteve relixhioze greke. Në këtë territor ka një numur të madh kishash dhe manastiresh që u takojnë etnive të ndryshme sikundër kisha apo manastire bullgare, rumune, serbe, ruse edhe shqiptare. Në to, sipas studjuesit grek Apostol Vakalopulos, ndodhen disa kisha shqiptare, tek të cilat murgjit e fundi shërbyen gjer aty nga fillimi i viteve ’60 të shekullit të kaluar, por më tej ato nuk u plotësuan me murgj të rinj. (36)
Nga ato që artikulli shkruan rreth religjionit tek Skënderbeu dhe shqiptarët, duket që autori i nuk e njeh historinë e krishtërimit ndër shqiptarët, prandaj nuk ja vlen ta sqarojmë fare për këtë subjekt. Fatkeqsisht, ai mendon se ortodoksia njehsohet kombësinë!!! Sipas tij – të jesh ortodoks do të thotë të jesh grek!!! Pohim ky më tepër se naiv!
Në këtë rast do të duhej që autori të njihte standartet ligjore të së Drejtës Ndërkombëtare, të cilat përsaktojnë qartë se cështë “kombësia”, cështë “shtetësia” dhe cështë “feja”.
Për ta mbyllur shkrimin me këtë subjekt, do ti citonim “Proto Themës” një konstatim të britanikut John Hobhouse, kur se bashku me Lord Bajronin vizitonin Shqipërinë më 1809. Ndër të tjera, ai shkruante: “Tek i gjithë ky popull ekziston një shpirt indipencence dhe dashurie për vendin e tyre, që në masën më të madhe i bën të dallueshëm mes besimtarëve të dy feve dhe që bie në sy dukshëm mbi të gjitha pjesët e tjera të Turqisë. Kështu, kur pyet banorët e provincave të tjera, nën zotërimin turk, se cfarë është ai? Ata do të përgjigjen – “Unë jam musliman”, apo “Unë jam kristjan”. Ndërsa po të pyesësh një banor të këtij vendi, Shqipërisë, se cfarë është ai, ai do të përgjigjet: “Unë jam shqiptar (Albanian).”(36)
Nga kjo referencë e mesjetës duket fare qartë se artikullshkruesit i ka mbetur ora ende në ata shekuj të mesjetës, kur banorët e mjerë ballkanas njehsonin fenë me kombin. Por, sigurisht kjo nuk vlen sot për grekët e mëncur dhe të qytetëruar, që dinë të ndajnë fenë nga kombi dhe shteti, që duan historiografinë serioze dhe miqësinë mes popujve.
Piktura kryesore: Sipas studiueses italiane Jois Lussu, në këtë vepër të piktorit Carlo Crivelli, paraqitet luftëtari Gjergj Shqiptari (me të njëjtin emër si heroi kombëtar Gjergj Kastrioti). Piktura është realizuar gjatë kohës kur piktori venecian punonte në Fermo, atje ku banonin arbëreshë, po aty ku ishte bërë i njohur edhe trimi shqiptar, bashkëluftëtar i Skënderbeut, që vendasit e quanin Giorgo Albanese. Kjo tablo ruhet të muzeun Isabel Cartner në Boston,