Shkrimtari nga Gjirokastra, miku im i palodhur i jetës dhe i letrave, Thanas Dino, i shton krijimtarisë së tij të pasur një tjetër gur themeli me librin me tregime “Lëndë për ëndrra”, që sapo qarkulloi. Me mbi tridhjetë libra në qarkullim romane, studime, hulumtime dhe publicistikë mbi jetën shoqërore të jugut të Shqipërisë, Dino ka dëshmuar se është jo vetëm rrëfimtar, por edhe mbledhës i kujtesës kolektive. Ky libër e çon një hap më tej këtë mision.
Që në titull, “Lëndë për ëndrra” shpall programin e vet estetik. Fjala lëndë nuk është metaforë e zbrazët; është materiali jetësor, faktik, ai brumë i fortë që zakonisht i përket publicistikës. Por këtu ndodh një shndërrim i rëndësishëm: fakti jetësor nuk mbetet raportim, as kronikë, as dokument. Ai bëhet maja që e ngre brumin në art. Bëhet shkëndijë për tregim, për figurë, për impulse të fuqishme dhe botë letrare me frymëmarrje të plotë.
Prej kohësh kam besuar dhe ky libër ma përforcon bindjen, se shumë nga shënimet publicistike të Thanasit janë fabula të gatshme për letërsi. Publicistika, sado e shkruar me mjeshtëri dhe e përmbledhur në libra, rrezikon të venitet me kalimin e kohës, të mbetet e lidhur pas momentit kur është shkruar. Tregimi, përkundrazi, ka jetëgjatësi. Ai hap dimensione psikologjike e shoqërore më të gjera, ndërton karaktere, krijon tension e dramë, përfton simbolikë. E çliron faktin nga data dhe e vendos në kohën e gjatë të letërsisë.
“Lëndë për ëndrra” është pikërisht ky akt transformimi. Libri nuk ndërton një histori të vetme lineare. Ai ndërton një univers, një komunitet që të kalon para syve si në një galeri tragjike. Çdo tregim shton një pjesë në të njëjtën trupë shoqërore. Nuk kemi një protagonist të vetëm, sepse protagoniste është vetë shoqëria me kodet, plagët, krenaritë dhe bëmat e saj.
Ëndrra ka qenë që nga kohët më të lashta një nga hapësirat më pjellore të imagjinatës letrare. Në heshtjen e natës, kur njeriu tërhiqet nga realiteti, lind një botë tjetër e çuditshme, e lirë dhe shpesh zbuluese. Edhe këto tregime janë shkëndijime ëndrras, halucinacione e makthe që kur i sheh njeriu zgjohet befas dhe i jetojnë gjatë në kujtesë. Shkrimtarët e mëdhenj të letërsisë botërore e kanë parë ëndrrën jo vetëm si burim imazhesh dhe simbolesh, por edhe si një mënyrë për të hulumtuar shtresat më të thella të ekzistencës njerëzore.
Në vëllimin me tregime “Lëndë për ëndrra”, është një vijushmëri e pritëshme në arritjet më të spikatura të krijimtarisë artistike të Thanas Dinos. Veç ndërtimit mjeshtëror të fabulës veçori kryesore mbetet mënyra se si ndërtohen figurat e grave. Ato pikturohen me një penel të fuqishëm e dëndësi dramatik, të gdhendura me mjeshtëri mbi një “lëndë të ashpër”, duke bartur një qëndrueshmëri dhe dinjitet që i tejkalon rrethanat historike dhe shoqërore.
Në tregime si “Qilari”, gratë që fshehin ushtarët armiq të luftës italo-greke, Ngjarja merr përmasa që i afrohen strukturës romaneske, pasi në to përqendrohen virtytet më të larta njerëzore. Ato vendosin njeriun mbi ideologjinë, mbi luftën dhe mbi të keqen, duke dëshmuar se vlera e vërtetë e jetës qëndron në humanizëm. Po në këtë linjë, tregimi “Luga e kishës së Stojanit” sjell me gjallëri përplasjen mes shkatërrimit dhe ringjalljes së besimit, për të theksuar se feja nuk përcakton thelbin e njeriut, por se ky thelb buron nga vlerat e tij shpirtërore.
Një tjetër shtresë e rëndësishme është ajo e zakoneve dhe e mentalitetit. Në “Prurësi i zakonit të ri”, theksohet se thyerja e traditës kërkon sakrificë, madje edhe gjak, pasi zakonet janë të rrënjosura thellë në kohë dhe në ndërgjegjen kolektive. Kjo ide mishërohet përmes figurave të forta si Zangona, që qëllon nga frëngjia për të mbrojtur pragun dhe nderin dhe i pret gishtin me sopatë gjitonit që përpiqet të kapërcejë murin e avllisë. Po kështu, Nënëmadhja e Topullarajve shfaqet si një figurë organizuese dhe udhëheqëse, duke tejkaluar edhe burrat në vendimmarrje. Të gjitha figurat e grave në libër kanë dinjitet me përmasa mitike.
Në tregimin “Oxhakët”, autori përdor një simbolikë të fuqishme për të demaskuar shtirjen dhe deformimin e identitetit shoqëror. Rindërtimi i shtëpive të udhëheqësit dhe shtimi i oxhaqeve të rremë shndërrohet ne një akt grotesk, që në mënyrë ironike kthehet kundër vetë protagonistëve, duke përmbysur rendin natyror. Edhe qielli zemërohet dhe e kthen tymin, në dhomën ku do të flejë udhëheqësi. Ndërsa te “Veqili”, drama e kurbetit paraqitet me një gjerësi dhe intensitet tronditës, duke zbuluar plagë të thella të përvojës njerëzore. Po ashtu, “Nusja në vlleh” del si një figurë konkrete që mbart dhe përfaqëson traumën e një komuniteti të tërë.
Ajo që e bën prozën e Thanas Dinos të veçantë është vëzhgimi i hollë dhe skrupuloz i realitetit. Autori nuk e kërkon dramën vetëm në kohë lufte apo trazirash, por edhe në ditët e zakonshme, duke zbuluar tensionet e fshehta të jetës së përditshme. Për këtë arsye, tregimet e tij nuk mbeten thjesht regjistrime të realitetit, por shndërrohen në struktura me dendësi të lartë dramatike, όπου situatat konkrete marrin përmasa arketipale dhe përfaqësojnë një mentalitet, një kohë dhe një hapësirë të caktuar. Në këtë mënyrë, “Lëndë për ëndrra” afirmohet si një vepër ku përvoja individuale dhe ajo kolektive ndërthuren ngushtë, duke krijuar një univers letrar me forcë të veçantë shprehëse dhe me një thellësi të dukshme antropologjike.
Në librat publicistikë të Thanas Dinos ka me dhjetëra fabula të tilla material bruto jetësor, sfidë dhe nxitje për të kapur penën e për ta vendosur lëndën në një sfond tjetër. Këtu shihet qartë se përvoja e publicistit nuk humbet; ajo përthithet nga prozatori. Saktësia e vëzhgimit, ndjeshmëria ndaj detajit, njohja e strukturave shoqërore bëhen bazament për ndërtimin e tregimit. Mbi këtë bazë ngrihet dimensioni letrar: tensioni, heshtja domethënëse, nderi si ligj paralel, turpi publik si gjykatë, fjala e dhënë si institucion.
Libri lëviz mes hasmërisë, politikës, folklorit dhe besëtytnisë, por nuk shpall teza dhe nuk moralizon. Gjeneza e tyre vjen nga gojdhana, nga miti, nga ajo trevë folklorike burimore që vetëm realiteti ta bën dhuratë një lëndë të tillë. Ngjarjet vendosen përpara nesh me një kthjelltësi që i lejon të flasin vetë. Në disa raste vendimi merret me pushkë, në të tjera me heshtje. Regjimet ndryshojnë, por mënyra si peshohet nderi mbetet. Dhe pikërisht këtu qëndron forca e letërsisë: ajo na bën të kuptojmë se mentalitetet jetojnë më gjatë se sistemet.
Forca e këtij libri qëndron te kthjelltësia e vështrimit. Dino nuk e mitizon realitetin, por as nuk e zhvesh nga dinjiteti i tij. Ai e sheh komunitetin si një organizëm kompleks, me dritëhijet e veta, me plagët dhe krenaritë e veta. Çdo rrëfim bëhet një dritare për të kuptuar jo vetëm atë që ka ndodhur, por mënyrën se si një shoqëri mendon, gjykon dhe e shkruan kodin e vet moral.
Në një kohë kur kujtesa kolektive shpesh reduktohet në slogane ose në nostalgji të sipërfaqshme, “Lëndë për ëndrra” vjen si një akt i përgjegjshëm letrar. Është një vështrim i thellë mbi një mentalitet që vazhdon të jetojë edhe pasi koha ka ndryshuar. Një libër që nuk ofron vetëm histori, por “lëndë” për të kuptuar ëndrrat, frikërat, kodet dhe ndërgjegjen e një shoqërie të tërë. Me këtë vëllim, Thanas Dino jo vetëm pasuron bibliografinë e tij të gjerë, por rikonfirmon rolin e tij si një nga kronikanët më të rëndësishëm të shpirtit dhe historisë shoqërore të jugut shqiptar, një zë që di të dëgjojë, të mbledhë dhe të rrëfejë pa bujë, por me peshë.
“Lëndë për ëndrra” nuk është thjesht kujtesë e një kohe apo e një krahine. Është dëshmi se faktet e jetës, kur kalojnë nëpër filtrin e artit, fitojnë një dimension më të thellë dhe më universal. Është provë se publicistika mund të jetë farë për letërsi të begatë. Kështu, Thanas Dino vazhdon ta kthejë përvojën jetësore në prozë me peshë, me frymë dhe jetëgjatësi.
Në kufijtë e ndryshimit: profili i prozës së Thanas Dinos
Romanet e Thanas Dinos na japin profilin e një shkrimtari tashmë të konsoliduar, që përshkruan dy botë, të vjetrën dhe të renë, duke na dhënë tangjenten e takimit të tyre, një takim tronditës që ngjan çlirues, por po aq prangues, sepse qelizat kanceroze i kanë hedhur metastazat kudo në trupin e shoqërisë dhe janë mentaliteti, paragjykimet dhe propaganda e shfrenuar e gënjeshtrës e një sistemi dhune dhe frike.
Veprat kanë protagonist të dyfishtë, heroin e traumatizuar dhe shkrimtarin, dhe ngjajnë me romane të disfatës dhe të shpresës, me protagonistë që kalojnë në një filtër katharsisi dhe hedhin hapin e parë në një shkallë që ngjan me shkallë triumfi, por edhe dyshimi, një hap i grackuar nga e kaluara që nuk i ndahet kohës dhe njeriut, sepse ka rrënjë kaq të thella që përherë do të nxjerrë një lastar të helmatisur, si Hidra e Lernës që, po i preve një kokë, të tjera të padukshme i mbijnë.
Romanet e Dinos sjellin vlerat epokale të ndryshimeve dhe përmbysjeve shoqërore. Është hapi i madh drejt një bote të lirë demokratike, ai zhvillim që në dukje kërkon të jetë i natyrshëm, por në të vërtetë vjen me dallgëzime, tronditje, goditje dhe plagë. Koha hedh shkëndija ylberore të një kohe iluzionare, të mbushur me konflikte, përmbysje dhe deziluzione. Liria nuk paraqitet si një zonjëz lozonjare, por si një gjendje që kërkon përherë flijime dhe kërkon haraç. Heronjtë e vërtetë ndeshen me fantazmat.
Dino ka një vepër shumëplanëshe dhe polifonike. E djeshmja dhe e sotmja, vetjakja dhe shoqërorja, tragjikja dhe groteskja, Don Kishotët dhe Sançot, janë të pandashëm në një shtrat lumor ku ndeshen të gjitha dallgët dhe stinët. Autori i vë dorën njeriut që ndodhet mbi greminë dhe e tërheq, vë gishtin mbi plagën e njeriut, viktimë e krizës morale dhe e luftës psikologjike të një ndërgjegjeje të turbullt e pa busull. Heronjtë e tij gjenden në kufijtë midis reales dhe ireales, mes ankthit dhe frikës, mes kërcimit drejt së resë dhe rrëzimit në kaosin e zhgënjimit dhe ankthit ekzistencial të njeriut që gjendet lakuriq në një botë zbrazëtie, ku gënjeshtra dhe propaganda i kanë hyrë deri në palcë, i kanë turbulluar shikimin dhe i kanë shtrembëruar shtyllën kurrizore.
Tek libri i dyfishtë “Fjalët shihen” me publicistikë dhe romanin “Gjumi në shtëpinë e pritjes”, autori pohon: “Është gazetaria e një shkrimtari dhe letërsia e një gazetari”. E tillë është gjithë krijimtaria e tij, ku në qendër është njeriu. Dino është një mjeshtër hulumtues i publicistikës gojore, i mitit dhe i gojëdhënës, një kronist i vërtetë, një shprehës i fjalës së gjallë dhe një mag i historisë që shndërrohet në letërsi të mirëfilltë. Librat e tij i kam lexuar pothuajse të gjitha, shpesh që në dorëshkrim, duke shprehur përshtypjet dhe vërejtjet e mia gjatë procesit të përpunimit krijues para botimit, pasi i daktilografonte im vëlla, Odhisea.
Libri “Mbi tokën e ngushtë”, që pasojnë “Vetëvrasje mbi trëndafil” dhe “Diell i ulët”, shënon një pjekuri në përpjekjen për të lidhur dy epokat e vendit, në fundin e një shekulli dhe në agun e një tjetri. Janë një sagë e dhimbëshme e përmbysjes e përmbysjes epokale, me një qiell përherë gri dhe një tokë tërmetore që është vështirë të mbash ekuilibrin e të gjesh vend të mbështetesh, janë romane të kronikës, me një galeri personazhesh të ndryshëm dhe njëherazi të ngjashëm, që mbartin secili pas vetes kohën që kanë jetuar dhe që jetojnë, dramën dhe plagën, dëshminë dhe denoncimin e heshtur e të mprehtë.
Bota që kërkon syrin e së vërtetës
Romani “Ciklopi i Glinës” i Thanas Dinos nuk është thjesht një rrëfim me shpërthime të forta dramatike; është një udhëtim i guximshëm në kufijtë e dy botëve, jo vetëm gjeografike, por edhe shpirtërore, politike dhe historike. Me pikënisje pakicën kombëtare greke në Shqipëri, dhe më konkretisht në Epirin e Veriut, autori end një histori shumëplanëshe që pret në mes shekullin e njëzetë, me të gjitha tragjeditë, fanatizmat, rrënojat, por edhe shpresat për shpëtim.
“Ciklopi” i titullit, Dhosi, është një hero tragjik, pothuajse mitologjik. Me një sy, i mbijetuar, dëshmitar dhe viktimë e një sistemi që për dekada shtypi çdo gjë të ndryshme dhe të lirë. Njëri sy i tij shikon nga e kaluara; tjetri, i humbur, i ruajtur si mbetje apo trashëgimi, simbolizon verbimin e dhunshëm nga një sistem që, fatkeqësisht, la gjurmë tragjike në historinë e popujve. Por Dino nuk shkruan për të justifikuar apo për të akuzuar, por për të kujtuar, për të ruajtur dhe për të zbuluar të vërteta.
Gjuha e tij, herë e ashpër dhe herë lirike, të rrëmben nga kalimet e fshehta të Kakavijës deri në bodrumet e hetuesive, nga heshtja e internimit deri te protesta e fuqishme e trupave të zhveshur në kufi. Personazhet e tij, herë realë e herë pothuajse alegorikë, marrin frymë brenda së vërtetës së kujtesës historike.
Në kufirin mes dy atdheve dhe dy botëve, gjuha bëhet streha e fundit e identitetit, besimi (jo vetëm fetar, por edhe njerëzor) bëhet veprim, dhe drejtësia mbetet, shpesh, një ëndërr e shtypur.
Me këtë përkthim, publiku lexues grek tashmë ka qasje në një vepër thellësisht të rëndësishme, jo vetëm për dokumentimin e përvojës së Epirit të Veriut, por edhe për kontributin e saj më të gjerë në kuptimin e gjendjes ballkanike: një bashkëjetesë vazhdimisht në kufij, por edhe një njerëzi që këmbëngul të lulëzojë përmes çarjeve. Sepse, në fund, “Ciklopi i Glinës” nuk është gjë tjetër veçse secili prej nesh, që e sheh botën përgjysmë dhe kërkon syrin tjetër, të vërtetën, shpresën, vendin dhe jetën që iu mohuan.
Përballë pasqyrës së historisë
Në romanin e tij të dytë, “Përdorimi”, botuar në të njëjtin libër Thanas Dino rikthehet me një forcë të rrallë shkrimit për të ndriçuar faqet më të errëta të historisë së re shqiptare. Me sfond ngjarjet e vitit të mallkuar 1997, një vit që shënoi thellë ndërgjegjen kolektive të një populli, autori nuk kufizohet në një regjistrim të thjeshtë të krizës. Përkundrazi, ai depërton me një ndjeshmëri të admirueshme në shpirtrat e njerëzve që u bllokuan në të: politikanë, ushtarë, qytetarë, madje edhe roje të thjeshta apo rrëfimtarë të vetmuar.
Profesioni i gazetarit e lëviz rrëfimin midis realizmit dokumentar dhe thellimit të brendshëm letrar. Dino pyet pa predikuar, nëse plagët e një vendi mund të shërohen pa të vërtetë, pa falje, pa një introspeksion kolektiv. “Lufta” që ai përshkruan nuk është vetëm politike apo gjeografike. Është thellësisht morale, pothuajse ekzistenciale, një luftë brenda njeriut dhe shoqërisë, që përballet me fajin, pendimin, harresën dhe kujtesën.
Gjuha e Dinos, e thjeshtë, e mprehtë dhe e saktë, e çon lexuesin në një kohë që duket njëkohësisht e largët dhe tronditshëm e pranishme. Gjirokastra, Tirana, Jugu dhe Veriu nuk janë vetëm vende, por peizazhe kujtese, traume dhe shprese. Tingulli i kambanës, zëri që rikthehet në manastirin që ngjan si një zgjim në fillim dhe në fund të romanit, nuk është thjesht një simbol shpëtimi. Është një pyetje: a mundet një shoqëri të rikthehet në kohezionin e saj moral pas shembjes dhe reflektimit kolektiv: “a do të ketë vallë pendim apo vetëm përdorim? Do të shlyhen mëkatet apo thjesht do të përdoren sërish?”
Ky libër lexohet si kronikë, si britmë dhe si lutje. Është një dëshmi thellësisht njerëzore që i tejkalon kufijtë e Shqipërisë dhe, do të thosha pa hezitim, edhe të Ballkanit, dhe flet për të gjithë popujt që u thirrën, apo do të thirren të qëndrojnë përballë pasqyrës së historisë së tyre me vështrimin nga e ardhmja.
Thanas Dino në dialog me prozën bashkëkohore greke
Letërsia e Thanas Dinos zë një vend të veçantë në hapësirën e ballkanit të jugut, sepse ajo ndërton një urë midis përvojës historike dhe dramës së brendshme të njeriut. Në këtë kuptim, krahasimi i vlerave të veprës së tij me ato të tre shkrimtarëve bashkëkohorë të epirit grek, si Dhimitris Haxhis, Kristoforos Milionis dhe Sotiris Dhimitriu, nxjerr në pah një afërsi tematike të dukshme, por edhe dallime të rëndësishme në mënyrën e trajtimit të historisë dhe njeriut.
Në veprën e Dhimitris Haxhis, sidomos në librat “Fundi i qytetit tonë të vogël” dhe “Libri i dyfishtë”, historia shfaqet si një forcë që vepron në heshtje mbi jetët e njerëzve. Personazhet jetojnë në periferi të zhvillimeve të mëdha, por mbartin mbi vete peshën e tyre. Vlera themelore këtu është dinjiteti njerëzor përballë humbjes dhe shpërbërjes së botës së vjetër. Kujtesa shndërrohet një formë rezistence, ndërsa vetëdija dhe kërkimi i identitetit bëhen boshti i ekzistencës moderne. Tek ky autor, historia është një sfond i brendësuar, një rrjedhë që formëson njeriun në mënyrë të heshtur dhe reflektuese.
Në këtë pikë, proza e Thanas Dinos afrohet me të, por edhe ndahet dukshëm. Edhe tek Dino historia nuk është një nocion abstrakt, por një forcë konkrete që ndërhyn në jetën e individit. Megjithatë, ndryshe nga qasja më e përmbajtur e Haxhiut, tek Dino ajo shndërrohet ne një mekanizëm dramatik, shpesh i pamëshirshëm. Në romane si “Prishja” apo “Dimra lufte”, “Në mes” apo “Në qafë” personazhet nuk janë vetëm dëshmitarë të historisë, por viktima dhe bartës të saj. Ata jetojnë në një realitet ku dhuna, përndjekja dhe ndryshimet e identitetit nuk janë përjashtime, por norma.
Kjo e çon prozën e tij drejt një realizmi tragjik. Njeriu tek Dino gjendet i përfshirë në një rrjet forcash që e tejkalojnë, ndërsa përpjekja për liri dhe vetëpërcaktim shoqërohet gjithmonë me plagë, iluzione dhe zhgënjime. Liria nuk paraqitet si një gjendje e dhënë, por si një proces i dhimbshëm që kërkon sakrificë. Në këtë aspekt, vepra e tij fiton një dimension epokal, duke pasqyruar përmbysjet e mëdha shoqërore dhe morale të kohës.
Në krahasim me Kristoforos Milionis, ndryshimi bëhet më i qartë. Në veprat e Milionit, si “Kallama dhe Akeron”, Epiri shfaqet si një hapësirë kujtese dhe reflektimi. Historia nuk është aq një forcë që shkatërron, sa një terren meditimi ku individi përpiqet të kuptojë të kaluarën. Toni është më i qetë, më introspektiv. Kujtesa nuk është plagë e hapur, por një proces i ngadaltë rikthimi dhe përpunimi.
Ndërsa tek Dino, kujtesa është e ngarkuar me tension dhe dhimbje. Ajo nuk është vetëm rikujtim, por prani e gjallë që ndikon në të tashmen. Personazhet e tij nuk reflektojnë thjesht mbi të kaluarën, por e përjetojnë atë si barrë që nuk i ndahet kurrë. Kështu, në vend të një meditimi të qetë, kemi një përplasje të vazhdueshme midis njeriut dhe ngjarjeve historike.
Nga ana tjetër, Sotiris Dhimtriu i afrohet botës njerëzore nga një kënd tjetër. Në vepra si “Të dëgjoj mirë emrin tënd”, ai fokusohet tek historia e vogël, tek individi i thjeshtë dhe jeta e përditshme në komunitetet periferike. Gjuha e tij është e lidhur fort me të folmen popullore, ndërsa rrëfimi ndriçon brishtësinë dhe vetminë e njeriut.
Edhe këtu ka një pikë takimi me Dinon, sidomos në interesin për njeriun e zakonshëm dhe për botën e komuniteteve të vogla. Por ndërsa Dhimitriu ndalet tek detaji intim dhe emocional, Dino e zgjeron këtë botë në një panoramë më të gjerë historike dhe shoqërore. Tek ai, individi nuk është vetëm një qenie e vetmuar, por një nyje ku kryqëzohen forca historike, ideologjike dhe kulturore, ndërsa përsa i përket gjuhës dhe Dino preferon gjuhën dialektalektore. Një element tjetër thelbësor i prozës së Dinos është karakteri i saj polifonik dhe shumëplanësh. Në veprën e tij ndërthuren e djeshmja dhe e sotmja, individualja dhe kolektivja, tragjikja dhe groteskja. Personazhet lëvizin në kufijtë midis reales dhe ireales, midis shpresës dhe zhgënjimit, duke krijuar një univers ku gjithçka është në lëvizje dhe në konflikt. Kjo e bën veprën e tij një lloj kronike të gjallë të shoqërisë në transformim.
Në këtë drejtim, ai shfaqet si një kronist i historisë së padukshme, i atyre jetëve dhe fateve që nuk regjistrohen në narrativat zyrtare. Ashtu si tek Haxhiu, edhe këtu kemi një interes për njeriun dhe dinjitetin e tij, por Dino e çon këtë interes në një dimension më të errët dhe më dramatik, duke nxjerrë në pah jo vetëm qëndresën, por edhe deformimin dhe krizën morale. Në përfundim, krahasimi i Thanas Dino me Dhimitris Haxhis, Kristoforos Milionis dhe Sotiris Dhimitriu tregon se të gjithë ndajnë një hapësirë gjeografike dhe bosht të përbashkët tematik, marrëdhënien e njeriut me historinë, kujtesën dhe identitetin. Megjithatë, mënyra se si secili e trajton këtë bosht është e ndryshme.
Haxhiu thekson dinjitetin dhe vetëdijen, Milionis reflektimin dhe kujtesën, Dhimitriu përditshmërinë dhe intimen, ndërsa Dino i përmbledh të gjitha këto në një prozë të ngarkuar me tension historik dhe dramë ekzistenciale. Pikërisht kjo e bën veprën e tij një nga dëshmitë më të fuqishme të përvojës ballkanike, ku historia nuk është thjesht e kaluar, por një forcë që vazhdon të jetojë dhe të formësojë fatin e njeriut.
Vlerat stilistike të prozës së Thanas Dinos në disa kritika
Kritika shqiptare, përmes zërave si Sadik Bejko dhe Josif Papagjoni etj., e shohin prozën e Thanas Dinos si një ndërthurje të fuqishme të historisë me përjetimin artistik. Siç thekson Bejko, “Dino e kthen ngjarjen historike në përjetim letrar”, duke e bërë lexuesin jo thjesht dëshmitar, por pjesëmarrës në dramën kolektive.
Në këtë rrëfim, sipas tij, kemi një tekst “të dendur, të mbushur me jetë dhe me zëra që vijnë nga kujtesa kolektive”, çka i jep prozës së Dinos një karakter polifonik dhe një lidhje organike me historinë e jetuar. Po në këtë linjë, kritika vëren se autori “ndërton një afresk të gjerë njerëzor ku historia, zakoni dhe miti bashkëjetojnë”, duke e ngritur rrëfimin përtej një kronike të thjeshtë në një strukturë me thellësi antropologjike.
Një tjetër tipar i theksuar është gjuha. Ajo cilësohet si “e fortë, e ngarkuar dhe me energji të brendshme”, një gjuhë që nuk përshkruan vetëm, por shtyn përpara rrëfimin dhe krijon tension të vazhdueshëm artistik. Kjo energji lidhet edhe me përvojën e autorit si gazetar, për të cilën është thënë se ai “gërmon në histori me syrin e gazetarit dhe e rindërton me ndjeshmërinë e shkrimtarit”.
Në planin estetik, Josif Papagjoni thekson se “tek Dino tragjikja dhe groteskja ndërthuren natyrshëm”, duke krijuar një botë ku dhimbja, ironia dhe absurdi bashkëjetojnë. Kjo ndërthurje e bën prozën e tij një pasqyrë të thellë të realitetit historik dhe njerëzor, sidomos në periudhat e krizës. Po ashtu, në analizat për romanet e tij theksohet se rrëfimi “lëviz mes realitetit dhe simbolit”, duke marrë shpesh një dimension paralajmërues për fatet shoqërore dhe historike. Kështu, vepra e Dinos nuk mbetet vetëm dëshmi, por bëhet edhe reflektim dhe interpretim i kohës.
Në përfundim, kritika shqiptare e përmbledh stilin e Thanas Dinos si një prozë të dendur, të fuqishme dhe shumëdimensionale, ku historia shndërrohet në art, kujtesa në rrëfim dhe përvoja kolektive në një univers letrar me intensitet të rrallë.



