Shembja e diktaturës komuniste dhe vendosja e pluralizmit në vendin tonë, domosdo që do të sillnin ndryshime edhe në fushën e përkthimtarisë. Edhe këtu do të viheshin re dukuri të tilla, të panjohura më parë, si fitimi, komercializmi, konkurrenca etj. Kjo bëri që të hapeshin shumë shtëpi botuese dhe përkthimi, në krahasim me botimin e veprave origjinale, të zinte hapësira shumë më të mëdha në ushtrimin e biznesit të tyre.
Në këto kushte, etja e shtëpive botuese për përkthime ishte jashtëzakonisht e madhe. Po ashtu edhe e përkthyesve, qoftë të atyre me nivel të lartë përgatitjeje shkencore që në periudhën e diktaturës komuniste, qoftë edhe të atyre më të rinjve, mes të cilëve disa syresh nivelin e një përgatitjeje të tillë e kishin të diskutueshëm. Tani publiku shqiptar nuk do të mjaftohej më vetëm me leximin e veprave të përkthyera apo të ripërkthyera të autorëve klasikë amerikanë, anglezë, francezë, gjermanë, italianë, japonezë, rusë, spanjollë etj., por do të kishte në dispozicion edhe vepra të autorëve të ndaluar nga diktatura komuniste, si Beketi, Borhesi, Folkneri, Jonesko, Kafka, Kamy, Kortasari, Prusti, Uajldi, Xhojsi etj., etj.
Në këtë turr të papërmbajtur për të përkthyer sa më shumë, disa shtëpi botuese, të kapluara nga etja për fitim, i lejuan vetes gabime të pafalshme, duke nxjerrë nga shtypi përkthime me nivel të dobët, në të cilat aty-këtu nuk figuron as emri i redaktorit, as emri i korrektorit letrar e le më pastaj emri i korrektorit teknik. Në këtë mes kishim të bënim me mungesë të theksuar respekti qoftë ndaj autorit të veprës origjinale, qoftë ndaj shijes së lexuesit.
Mes librave që më kanë bërë përshtypje për nivel të dobët përkthimi, jam ndalur në dy prej tyre. Këto janë dy romane. Njëri ka për autor një klasik të shquar të letërsisë botërore, siç është Balzaku, kurse tjetri i përket penës së një shkrimtareje të talentuar të ditëve tona. Romani i Balzakut titullohet “Kushërira Betë”.
Që në faqen 5 të romanit, lexuesit i bie në sy kjo fjali që vazhdon pas një fraze që mbyllet me dy pika:
“…: disa gjeste kanë një rëndesë të padiskutueshme e pa takt, njësoj si një akt lindjeje”.
Hajde ta marrë vesh lexuesi i gjorë se çfarë ka dashur të thotë përkthyesja me këtë farë përkthimi.
Aty nga fundi i faqes 6 të romanit, pason një tjetër fjali që lexuesin e shkretë e çudit fare:
“Pasi përshëndeti hijshëm kapitenin, Hortensa Hylo doli nga dera-dritare…
Mos vallë përkthyesja e ka fjalën për derë ballkoni, se si u dashka kuptuar shprehja derë-dritare?!
Diku më poshtë, në faqen 8, haset shprehja mobilie pa dekorime. Si u dashka kuptuar fqinjësia e fjalëve mobilie dhe dekorime? Këtu s’po ndalem në gabimin drejtshkrimor të fjalës mobilie, të cilën përkthyesja e shkruan gabimisht mobilje. Mos vallë përkthyesja ka dashur të thotë mobilie pa zbukurime?!
Vazhdojmë më poshtë me një tjetër fjali:
“ – Dëgjoni, zoti Krevel, – e ndërpreu baronesha, tepër e shqetësuar për të qeshur…”.
Ç’është kjo shprehje e stisur “tepër e shqetësuar për të qeshur”?!
Në një fjali të faqes 18, fqinjësia e fjalëve lexuesin e lë pa mend se s’i bie dot në të se çfarë ka dashur të thotë përkthyesja:
“Tridhjetë e dy vjet ndershmëri, besnikëri femërore nuk do të bien nga goditjet e zotit Krevel…”
Se në ç’mënyrë dashkan të bien vitet nga goditjet e zotit Krevel, këtë vetëm përkthyesja mund ta marrë vesh, se lexuesi i hutuar s’është në gjendje të kuptojë asgjë.
“Kurrë një njeri i guximshëm nuk do të vdiste nëse kishte me vete një farë kapitali me durim” (f. 57).
Mos ndoshta përkthyesja ka dashur të thotë … nëse kishte vënë njëfarë kapitali me durim?! Veç kësaj, fjalën njëfarë e ka shkruar gabim: një farë. Kjo fjalë nuk shkruhet e ndarë, sepse ajo përdoret së bashku me një emër për të shënuar vend, kohë, veprim a diçka tjetër të papërcaktuar mirë, që nuk dihet a nuk saktësohet me përpikëri, si p.sh.: në njëfarë kohe, në njëfarë vendi, në njëfarë mënyre, në njëfarë mase, me njëfarë krenarie.
Për emrat e huaj që hasen në roman, përkthyesja nuk e njeh sistemin e lakimit të gjuhës shqipe, ndërkohë që sipas rregullave të drejtshkrimit, emrat e huaj i nënshtrohen sistemit të lakimit. Ja një rast konkret se si përkthyesja vepron gabim:
“Një ditë më pas… zonjusha Fisher u informua mbi profesionin e skulptorit. Nga pyetjet e shumta, arriti të zbulonte laboratorin e Florent dhe Shanor (f. 58).
Me ç’të drejtë përkthyesja nuk i vendos këta dy emra në rasën gjinore: …laboratorin e Florentit dhe të Shanorit. Veç kësaj, në vend të parafjalës mbi duhet përdorur parafjala për dhë në vend të shprehjes nga pyetjet e shumta duhet përdorur shprehja pas pyetjeve të shumta.
Gratë e asaj kategorie kanë sedrën e tyre, duan ta shohin të realizuar pushtetin e tyre, nuk e falin virtytin që nuk i ka frikë, ose që lufton kundër këtyre grave” (f. 203)
Si u dashka kuptuar fjalia … nuk e falin virtytin që nuk i ka frikë..?. A është në gjendje përkthyesja t’ia shpjegojë lexuesit se në ç’mënyrë virtyti luftuaka kundër grave?!
“Megjithëse e kishte marrë me qira gjithë pallatin, ai banonte vetëm katin e nëndheshëm” (f. 261).
Në këtë fjali, foljen banoj përkthyesja e përdor si folje kalimtare, e cila në gjuhën shqipe s’përdoret kurrë si e tillë.
Këto ishin vetëm disa nga sondazhet që i bëra përkthimit të romanit të Balzakut që është njëra nga veprat e korpusit të famshëm të krijimtarisë së këtij gjeniu të letërsisë botërore. Përkthimi i kësaj vepre që kam në dorë, është botuar në vitin 2002. Nuk figuron emri i korrektorit letrar. Përkthimi e ka emrin e një redaktoreje, e cila, ashtu si edhe përkthyesja, nuk ka punuar me seriozitetin e duhur për të mos lejuar lajthitje kaq serioze që nuk e nderojnë emrin e tyre, si edhe emrin e shtëpisë botuese që e ka hedhur në qarkullim. Prandaj është e domosdoshme që ky roman duhet të ripërkthehet në respekt të padiskutueshëm të autorit të tij të madh.
Romani i dytë ka për autore një shkrimtare të talentuar dhe shumë të njohur në tregun ndërkombëtar të librit. Kjo është shkrimtaria e re irlandeze Sesilia Ahern (Cecelia Ahern – 1981), autore romanesh me temë dashurie. Para se t’i hynte krijimtarisë letrare, ajo pati përfunduar fakultetin e gazetarisë. Në moshën 21 vjeçare, shkroi romanin e parë me titull “PS, I love you” (P.S. Unë të dashuroj). Vepra e njëmbëdhjetë e saj me titull “How to fall in love” (Si të biesh në dashuri) është botuar në vitin 2013.
Unë jam ndalur në përkthimin e një romani të saj, të cilin ajo e ka botuar në vitin 2008. Romani titullohet “Dhurata” (The Gift). Nuk figuron as emri i redaktorit, as emri i korrektorit të përkthimit. Përkthimi ka dalë nga shtypi po në të njëjtin vit. Që në fillim nuk më pëlqeu niveli i përkthimit. Këtu jam ndalur vetëm në disa shembuj që janë më domethënës për cilësinë e dobët të tij:
“Ai thuajse prishi përqafimin të grushtonte ajrin dhe të thërriste me hare, sepse për të parën herë në një kohë të gjatë ai ndjeu se ajo la luftën me të” (f. 184).
Një frazë kjo me përmbajtje “të shushatur” që hajde ta marrësh vesh se çfarë ka dashur të thotë përkthyesi. Se si u prishka përqafimi, këtë vetëm përkthyesi mund të jetë në gjendje të kuptojë. Me shprehjen la luftën me të mundet që përkthyesi ka dashur të thotë hoqi dorë nga lufta me të, në kuptimin nga përplasjet (nga sherret, nga zënkat) me të.
Ja edhe një tjetër frazë, e cila lexuesit i krijon përshtypjen sikur ndodhet në një pyll të errët ku nuk di se si të orientohet:
“Ishte sikur ata ishin edhe një herë në Krishtlindjen e parë që kishin kaluar bashkë, ulur pranë pemës së Krishtlindjeve në shtëpinë e prindërve të saj në Galuej, maçoku i mbledhur kutullaç në jastëkun e tij të preferuar ndanë zjarrit, qeni i marrosur disavjeçar, shumë në këtë botë, jashtë në oborrin e prapmë, që i lehte çdo gjëje që lëvizte ose jo” (f. 185).
Do të ishte shumë interesante sikur përkthyesit të këtij libri t’i drejtohej pyetja:
– Ore zotëri, pas përkthimit të çdo fjalie, a e ke marrë mundimin t’i kthehesh e ta lexosh se si tingëllon në gjuhën shqipe?
Se, normalisht, edhe ata që përkthejnë një rregullore ushtarake, me siguri që i rikthehen materialit për ta lexuar se si tingëllon në gjuhën amtare.
“Ai mendoi për pjesën tjetër të vetes, përjashta dhe të dehur, ka të ngjarë duke shkatërruar këtë marrëdhënie të rikrijuar me të shoqen, duke shkatërruar ndreqjet që u desh atyre të dyve kaq shumë kohë t’i bënin” (186).
Lexuesi i nderuar, për të cilin përkthyesi duhet të ketë shumë respekt, pa përmendur autorin që po e po, si mund të orientohet në këtë frazë kur ajo tingëllon si një mishmash i vërtetë?
“Në kundërshtim me filxhanin e kafes që në atë çast qe vënë pak centimetra larg nga hunda e tij, ai ishte më i mësuar me tingullin e një shkarkimi tualeti që vepronte si thirrje zgjimi” (193).
A mund të ketë durim lexuesi të vazhdojë të ndjekë më tej shtjellimin e ngjarjeve të romanit kur fraza të tilla ia bëjnë mendjen dhallë?
“Iu kthye ecja me hap të zhdërvjellët, dora e tij e majtë rastësisht e vënë në xhep, dora e tij e djathtë duke u lëkundur lirshëm anash në sinkroni me hapin dhe gati t’i përgjigjej telefonit ose të shtrëngonte një dorë në çdo çast të mundshëm” (199).
Këtë frazë përkthyesi e ka lënë pezull.
“Nga një libër i përkthyer, – thotë Vedat Kokona, – në poezi apo në prozë – lexuesi pret që ky libër t’i interesojë, ta tërheqë, ta prekë, t’i flasë për të vërtetën që ngërthen vepra në brendinë e saj. Kjo fjali duket e thjeshtë, si të thuash, sheshit; megjithatë, është si një aksiomë që nuk mund të provohet; prapa saj qëndron sekreti i artit dhe i mjeshtërisë, i artit të origjinalit dhe i mjeshtërisë së përkthimit” (Vedat Kokona. “Mbi përkthimin”. Mehr Liht! Nr. 3. 1997, f.58).
Arsyet e hedhjes në qarkullim të përkthimeve që masakrojnë origjinalin deri në nivele të tilla, i nxjerr bukur në pah Dritan Çela, të cilin vdekja e parakohshme e shkëputi nga pasioni i tij i jashtëzakonshëm për të nxjerrë nga dora përkthime me cilësi të lartë:
“Në përgjithësi, komercializmi dëmton çdo gjini të artit, por njëkohësisht është edhe dukuri e pashmangshme e tij. Ai, në njëfarë mënyre, gjen mbështetje në shijet mesatare masive, si dhe në strategjitë spekulative të menaxhimit të artit. Në fushën e përkthimit shfaqet kryesisht në dy forma. Së pari, botime librash me nivel të ulët artistik, por që, për arsye nga më të ndryshmet, janë kthyer në bestseller. Së dyti, përkthime vlerash të vërteta artistike nga njerëz, që, ndoshta, s’kanë kurrfarë lidhjeje me artin. Ndodh që për nevoja humane, në kushtet e vështira ekonomike, përkthyes të mirë, të cilët kanë sjellë në shqip një varg kryeveprash të fondit botëror letrar, të ulen e të përkthejnë edhe ndonjë paçavure që, për fat të keq, gjithsesi arrin të shitet shumë, qoftë se përputhet me shije të cekëta kolektive, qoftë edhe për publicitetin dhe reklamën e fortë që mund t’i bëjë botuesi e shtypi. Por është e pafalshme që vepra, nga ato që vërtet e meritojnë të quhen të rralla, na jepen nën përkthimin e një njeriu që pretendon se ditka një gjuhë të huaj, por që mjerisht nuk di më shumë se dy mijë fjalë të gjuhës amë. Merreni me mend zhgënjimin e lexuesit kur, në vend që të mrekullohet nga bukuria e fjalës, nga forca e shprehjes dhe e mendimit, nga origjinaliteti i strukturës së një kryevepre, zë kokën me duar nga ajo katrahurë mospërputhjesh, i rikthehet dy, tri, katër, pesë herë një fjale, e prapë s’merr vesh gjë prej gjëje, pyet disa herë me vete: “Vallë kjo na qenka kryevepra e lavdëruar?!” Këta përkthyes mostra pjellin në shqip monstra. Le pastaj kur botuesi koprrac, përveç këtij “investimi”, ka menduar të kursejë edhe ca, duke e botuar librin me letër gazete, me kopertinë që sa ta prekësh, të mbetet në dorë si lule mos më prek, me tekstin e shtypur me gërma mikroskopike etj.” (Dritan Çela. “Nuk di çfarë fati më pret”. Intervista e parë dhe e fundit, 1998. Dritan Çeladuke biseduar me Luljeta Leshanakun. “Leka-Rilindja”. 08 nëntor 1998. Citohet sipas: Zija Çela. “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”. Botimet “IDEART”. Tiranë 2007, f. 241).
Kur një vepër e përkthyer nuk na tërheq, domosdo që fajtor nuk është autori. Faji duhet kërkuar te përkthyesi. Pikërisht nga ky varet nëse vepra e përkthyer i ngjall emocione lexuesit ose jo. Nëse ajo i ngjall emocione, atëhere lexuesit i shtohet simpatia për autorin. Ka shumë të drejtë Saimir Strati kur thotë:
“Dino Buzzati-n unë kam filluar ta dua nga Dritan Çela. Dhe për këtë e kisha falënderuar në heshtje. Në përkthimet e tij tashmë më bënte trysni edhe ajo e veçanta, ajo që s’më shqitej, pjesa e dy dashurive. Dy dashuri për gjuhën, shqipen dhe italishten. Dy dashuri për tekstin, origjinalin dhe përkthimin. Dy dashuri humane, për autorin dhe lexuesin. Sepse, dhe këtë e kam dëgjuar ta pohojnë shumë të tjerë, ato nuk ishin përkthime mekanike, por shpirtërore” (Saimir Strati.“Enigma e një portreti”. Citohet sipas: “In Memoriam për Dritan Çelën. Përgjigje për dashurinë”. Shtëpia e librit “OMBRA GVG”. Tiranë, 2011, f. 49).
Nuk e quajta të arsyeshme të vazhdoj me shembuj të tjerë, meqenëse krejt romani është një masakrim i vërtetë i origjinalit. Të vjen keq që kjo shkrimtare mjaft e njohur t’i prezantohet lexuesit shqiptar me një përkthim kaq të dobët të romanit të saj, kur dihet që romani i parë i saj që u përmend më lart, është shitur në më shumë se 40 vende dhe kompanitë “Warner Bros” dhe “Wendy Finerman Productions”, në vitin 2007, vendosën që atë ta ekranizonin. Romani zuri vendin e parë në listën e librave më të shitur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Angli, në Irlandë dhe në Gjermani, kurse libri i saj i dytë “Where Rainbows Ends” (Atje ku mbaron ylberi) arriti kulmin në listën e librave më të shitur në Irlandë dhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Ky përkthyes nuk është marrë kurrë me gjuhën shqipe, e megjithatë ka kuturisur t’i hyjë përkthimit të një vepre të një shkrimtareje të njohur të letërsisë botërore
Po a është vallë i vetëdijshëm ky përkthyes se para se ta sjellë një vepër në gjuhën shqipe, ai, fillimisht, duhet të bëjë një punë përgatitore mjaft intensive? Në qoftë se ai ka ndër mend të merret me përkthime në të ardhmen, le të mësojë se çfarë rekomandon Mira Meksi, si një përkthyese dhe shkrimtare e talentuar me një përvojë mjaft të pasur:
“Përkthimi artistik nënkupton ndërmbartje e metabolizëm, besnikëri e rilëvrim të lëndës artistike; është humbje dhe përtëritje në të njëjtën kohë. Në thelbin e tij, përkthimi artistik s’është aspak një veprimtari, por një proces, një proces i larmishëm, plot ekuivoke dhe zigzage; është tejet e vështirë ta vendosësh nën “hyqmin” dhe “trysninë” e një tërësie normash a gjykimesh të qëndrueshme. Përkthyesi ka për detyrë të ndërmbartë në gjuhën pritëse sa më tepër që të mundet prej tekstit në gjuhën ardhëse, një tërësi karakteristikash e fizionomish që i kapërcejnë katërçipërisht përmasën ad letteram e tërë sa qëndron pas saj. Përkthimi artistik është një operacion kompleks gjuhësor, estetik dhe kulturor, që fare pak mund të mbështetet te një referent i jashtëm apo te një kumt abstrakt. Vepra artistike është grishëse qoftë për atë çka shpreh, qoftë për mënyrën se si e shpreh. “Çfarë” dhe “si” janë dy thelbet që përkthyesi duhet të përpiqet t’i ruajë sa më pranë veprës në gjuhën ardhëse dhe sa më me besnikëri. Përpara se ta rikodojë në gjuhën pritëse, përkthyesit i duhet më së pari ta dekodojë tërësisht veprën në gjuhën ardhëse, në tërë planet e nivelet analitike, përmes një leximi hermeneutik të pasur, formal e kulturor. Vetëm pasi ka kryer një proces të tillë paraprak dhe vetëm pas tij, përkthyesi mund të fillojë ndërkodimin përmes përshtatjes homologjike për lexuesin e gjuhës pritëse, duke vënë në lëvizje një sërë strategjish, që rrahin të zvogëlojnë sa më tepër humbjet që mund të zënë vend gjatë procesit të kalimit nga një kod gjuhësor në tjetrin” (Mira Meksi. “Gjuetia e lejlekut : në atelienë e përkthimit të “Bashkëpirjes” së Platonit. Gazeta “Shqip”. 4 janar 2007, f. 14).
A ka menduar ndonjëherë ky përkthyes, që, në procesin e përkthimit, fillimisht, duhet të provojë vetë kënaqësi estetike, duke nxjerrë në pah botën intelektuale të autorit, që mandej të jetë në gjendje që atë t’ia përcjellë edhe lexuesit me një shqipe të kulluar? Por që ta zbulojë botën intelektuale të autorit të huaj, përkthyesi duhet të ketë aftësinë të vendosë lidhje shpirtërore me të. Ja çfarë thotë përkthyesi Urim Nerguti për vendosjen e një lidhjeje të tillë:
“Lidhja mes autorit dhe përkthyesit është mirëfilli një lidhje dashurie. Nuk është e mundur që dikush t’i kushtojë tjetrit aq kohë dhe energji, dhe aty të mos ketë dashuri. Qoftë i vdekur e qoftë i gjallë, mendoj se përkthyesi është gjithmonë një bashkëbisedues i autorit, madje sikur është duke e shkruar aty, në atë çast, këtë libër bashkë me autorin. Debatet “fantazmë” që bën përkthyesi me një autor të vdekur, janë të tipit që përkthyesi luan rolin e fëmijës së bezdisshëm, i cili pyet një më të rritur përse kështu e përse ashtu. Edhe përkthyesi hyn në një lojë të tillë me autorin, duke e ngacmuar atë, ndërkohë që ky i fundit e dërgon te veprat e tjera të tij, ose te mjeshtrit e vet. Gjithçka sillet në një lloj qerthulli apo labirinthi ku përkthyesit i duhet të njohë jo vetëm ç’është shkruar aty në letër, por edhe të kapë drithërimat e brendshme të shpirtit të autorit kur ai vendos një pikë apo presje apo tjetër” (Drita Klosi. Intervistë me përkthyesin Urim Nerguti. Marrë nga faqja e internetit “Tiranacalling”. 16 nëntor 2011).
Përkthimin e veprave artistike të autorëve të shquar, qofshin këta klasikë apo bashkëkohorë, nuk mund ta përballojë çdokush. Për këtë, siç është theksuar më lart, kërkohet talent i veçantë që natyra ia dhuron jo dokujtdo.
Edmond Tupja thotë:
“… përkthyesi letrar ka një dhunti të lindur, të cilën e nxjerr në pah dhe e pasuron falë formimit të tij të gjithanshëm. Këto dy të dhëna e pajisin atë me atë që disa traduktologë e quajnë “refleks përkthyesor”. Ky refleks, në fakt, e dallon përkthyesin e mirëfilltë nga nënpërkthyesi dhe pseudopërkthyesi, sepse, siç sapo e thamë, nuk bazohet vetëm te formimi i fituar, por edhe te dhuntia e lindur e përkthimit” (Edmond Tupja. “Pro translatore. Shtjellime kritike për përkthyesin dhe përkthimin”. Shtëpia Botuese “OMBRA GVG”. Tiranë 2004, f.101).
Pëkthyesit e patalentuar që domosdo nuk mund të kenë aftësi krijuese, e përkthejnë origjinalin fjalë për fjalë, prandaj edhe sintaksa në përkthim tingëllon e pazakontë, si në shembujt që u sollën më lart.
Elvira Çernjenko, përkthyese ruse, e cila ka përfunduar Universitetin Shtetëror të Gjuhësisë “Moris Torez” (Maurice Thorez) në Moskë, degën e përkthimtarisë, ja se si shprehet për dëmin që i sjell autorit një përkthim i dobët:
“Në vitet e pararinisë pata lexuar librin e Emil Zolasë me titull “Një faqe dashurie” (Une Page d’amour) dhe qesh befasuar keq për faktin se me çfarë gjuhe primitive, pa lidhje logjike dhe, të më falni, varfanjake, qe shkruar ai roman. Pata lënë mendjen se si kishte qenë e mundur që një shkrimtar kaq i paaftë t’i kishte hyrë në zemër mbarë botës. Tani po e kuptoj që Zola është gjenial. I paaftë paskej qenë përkthyesi, e bashkë me të redaktori dhe botuesi, të cilët patën lejuar që një përkthim i atillë të shihte dritën e botimit” (Elvira Çernjenko. “Professija: pjerevodçik hudozhestvjennoj literaturëj”. Faqja e internetit “molparlam.ru”. 14 tetor 2014).
Në përkthimin e këtyre dy librave është prekur autoriteti i autorëve të tyre, nuk është treguar kurrfarë respekti ndaj djersës së tyre. Si është e mundur që përkthyesit të tregojnë kaq papërgjegjshmëri ndaj një pune aq të lodhshme, siç është krijimi i një vepre të letërsisë artistike. Përkthyesi, kur vendos t’i hyjë përkthimit të një vepre letare, në qoftë se e ka përgatitjen e duhur shkencore dhe dhuntinë e lindur, duhet të derdhë po aq djersë, në mos edhe më shumë, për të nxjerrë nga dora një përkthim, mundësisht, po me të njëjtat vlera artistike, sa edhe origjinali. Pra, ai duhet të ketë parasysh punën e Sizifit që përballon autori.
Shkrimtari Aleksej Tolstoi (1883-1945) thotë :
“Më kujtohet se kur fillova të shkruaja tregime, i punoja nga dy, ndonjëherë nga tri dhe katër herë. Dhe gjatë çdo ripunimi, gjuha ndryshonte. Dhe ja, unë i bëra vetes pyetjen, përse duhet ta them frazën kështu dhe jo ndryshe, përse duhet t’i vendos fjalët kështu dhe jo ndryshe ? Cilat janë ligjet e gjuhës ? Këtë unë nuk e dija dhe nuk e kuptoja. Në fillim, që të zhdukja këtë ndryshim të shpeshtë, me qëllim që të forcoja gjuhën time, imitoja gjuhën e Gogolit dhe të Turgenjevit. Më parë gjuhën e Turgenjevit, pastaj të Gogolit. Këtë e bëja me zë, duke e dëgjuar”(Aleksej Tolstoi. “Me tërë seriozitetin e çështjes së gjuhës”. Bisedë me shkrimtarë dhe me artistë të rinj. 07 nëntor 1935. Gazeta “Drita”. 15 gusht 1976, f. 14).
Nga sa u citua më sipër nga përkthimi i dy romaneve të lartpërmendura, rezulton se përkthyesit kanë mangësi të theksuara në sintaksën e gjuhës shqipe. Prandaj është e domosdoshme që edhe ky roman të ripërkthehet që të vihet në vend respekti ndaj autores dhe ndaj lexuesit shqiptar.