Mali i tejdukshëm i Zija Çelës
Mali i tejdukshëm, kur është shkruar (1986-1988) dhe botuar (1990) ka qenë një roman atipik, njëherësh dhe paradigmatik, parashënjues në letërsinë shqipe, në kundërvënie të plotë me metodën e realizmit socialist, ndonëse, është shkruar në kontekstin shoqëror dhe ideologjik të saj. Atipik është edhe në llojin e romanit, që ka ardhur nga vet lloji i imagjinatës së krijimit subjektiv të një realiteti ideal, i ngjashëm dhe i pangjshëm me realitetin e jashtëm, por i ngjashëm me realitetin e brendshëm psiko-social të autorit, që aspironte ndryshime shoqërore rrënjësore, projektin e të cilave e kishte gati në mendjen dhe frymëzimin e vet.
* * * *
Kundërshtimin haptas ndaj realizmit socialist dhe ndryshimin e madh botëkuptimor-letrar, Zija Çela nuk e pati me përmbysjen e sistemit politik (1991), sikurse ndodhi, në atë kapërcyell, me shumicën e shkrimtarëve. Ai, dhe proza e tij romanore, pati ndryshuar disa vjet më përpara. Në atmosferën e pritjes së përgjithshme për ndryshime, në mesvitet 1980, disa shkrimtarë me qëndrime kritike, të shprehura pjesërisht, ose, të pashprehura deri atëherë, paraqitën për botim, vepra me kritika të forta për sistemin politik. Koço Kosta botoi (në revistën Nëntori, 1986) gjysmën e novelës Ata të dy dhe të tjerë, e cila u kritikua me egërsi. Edhe Mali i tejdukshëm i Zija Çelës, me referencë kohore të historisë së rrëfyer të po atyre viteve, është përftuar në të njëjtën atmosferë politiko-letrare dhe për të njëjtin qëllim: daljen haptas prej caqeve të censurës. Fatmirësisht, nuk pati fatin e novelës së kolegut të vet. Megjithatë, censura, edhe pse ishte në grahmë, mezi e lëshoi nga dara për të dalë në dritën e botimit. Krahas romaneve të Ismail Kadaresë, është ndër të paktët, që shënuan kthesën, daljen e plotë prej caqeve kufizuese të krijimit, në një hapësirë tjetër, të lirë, pa obsesion censurimi dhe vetcensurimi. Me ideshmërinë dhe vegimet anticipuese ka qenë edhe një projeksion parashënjues poetikash për veprat e ardhshme të autorit. Me sa, dhe, si mundet letërsia, ka qenë, gjithashtu, parashënjues për dukuri dhe ngjarje, që ndodhën kur Shqipëria u hap, duke u bërë pjesë e sistemit politik europian.
Parashënjat kanë pasë filluar në vetëdijen letrare të shkrimtarit dhe në laboratorin e të shkruarit të letërsisë, i lirë në vetvete, pa përfillur kërkesat e dogmës zyrtare, ende e mbrojtur me ligj. E çliruar dhe e lirë, imagjinata është ngjitur më lart, në aluzione metaforiko-simbolike dhe parabola për ndryshime politike, sidomos për hapjen me Perëndimin. Nëpër to, dukshëm, dhe, në nënshtresa të përsiatjeve dhe dialogjeve, përcillet një humanizëm pannjerëzor, dëshirë për komunikim dhe afri shpirtërore me të tjerët, pa kufij shtetërorë dhe politikë, të afërt dhe të largët, një ndjeshmëri dhe dashuri, aty-këtu, gati sentimentaliste, për qenien njerëzore të patjetërsuar.
Rrëfehet për një periudhë historike të mbideologjizuar dhe të politizuar, por, në të, nuk shfaqen botëkuptime a qëndrime të tilla, që zotëronin në përditshmëri, përveç varfërisë dhe pasojave traumatike të mbikqyrjes. Në të kundërt, veprohet dhe përsiatet sipas prirjeve të ndryshme vetjake, botëkuptimore, kulturore dhe psiko-morale të personazheve, jashtë botëkuptimit të ideologjizuar. Edhe institucionet ideologjike, që vepronin zotërueshëm, janë “fshirë”, duke i shmangur, sikur mos të ishin, shfaqen vetëm në raste të caktuara, të domosdoshme për të përshkruar organizimin shtetëror. Pra, është një lloj letërsie, që mohon, me mënyra të ndryshme, sistemin ekzistues për të mbivendosur a për ta zëvendësuar imagjinativisht me një sistem tjetër shoqëror, të njëmendtë, jo utopist, me shënja të botës së lirë demokratike.
Nga mjedisi shoqëror i vjetëruar, që ka ngecur në rrugën e historisë, simbolikisht, nëpërmjet një tuneli imagjinar, dilet në hapësirat e mbarë kontinentit. Shoqëria e mbyllur shqiptare njësohet me vendet e tjera, mishërim i sistemit demokratik europian. Atmosfera njësuese përftohet me një sistem tjetër simbolik, i zhvilluar në alegori, veçanërisht me simbolet: Nata Polare dhe flamuri i nxirë nga bloza.
1. Nata Polare, /përshëndetja për bashkëqytetarët e kontinentit
Dëbora e jashtëzakonshme (1985), që mbuloi të gjitha vendet e Europës me bardhësi ngrice, në roman, është shndërruar në fshirje të kufijve politikë, kur, edhe shqiptarët, duke përballuar të njëjtat vështirësi natyrore, qenë një lloj me të tjerët, qytetarë të saj. Në atmosferën e Natës Polare, të rrethqarkullimit të tokës pa dritën e diellit, folësi, në Qendrën e Zërit, në vend të “Mirupafshim, bashkëqytetarë të Malashtit!”, kinse me lapsus linguae, përshëndet: “Mirupafshim, bashkëqytetarë të kontinentit!”,sikur të thoshte bashkëqytetarë të Bashkimit Europian.
2. Reja me thinja floriri dhe rremba gjaku, /flamuri i nxirë nga tymi/bloza
Me këmbimin e pamjeve të një reje, asociativisht këmbehen, duke u ndarë, rrugët e historisë. E përngjashme me krifë leshrash dhe thinja të zbardhura prej një drite floriri, shëmbëlltyra e bardhë, fisnike, fillimisht e papërcaktueshme, konkretizohet me emrin e Skënderbeut dhe aureolën e tij. Në zhbërje, nën rrezet e diellit të fundit, që ndërmend perëndimin, fundin e periudhës së rrëfyer bashkëkohore, reja duket me damarë të hollë si rremba gjaku. Shëmbëlltyra e saj shoqërohet me pika të heshtjes, pa përcaktim, as historik dhe as fiksional. Mes dy shëmbëlltyrave, të resë dhe të Skënderbeut, ndërfutet refreni i përzishëm, me disa trajta: “Të rrëqethej mishtë!”, “Ç’dimër i mbrapshtë ky i sivjetmi”, “Ububuja”, fjalë pasthirrmë e saposajuar, të cilat sintetizohen te gjendja e flamurit, simbolit prijës, të nxirë nga tymi/bloza e “motit”. Prej simboleve zbritet në shprehje të drejtpërdrejtë për vjetërimin e sistemit politik, pamundësinë e tij për të vazhduar më tej: “Të rrëqethet mishtë ta përfytyrosh socializmin, njëqind- apo dyqindvjeçar, me patokë të velur si këta.”
Në mungesë të komunikimit të njëmendtë, kufijtë politikë dhe shoqërorë, të mbyllur, kapërcehen me anë të vegimeve “futuriste”. Galeria-tunel e minierës, në ëndrra gjumi fiksional, shndërrohet në “metro”, tejshkuese e malit. Prej saj dilet në një stacion treni, të ngjashëm me stacionet e vendeve të huaja me lëvizje të madhe njerëzish dhe ngarkesash. Edhe qielli i zogjve, jo i aeroplanëve, bëhet hapësirë ndërlidhjeje, përshëndetjeje dhe komunikimi imagjinativ. Pata, që vjen, me dy unaza, një nga Stokholmi (Suedi) dhe një nga Magdenburgu, (Gjermani), ndonëse, e plagosin në krahë, kthehet prej nga erdhi me një unazë të tretë, nga qyteza minatore shqiptare, për t’a njëjtësuar vendngjarjen e romanit si qytet europian.
Mali, vendndodhja e galerive të veprimit, është edhe mbyllja e patundshme e horizontit të shikimit, pamundësia për të shkuar më tej. Aluzionet analogjike dhe simbolike mbishtresojnë në peshën e tij edhe rëndesën e detyrës ndaj pushtetit, të kërrusjes dhe thyerjes prej tij. Në shtresimin figurativ të përgjithshëm të malit, mes të thënave të llojit: atë e ka zënë mali poshtë, kurse miniera ka nevojë për burra që ta mposhtin malin, qarkullojnë thirrje qëndrueshmërie dhe nënzëra revolte. Galeritë e metalit të çmuar të kromit, me shtrirjen e tyre, prej hyrjes, në sipërfaqe të tokës, deri në thellësitë e zgjatura të saj, njëmendësisht malin e bëjnë të tejdukshëm edhe fizikisht. Mbi “tejdukshmërinë” e tij është ngritur “tejdukshmëria” e abstraktimeve, aluzioneve simbolike dhe parabolike, e të parit të kulturës dhe qytetërimit të vendeve të tjera: Francës, Suedisë, Gjermanisë, matanë malit, që nuk lë të shihet andej.
Dinamika e strukturës së romanit shpërfaq një prej domethënieve më të rëndësishme të mendimit të përgjithshëm. Personazhi shkrimtar, një lloj alter ego i autorit, për arsye psikologjike vetjake, e ka ndërtuar përftesën kohore, dhe, prej saj, ritmikën e rrëfimit me njësinë kohore bazë jo të vitit, as të muajit, por të javës. Shtatëdhjetenëntë javët e kohës së rrëfyer, që janë më pak se dy vjet, subjektivisht duken disafish. Në mendësinë e tij, që përjeton me të ardhmen, dhe të vet autorit avangardë, koha, subjektivisht, ecën mjaft ngadalë, pasi në realitet nuk ka ndryshime. Kjo mënyrë e matjes së kohës i është ngulitur atij në fëmijëri, në institucionin shkollor, ku koha e disiplinimit për t’i mbajtur, ose, për t’i përjashtuar nga konvikti, llogaritej me një javë. Zanafilla vetjake e domosdoshmërisë së rrëfimit të kësaj historie fiksioni është disiplina, rregulli, detyrimi për t’iu nështruar rregullit dhe kohës. Obsesioni i frikës së përjashtimit nga shkolla, që vjen prej fëmijërisë, dhe i mundësive të përjashtimeve të tjera, në sistemin shoqëror të përjashtimeve, njësuar me obsesionin, në moshën e pjekurisë, i mosdurimit për ndryshime politike sa më të shpejta, kanë përcaktuar qëndrimin ndaj kohës, rrjedhën e historisë së rrëfyer dhe arkitekturën strukturore të romanit, të ndarë në javë. Disiplinimi dhe frika nga përjashtimi, përjetimet shoqëruese prej tyre janë shkrirë dhe zhvilluar në problematikën bashkëkohëse, të një shoqërie po aq disiplinuese dhe përjashtuese, si shkolla dhe konvikti, prandaj, rrëfimtari i historisë së fiksionit më shpesh dhe më tepër është vet autori.
Tiranë, dhjetor 2022



