Kreu Letërsi Shënime mbi libra Ardian Marashi: Arti si joshje dhe subversion

Ardian Marashi: Arti si joshje dhe subversion

30 vjet nga botimi i parë:
Shënime mbi romanin “NUDO” të Ridvan Dibrës

Shtëpia botuese “Cabej MCM” nxorri nga botimi dhe bëri prezantimin e romanit “Nudo” të Ridvan Dibrës.Unë, si mik i autorit, e kam lexuar librin në dorëshkrim tash disa muaj.Qysh në leximin e parë konsideratat e mia për këtë libër kanë qënë nga më të vlerësuarat.Me kalimin e kohës libri ka vazhduar të punojë brenda meje duke më sugjeruar rrafshe kuptimore e emocionale befasuese: cka nuk më ndodh fort shpesh, madje tepër rrallë me autorë të letërsisë sonë. Kjo më bëri t’i rikthehem leximit të librit mbas daljes nga botimi e të provoj me tërë kënaqësinë e mikut e të lexuesit, ndjesinë e të qënit përpara një vepre të meritueshme.

Merita e parë e R.Dibrës është gjetje interesante e fabulës romaneske.Një artist i papunë pranon të emërohet drejtor i një konvikti vajzash studente: këtë akt prozaik romancieri arrin ta kthejë në një aventurë të vërtetë shpirtërore e intelektuale, në të cilën gjejnë veten edhe lexuesi më i rëndomtë edhe esteti më i sprovuar.

S’do mend që për të mbushur hendekun që ndan lexuesin pasiv nga lexuesi estet kërkohet jo vetëm mjeshtri por edhe finesë: në fakt romani “Nudo”imponohet pikërisht në sajë të këtyre dy vetive.

Mjeshtria e R.Dibrës qëndron te harmonizimi i rrafsheve të ndryshme të leximit në një roman që ofron një fabul krejt të thjeshtë e një linjë të vetme veprimi.Nuk ngutemi po të pohojmë qysh tani se kjo mbetet një ndër vecoritë më të qënësishme të romanit modern. Po aq sa edhe finesa: ka të bëjë me faktin se autori nuk interpreton aspak , ai vetëm sa i shkon deri në fund fabulës së vet, e cila në mendjen e lexuesit nis të zbërthehet vetiu në fabula të tjera paralele, në transpozime të gjithëfarshme e në degëzime të begata kuptimore, sikurse ndodh me leximin e parabolave biblike.Por, më tepër sesa me parabolë, kemi të bëjmë me thurje harmonike të rrafsheve të leximit të cilët i japin veprës një karakter të spikatur sinkretik dhe e ngrenë atë në lartësinë e një sprove mitologjizuese. Sic është folur e vazhdon të flitet për mitin e pesëdhjetë danaideve, mund të fillohet të flitet për mitin e njëmijë konviktoreve.

Mashkulli i thjeshtë të cilit i takon të kalojë para një ndërtese ku flenë njëmijë vajza të reja, formulon në mënyrë të pavullnetshme dëshirën për tu bërë objekt i ëndrrave të tyre erotike. Artisti i emëruar drejtor i konviktit të vajzave bie si pakuptuar në grackën e mbretit Eros, e kështu nis aventura. Aventurë e mirëqënë, sepse kemi të bëjmë me njëmijë vajza: sa pak interesantë do të kishin qënë njëmijë hamshorë djem në vënd të njëmijë vajzave të mistershme! Dhe pse drejtor i konviktit nuk është dokushdo por një Artist: imagjino në vend të tij një pensionist, sic ndodh me emërimet e sotme!

Gjithcka zhvillohet duke pasur në sfond të ngjarjes një Nudo vepër skulpturore e drejtorit të ri e vendosur në oborrin e konviktit të vajzave me miratimin e organeve bashkiake. Nudoja, kjo vepër brenda veprës (sikurse drama brenda dramës tek “Hamleti”), përbën një tjetër gjetje artistike të spikatur në të cilën fokusohen një mori simbolesh sidomos të rendit psikoanalitik. Nudoja bën lidhjen shpirtërore midis drejtorit dhe vajzave: i gjithë konvikti fiton një shpirt të vetëm artistik, cka shtyn drejtorin artist të ngashnjehet e ta mendojë veten si mbret i pallatit të njëmijë ëngjëjve. Mirëpo Nudoja, si nudo që është, lëshon orë e cast në drejtim të krijuesit të vet pigmalion impulse të mirëfillta seksuale, të cilat bëjnë që dita ditës tek drejtori të vdesë artisti e të zgjohet mashkulli.Me të njëjtin ritëm tek njëmijë vajzat nis të shuhet joshja e ushtruar nga Nudoja e Artisti dhe të ndizet revolta e nxitur nga Drejtori e Mashkulli. Në këtë mënyrë simboli i mirëgjetur i Atit Edipian dhe simbole të tjera frijdiste plotësojnë dhe gjallërojnë leximin në rrafsh psikoanalitik.

Në rrafshin artistik, Nudoja nxjerr mjeshtërisht në pah karakterin ekuivok të artit. Nga njëra anë arti është joshje kurse nga ana tjetër është subversion. Me Nudon, e më pas me fjalimin e tij artistik, drejtori ia mbërrin të joshë njëmijë qënie njerëzore e mbi këtë baze të përgatisë pushtimin e tyre shpirtëror e fizik. Aftësia e artit me sferat e ideologjisë e të propagandës, paraqitjet tronditëse; vetë artisti, duke u rrekur të bëhet i vetmi pushtues i zemrave të njëmijë kinviktoreve, tregohet po aq agresiv e totalitar sa një pushtues i mirëfilltë. I ngritur në pozitën e drejtorit, ish artisti synon të vëjë gjithcka nën kontroll, pushtetin e postit ai e dublon me pushtetin e artit dhe nuk nguron aspak që t’i keqpërdorë si njërin pushtet edhe tjetrin.

Në këtë pikë te drejtori i vajzave studente nis të punojë psikologjia e pushtuesit.Ai përpunon një strategji të vetën për pushtimin e vajzave e nis ta vëjë atë në zbatim me një skrupolozitet kokëfortësi të denja për cilindo nga Cezarët e historisë. Për të, tjetri është një individ që duhet zaptuar, jo një vetvete tjetër me të cilin lipset bashkëjetuar. Si cdo pushtues , ai mat forcën e vet me faktin se sa arrin ta dominojë tjetrin; me të siguruar dominimin shpirtëror ai thur strategjinë e dominimit fizik e me këtë hap ai vetëafirmohet si pinjoll i mbrapshtë i racës së pushtuesve të mëdhenj. Si vëlla i tij i vogël mund të jetë një komandant garnizoni, si vëlla i tij binjak një kryetar parlamenti, si vëlla i tij i madh tirani i një populli. Te njëmijë konviktoret mund të jenë ekuivalenti i transpozuar i një garnizoni prej njëmijë ushtarësh, i një kuvendi prej njëmijë parlamentarësh, i një populli prej miliona frymësh, i një globi prej miliarda qëniesh: cdo qënie është qënie për tu pushtuar. Prandaj kësaj bote nuk i kanë munguar kurrë pushtuesit. Fatmirsisht përvoja e qënies njerzore tregon se pushtimi total është i pamundur. Në thelb cdo pushtim është iluziv, pse qënia nuk e dorëzon kurrë veten përfundimisht: ka pushtim të gjatë por jo pushtim të përjetshëm. Në krye të një viti pune, drejtori i konviktit detyrohet të dorëzojë celësat, simbol i egoizmit të tij të pafre. Kjo finale e pritur e romanit na sugjeron të kalojmë nga rrafshi psikologjik i leximit në rrafshin social. Vajzat dallojnë te drejtori i ri dikë që mund të bëjë për to gjëra të mrekullueshme. Sepse në rrallë të parë vajzat ndjejnë nevojën e një rilindjeje shpirtërore, cka pohohet fuqimisht nëpërmjet Nudos të vendosur në oborr si dhe nëpërmjet fjalimit me të cilin drejtori artist prezantohet para tyre. Por në këtë cast euforia zhvendoset nga vajzat te drejtori, i cili në mënyre iluzive e vlerëson veten si qenie supreme: ky jo vetëm që e braktis qëllimin e vet human por vihet në zbatim të një qëllimi egoist e paranoik me pasoja të paparashikueshme. Pikërisht njeriu që ka më tepër prirje e shanse për të realizuar lumturinë e të tjerëve, pikërisht ky njeri, duke iu shmangur në mënyre egoiste këtij qëllimi human, u sjell të tjerëve zhgënjimin e dëmin më të madh: në castin kur drejtori dorëzon celësat, konvikti i shëmbëllen një shoqërie mbi të cilën kanë pllakosur zezona shkatërrimtare. Në fakt andej sapo ka kaluar një mesi i rremë dhe pervers, e në këtë rrafsh të ri romani sërish sugjeron qasje interesante.

Egoizmi i pacak “sëmundje e shekullit” e shtyn heroin e romanit të vec për vete kundër të tjerëve. Deri në castin kur bashkësia e vajzave konviktore, për vetëmbrojtje, shtrëngohet të marrë kundërmasa të dëshpëruara të cilat pohojnë me forcë egoizmin burimor të qënies dhe pafuqishmërinë e komunikimit në mes të individëve modernë. Aty ku arti përfillet si bashkimi, egoizmi shfaqet si divorc.Mungesa e synimeve humane afirmohet si turpësi e si dekadencë. Që këtej, aktualizimi mjeshtëror i personazhit Alfred -më në fund kështu quhet heroi i romanit-në thelb është një hero dekadent. Aftësitë e veta intelektuale ai i vë në shërbim të qëllimeve që s’mund të quhen qëllime.Ai mendon, logjikon e madje ka brumin e një strategu mendjehollë e të guximshëm, porse gjithcka e tij mbetet në planin volitiv: ai nuk është i zoti për të vepruar. Ai nuk realizon asgjë, në mos të kundërtën e asaj cka synonte.I vetmi realizim i tij për tu marrë në konsideratë është fjalimi –masturbues në fillim të romanit.Shembull flagrant i impotencës, Alfredi mendon se është padroni i vetëm i njëmijë vajzave, por ai vec sa vetëmasturbohet përpara kësaj perspektive, sepse në fakt ai nuk mbërrin të bëhet padron i asnjërës. Hero i palavdishëm i një epoke të palavdishme, Alfredi ngjason me heroin dekadent të Uajldit apo D’Anuncios, në synimine tij pretencioz për ta ndërtuar jetën e vet simbas shëmbëlltyrës së një vepre arti: kësaj ai ia arrin në një mënyre të mrekullueshme,e  falë kësaj ai afirmohet si personazh romanesk i mrekullueshem. Në të gjitha situatat ai vepron si artist: si drejtor-artist, si pushtues-artist, si mashkull artist. Atij i mjafton vetëm një gjest simbolik, dorëzimi i celësave, në mënyre që të ribëhet artist i vërtetë. Edhe pse i mundur nga jeta, ai nuk mund të quhet kurrë plotësisht dështak as i mundur: ai ka artin e vet – një hapsirë e pafund për tu pushtuar.

I rikthyer në vetminë e vet burimore, në artin e vet, ai sërish ka mundësinë të mbetet pushtues, ose tekembramja ta provojë edhe mijëra herë të tjera për tu bërë pushtues.Pushtues për mirë apo për keq: këto janë kategori morale e nuk kanë të bëjnë fort me artin. Me artin kanë të bëjnë gjithë sa u thanë më lart, e gjithë sa do të vazhdojnë të thuhen për këtë roman të meritueshëm. Sepse pa dyshim për romanin “Nudo” të Ridvan Dibrës do të vazhdojë të shkruhet.                                                                 

Exit mobile version