I lindur në Vlorë dhe i mbetur vlonjat, Jorgo Papingji dukej se e kishte Vlorën një motiv të brendshëm, një frymë dhe “materie” frymëzimi, e sikur nga Vlora e tij niseshin dhe jetësoheshin të gjitha motivet që përcjellin poezitë e tij, të shndërruar në këngë të muzikës së lehtë. Atë kurrë s’e largoi koha nga mjedisi i shpenguar dhe i gjallë i qytetit të tij. Kujtoj shpesh, Jorgon kur vinte në Vlorë së bashku me poetin Dionis Qirinxiri dhe piktorin Nestor Jonuzi, fizikantin Petraq Truja nuk mund të mos shkonim në Ujin e Ftohtë, atje te shkëmbinjtë përballë detit dhe dallgëve dhe kaltërsisë së Jonit i buronin vargjet dhe poezia si një ujëvarë e freskët dhe përherë e rrjedhshme. Nga aty ku syri i tij shihte peizazhin më të mrekullueshëm të natyrës, projektoheshin dhe jetësoheshin dhjetëra motive, që ai i kthente në vargje dhe në pantonima muzikore, duke i bërë skenat e festivaleve të mrekullueshme.
Jorgo Papingji është njëri nga personalitetet e kulturës dhe muzikës shqiptare, i cili për pjesën më të madhe të Festivalit të Këngës në Radio-Televizion ka përbërë imazhin më të mirë të kësaj tradite, e cila në rrjedhën e gati 30 e ca viteve krijoi identitetin e saj të shkëlqyer. I pasionuar, i talentuar, një njohës i kulturës dhe shoqërisë bashkëkohore, Papingji solli në skenat e festivaleve temat nga më të larmishmet dhe frymëzueset, këngëtare dhe këngëtarë nga më të spikaturit, po ashtu ai bashkëpunoi dhe krijoi në çdo rast një risi dhe gjetje muzikale me kompozitorët më të mirë të vendit.
Jorgo Papingji lindi në Vlorë më 10 qershor 1942. Ai është autor dhe poet shqiptar, i cili në “Festivalin i Këngës”, “shpërblyer” me 5 këngë fituese, ndërsa kënga fituese e vitit 2014 është pjesëmarrëse në Festivalin Evropian të Këngës. I dekoruar me dekoratën Presidenciale “Mjeshtri i Madh”, si poet Jorgo Papingji ka në arkivin e tij të shkruar mbi 4000 këngë, mjaft prej të cilave kanë marrë pjesë në Festivalin i Këngës në RTSH. Në kujtesën e adhuruesve dhe artistëve, muzikologëve, këngëtarëve dhe kompozitorëve të më shumë se një gjysmë shekulli, jehojnë ende këngë të tilla si: 1980 – “Kur jemi bashkë të dy” (kënduar nga Luan Zhegu); 1990 – “Askush s’do ta besoj” (kënduar nga Anita Bitri, fitues); 1991 – “Fat dhe jetë” (kënduar nga Anita Bitri); 1993 – “Kur e humba një dashuri” (kënduar nga Manjola Nallbani, fitues); 1993 – “Rri me mua” kënduar nga Mira Konçi); 1994 – “I thuaj jo” (kënduar nga Ardit Gjebrea); 1995 – “E doni dashurinë” (kënduar nga Luan Zhegu dhe Ledina Çelo); 1999 – “S’jam tribu” (kënduar nga Aurela Gaçe, fitues); 1999 – “Apokalipsi” (kënduar nga Irma dhe Eranda Libohova); 2001 – “Jetoj” (kënduar nga Aurela Gaçe, fitues); 2004 – “Hëna dhe yjtë dashurojnë” (kënduar nga Luiz Ejlli); 2005 – “E dua këngën” (kënduar nga Evis Mula); 2007 – “Po lind një yll” (kënduar nga Rosela Gjylbegu); 2009 – “Në pasqyrë” (kënduar nga Anjeza Shahini); 2010 – “Mirëmbrëma engjëlli im” (kënduar nga Dorina Garuci); 2011 – “Këngën time merre vetë” (kënduar nga Bashkim Alibali); 2011 – “Më lër të të dua” (kënduar nga Mariza Ikonomi); 2012 – “Kush ta dha këtë emër” (kënduar nga Hersiana Matmuja); 2013 – “Zemërimi i një nate” kënduar nga Hersiana Matmuja, fitues); 2014 – “Vetëm te ti besoj” (kënduar nga Klajdi Musabelliu); Kënga Magjike 1999 – “Vetëm një fjalë” (kënduar nga Elsa Lila, fitues) dhe në Festivalin Evropian i Këngës; 2014 – “One Night’s Anger” (kënduar nga Hersiana Matmuja).
Në një repertor mbi 4200 këngë, Jorgo Papingji, poeti dhe njeriu i lidhur fort me mjedisin kulturor, intelektual dhe social shqiptar, krijoi këngë dhe për fëmijë, dhe për këngëtarët popullore dhe për muzikën moderne krahas asaj të lehtë dhe pse në profesion ai është mësimdhënës, i një lënde specifike, fizikës. Ai tregon: “Jeta ime u përcaktua që në maturë, që më doli e drejta e studimit për mësuesi. Unë kam mbaruar shkencat e natyrës, për fizikë. Ishte një degë, që e fillova pa dëshirë fare, se e kisha mendjen për një degë tjetër, ishte elektronika dhe ishte hera e parë që ishte hapur. Fizika është një shkencë që ka ligjet e veta, që ka rregullsinë e vetë dhe duhet t’i lidhësh gjërat me njëra-tjetrën, t’i nxjerrësh konkluzionin. Edhe kënga kështu është, e fillon me strofë dhe pastaj vazhdon me refren.”, thotë Papingji, kur pyetet për këtë të vërtetë jetësore të tij.
Poezia në jetën e tij, përveçse me qytetin e bukur të Vlorës, me të cilën ai mban lidhje në çdo moment, ka qenë gjithmonë brenda tij, si një gjendje e mrekullueshme meditimi, e gatshme për të shpërthyer, për të cilën ai thotë, se: “Unë kujtoj se ka qenë brenda meje, ka qenë e mbyllur dhe u krijua një mundësi që u hap dhe nuk u mbyll më kurrë. Pastaj filluan disa fletore shënimesh, kujtimesh dhe mbaj mend, që isha i vetmi që shkruaja kujtimet në poezi”, dhe pastaj: “Një ditë të bukur mu mbush mendja të shkruaja një këngë për Festivalin e Këngës në RTSH dhe ishte pjesëmarrja e parë e imja në festivalin e madh në radiotelevizion”, ku merr rrjedhë një rrugëtim i gjatë jetësor, për t’i mbushur brezat rinore të vendit të tij me motive dhe me një kujtesë brilante të këngëve të tij, shumicën e të cilave njerëzit i mbajnë përmendësh.
Mbi 4200 tekste këngësh, që Jorgo Papingji i dha këngës shqiptare dhe dhjetëra këngëtarësh nga të gjitha krahinat e vendit, e bëjnë atë një mjeshtër të poezisë, por dhe një njohës të shkëlqyer të kohës, pasi çdo këngë që i afrohet kohës mbart në vetvete thelbin e saj, qoftë kur ajo është një këngë e muzikës së lehtë, muzikës për fëmijë apo muzikës popullore. Jorgo Papingji e ka prekur të gjithë realitetin muzikor të gati 50 vjetëve. Në tekstet e këngëve të tij ka një ndjeshmëri interesante me mjedisin, njohjen e thellë të konstitucionit shpirtëror të njerëzve, veçmas kur bëhet fjalë për këngë që këndohen nga këngëtarët e muzikës popullore. Kolori që i përshkon këto këngë e bëjnë atë të ngrohtë dhe të afërt me këdo që i dëgjon, duke qenë i thjeshtë dhe lirik, një mik i përhershëm dhe një njeri i thjeshtë.
Kënga “Më pëlqen të jem ashik” zbulon një mjedis të bukur popullor të Shqipërisë së Mesme, veçmas të Tiranës, një traditë e njohur bujarie dhe e një populli të prirë për bërë një jetë të lumtur dhe të gëzuar. Ahengu Tiranas është i bukur. Ai shoqërohet me një humor të bukur tradicional, siç e përshkon e gjithë kënga në fjalë, ku flitet për traditën (atë që i ka lënë plaku, d.m.th. të moshuarit apo babai), e cila shpërfaqet në të gjithë tekstin, përmes të së cilës poeti zbulon jetën e një tiranasi tradicional, të qejfit, këngës, rakisë dhe ahengut. Duke qenë një këngë e një mjedisi dasme apo mbrëmjeje ahengu, ajo intonon mrekullisht një muzikalitet të shtruar dhe komunikon, ku dashuria për aheng e pije ngjan si një dashuri për jetën. Fjala ashik, një fjalë fort e përmendur në trevën e Tiranës, mbledh të gjithë kuptimin që ajo përcjell në jetën e një banori të kësaj treve. Pija zgjon gëzim dhe harron vuajtjet, afron njerëzit dhe ditët e gëzimeve i bën të bukura.
Kënga “Robi plaket kur donë vet” është një komunikim më veten dhe të tjerët në një moshë jo të re. Poeti krijon një harmoni të mrekullueshme të rinisë dhe të moshës që e ndjek nga pas, si një ligj që nuk e ndalon asgjë. Përmes një lloj retrospektive, duke kujtuar rininë dhe atë që mendon një i ri, se ka gjithmonë një vrull të moshës së re që nuk e kupton pleqërinë, poeti gjen kohën dhe rastin ta thotë këtë, natyrisht si një dialektikë që se shmang dot njeriu.
Vargjet e poezisë i përshkon një humor i lehtë dhe mjaft i bukur, që në të vërtetë përcjell një shqetësim të brendshëm njerëzor, por që thërret së brendshmi, se njeriu duhet të jetojë i gëzuar, në humor dhe me njerëz. Të kujtosh rininë në një moshë të kaluar, do të thotë të mos e kujtosh vdekjen, se njeriu nuk plaket nga vitet, por nga mungesa e humorit dhe e pasionit për jetën. Mosha rinore përshkohet nga pasioni për dashuri, për gaz dhe hare, një motiv për të mbetur gjithmonë i ri. Kënga pëlqehet në mjediset popullore.
Këngën “Asgjë nuk është si më parë” e përshkon një poetikë e lëvizjes së kohës, njerëzve dhe rëndësisë së gjërave. Në thelb dialektika është e tillë, gjërat ia lëshojnë vendin njëra- tjetrës. E ndërtuar mbi një dialog, i cili zbërthen shpirtin e një djali apo vajze në kërkim të partnerit apo partneres, poezia është një himn për dashurinë, e cila është një ushqim i çdo momenti për njeriun, ku njëri me tjetrin (ai me atë) plotësojnë njëri-tjetrin. Gjërat pa dashuri janë pa kuptim, thotë diku poeti, një dashuri që e tejkalon raportin intim që zakonisht zgjon një mesnatë larg njeriut që do. Komunikimi përmes këngës, se “sa herë të dëgjosh këtë këngë unë do të jem aty,” e shenjtëron dashurinë, një burim jetësor që plotëson vetveten në dhimbje kur mungon dhe në dashuri kur është pranë. Në thelb, poezia e këngës “Asgjë nuk është si më parë”, mbart idenë se gjërat janë të ndryshueshme në kohë.
Poezia e këngës “Lauresha e Shkodrës” i kushtohet këngëtares së njohur, Luçie Miloti, një nga më të njohurat e këngës popullore shkodrane, të njohura ndryshe si “ariet shkodrane”. Poeti e adhuron këngëtaren e njohur, e ajo ngjan me Rozafën, një kala e cila është si nëna e të gjithë gjërave të çmuara që lind dhe rrit Shkodra. Luçia është në çdo derë, aheng, gëzim dhe shpirt shkodrani. E bukur, perëndeshë e këngës dhe zë i papërsëritshëm në këngën popullore shkodrane dhe atë shqiptare, zërin, kujtimin, hirin dhe nurin e të cilës e njeh mali dhe fusha, qyteti dhe fshati. E kështu ajo nuk vdes kurrë, nëse nuk e gjen në Shkodrën Loce do ta gjesh në Shirokë, në Va Dejës apo në Koplik. Kënga e saj është si një perëndi e mirë, ngjall gëzim e shpresë. Ata i këndon e gjithë Shqipëria nga Shkodra në Sarandë.
“Lind një këngë” është poezia e një kënge të lehtë, e bukur dhe shumë shprehëse. Poezia e këngës ngjan me një rrëfim të sinqertë, përmes të cilit poeti tregon se ç’është dhe nga lind një këngë. I thotë të gjitha, ndoshta të gjitha burimet emocionale që e kanë ushqyer poezinë e këngëve të tij, që nga lindja e një fëmije, një dashuri, ëndrrat, deti, pranvera, një lule, një rrahje zemre, era nëpër degë, të gjitha janë burimet e këngës, pra, thënë ndryshe natyra dhe njeriu.
Është ndoshta poezia përmes të cilës mund të kuptosh shpirtin lirik dhe të ndjeshëm të poetit, i cili ngjan të jetë kaq delikat dhe komunikues me natyrën dhe ndjenjat.
Poezia e këngës “Mos më gënje” është një realitet që ndodh sot, siç ka ndodhur gjithmonë. Duke pasur një ndjesi të thellë, përmes të cilës shprehet dashuria, shenjtëria që e përcjell atë në jetën e njeriut, dy vargjet e para të këngës (poezisë), si: “Mos më gënje, mos më gënje,/ Të lutem shpirti im”, duket se përcjell të gjithë mesazhin që përcjell kënga dhe poezia. Dashuria është e bukur për aq kohë sa ajo është e pastër, ajo është një marrëdhënie njerëzore, e cila në të shumtën e rasteve është burim jete, nëse ajo nuk mbart vlerat e shenjtërisë së saj, sinqeritetin dhe pastërtinë, ajo humbet vlerën, se “Në dashuri gënjeshtra s’ka kuptim…”. Dhe pse poeti duket se merret me një ngjarje të zakonshme që ndodh në jo pak raste, poezia në të vërtetë është himni i dashurisë, parë nga pozitat e një pasoje që krijon një dashuri e humbur, e cila kuptohet që në vargun e parë të poezisë, që lutja “mos më gënje, shpirti im…”, si pika më e lartë e një marrëdhënie mes dy njerëzve, poeti thotë “shpirti im!”.
Gati si një moment intimiteti lidhur me muzën e tij, ai thotë, se nëse vetë rri në Tiranë, mendja i rri në Vlorë, ku kurrë nuk harron të kalojë verën e bukur joniane. Me një sinqeritet të brishtë ai tregon një rast: “Pas pak kohësh do m vij dhe vajza ime që jeton jashtë dhe do të shkojmë të gjithë me pushime në Vlorë, por ama unë kudo që shkoj kam me vete një stilolaps, syzet dhe një bllok shënimesh. Nuk shkëputem nga shkrimi, kudo ka impresion, kështu që unë shkruaj vargje gjithmonë”, ndërsa këtë raport të përjetshëm, ai e përmbush me një batutë të shkëlqyer, me të cilën përmbledh jetën e tij, poezinë, dashurinë për njerëzit dhe vendlindjen, vështirësitë që e kanë shoqëruar jetën e tij, ku thotë: “Unë do të plakem kur të dua vetë!”. E përkryer për një shpirt të madh lirik, por dhe një sfidues të njohur.
Tiranë-Vlorë, mars 2024